DR.JAKUP KRASNIQI: KOHË E MENAXHERËVE TË PËRGJEGJSHËM PËR TË QEVERISUR MIRË

 Prishtinë, 15. 01. 2014 – Kështu si janë komponuar kabinetet qeveritare (Kabineti i Thaçit dhe i Ramës), janë barrë tepër të kushtueshme për tatimpaguesit shqiptarë… Një gjë është e sigurt, dy qeveritë tona nëse jo sot, nesër duhet ti nxjerrin dy konstatime e një përfundim: Shqipëria dhe Kosova janë vendet më të varfra në Europë dhe njëkohësisht janë vendet më të pasura me pasuri nëntokësore, prandaj, janë të obliguara për ta nxjerrë kombin nga varfëria. Nëse nuk kanë kapacitete për të bërë zgjedhjen e duhur për kombin, duhet t’i krijojnë ato kapacitete. Populli nuk ju ka dhënë besimin për tu marr me improvizime historike, por për të qeverisur vendet tona me përgjegjësi!
* * *
Mbledhja e Qeverive të Shqipërisë e të Kosovës më 11 janar (2014) në Prizren nuk duhet parë me dyshim, mosbesim, paragjykim apo inat. Takimet e tilla tregojnë një të arritur të popullit shqiptar, pas më shumë se një shekulli. Nisma pa dyshim është shumë e mirë, por duhet kohë për t’i parë frytet e saja. Edi Rama duhet përshëndetur për këtë iniciativë, të e cila unë shoh një fillim të mbarë i cili duhet të bëhet tradicional e me rezultate të prekshme për qytetarët tanë. Fillimi edhe pse mund të jetë vetëm për fotografim a improvizim, për çka jemi të njohur ne shqiptarët, më vonë ai duhet të filloj të mbushet me përmbajtje, ashtu si skulptori që e mbushë veprën e tij e cila pastaj u bënë ballë stuhive të ndryshme dhe shekujve.

– Lidhja e kryeministrave…-

Dua të besoj që Kryeministrat tanë janë bindur se lidhjet me bizneset e huaja për interesa familjare a klanore e kanë rrënuar interesin e popullit tonë, ekonomin dhe tregun e përbashkët kombëtar. Nëse, vërtetë kanë mësuar nga këto fakte të hidhura do të ishte mirë, madje shumë mirë. Nuk po dua tu thuri lëvdata Kryeministrave se ata assesi s’bënë të lavdërohen, por duhet të kemi durimin që ti presim rezultatet apo edhe kotësitë e këtyre mbledhjeve, paragjykimet para kohe në këtë rast janë të dëmshme. Idetë e mira qofshin edhe para kohe nuk duhen të vriten edhe kur ato duhet të vendosen ne inkubator për tu zhvilluar. Rezultatet fillimisht edhe mund të jenë simbolike, por, ata po e hapin një hulli të re, të cilën hulli nuk duhet të guxoj askush ta pengoj a mbyllë. Këtë hulli populli ynë e ka hapur duke dhënë sakrifica të shumta gjatë shekullit të akullt të ndarjes. Nëse Kryeministrat tanë këtë hap e bëjnë për të mashtruar opinionin, kjo pas pak vitesh, në zgjedhjet e radhës do t’ju hakmerret, ndonëse populli ynë harron shpejtë.
Ne, si popull të mashtruar kemi qenë mjaftë herë deri më tani, mashtrime të reja nuk na duhen. Koha është për ndryshime të thella e përmbajtësore. Nëse këta që po e nisin ketë nismë bëjnë pak, ata që do ta vazhdojnë qeverisjen në të ardhmen do të bëjnë më shumë. Ata që nuk e kanë vullnetin të bëjnë më shumë, nuk duhet ta kërkojnë votën e shqiptarëve as andej e as këndej kufirit. Madje disa skeptikë të sotëm e kanë pasur këtë mundësi, tani duhet t’i presin rezultatet. Xhelozia e ka pozivitetin brenda, kur thuhet, pse unë nuk e bëra këtë e jo pse po e bënë ai tjetri atë që se bëra unë. Nëse mbledhjet e kësaj natyre shtrihen edhe me vendet tjera, simbolika e këtyre takimeve mund ta humbë kuptimin, unë kam të drejtë të dyshoj që humbë edhe përmbajtja, e cila duhet të jetë qëllimi i këtyre mbledhjeve të qeverive shqiptare – një treg unik gjithëshqiptar. Për këtë gjë të rëndësishme, sigurisht që nuk mjaftojnë vetëm nënshkrimi i disa marrëveshjeve ndërqeveritare, duhet një trupë e përbashkët me fuqi ekzekutive për realizimin e tyre. Më vonë kjo edhe mund të shtrihet edhe me vendet tjera, por ky rast duhet të shfrytëzohet fillimisht si pilot projekt. Nga këto takime nuk duhet të frikësohet askush e as aktorët të hamendësohen sesi kjo nismë do të reflektoj te kundërshtarët e bashkëpunimit ndërshqiptar. Shqiptarët duhet të punojnë shumë që të kenë qeveri sa më ekonomike (më të lira). Kështu si janë komponuar kabinetet qeveritare (Kabineti i Thaçit dhe i Ramës), janë barrë tepër të kushtueshme për tatimpaguesit shqiptarë. Ndoshta bisedat e para duhet të jenë: gjetja e çelësit për të rikomponuar Kabinetet qeveritare të lira (më ekonomike). Shqiptarët janë populli më i varfër në Europë, ndërsa kanë qeveri më galomane (më të shtrenjta) në Europë, kjo është më shumë se paradoksale. Nëse nuk mund të bëjmë një Kabinet qeveritar, le të jenë dy, por që të reflektojnë fuqinë ekonomike e financiare të vendeve tona. Qeveritë tona duhet të mendojnë sa ekonomisht e po aq kombëtarisht – koha ka ardhur për të punuar për qytetarët tanë, për të përmirësuar kualitetin e jetës së tyre, duke i shfrytëzuar me nikoqirllëk burimet ekonomike të kombit.
Ne duhet të besojmë se Kryeministri Rama si nismëtar i kësaj forme të punës i ka identifikuar çështjet parësore të bashkëpunimit në mes vendeve tona dhe sigurisht këto çështje nuk janë vetëm të natyrës ekonomike e tregtare. Arsimi, kultura, shëndetësia janë fushat më të lehta e ndoshta më të domosdoshme të bashkëpunimit pa kufi në të mirë të popullit tonë. Në këto fusha nuk jemi pa kapacitete profesionale, intelektuale e njerëzore, problemi është si t’i shfrytëzojmë këto kapacitete për interesin qytetarë e kombëtar. Improvizimet sot, mund dhe duhet të derivojnë përmbajtje nesër, domosdoshmërisht. Është koha, mbase edhe treni i fundit që shqiptarët këndej e andej kufirit të kenë menaxher të mirë për të qeverisur, misionarë shpirtëror kemi pasur mjaftë, të rinj nuk na duhen. Te shpresojmë se ka ardhur koha e menaxherëve të përgjegjshëm për shfrytëzimin e të gjitha burimeve ekonomike nacionale për mirëqeverisjen e vendit për të mirë të kombit?!
Një gjë është e sigurt, dy qeveritë tona nëse jo sot, nesër duhet ti nxjerrin dy konstatime e një përfundim: Shqipëria dhe Kosova janë vendet më të varfra në Europë dhe njëkohësisht janë vendet më të pasura me pasuri nëntokësore, prandaj, janë të obliguara për ta nxjerrë kombin nga varfëria. Nëse nuk kanë kapacitete për të bërë zgjedhjen e duhur për kombin, duhet t’i krijojnë ato kapacitete. Populli nuk ju ka dhënë besimin për tu marr me improvizime historike, por për të qeverisur vendet tona me përgjegjësi!
– Autori është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë luftës ishte zëdhënës i SHP të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura