ISUF KURTAJ: SHOFERI QË SHKEL ZEBRËN!

Prizren, 9 tetor 2020: Para do dite për pak sa s’më shtypi një Opel Askona në mes të vijëzimeve të bardha. Më duhej t’i jepja këmbëve se përndryshe do t’më vinte poshtë. Po e mendoja për një copë herë se ç’ishte ky torollak që donte me ngulm të kalonte para meje, qoftë dhe duke kaluar sipër meje. Nuk është se s’më pa. Për më tepër që po lëvizte me shpejtësi të ngadaltë dhe ishte mjaftueshëm larg për të ndaluar. Jo vetëm që nuk preku frenat por i dha dhe më tepër.
Kushedi. Ndoshta i jam dukur sikur po i bëja karshillëk.
Kur dal në anën të tjetër të trotuarit kthej kokën pas. Òª’të shoh. Karafili kish’ nxjerrë kokën jashtë derës së makinës dhe kullonte jargë nga goja duke ulëritur.
Në përpjekjen për të trashur zërin i del më i hollë.
I qesh.
Acarohet edhe më shumë.
Del nga makina.
E hap letrën që kisha në dorë.
Po bëja mend që nëse më afrohej për t’u zënë do t’i kërkoja që para se të më grushtonte t’i lexoja një poezi që e mbajta shënim sot në mëngjes:

Prit se sythat e barit do të dalin
Qielli i kaltërt do të jetë
Drita e qiellit sërish do të kthehet…

Futet në makinë duke hungërirë.
Xhiron gomat dhe zhduket.
Zhdukem dhe unë pa frymë dhe pa fjalë.
Marr me vete kafen dhe ngjitem në zyrë.
Hap kompjuterin e punës për të harlisur mendjen.
E kam të pamundur.
Lexoj email-in: Vërejtje me shkrim.
Po dhe kjo më duhet.
Arsyetimi?
I paparë.
Para se të përgatis ankesën gjerb kafen pa sheqer dhe hap portalet.
Më del një shkrim i Zija Çelës të “Panorama”.
Kështu mbyllet shkrimi i Zija Çelës:
– E pyeti Zoti dikur Adamin, “përse e hëngre mollën e ndaluar?”
– “Më tha Eva”, – u përgjigj shpejt e shpejt ai.
– E pyeti Zoti atëherë Evën, “përse e hëngre mollën?”
– “Më tha gjarpri”, ia priti po aq shpejt ajo.
Mos vallë çifti i botës së ardhshme u ndodh në trevat tona, kur i dha këto përgjigje?!..
Sidoqoftë, kaq iu desh Hyjit që të vinte në provë dobësinë e krijesës së vet.
As burri, as gruaja nuk e kthyen gishtin nga vetja, por nga tjetërkush.
A thua qysh atëherë njeriut nuk i pëlqen të mbajë përgjegjësi?!
A thua qysh atëherë e kultivoi dalëngadalë harresën, atë krematoriumin ku asgjësohet bërlloku shpirtëror, përgjegjësitë e fajësitë kriminale, por edhe pakënaqësitë e gëlltitjet e qytetarit qyqar?!..
Tani është radha jote të flasësh. E fol, pra, se mbyllja e gjatë ndjell kalbëzimin. Aq më tepër që po mungoi dialogu, nuk mjafton kurrë një përgjigje e vetme. Sa herë së vërtetës i vihet cak me autokraci, ka shanse që ajo të bëhet pluhur e hi”.
Më çlodhi ky shkrim i Çelës.
Duhet të fillojmë të mësohemi të flasim.
Dhe është e sigurtë.
Shqipëria do të bëhet.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura