KADRI REXHAJ: MAXHUN BERISHA – PISHTAR I PASHUAR I LIRISË SË KOSOVËS

Zvicër, 30. 03. 2015 – (Me rastin e 16-vjetorit të vrasjes së dëshmorit Maxhun Berisha) – Vetëm sot, kur Kosova po merr frymë thellë në elementin e vet dhe kur shqipet po fluturojnë të lira mbi malet tona, gjaku i kolosëve tanë i derdhur detë për këto troje ilirike si dhe qëndresa mbinjerëzore e popullit shqiptar gjatë shekujve po e marrin kuptimin e plotë të vlerës së flijimit për idealin madhor siç është liria e atdheut. Vërtetë, liria ka çmim të lartë. Më të shtrenjtë se vetë jeta. Lirisë rruga po i bika kah varri, thotë poeti. Dhe, në këtë rrugë të gjatë vuajtjesh dhe sakrificash të martirëve, që shpie shtigjeve të kujtimit të pavdekshëm dhe pushon amshueshëm në altarin e atdheut dhe në shpirtin e kombit, përjetësisht do të ndriçojë edhe emri dhe vepra e dëshmorit Maxhun Berisha, birit të denjë të Prapaqanit, ushtarit të devotshëm të UÇK-së, pishtarit të pashuar të lirisë së Kosovës.
Një fëmijëri e pafëmijëri
I lindur më 9 tetor të vitit 1962 në fshatin Prapaqan të Deçanit, pinjoll i një dere bujare dhe atdhetare të shquar për zjarrin e ndezur luftarak, sidomos nga Lidhja e Prizrenit e këndej, Maxhun Berisha do të brumoset me tiparet më pozitive të traditës si dhe me idealet bashkëkohore të rinisë përparimtare shqiptare. Ndikim të veçantë në formimin e personalitetit të Maxhunit do të ketë i ati i tij Brahimi, ushtar vullnetar me armë në dorë në Brigadën e Tretë sulmuese shqiptare, ku luftoi deri në Sanxhak me qëllim të bashkimit të trojeve shqiptare, kundërshtar i papajtueshëm i tradhtisë serbe pas vitit 1945, kundërshar energjik i kolektivizimit, për çka dënohet me tri vjet burg, veprimtar i hapur kundër shpërnguljeve të shqiptarëve për në Turqi, propagandues i vazhdueshëm kundër regjimit gjakatar serb, mbrojtës i paepur i traditave të pasura pozitive shqiptare, dashamir i arsimit dhe progresit në përgjithësi, person që nga koka kurrë nuk e ka hequr plisin e bardhë.

Fëmijëria e Maxhun Berishës është e ngjashme me fëmijërinë e sëcilit fëmijë të rritur në fashatrat e Kosovës. Më një fjalë, fëmijëri e pafëmijëri. Skamje, terr dhe dhunë. Megjithatë, falë shpirtit liridashës dhe qëndresës së pamposhtur të shqiptarit, që nga mosha e njomë, Maxhuni do të edukohet me cilësitë që i duhen secilit dhqiptar për të qëndruar vertikalisht në jetë. Edhe oda shqiptare, e cilësuar me të drejt si univeristet i kohës, në edukimin e Maxhunit ka luajtur një rol me rëndësi. Bisedat e gjata mbi luftërat, historitë e ndryshme për trimëritë dhe namin e heronjëve, komentet e pambarim rreth ngjajeve politike të kohës, analizat e holla mbi moralin dhe mbi të drejtën, etj. te vogëlushi do të hapin horizonte të reja. Në këtë drejtim edhe fjalori i tij i përditshëm sa vie e nis të pasurohet me fjalë dhe me shprehje të reja, si p.sh.: liri, robëri, kolonizim, shfrytëzim, komb, flamur kombëtar, bashkim kombëtar, gjuha unike shqipe, univeristet, demonstratë, kushtetutë, republikë, të drejtat, e kështu me radhë. Koka e vogëlushit, nga dita në ditë, vlon nga diskutimet me zë të lartë dhe nga bisedat më pëshpërimë që zhvillohen në kullën e njohur të Berishëve në Prapaqan. Sidomos Jusuf Gërvalla, dajë i nderuar i familjes dhe mysafirë i shpeshtë në atë atë odë, tek Maxhuni le mbresa të forta dhe të pashlyeshme. Në fantazinë rinore të Maxhunit Jusufi i merr përmasat e heroit të këngës. Kështu, i rritur dhe i farkëtuar në kudhrën e atdhetarizmit, Maxhun Berisha me kohë do ta kuptojë urdhërin e çlirimit të Kosovës si porosinë më të shënjtë të të parëve tanë. Përndryshe, pse toka dhe nëntoka aq e pasur e Kosovës shqiptarëve nuk u garantonte mirëqenie, pse shqiptarët merrnin botën në sy si kurbetçar, pse të gjitha burgjet jugosllave, në çdo kohë, ishin të mbuashra ding vetë me shqiptar?! Me një formim të drejtë, i pjekur para kohe, me shpresa të mëdha për ditët e mira që do të vijnë për Kosovën, Maxhuni regjistrohet dhe vijon më zell mësimet në Gjimnazin „Vëllazërit Frashëri“ në Deçan. Janë këto vite zgjimi dhe vlimi të përgjithshme anë e mbanë Kosovës.
Në vallën e djalërisë shqiptare
Kosova, më në fund, po bëhej gati që njëherë e përgjithmonë ta heqë qafe zgjedhen e urryer të robërisë serbe. Veprimataria e organizatave ilegale si dhe veprimtaria e institucioneve kulturore, arsimore dhe shkencore po jepnin rezultate pozitive. Në këtë drejtim demonstratat e vitit 1968 ishin një gurë i sigurtë sprove në themelet e ndërtesës së lirisë dhe të bashkimit kombëtar. Ndonëse i ri në moshë, me veprimtarinë e vet modeste, Maxhun Berisha më tërë qenien e tij po hynte në vallën e djalërisë përparimtare të Kosovës. Është koha kur shesht e qyteteve dhe ato të fashatrave po stoliseshin me trakte, ndërsa asfalti i rrugëve kryesore po zbardhej nga parullat. Si rezultat i një aktiviteti të këtillë Maxhun Berisha, sëbashku me një grup shokësh, zbulohet në pranverë të vitit 1980 dhe mbyllet në burgun famkeq të Pejës. Edhe pse mbi trupin e vet do t’i përjetojë torturat më barbare, nga burgu Maxhuni do të dalë më i fortë dhe shumë më i vendosur në rrugën tashmë të nisur vetëdijshëm. Në ndërkohë Maxhunin e përjashtojnë edhe nga gjimnazi, çka për të do të jetë një goditje tepër e rëndë. Demonstratat e vitit të madh 1981 Maxhun Berishën e gjejnë në kulmin e veprimtarisë patriotike. Gjatë pranverës së stuhishme të atij viti Maxhuni merr pjesë aktive në demonstratat e vazhdueshme që do të zhvillohen në Prishtinë, në Deçan dhe në Pejë. Pastaj, për t’i ikur një arrestimi tjetër të sigurtë, për një kohë , Maxhuni largohet nga vendlindja dhe vendoset në një fshat të Ulqinit, ku do të bëjë punë krahu.

Është koha kur veprimtaria atdhetare po dëpërtonte në të gjitha poret e jetës, ndërsa nën shëmbullin e krijimit të shoqërive kulturore artistike kudo nëpër Kosovë, edhe në Prapaqan do të formohet një shoqëri e këtillë e emëtuar “Bije Vokshi”, e cila Maxhunin, si anëtar i saj, e entusiazmon tej mase. I ngërthyer në rrethana shumë të rënda dhe duke qenë i përcjellur këmbë pas këmbe Muxhunit nuk i mbetet rrugë tjetër pos asaj të largimit përkohësisht nga Kosova. Në vitin 1984 Maxhuni vendoset në Zvicër, ku me ndihmën e të birit të axhës së tij, veprimtar i dalluar i asaj kohe, Haxhi Berisha, do të kyçet në lëvizjen patriotike që zhvillohej në mërgim. Gjatë qëndrimit të tij në Zvicër kontributi i Maxhunit shquhet në dhënien e ndihmave materiale, në pjesmarrjen në demonstrata të shumta për internacionalizimin e çështjes së Kosovës që organizoheshin nëpër Evropë si dhe në bartjen dhe shpërndarjen në Kosovë të shtypit patriotik dhe revolucionar dhe materialeve tjera propagandistike antijugosllave. Si ithtar i luftës çlirimtare, Maxhuni kudo që do të gjendet zëshëm do ta përkrahë idenë e luftës së armatosur, si të vetmin opcion që do ta sjellë lirinë e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë nënë. Ndësa në Bosnje lufta po i afrohej fundit mbi Kosovë po fillonin të dyndëshin re të tjera të zeza të një lufte të sigurtë. Zullumi serb mbi popullin e pambrojtur dhe të lënë në mëshirën e fatit kishte tejkaluar çdo masë dhe çdo parashikim. Pushka e UÇK-së, sado e vtmuar në fillim po ngjallte shpresën e humbur dhe po lëshonte kushtrimin e pritshëm qindvjeçar të një lufte të përgjthshme çlirimtare të kombit. Asokohe, Maxhun Berisha, me lot në sy dhe me forcën e zemrës shprehej “Lufta është në prag. S’kemi çka presim më. Durimi i popullit mori fund. Dita e Kosovës erdhi…” Dhe, pa hezitim, ia la Zvicrës lamtumirën e fundit dhe u nis për në Kosovë. Si shumë mërgimtarë tjerë atdhetarë edhe Maxhunin po e thërriste zëri i Kosovës së robëruar, gjëma shekullore e popullit të shumëvuajtur dhe nderi i burrave të kombit. Nuk ishte kjo thirrje e nënvizuar me tri viza të kuqe e as thirrje me “poziv”, por ishte zë i lashtë dhe i përvajshëm më ngashërim i tokës nënë, që vetëm bijtë e saj më të mirë e dëgjojnë të parët dhe nisen vullnetar.
Luftëtar i dalluar në radhët e UÇK-së
Vetëm pak javë pas epopesë së lavdishme të Drenicës, fshati Gllogjan, zemra e Dukagjinit, më 24 mars 1998 po e shkruante me gjak një faqe tjetër të ndritshme heroike të historisë së Atdheut. Derisa Drenica, ai djep heroizmash shekullore, dha kushtrimin e luftës së përgjithshme kundër Sërbisë, Gllogjani heroik po jepte shpresa se lufta e nisur do të zgjërohej me shpejtësi rrufeje kudo nëpër Kosovë dhe në viset tjera shqiptare të robëruara, luftë kjo që nuk do të ndalet deri në fitorën e plotë. Lufta për liri tashti më më tërë ashpërsinë dhe heroizmin e saj po hynte në të gjithpushtetshmin dhe në të pavdekshmin popull.Si rezultat i kësaj beteje të fituar edhe në Dukagjin u krijua një zonë e lirë që kontrollohej nga UÇK-ja dhe në të njëjtën kohë u krijua rruga e komunikimit dhe e furnizimit me armë dhe pajisje tjera për luftë që nga Tropoja nëpër Smolicë, Gllogjan, Jabllanicë, Drenicë, Llap e deri në Shalë. Qëndresa dhe fitorja e Gllogjanit pati jehonë të madhe pozitive në shtresat e gjëra të popullit. Fshatrat e Dukagjinit me shpejtësi të madhe po mobilizoheshin, po pajiseshin me armë dhe material tjetër të nëvojshëm luftarak dhe po bëhëshin gati për luftë të gjatë me Sërbinë. Me net dhe më ditë, karvanet e luftëtarëve të ardhshëm të lirisë, me barrën e rëndë të armëve, po zbrazëshin kudo në Kosovë. Në këta rreshta të gjatë, plot vullnet dhe shpresë, gjendet edhe i palodhshmi dhe i pagjumëti Maxhun Berisha. Armët e para, sëbashku me një grup të zgjedhur djemësh të fshatit të tij, Maxhuni i solli në Prapaqan me 12 prill 1998, kur edhe emërohet zëvëndëskomandant i shtabit të fshatit që numëronte rreth 80 luftëtarë. Si organizator i sukseshëm, si epror ushtarak dhe në të njëjtën kohë si luftëtar i dalluar, së bashku me ushtarët e tij, Maxhuni mori pjesë në të gjitha betejat që u zhvilluan në Dukagjin, si në Rastavicë, Prejlep, Gërdaja, Carrabreg, Deçan, Loxhë, Baballoq, Shaptej, Smolicë, Irzniq, Strellc të Epërm, Rosuja, Gllogjan,etj. ku u bë shëmbull i lartë për ngritjen e moralit luftarak dhe të qëndresës heroike para luftëtarëve në fushë të betejës dhe në mbrojtje të pozicionve të UÇK-së. Aktiviteti ushtarak i Maxhun Berishës në kuadër të Shtabit të Prapaqanit përfundon me 10 shtator 1998, kur Dukagjinit iu ngul në shpinë thika e tradhtisë. Në pamundësi që të ndikojë në mosdorëzimin e organizuar të armëve të sjellura me mund dhe me sakrifica aq të mëdha, Maxhuni, me dëshpërim të jashtzakonshëm, por me vendosmëri që të kthehet sërish në frontin e luftës, përkohësisht kalon në Shqipëri. Për një kohë Maxhuni qëndron në Tropojë ku luan një rol të rëndësishëm në mobilizimin, organizimin dhe armatosjen e djemëve të UÇK-së që kishin rrahë rrugët e gjata drejtë Kosovës. Më 23 dhjetor 1998, sëbashku me një numër të konsideruar luftëtarësh, Maxhuni i paraqitet Komandantit Ramush Haradinaj, në Jabllanicë të Dushkajës, ku edhe sistemohet në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”. Në saje të aftësive të tij të shquara luftarake dhe të një përvoje të gjatë në front, Maxhuni emërohet zëvëndeskomandant i Batalionit, poashtu edhe zëvëndëskomandant i Kompanisë së parë në këtë Brigadë. Në këtë funksion Maxhuni do të shquhet sidomos gjatë luftimeve të ashpëra që u zhvillan gjatë tërë muajit mars të vitit 1999, si në Dashinoc, Kodrali, Lumbardh, Pozhar, etj.

Deri sa Maxhun Berisha luftonte me guxim të pashoq nga beteja në betejë edhe shtëpia e tij në Prapaqan ishte kthyer në një vatër të ngrohtë të UÇK-së. Kjo derë, për më shumë se një vit rresht, pa kursim do të jep bukë, do të lajë dhe do të hekurosë rrobe për ushtarët si dhe do të strehojë në vazhdimësi deri në 60 anëtarë të familjeve të rrezikuara nga zjarri dhe barbaria serbe. Maxhuni besonte në fitorën e sigurtë të Kosovës, ndonëse ishte tejet i indinjuar në kreun politik, në të ashtuquajturat institucione legjitime, të cilat nuk e kishin shpallur gjendjen e përgjithshme të luftës, për çka kishte hyrë hutia dhe përçarja në popull, rezultat i së cilës nuk kishte ardhur deri te masivizimi i pritur. Me fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi bazat ushtarake të Sërbisë, Maxhuni shihte mbarimin e shpejt të luftës dhe parandjente edhe një fitore tjetër ushtarake dhe politike evroamerikane në dobi të popullit shqiptar. Por, me gjithë këtë besim në zemër, Maxhuni nuk arriti ta përqafojë në liri Fitorën, vajzën e tij të vogël të lindur në flakët e luftës.
Dita e dielë e 28 marsit të vitit 1999 mbahet mend si njëra nga ditët më tragjike të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, si dhe të mbarë ZO të Dukagjinit. Në betejën e përgjakshme, që zgjati dy ditë pandërpre, fytafyt me ushtrinë e Sërbisë, te Ura e Pozharit, ranë për të mos rënë Kosova, dy luftëtarë të sprovuar në shumë beteja, dy trima të pazëvendësueshëm, dy kushërinj në lidhje gjaku të dalë nga dy dyer të njohura për bujari dhe atdhetari. Së pari bie Elez Geci dhe tri orë më vonë bie edhe Maxhun Berisha, duke lënë prapa mbi dyzet ushtarë dhe paramilitarë serbë të vrarë, një tanks, dy autoblinda, një pincgauer, një kamion ushtarak tërësisht të shkatërruar, tre mitrolozë të rëndë, një sasi të madhe pushkësh automatike, revole dhe municion të zëna nga armiku…

Trëndafili i kuq prej gjaku në gjoksin e Maxhun Berishës ishte amaneti dhe buzëqeshja krenare lamtumirëse lënë shokëve të luftës, prindërve të shumëvuajtur, vëllazërve dhe motrës, shoqës dhe fëmijëve të mitur, Prapaqanit dhe mbarë Kosovës, ndërsa heroizmi i tij aq shumë i dëshmuar ishte dhe mbeti burim i pashterrur i muzës popullore dhe shëmbull i lartë vetmohimi i brezave që do të vijnë.
E përjetshme qoftë buzëqeshja pranverore e lirisë së Atdheut!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura