ISUF ISMAILI: REXHEP MALA – RRUGËTIMI I NJË VIGANI

Zvicër, 24. 02. 2014 – Krijimtaria letrare dhe artistike shqiptare duhet të pasurohet vazhdimisht jo vetëm me tema nga e kaluara e largët, por edhe me tema e përmbajtje nga e shkuara e afërt, me ngjarjet e heroizmat me sakrificat dhe përkushtimin e tërësishëm atdhetar e njerëzor, të bijve e bijave më të mira të popullit shqiptar, që kanë lënë faqe nderi e përjetësie në historinë më të re të Shqipërisë dhe kanë shtruar rrugën me një taban të fortë veprash atdhetare, heroike drejt lirisë së njëmendtë , drejt faqebardhësisë më të mirë njerëzore, drejt bashkimit të atdheut të shenjtë, Shqipërisë sonë të tërësishme, që edhe sot e kësaj dite vuan me kufij të mallkuar, që na ia kanë vënë të huajt dhe armiqtë shekullor, së cilës pjesë të tëra ia kanë pushtuar.
Janë veprat, janë sakrificat, e atyre bijve e bijave që vepruan pareshtur, është gjaku i dëshmorëve dhe heronjve të Shqipërisë që e mbajnë gjallë zjarrin e lirisë dhe bashkimit të Atdheut, janë themelet më të sigurta të Shqipërisë së natyrshme e të tërësishme, prandaj të shkruajë njeriu për këtë realitet të dëshmuar, të frymëzohet njeriu ynë për t`i përjetësuar edhe në letërsi dhe art të gjitha këto, është jo vetëm një përmbushje e kërkesave shpirtërore, një shfaqje e së vërtetës, një paraqitje emocionale, por edhe një krenari e njëkohësisht, është edhe shërbim madhor atdhetar, sidomos për brezat e rinj, të cilëve jua lë porosinë më të qartë, jua tregon rrugën më të drejtë atdhetare e njerëzore për të vepruar, për ta ndihmuar jetësimin e ribashkimit të Shqipërisë dhe mbarëvajtjes së saj.

Në këtë dritë, në këtë vështrim e shoh edhe veprën e atdhetarit e veprimtarit të devotshëm Agim Sylejmani, i cili e ka përjetësuar në letërsinë artistike veprimtarin, militantin, ish të burgosurin e ndërgjegjes shqiptare e heroin Rexhep Mala. Ai romanin e tij e ka titulluar: ”Rrugëtimi i një vigani”
Nga lexuesit liridashës e atdhetarë, kjo vepër jo vetëm është mirëpritur e pranuar, por edhe është vlerësuar si një nga shërbimet më të çmuara atdhetare duke dhënë e pasqyruar realitetin jetësor e veprimtarinë e heroit Rexhep Mala, njëkohësisht edhe duke shërbyer si një material për edukimin e shëndoshë atdhetar të njerëzve tanë. Dhe e tëra kjo edhe përmes gjuhës së zgjedhur artistike. Pikërisht, gjuha e zgjedhur artistike e Agim Sylejmanit është shumë mbresëlënëse, së bashku me motivin e fuqishëm atdhetar e njerëzor, duke na pasqyruar jetën dhe veprën e këtij atdhetari të shquar e këtij heroi, i cili plumb për plumb e flakë për flakë me policinë jugosllave e nisi betejën për çlirimin e Kosovës për lirinë e njëmendtë dhe Shqipërinë e bashkuar, derisa ra heroikisht në Kodrën e Trimave në Prishtinë.
Ai ishte besnik dhe i lidhur përjetësisht me idealet atdhetare, me idealet shoqërore, e principet e shëndosha në kuptimin e plotësisë njerëzore. Besnikërinë e tyre ai dhe shoku i tij e atdhetari e dëshmori Nuhi Berisha e vunë në provën e zjarrit, duke mos u dorëzuar, por duke iu përgjigjur armikut me armët që jehonin atë natë në Prishtinë për t`u bërë kështu shembujt më të mirë se si veprohet e luftohet për atdheun. Ata ishin shembujt e sakrificës e këmbënguljes jo vetëm duke dhënë kontribut e vepruar në organizata atdhetare, por edhe duke luftuar dhe falur jetën atdheut, siç edhe ia falën dhe kështu u bënë yje të ndriçuara për lirinë e bashkimin e atdheut.
Jehona e krismave të lirisë atë natë po e çante mjegullën e robërisë jugosllave në trojet e pushtuara të Shqipërisë. Jehonë kjo e cila shpërfaqi edhe një forcë e gatishmëri më të madhe të ndërgjegjes atdhetare të të gjithë liridashësve shqiptarë. Njëkohësisht ishte edhe një goditje e fuqishme mbi armiqtë dhe tradhtarët e vendit, goditje kjo që do të pasonte me një vazhdimësi veprimtarish atdhetare të pareshtura, me një vijimësi organizimi dhe veprimtarie të fuqishme atdhetare dhe kështu në altarin e lirisë ranë, më vonë edhe bijtë e devotshëm të krahut të Shqipërisë së plagosur Arfrim Zhitia dhe Fahri Fazliu dhe kështu duke mos u ndalur vrulli atdhetar nisi luta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nisi lufta e Komandantit Legjendar Adem Jashari i cili bashkë me gjakun e sakrificat e të gjithë dëshmorëve e heronjve, pra edhe të Rexhep Malës, por edhe nëpërmjet veprimtarisë së gjithanshme atdhetare e revolucionare vulosën lirinë dhe çlirimin e Kosovës si një pjesë e përbashkët e trungut të Shqipërisë së Natyrshme.
E kush më mirë mund të shkruajë për heronjtë e dëshmorët, për vuajtjet dhe sakrificat për veprimtarinë dhe atdhetarizmin, se sa ata të cilët me gjakun tyre i kanë larë burgjet serbe e jugosllave, ata të cilën nuk janë thyer, nuk janë dhënë, nuk janë dorëzuar, por kanë qëndruar në këmbë, duke mbajtur kurrizin drejt, e ballin hapur, zemrën plot përkushtim atdhetar e humanizëm, siç janë Agim Sylejmani, profesor Ahmet Qeriqi, Kadri Rexha, Lebit Murtishi, e shumë e shumë të tjerë.
Në Kosovë dhe në viset të tjera shqiptare, që kanë vuajtur e disa vazhdojnë akoma të vuajnë nën pushtime, nuk pati rrethana të përshtatshme për krijimtari letrare, ndaj kjo krijimtari për lëvizjet për organizatat shqiptare, për veprimtarinë gjithanshme atdhetare, për lirinë e çlirimin e atdheut, për bashkimin e tij ka munguar shumë, ndërsa tani sadopak ka nisur dhe është në një rrugë të mbarë, sidomos me veprat e simbolit të rezistencës shqiptare Adem Demaçi, të profesor Ahmet Qeriqit, Kadri Rexhës, Lebit Murtishit, Agim Sylejmanit e të tjerëve.
Agim Sylejmani duhet të inkurajohet, të përkrahet dhe të nxitet për të shkruar edhe vepra të tjera dhe shembulli i tij duhet të ndiqet nga të tjerë veprimtarë atdhetarë liridashës, sepse ka aq shumë tema aq shumë veprimtari heroike e madhështore aq sa imagjinata nuk ka shumë nevojë të nxitet e të veprojë, pra temat janë të gatshme, sepse janë përjetuar aq fuqishëm shpirtërisht sa duhet dhënë vetëm formën letrare dhe artistike për të dalë në dritë romane, tregime, novela dhe krijime të tjera letrare, siç ka dalë romani ”Rrugëtimi i një vigani”
Agim Sylejmani, mendoj se ka vepruar shumë mirë, që në radhë të parë ka botuar një roman për heroin Rexhep Mala, sepse romane kemi shumë pak për heronjtë e dëshmorët, për veprimtarinë, organizatat e grupimet ilegale e patriotike shqiptare në pjesën e robëruar të Shqipërisë. Ndërsa monografi dhe shkrime të shumta e libra të tjerë janë botuar më shumë. Edhe pse Agimi e ka botuar romanin: “Rrugëtimi i një vigani”, ai e botoi edhe një monografi, vepra këto që cila i kushtohen pikërisht heroit Rexhep Mala. Monografia quhet: “Rexhep Mala, zjarr lufte që nuk shuhet”. Por, megjithëkëtë romani “Rrugëtimi i një vigani” është një vepër letrare, roman biografik, me një gjuhë të pastër, të pasur e të qartë dhe njëkohësisht me vete mbart vlerat letrare e artistike. Romani është botuar në vitin 2013.
Letërsia në përgjithësi e sidomos letërsia artistike e mirëfilltë e çdo populli, përveçse është një nga veprimtaritë më të rëndësishme kulturore, është edhe një pasuri shpirtërore, ku dalin në pah vlerat e ndërthurjeve shoqërore e përshkimeve të jetës, natyrës dhe begatisë së përgjithshme njerëzore, por edhe e shëmtive, veseve të këqija, çthurjet e shumta, pushtimet, shfrytëzimi i egër i njeriut mbi njeriun, lufta për liri e drejtësi shoqërore e kombëtare etj. Dhe kështu letërsia e mirëfilltë përveç gjuhës së zgjedhur artistike, vlerave letrare, mishërohet me përmbajtjet e përbërjet tematike duke e luftuar të shëmtuarën, të keqën dhe duke ngadhënjyer e mira dhe drejta e mbara dhe vlerat të tjera njerëzore e përparimtare. Ja pra sa e rëndësishme është letërsia, sa i rëndësishëm është botimi i romaneve dhe veprave të tjera letrare për heronjtë e dëshmorët, për humanizmin e përgjithshëm njerëzor, për aktet madhështore të rënies së dëshmorëve dhe heronjve për lirinë dhe vlerat e çmuara atdhetare njerëzore, prandaj në këtë vështrim Agim Sylejmani ia ka dalë për së mbari e me një sukses të madh realizmit të romanit: “Rrugëtimi i një vigani”
Romani nis me një përshkrim të bukur në fshatin Hogosht, atë ditë kur qe lindur Rexhep Mala. Autori ka arritur ta portretizojë mirë Mehmetin të atin e Rexhepit , gëzimin e tij, të familjes dhe dashamirëve të tyre, gëzimin e pakufishëm të Midesë, motrës së Rexhepit e cila jepte lajmin e gëzuar në shtëpitë e fshatit, për lindjen e të vëllait. Mehmeti edhe pse ishte gëzuar pamasë për lindjen e djalit në radhë të parë do që të shkojë te shokët e idealit, te luftëtarët e lirisë në shpellë, por Idrizi, kushëriri i tij e ngarkon me një detyrë tjetër që të shkonte te mësuesi e t`ia çonte një letër.
Këtu bëhet fjalë për luftëtarët e NDSh-ës për veprimtarët e organizatave të tjera atdhetare që vepruan për çlirimin e viseve shqiptare të pushtuara dhe bashkimin e tërësishëm të Shqipërisë.
Agimi ka ditur të përshkruajë bukur jo vetëm ambientin, por e dhe i ka portretizuar bukur njerëzit dhe ka nxjerrë në pah idealet dhe qëllimet e larta njerëzore, atdhetare, por edhe mikpritjen, dashurinë dhe respektin.
Ai e ka përshkruar me një besnikëri të vërtetën për jetën dhe veprën madhore të Rexhep Malës si fëmijë, si ri, si veprimtar, si mësues, atdhetarizmin e tij të devotshëm, përkushtimin e tij të pakrahasueshëm. Ngjarjet janë interesante të rrëmbejnë, lexohen pa vështirësi e me një frymë, sepse janë të kombinuara bukur, me të vërtetat, përjetimet, emocionet, përkushtimin dhe gjuhën e pasur artistike e rrjedhshmërinë logjike. Kështu janë bashkuar këto të gjitha duke dhënë si rezultat botimin e një romani kaq të rëndësishëm e duke nisur kështu të plotësohet boshllëku i madh në letërsinë e sotme shqipe për madhështinë atdhetare të heronjve e dëshmorëve, si dhe të atdhetarëve të tjerë të përkushtuar.
Agimi ka ditur mirë të përshkruajë, momentin kur Rexhep Mala kishte shkuar në Republikën Shqipërisë. Këtu ai e përshkruan bukur si ambientin, por edhe nxjerrë në pah pjekurinë e Rexhepit përkushtimin e madh atdhetar të tij, njëkohësisht edhe të vërtetën se shteti shqiptar ishte përkushtuar maksimalisht për çlirimin e viseve shqiptare të pushtuara nga jugosllavët.
Ka shumë ngjarje interesante siç përshkruhet ajo e takimit të Rexhepit me një nga vëllezërit tanë arbëreshë në Zvicër. Vuajtjet dhe qëndresa heroike në burgjet jugosllave, veprimtaria e tërësishme e tij me shokët dhe familjarët janë jo vetëm interesante por kanë edhe të gjithë atë peshën e rëndësinë e një njeriu të madh e një heroi i cili bashkë me Nuhi Berishën ia falën jetën atdheut pikërisht në natën 11-12 janarit të vitit 1984. Ata ia falën jetën atdheut, që atdheu të mos ketë mortje kurrë.

– Kontakti me autorin: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura