INJORIMI I MARRËVESHJES SË OHRIT …

INJORIMI I MARRËVESHJES SË OHRIT APO INTERPRETIMI I NJËANSHËM I SAJ – GJENERATOR KRIZE

Nga Xhelal Zejneli, Shkup – 28 korrik 2021 

 Injorimi i Marrëveshjes së Ohrit nga faktori maqedonas shkakton në Maqedoni tensione ndëretnike, gjë që gjeneron krizë politike të pashmangshme. Në mënyrë të heshtur janë duke u zhvilluar dy procese:

– E para, VMRO-ja e injoron Marrëveshjen e Ohrit apo e interpreton njëanshëm atë; 

– E dyta, faktori politik shqiptar, si reaksion ndaj moszbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, ndërmerr veprime që nuk janë përcaktuar me ligj. Nga dy veprimet e sipërthëna, del se në Maqedoni nuk respektohet Kushtetuta dhe ligjet që burojnë prej saj. 

Rrjedhimisht, ajo shndërrohet në shtet joligjor. Krijohet përshtypja se për çështje të caktuara, shteti funksionon si federatë e dy bashkësive etnike: e shqiptarëve dhe e maqedonasve. Secili nga partnerët e bashkëqeverisjes, lidhur me çështje të caktuara kombëtare, punon në krye të vet. Kjo nuk i acaron vetëm marrëdhëniet midis partnerëve të bashkëqeverisje, por ndikon edhe në tensionimin e marrëdhënieve ndëretnike. Fajtor i vetëm për këtë është faktori maqedonas, për arsye se nuk e respekton Marrëveshjen e Ohrit.  

Reagimi i faktorit politik shqiptar është i natyrshëm. Homazhi për dëshmorët e luftës së 2001-shit, bërë nga ministri shqiptar i Mbrojtjes i qeverisë së përtashme, përshëndetja e kadetëve në gjuhën shqipe nga po ky ministër, ndërrimi i emrave të shkollave, i ndërmarrë nga kryetari i komunës së Çairit të Shkupit, nderimi i himnit kombëtar shqiptar nga udhëheqës politikë shqiptarë dhe nga intelektualë universitarë – nuk janë akte individuale, personale apo private, të ndërmarra për qëllime ekzibicioniste apo për marketing politik, sikundër u interpretua nga ca “analistë” maqedonas. Ato janë veprime të natyrshme të faktorit politik shqiptar, në rrethanat kur pala kundërshtare, çdo tentativë të shqiptarëve për t’i zgjidhur çështjet e hapura, e pret mbi tehun e shpatës.   

Veprimet e lartpërmendura të faktorit politik shqiptar e kanë mbështetjen e tërë popullit shqiptar në Maqedoni dhe të mbarë kombit në rajon. Mirëpo, në të mirë të përgjithshme është që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen me ligj, pas një marrëveshjeje politike midis faktorëve politikë. Për të mos rënë në kurthet e djallëzisë bizantine, faktori politik shqiptar, para se të hyjë në qeveri, me palën e kundërt duhet të hartojë marrëveshje politike konkrete dhe të përpiktë, me afate të sakta të sendërtimit të saj. Shkelja eventuale e marrëveshjes duhet të nënkuptojë prishjen e bashkëqeverisjes. Me këtë rast, opozita shqiptare në asnjë mënyrë nuk duhet të hyjë në bisedime për bashkëqeverisje.  

Mos-hyrja në qeveri  është vijë e kuqe, kalimin e së cilës nuk mund ta imponojnë, as qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Berlini, as qendrat politike shqiptare – Tirana dhe Prishtina. Hyrja e faktorit politik shqiptar në qeveri pa marrëveshje politike konkrete, i mundëson partisë maqedonase që për çështje të caktuara të ndërtojë strategji të fshehtë. Me atë rast, gjatë tërë mandatit, partneri sllavo-maqedonas “i bashkëqeverisjes”, për çështje të caktuara ndjek politikë jotransparente dhe sekrete. Çdo tre muaj e befason partnerin shqiptar “të bashkëqeverisjes” me ndonjë akt antishqiptar. Aktet e tilla, natyrshëm krijojnë tensione ndëretnike.

Pasojat e politikës djallëzore sllave janë: 

– raportet e ndera midis bashkësive etnike;

– paqëndrueshmëria e shtetit, ngecja ekonomike e tij dhe zvarritja e proceseve demokratike; 

– dobësimi i kohezionit të shtetit dhe thellimi i vijës ndarëse midis etnikumeve; 

– nxitja e tendencave centrifugale te faktori shqiptar; rënia prestigjit të shtetit në planin ndërkombëtar.

Arritja e një marrëveshjeje politike ndërkaq, midis faktorit politik shqiptar dhe atij maqedonas, para se të krijohet qeveria, është në interes, si të shqiptarëve ashtu edhe të maqedonasve. Efektet pozitive për shtetin do të ishin: forcimi i kohezionit dhe i stabiliteti, nxitja e proceseve ekonomike, shtimi i kapaciteteve demokratike, rritja e  prestigjit në planin ndërkombëtar. Maqedonasit deri në skajshmëri janë restriktivë ndaj shqiptarëve, për arsye se pandehin se çfarëdo e drejte që t’u njihet shqiptarëve, pashmangshëm shpie në federalizmin e Maqedonisë, pas të cilit, natyrshëm pason ndarja. Mirëpo, shqiptarët nuk mund të pranojnë të jenë viktimë e kësaj paranoje të tyre. Marrëveshja politike që do t’i printe formimit të qeverisë do të duhej t’i përmbante të gjitha kërkesat politike që parashikohen në Marrëveshjen e Ohrit – të interpretuar drejt. Po të presin shqiptarët që të drejtat e tyre të maten në shtratin e Prokrustit, atëherë del se për realizimin e kërkesës së fundit do të duhej të prisnin edhe shumë dekada.

Ndërkohë, pala tjetër do tagllabëronte tërë ekonominë e vendit. Pa ekonomi, shqiptarët s’do të ishin veçse lumpen proletarë. Shtrohet pyetja: Po qe se shqiptarët në Maqedoni, statusin e tyre politik nuk mund ta zgjidhin, përkundër luftës së 2001-shit, atëherë si do ta zgjidhin pa të?! Me fjalë të tjera, po qe se shqiptarët nuk ia dalin ta parandalojnë interpretimin e njëanshëm të Marrëveshjes së Ohrit, atëbotë në ç’mënyrë do të mund të imponojnë një marrëveshje politike tjetër?! Marrëveshja e Ohrit nuk është marrëveshje kulturore, siç duan ta interpretojnë “ekspertët” maqedonas. Ajo u siguron shqiptarëve subjektivitet politik të plotë në shkallë vendore si dhe subjektivitet politik të caktuar në nivel qendror.

Interpretimi i njëanshëm i saj i privon shqiptarët nga subjektiviteti, si në shkallë vendore ashtu edhe në atë qendrore. Me interpretimin autentik të Marrëveshjes së Ohrit nënkuptohet mbrojtja e dimensionit politik të saj. Shqiptarët duhet të bëjnë dallimin ndërmjet të drejtave kulturore, në një anë, dhe të drejtave politike, në anën tjetër.

Me të drejtat politike nënkuptohet sovraniteti mbi ekonominë, i shoqëruar nga gjuha shqipe dhe nga flamuri kombëtar. Ndërkaq, një shkallë më e lartë e të drejtave politike nënkupton sovranitetin mbi territorin, të shoqëruar nga gjuha shqipe dhe nga flamuri kombëtar. Pikërisht për këtë arsye faktori shqiptar në Maqedoni duhet të mbrojë me të gjitha mjetet politike: luftën e 2001-shit; rolin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në të, si dhe interpretimin autentik të Marrëveshjes së Ohrit. Meqë pala maqedonase i mohon tri vlerat e lartpërmendura që ndërlidhen me luftën, atëherë është detyrim historik i faktorit politik shqiptar që t’i mbrojë ato me çdo kusht.

Edhe pse me konfliktin e armatosur të para një dekade nuk arritën të përmbushen synimet historike të shqiptarëve në Maqedoni, megjithëkëtë lufta e 2001-shit, UÇK-ja dhe Marrëveshja e Ohrit kanë rëndësi historike për shqiptarët në rajon. Lufta e 2001-shit, UÇK-ja dhe Marrëveshja e Ohrit u shkaktojnë shqetësim shpirtëror dhe psikologjik nacionalistëve maqedonas, për arsye se me to rrënohet përfundimisht ëndrra e tyre për një Maqedoni monoetnike dhe centraliste. Shteti me komponente binacionale dhe i decentralizuar, ia hap rrugën shembjes së karakterit unitar të tij, si një hap drejt proceseve të mëtejme. Sipas tyre, interpretimi autentik dhe implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, shpie pashmangshëm drejt federalizmit të vendit, pas të cilit pason pandalshëm procesi i ndarjes së Maqedonisë. Shqetësimet e maqedonasve janë të pabaza.  Marrëveshja e Ohrit u mundëson shqiptarëve një shkallë të caktuar barazie kombëtare. Nacionalistët sllavë ndërkaq, barazinë e të tjerëve me ta, e përjetojnë si pabarazi të vet. Ideologët bizantinë nuk duan të pajtohen me faktin se shqiptarët në gadishull janë popull autokton, me lashtësi më të madhe se heronjtë homerikë. Mohimi apo injorimi i tri vlerave të sipërthëna i kthen proceset prapa. Marrëveshja e Ohrit, e devalvuar njëherë, vështirë mund të rivlerësohet. Në qoftë se VMRO-ja nuk heq dorë nga destruksioni politik, atëherë rezulton se ajo, me vetëdije i rrënon themelet e shtetit. Në rrethana të tilla, faktorit politik shqiptar nuk i mbetet tjetër përpos të riorganizohet, të ripozicionohet dhe ta kontestojë, jo vetëm ideologjinë anakronike dhe johistorike të VMRO-së, por edhe krijimin më artificial të AVNOJ-it (KAÇKJ) – Maqedoninë. 

Dilema: sikur të dalim nga qeveria ku do të vejmë dhe ç’do të bëjmë është e pabazë. Pjesë e demokracisë është edhe mosbindja civile. Teoria politike njeh mosbindje civile pasive dhe mosbindje civile vepruese. Që të dy variantet e veprimit janë joviolente. 

*   *   *

Për arritjen e objektivave madhorë, faktori politik shqiptar duhet të riorganizohet dhe të ripozicionohet politikisht, pikërisht në hapësirën politike të vet. Depozicionimin politik që ia shkakton Gruevski, faktori politik shqiptar, nëpërmjet riorganizimit politik duhet ta shndërrojë në ripozicionim politik.

Partitë politike shqiptare:

– Duhet ta ndërpresin veprimin e tyre në institucionet e sistemit; 

– Të vënë moratorium mbi veprimtarinë partiake; 

– Të bashkoheni rreth një fronti politik të përbashkët; 

– Të hartojnë projekt kombëtar për zgjidhjen reale të çështjes shqiptare në Maqedoni;

– Ta shpallin të pavlefshëm kushtetutën e këtij vendi; 

– T’i propozojnë palës maqedonase afat konkret për fillimin e bisedimeve për një

marrëveshje historike ndëretnike.

Po qe se pala maqedonase nuk pajtohet të ulet në bisedime, atëherë shqiptarët, në hapësirën politike të vet duhet të krijojnë sistem paralel. Krejt kjo, në rrugën paqësore, politike dhe demokratike. Mjafton mosbindja civile, pasive apo vepruese e shqiptarëve, që Maqedonia fragjile të lëkundet dhe që nacionalistët maqedonas të fillojnë të mendojnë në mënyrë racionale. Çfarëdo qeverie në Shkup, pa shqiptarët në të, s’do të kishte legjitimitet – as të brendshëm e as të jashtëm. Maqedonia, pa shqiptarët në qeveri, pëson infarkt vdekjeprurës. Asnjë bashkësi etnike në Evropë nuk është e nëpërkëmbur si shqiptarët në Maqedoni, të cilët përbëjnë 30% të popullsisë së përgjithshme të saj, përballë një grupi etnik pa identitet. Politika represive e Gruevskit ua përkujton atyre kohën e perënduar të opresionit rankoviqist.

Kur është fjala për shqiptarët, ndërmjet VMRO-së së Gruevskit dhe gligorovistëve proserbë, nuk ka asnjë dallim. Te asnjëri prej tyre, shqiptarët nuk duhet të gjejnë partnerë strategjikë. Shqiptarët kurrë, në asnjë rrethanë dhe për kurrfarë interesi, flamujt partiakë nuk duhet t’i lidhin me flamurët e “partnerëve” sllavë. Kriza e tashme ndërmjet faktorit politik shqiptar dhe atij maqedonas është edhe pasojë e vitit 2006, kur shqiptarët rendnin të hynin në qeveri edhe si humbës.

Qeveria e tashme është e paqëndrueshme. Në një qeveri të re shqiptarët duhet të hyjnë me platformë të studiuar në hollësi. Faktori politik shqiptar duhet t’ia bëjë me dije palës maqedonase se nuk hyn në qeveri pa qëllime politike dhe pa ideal kombëtar. Të jesh në qeveri pa qëllim politik dhe pa ideal kombëtar, do të thotë se je bërë pjesë e saj për interesa të individëve, të grupeve dhe të koniunkturës. Fërkimet brenda faktorit politik, jo vetëm që janë të arsyeshme, por edhe të domosdoshme. Jo përplasje për të zënë pozita, por dallime në pikëpamje në funksion të kauzës.

Politikanët, jo gjithmonë duhet të jenë pragmatikë. A nuk është kontradiktore: edhe të jesh pjesë e qeverisë, edhe të sillesh si opozitë?! A nuk është paradoksale: edhe të jesh ministër i qeverisë, edhe të botosh shkrime kundër saj?! Çështjet kombëtare me dimension territorial zgjidhen kryesisht në momente historike të caktuara. Zgjidhja e tyre varet nga një sindrom faktorësh, siç janë: raporti i forcave të palëve në kontest, konstelacioni rajonal dhe global, ndërthurja e interesave të fuqive të mëdha. Interesat e fuqive mund të jenë: strategjikë, ekonomikë, ideologjikë, fetar, civilizues. Zgjidhjet e kontesteve territoriale kërkohen kryesisht me luftë.  Ato ndërkaq, nuk bëhen kur t’i kujtohet ndokujt. Luftërat në Ballkan, në këtë fazë – kanë pushuar. Fuqitë e mëdha nuk hyjnë në luftë sa herë të kesh nevojë ti. Është në interes të dy popujve që mosmarrëveshjet t’i zgjidhin në rrugën politike, demokratike dhe racionale, bazuar në real-politikë.

*   *   *

Shqiptarët në Maqedoni gjithmonë e kërkojnë fajin te Gruevski, te VMRO-ja, te pala maqedonase dhe asnjëherë në vetvete. Asnjë popull në histori nuk i ka realizuar aspiratat kombëtare duke vajtuar. Për padrejtësitë që u bëhen, shqiptarët në Maqedoni duhet ta kërkojnë fajin edhe në vete, duhet të kërkojnë përgjegjësi edhe nga vetja. Shqiptarët në Maqedoni, kohë pas kohe duhet ta matin shkallën e vetëdijes kombëtare. Një popull me vetëdije kombëtare të ulët nuk është popull politik. Një popull me vetëdije kombëtare të ulët nuk mund ta fitojë luftën politike. Atdhetarizmi i një populli me vetëdije të ulët është patriotizëm folklorik. Asnjë luftë politike në histori, nuk është fituar me folklorizëm.  Me romantizëm mund ta joshësh veten, por jo edhe të ngadhënjesh mbi palën kundërshtare. Të drejtat në letër mund t’i hartosh si të duash, por t’i realizosh ato në praktikë është një çështje e ndërlikuar. Shqiptarët në Maqedoni ndodhen në rrafshin e konstatimeve.  

S’ka ditë që nuk konstatojnë se ndaj tyre pala maqedonase bën padrejtësi. S’kalon ditë pa u ankuar se si janë të shkelur e të shtypur. Karakteristikë e shumë intelektualëve shqiptarë në Maqedoni është se konstatimet për shfrytëzim të egër nga ana e Gruevskit i bëjnë në rrugë, në treg, në byrektore, në qebaptore, në bastore, në taverna, në zyra dhe në çajtore. Shpesh, duke luajtur letra dhe gurë. Ka edhe shqiptarë që thonë: “Shqiptarët nuk meritojnë më tepër…shumë e kanë edhe këtë copë lirie.” Fjalët si këto nuk janë vetëm defetiste, por thellësisht antikombëtare.  

Një kauzë kombëtare e arrin qëllimin më lehtë kur i ka determinantët historikë dhe sociologjikë. Pala maqedonase bën ç’mos për ta parandaluar krijimin e klasës së lartë të shoqërisë shqiptare. Pikërisht për këtë arsye, 100% e kapitalit ekonomik dhe financiar ndodhet në duart e saj. Rrënimi ekonomik i shqiptarëve është strategji e paramenduar e VMRO-së. Gruevski e di se një popull i rrënuar ekonomikisht, më parë se për flamur, do të mendojë për bukë. Duke qenë se shqiptarët në Maqedoni nuk kanë klasë shoqërore të lartë, mbartëse e nacionalizmit shqiptar është klasa e mesme dhe klasa e ulët e shoqërisë.  Për të drejta politike nevojitet nivel politik, kapacitet politik, veprim politik dhe jo konstatime provinciale, mendësi fshatarake si dhe diskurs folklorik. Zhan-Pol Sartri thotë: “Njeriu vetë është fajtor për fatkeqësinë e vet”. Ndërkaq, Johan Volfgang fon Gëte thotë: “Liri ke aq sa edhe meriton, d.m.th. fitorja i përket atij i cili çdo ditë shkon në luftë për të”. Nacionalizmi shqiptar në Maqedoni dhe kudo në rajon, është nacionalizëm mbrojtës dhe jo ekspansionist e hegjemonist. Shqiptarët në Maqedoni meritojnë shumë më tepër se kaq.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura