ISUF KURTAJ: VAZHDON ‘TELEVONELA’ HARADINAJ!

Tiranë, 15. 01. 2017: Ky personazh nuk është i jashtëzakonshëm, por as krejt i zakonshëm. Po të rrëmosh në biografinë e tij gjen copëza jete të çdo shqiptari të zakonshëm të Kosovës. Përtej mistifikimit të heroizmit të këtij personazhi, më interesante se sa “nami” që ka marrë gjatë luftës, e bën rruga që e ka shoqëruar këtë personazh pas lufte.
Në kohën kur pjesa më e madhe e luftëtarëve të lirisë u rreshtuan “gatitu” në partinë e re që krijuan drejtuesit e UÇK-së, ai guxoi të dalë nga rradha, krijoi partinë e tij, duke i shpallur kështu PDK-së “luftë” politike, pasi që në fillim tha që është parti e djathtë. Pra “armiku” i tij politik nuk do të ishte njeriu i “paqes” Ibrahim Rugova dhe partia që ai drejtoi LDK-ja, por partia e ish-bashkëluftëtarëve të tij, PDK-ja. Mungesa e përvojës në politikë, Haradinajt por dhe rivalëve të tij politikë, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit si drejtues i SHIK-ut do të lërë njollë të rëndë në biografi.
Pas luftës, njësoj si pjesa më e madhe e komandantëve, dhe Haradinaj me ‘company’ e Thaçi me të tijët, kanë bërë zullume, pasojat e të cilave po i vuan prej vitesh. Nëse kundërshtari i tij ka arritur t’i shpëtojë kalvarit të gjatë të hetimeve ndërkombëtare, me Haradinajn ka ndodhur krejt e kundërta. Në kulmin e karrierës së tij politike, 100 ditë kryeministër, Haradinaj bëhet “kurban” nga ndërkombëtarët duke u vënë në gatishmëri të Gjykatës së Hagës për krimet që (nuk) kishte bërë gjatë dhe pas luftës. Ende është e paqartë mënyra se si përfundoi në burg Haradinaj duke qenë kryeministër. Dukej një telenovelë, e cila në fakt më pas qëlloi të ishte e tillë. Pa e marrë mirë veten nga dalja nga burgu dhe në përpjekje për të rimëkëmbur partinë më 26 shkurt 2007 Haradinaj u dërgua përsëri në Hagë në mënyrë që gjyqi të vazhdojë. Ai u shpall i pafajshëm, por pas lirimit nga burgu gjeti një parti të dërrmuar dhe në zgjedhjet e ardhshme shkoi edhe më tej në zbritje. Dhe vetë kishte humbur shumë nga shkëlqimi i dikurshëm, ndërsa “rivali” i luftës dhe i pasluftës Hashim Thaçi kontrollonte gjithçka, madje dhe vetë Haradinajn. Tashmë ai ishte shndërruar në një tullumbace, me të cilën Thaçi luante sa herë që kishte nevojë. Diskreditimi politik do të vinte kur media të komanduara nga ai, do ta bënin atë tabelë qitjesh dhe në sytë e opinionit publik; ai dhe partia e tij ishte shndërruar në sinonim të haraçit dhe kontrollit të bixhozit.
Sa ishte në Hagë Haradinaj, njeriu i tij më i “besuar” Blerim Shala flirtonte me Hashim Thaçin, duke e futur në kurth AAK-në duke i besuar udhëheqjen e negociatave me Serbinë. Ky qe dhe “shalërimi” i parë, por jo i fundit që do të binte Thaçi AAK-së.

Rënia e lirë e AAK-së do të vijonte, ndërsa PDK-ja po kapte një nga një të gjithë institucionet shtetërore, duke treguar shenjat e para të një partie autoritare. Vetëm më vonë tepria e madhe e kontrollit të gjithçkaje do t’i kthehej Thaçit si bumerang, duke e kthyer në njeriun më të urryer për kampin opozitar, dhe jo vetëm. Martesa mes PDKsë dhe LDK-së e rriti dhe më shumë neverinë ndaj tij, por ky mund të quhej dhe shansi që kërkonte opozita tashmë e “futur në ujë”. Blloku opozitar edhe pse i vogël në numër, arriti të ngrinte në këmbë rrugët e Prishtinës për më shumë se një vit e gjysmë duke e lëkundur pushtetin autoritarit të Mustafës dhe Thaçit. Por rezistenca opozitare u thye për shkak të lajthitjes së Haradinaj, i cili në momentin e parë që Thaçi i shkeli syrin tradhtoi opozitën e bashkuar. I etur për një copë pushtet, ai hoqi dorë nga kauza anti- Thaç’ duke lënë për gjysmë aksionin opozitar.
Që nga ndarja me VV-në, prej gati shtatë muajsh ai sillej në politikë si “pula pa krye” në pritje të aksionit të radhës së PDK-së, tashmë me kryetar të ri, ndërsa Thaçi kishte marrë frenat e kreut të shtetit. Për asnjë moment Haradinaj nuk ka qenë i vetëdijshëm për lojën që luanin kundërshtarët e tij. Dhe pas kaq telenovelash që janë luajtur me të’, ai vazhdon të sillet në politikë njësoj si në luftë, drejt. Në rastin e vetëm që duhej të sillej drejt, ai ndoqi instinktin, që i rezultoi fatal. “Në vend të aventurave politike, Haradinaj bashkë me partitë e tjera opozitare do të duhej të angazhoheshin që kjo qeveri të largohet nga pushteti menjëherë”, shkruante Enver Robelli. Këtë postulat Haradinaj nuk e ndoqi, la rrugës kauzën dhe zgjodhi të bëhej patericë e një regjimi gati krejtësisht antidemokratik, duke e kthyer personazhin jo të zakonshëm të Kosovës në një telenovelë të jashtëzakonshme.

– Isuf Kurtaj është gazetar i “Shekullit” – Tiranë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura