ISMET HAJRULLAHU: QARQE TË ERRËTA TË BE’së DUAN MURE NË MES TË EVROPËS!

 Prishtinë, 10. 12. 2016: Pas rrëzimit të Murit të Berlinit, pak kush ka menduar se do të ngrihen mure të tjera – e ato, mu në zemër te Evropës! BE-ja, pas rënies dhe humbjes së vazhdueshme të politikave liberale, ka rënë preh e qarqeve më të errëta të njerëzimit. Ato qarqe pro ruse, si gjithnjë, ishin e keqja e Evropës dhe mbetën edhe sot e kësaj dite, lojale ndaj sllavizmit shovinist!
Qarqet e errëta të Evropes, nëpërmjet rrugëve të ndryshme, bënë që edhe në Kosovë kurrë mos të realizohej aspirata e shqiptarëve të Kosovës për një referendum, duke shkelur kështu vetë marrëveshjen e Rambujesë, dhe një ndër të drejtat themelore të çdo shteti demokratik. Këto qarqe, pas ‘Brexitit’, si dhe pas referendumit në Itali, duket se kanë ndërmarrë një revansh, duke shfryrë kundër Pavarësisë së Kosovës dhe bombardimeve të Aleancës Veriatlantike kundrejt forcave ushtarake serbe, që asokohe, në sytë e gjithë botës së qytetruar, ushtronin terror në tërë Kosovën. Keto ‘hije të zeza’ që po i sillen Evropës, duan në mos kthimin e Serbisë në Kosovë, së paku coptimin e kësaj të fundit.

Mosgadishmëria e BE-së për liberalizmimin e vizave për qytetarët e Kosovës, është edhe një tregues tjetër që Kosova mund të kthehet shumë lehtë në një “pazarllëk akshami”, për vetë faktin se reaksioni shovinist është në fuqizim e sipër, thuajse në tërë hapsirën e BE-së. E gjithë kjo, si rrjedhojë që në BE janë ringjallur “nacionalizma” primitivë, të cilët po zënë vend në shumë shtete të kësaj familje të madhe. Këto shtete autoritariste të BE-së, tanimë janë lojale ndaj Rusisë, dhe gjithashtu në kundërshtim të plotë me parimet e liberalizmit – parime mbi të cilat është ideuar dhe ndërtuar vetë Bashkimi Evropian. Këto agjenda të vjetra dhe të reja, dekadë pas dekade, e shekull pas shekulli, e kanë çuar Evropën në një kasaphanë të tmerrshme. Po njejtë, në këto agjenda është edhe Kosova, si monedhë kusuritjesh – monedhë e cila për fat të keq, është e zhvlerësuar edhe në saje të politikave zvarranike pakurrizore të deritashme të klasës politike shqiptare, klasë që bëri që Shqipëria të digjej në 1997, apo Kosova të mos gjejë qetësi dhe stabilitet politik, si pasojë e kapjes së shtetit nga shërbëtorë dhe kuislingë që i shërbyen diktaturës së komunizmit jugosllav dhe shovinizmit serb, një krimi e korrupsioni të shfrenuar e që ka përfshire tërë aparatin e shtetit.
Ndarja e Kosovës, defakto, edhe nëpërmjet murit, nuk do bëjë gjë tjetër përpos që do t’i rrisë tensionet edhe më tej e që mund ta çojnë Ballkanin drejt një lufte të re e më të përgjakshme, dhe në një rirreshtim të ri të Evropës!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura