Pashtriku.org, 9. 11. 2016: (Me rastin e 125 vjetorit të hapjes së Shkollës së Vashave, vijnë në shqip tre botime për familjen Qiriazi) – “Unë jam shqiptare! Ky përbën faktin më të rëndësishëm të jetës sime, madje më të rëndësishëm se familja, pasi të qenit e ndërgjegjshme për të, më krijoi ndjesinë e gjallë të asaj që duhet të bëj, duke i dhënë kështu qëllim jetës sime” – kështu shkruan në rreshtat e parë të librit autobiografik një nga figurat e njohura femërore që ka kontribuar aq shumë për çështjen shqiptar Sevastie Qiriazi-Dako. Libri i përgatitur nga Dana Stucky dhe David Hasaflook, tashmë mund të lexohet edhe në shqip. Drafti i parë i këtyre kujtimeve, është shkruar me shkrim dore më 1935. Ndërkohë në 1938, u shtyp në makinë shkrimi dhe u pasurua edhe më shumë me detaje të reja. Ky dorëshkrim, qe i përbërë nga 12 kapituj. Për herë të parë ky botim vjen i plotë në shqip nga Instituti për Studime Shqiptare dhe Protesante.
Sipas Drejtorit të këtij Instituti, David Hosaflook, Sevastia i shkroi kujtimet e saj në anglisht dhe për aq sa dihet deri tani ekzistojnë në dy dokumente origjinale; një draft i papërpunuar shkruar me dorë dhe një draft tjetër përfundimtar i daktilografuar. Ndërkohë ky botim përmban transkriptimin e draftit të saj përfundimtar të daktilografuar. “Historia e jetës së Sevasti Qiriazit karakterizohet prej heroizmave që në fillimet e saj, por që ka një fund tragjik. Ajo mori pjesë në luftën për vetëvendosjen dhe pavarësinë e Shqipërisë, por më vonë qe dëshmitare e disa pushtimeve të huaja të njëpasnjëshme dhe disa qeverive shqiptare, që u egërsuan shumë me Perëndimin.
Sevastia dhe familja e saj ishin me arsim të lartë, flisnin shkëlqyeshëm disa gjuhë”, Dana Stucky. Sipas saj, në kujtime Sevastia thotë që qëllimi i jetës së saj ka qenë “të ndriçojë, të lartësojë dhe të çlirojë njerëzit nga zgjedha e injorancës dhe besëtytnisë”.
– Parashqevi e Sevastie Qiriazi –
Me rastin e 125 vjetorit të hapjes së Shkollës së Vashave, Qendra Kulturore Tirana, (Teatri Metropol) në bashkëpunim me Insititutin për Studime Shqiptare dhe Protestante organizuan një mbrëmje promovuese për tri botime të familjes Qiriazi. Familja Qiriazi, veçanërisht Gjerasim dhe Sevastie Qiriazi njihen për themelimin e shkollës së parë të vashave në Shqipëri. Dyert e kësaj shkolle u hapën më 23 tetor 1891, në një shtëpi të marrë me qira pranë Kishës Ortodokse të Shën Gjergjit, aty ku sot është Biblioteka e Korçës. Një vit më vonë Gjerasimi bleu një shtëpi dhe e meremetoi për klasat e shkollës së re, ku do të banonin nxënëset e shkollës. Promovimi i botimeve u shoqërua dhe me një ekspozitë me fotografi, dorëshkrime, kartolina e sende personale, disa të paekspozuar më parë në Shqipëri, materiale që sigurohen nga ISShP dhe nga Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë. Botimi tjetër quhet “Pengu i Kaçakëve”, përgatitur nga Xhon Kuanrud me autor Gjerasim Qiriazi, nën përkthimin e Edmond Seferit. Libri është ditari personal i Gjerasim Qiriazit vjen në shqip nga Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante. Dorëshkrimi origjinal i këtij libri u hartua në shqip, por ka humbur.
Libri u përkthye në anglisht nga Xhon Bejrd (John Baird) dhe u botua për herë të parë më 1894 në revistën “Sunday at Home” me titull “An Albanian Experience”. U botua si libër më 1901 me titull “Captured by Brigands”. Ky libër që po botohet për herë të parë në shqip, është përk¬thim i variantit anglisht. Në vitin 1884 Shoqëria Biblike ngarkoi Gjerasim Qiriazin të drejtonte punën e saj për Shqipërinë, duke krijuar një bazë të re në qytetin e Manastirit. Por vetëm disa muaj pasi e filloi këtë detyrë – përgjatë një udhëtimi nga Manastiri deri në Korçë – Qiriazi ishte zënë peng nga një bandë kaçakësh nën drejtimin e Shahin Matrakut.
Libri “Pengu i kaçakëve” është një përshkrim real i mundimeve që hoqi vetë autori në duart e tyre. Pas lirimit, Qiriazi vazhdoi të punonte me Shoqërinë Biblike dhe qëndroi në shërbim të saj derisa vdiq, më 1894. Gjerasim Qiriazi, rrëfyesi i këtij tregimi, ishte predikues i ungjillit dhe agjent i Shoqërisë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja. Më 1884, gjatë një udhëtimi misionar në Shqipëri, kaçakët e kapën dhe e mbajtën për gjashtë muaj peng, nën mbikëqyrje të rreptë. Pasi u lirua dhe u kthye në shtëpi, në qytetin ku banonte, ai e lexoi rrëfimin e pengmarrjes së vet (që fillimisht e hartoi në shqip) në katër takime të njëpasnjëshme, në prani të një sërë zyrtarësh. Më pas, e përktheu në bullgarisht dhe pati të njëjtin sukses kur e lexoi në atë gjuhë në Manastir, në kryeqytetin e vilajetit. “Synimi im, – shkroi z. Qiriazi, – është të përshkruaj jetën që bënin kaçakët, çështjet për të cilat flisnin dhe gjërat që ndodhën gjatë gjashtë muajve që isha peng në duart e tyre. Gjatë robërisë, pata rastin e duhur që ta vëzhgoja me sytë e mi jetën e bashkëkombësve.
Tri shkaqe i kanë shtyrë shumë njerëz të braktisin shtëpitë dhe të marrin malet, të jetonin si bisha të egra, t’u rrëmbenin katandinë të tjerëve dhe të mundonin të pafajshmit.
Arsyeja e parë është që të mbrohen nga armiqtë dhe t’i vrasin: sepse ata janë shkaku që s’jetojnë dot në shtëpitë e tyre.
E dyta është që t’i shpëtojnë shërbimit ushtarak, që e vlerësojnë të padurueshëm. Ata mbahen me shpresën se, me jetën e kaçakut, mund të fitojnë pesëdhjetë a gjashtëdhjetë lira (ta zëmë, 50 sterlina), me të cilat të punësojnë një bedel.
Sevasti Qiriazi – Dako, (1871 – 1949)
Së treti, toka e punueshme, në shumë zona të Shqipërisë, është e paktë dhe e varfër; është e gjitha shkëmbore dhe, për këtë shkak, skamja tundon shumë njerëz që të bëhen kaçakë. Nganjëherë shtyhen dhe nga kapadaillëku, që të nxjerrin në pah trimërinë që pandehin se kanë. Jeta e kaçakut është mallkim i rëndë për vendin tonë dhe pengesë për çdo sipërmarrje të dobishme”.
Libri i tretë me autor Xhon Kuanrud me titull “Gjerasimi (predikues, iluminist, rilindër), flet për jetën dhe veprimtarinë e Gjerasim Qiriazit. Ky botim i Kuanrud, hedh dritë të re mbi këtë figurë të shquar të Rilindjes Kombëtare. Dokumentet për botimin e tij, janë mbledhur gjatë një pune hulumtuese, këmbëngulëse dhe pasionante të autorit me dokumenteve të shumta në arkivat e Bibliotekave në Angli, Amerikë, Turqi, Kosovë, Shqipëri, e arkivat private të Qiriazëve. Në këtë botim del për herë të parë e plotë dhe e dokumentuar jeta dhe veprimtaria e gjithanshme e Gjerasim Qiriazit. Krahas veprimtarisë atdhetare dhe arsimore, autori ka shtjelluar dhe veprimtarinë fetare të Gjerasimit, përpjekjet e tij për predimimin e ungjillit në gjuhën shqipe. Xhon Kuanrud ka lindur në 1959 në Alaska të Amerikës, ndërkohë studimet i ka kryer në 1986 në Suedi.
“Gjatë kohës që isha në Suedi duke lexuar revistën “Dritë në lindje” mësova për herë të parë për shqipërinë ateiste. Jo vetëm u habita pa masë nga fakti që në botë ekzistonte një shtet ku feja ishte e ndaluar me kushtetutë, por më dha shkas të mendoja për popullin shqiptar dhe Shqipërinë” – shkruan autori. Në 1987 bashkë me bashkëshorten u vendosën në Prishtinë. Atje mësoi gjuhën shqipe dhe u regjistrua për studim të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ndërkohë në 1991 u vendos familjarisht në Tiranë. (gazetashqip)