ISUF KURTAJ: RAMADAN MUJA “FENOMEN” I KEQQEVERISJES NË RRITJE

Tiranë, 11. 06. 2015 – Në Kosovë dhe Shqipëri lajmi që një kryetar komune apo bashkie është dënuar për keqpërdorim detyre, korrupsion, apo favorizim në tendera është po aq i zakonshëm sa kudo tjetër në rajon. Por në Kosovë zyrtarët e dënuar, në të shumtën e rasteve, nuk përfundojnë në burg, për shkak se sistemi i drejtësisë “fut ujë”. Është po ky sistem i ngritur me kujdes nga politika që i mundëson partive politike që të kandidojnë në garat elektorale persona të njollosur. Përfaqësuesi më i denjë i këtij fenomeni panshqiptar është kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja.
Një vit më parë mori besimin e popullit, duke u rizgjedhur për herë të tretë, edhe pasi gjykata e kishte dënuar me dy vjet burg, me kusht. Pavarësisht turbulencave dhe raporteve aspak të mira me ligjin, Muja qëndron edhe më tej në frontin e kryetarit të Prizrenit, me sytë dhe mendjen te maratona e saponisur e seancave gjyqësore, që me gjasë do të ketë fat për nga formaliteti me ato të para dy viteve. Me më shumë teka dhe me një dosje shumë herë më të rënduar kriminale, Muja shpreson te rregulli: “ligji nuk e prek të fortin”.
Me të njëjtën arrogancë, mospërfillje dhe papërgjegjshmëri, si dikur, ai po pret vendimin e gjyqësorit me mendjen se “ligji” i komanduar nga “Maliqi” do ta shpallë të pafajshëm. Me një këmbë në burg, dhe tjetrën në Shtëpinë e Bardhë, që e ka aq për zemër, ai nuk është ndalur së favorizuari me tenderë klientët e tij të biznesit, pa respektuar procedurat gjatë 10 viteve sa ka drejtuar Komunën e Prizrenit. Po me aq krekosje dhe indiferencë sa pushtetarët e tjerë të akuzuar të PDK-së, por asnjëherë të ndëshkuar, ai vijon të shkatërrojë planin urbanistik të Prizrenit, duke mos kursyer as veprat me vlerë historike si kalaja, hamami, e deri te rrugicat me kalldrëm në lagjet e vjetra të qytetit.

Prishtinë, 09. 06. 2015: Ramadan Muja me shokë në Gjykatën e Apelit!

Qeverisja lokale e Mujës, krahas zarareve që ka bërë me klientët e tij, për t’i mbushur mendjen qytetarëve se po punon e ka shndërruar qendrën historike të Prizrenit në një kantier ndërtimi. Muret e kalasë së Prizrenit që kanë nisur të rikonstruktohen janë zëvendësuar me gurë të lëmuar, që ngjajnë me pllaka moderne. Lista e monumenteve të vjetra të veshur me elementë të shekullit XXI është ku e ku më e madhe se e atyre që kanë pasur fatin të shpëtojnë.
Kush janë mëkatarët e kësaj masakre historike që po bëhet në Prizren? Sigurisht që firmën e këtij skandali e ka dhënë Muja dhe banda e tij, e drejtuar nga kryetari i degës së PDK-së Minir Krasniqi, i dënuar, dhe nga gjobëvënësi Nijazi Kryeziu, drejtor i urbanizmit. Kjo çetë ka shtyrë seancat gjyqësore, herë duke gjetur shkas herë te mosfunksionimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjatë kohës së bllokadës institucionale, e herë duke shtyrë pa arsye seancat. Procesi që ka ndodhur me bandën qeverisëse të Prizrenit, nuk them se mund të jetë rasti më i rëndë në rajon. Pa diskutim që rajoni ynë ka grupe hajdutësh shumë më të organizuar se banda e Ramadan Mujës. Po ashtu rajoni mund të ketë banda qeverisëse shumë herë më të rrezikshme se ajo e Mujës.
Siç mund të ketë dhe kryetarë të komunave shumë herë më të ngathët se banda e Ramadan Mujës, pasi këta në planin personal kanë siguruar kapital të madh me përqindjet për lejet e ndërtimit, me përqindjet me projektet e rrugëve…etj. Modeli i të “punuarit” me klientë besnikë dhe pasurimi përmes kësaj rruge që tashmë njihet në rajon, do të ishte e keqja më e vogël nëse kryetari i Komunës së Prizrenit dhe cubat e tij nuk do të ishin treguar të pashpirt me pjesën historike të Prizrenit dhe nëse nuk do t’i përdornin restaurimet vetëm për përfitime personale. Shkulja e kalldrëmëve dhe modernizimi i rrugëve dhe kalasë që pati nisur nga ish-kryetari i Prizrenit, Eqrem Kryeziu, tashmë vetëm është riaktivizuar. Njësoj si Prizreni dhe qytetet e tjera shqiptare sot vuajnë nga fenomeni “Muja”.
Ndëshkimi ose mosndëshkimi i Mujës nuk ka rëndësi. Tashmë ai është shndërruar në model, për të mos thënë në fenomen.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura