MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XXIX)

Pashtriku, 25 mars 2021:
1. Elife LUZHA
3 shtator 2018
Mehmet, me lot dhe emocione të papërshkrueshme, që nga fillimi e deri në mbarim e lexova librin kushtuar dëshmorit Naser Hajrizi.
Nëpërmjet shkrimit shumë brilant, Ju keni arritur të shpërndani emocione të forta te lexuesi.
Kam mbajtur edhe shënime, të cilat do jua them në rastin më të parë kur do të takohemi.
Të fala shumë.
Elifja

***
2. Sabri MEHMETI
16 shtator 2018
Tungjatjeta Mehmet!

Faleminderit shumë për postimet, sidomos për “Birin e Atdheut”, që e lexova me një frymë, duke i parë si në kaleidoskop ngjarjet e mëdha dhe protagonistët e denjë të tyre. Mallëngjimi qe i pashmangshëm…
Besoj fort se kjo s’do të mbetet vetëm një sprovë. Një skenar filmi do të mund të bëhej me fare pak ndërhyrje të natyrës profesionale, por është në dorën tënde ta thellosh e ta zgjerosh më tej këtë sprovë, duke e bërë një roman historik të arrirë.
Të përgëzoj edhe për leksikun shumë të pasur. Munda t’i pikas më se gjashtëdhjetë fjalë të rralla, që e bëjnë mjaft të gjallë e shprehëse gjuhën e këtij teksti që, edhe në këtë formë, është shumë më tepër se një sprovë.
Të uroj sukses në punën e mëtejme!
***
3. Skënder SEJDIU
13 janar 2019
I dashur Mehmet,

ju përgëzoj për librin për Naserin.
E kam lexuar me një frymë. Jo vetëm dokumentar, por ju e keni shkruar një libër me vlera letrare dhe me një stil të lartë.
Dua t’ju takoj një ditë kur të keni kohë dhe të ma nënshkruani atë. Nëse ju kanë mbetur, do të ju kërkoja një libër edhe për Babën.
Përshëndetje,
Skënder Sejdiu.

***
4. Muharem ETEMI

Adhurimi i dëshmorëve dhe admirimi i veprës së autorit…
(Mbresë nga përurimi i librit “Bir i Atdheut” të M. Hajrizit)
Adhurimi ishte i jashtëzakonshëm, atë ditë e sot, valëve të ngjarjeve historike-demonstratave të vitit 1981, kur ranë dëshmorë, në lule të rinisë: Naser Hajrizi e Asllan Pireva!
Ndërsa i madh admirimi për veprën e shkëlqyer publicistike “Bir i Atdheut” të Mehmet Hajrizit, kushtuar dëshmorit Naser Hajrizi, që u promovua më 10 janar 2019.
I ftuar miqësisht në këtë ngjarje përurimi, kujtimet më shpunë në çaste të largëta kujtese dhe përjetimi. Në demonstratën po atë vit, po atë ditë, po në atë vend, me shokët dhe vëllezërit e idealit, për shumë nga ta që tani kemi vetëm kujtimet e bukura dhe porositë madhështore. (Si heroi Enver Topalli, me të cilin kishim dëgjuar krismat dhe fjalët për djelmoshat që ranë… Si Hydajet Hyseni, për fat që mbeti gjallë, fjalë e zemërzjarrtë edhe atë ditë që priti të bëhej natë…)
Ndaj, pa mëtuar vlerësimin këndesh të ndryshme të kësaj vepre të shkruar të Mehmet Hajrizit, rrëmbehem të shfaq emocionet, si për ditën e rënies së dëshmorëve, ashtu dhe ditën e përurimit për ta; sikundër dhe ngritjet emocionale, shpirtërore dhe estetike nga momentet përkujtimore dhe deklamimet artistike për realitetin e tyre jetësor dhe heroik. Kur gjatë recitimit të poezisë së Hidajet Hysenit, shkruar në burgun e Beogradit, pikërisht për yllin e rënë – Naser Hajrizin, aktori Avdi Gërvalla reflektonte vargjeve artistikisht shkëlqimin e shëmbëlltyrës së heroit, e mua sikur mu ligështua ca burrëria dhe më tradhtuan dënesje e pika loti, pra nga jehona madhështore e “djaloshit të blirit” dhe bukuria e jehut të madhërishëm të zërit të aktorit dhe vargut të poetit. Po aq sa, njëkohësisht, të bënte t’i përuleshe imazhit të mësueses në varg, tek po shihte vendin vetëm me kujtimin në bangën ku ishte ulur nxënësi Naser Hajrizi- sakaq i praruar në dëshmor, që lirinë t’ua linte pas edhe brezave të tjerë në shkollë!
Dhe, ku të gjendej rënie më e lartë se në piedestal, në piedestalin e lirisë… Rënia që sfidon vdekjen, rënia për atdhe, rënia që kur rënia është kaq e re, në lulen e rinisë, edhe toka është më e njomur e kushtrimi i lirisë është vetë fitorja, siç e paralajmëroi dhe Naseri, ku arenë e luftës qe bërë dhe shëtitorja…
Me flamurin kombëtar në dorë, ngriu thirrja: PËRPA…(RA)! Më 2 prill 1981, në ballë të demonstratës e me gjak në ballë e në flamur, Naser Hajrizi e Asllan Pireva.
Ndodheshim bashkë me Enver Topallin, asaj vale, mu pranë drurit të blirit, më 2 prill 1981, në qendër të Prishtinës, kur dikush u ngjit majë atij druri të blinjtë dhe iu drejtua masës që s’i dukej fundi anë e përtej “Grandit” e deri tek tregu, sheshit të Prishtinës përplot, ku vetëm lirisë tashmë i dukej shtegu… Por që të shtënat nuk po ndalonin, sikundër as fjalët kushtrimtare atëherë të djaloshit Hydajet hipur në lis që po jehonin… Dhe vjen një çast, kur turma fillon të shpërndahet, si gatitje për të nesërmen, për ditët e qëndresës që po vinin e s’do të ndalonin…
Dikush, ra! – më pati thënë Enver Topalli, sakaq,- flitet për dy të vrarë… Gjaku i rinisë! Nga këtu fillon rruga jonë e gjatë e lirisë…
Kurse ata dy- syshqiponja, kishin qenë Naser Hajrizi e Asllan Pireva, në sheshin e Prishtinës, në logun e burrërisë…
Ishin në atë shesh edhe plotë shokë të tjerë, anembanë viseve tona, shumë nga të cilët për fat i pashë edhe në këtë përurim, ata që s’e ndalën hapin rrjedhës së kohës, së cilës përkrah popullit i dhanë edhe kahun e çlirimit…
Ndërkaq, nga vlerësimi që iu bë librit edhe me rastin e përurimit, kureshtja të çon edhe tek porosia se kushdo që dëshiron ta dijë se kush i organizoi dhe u priu demonstratave a kryengritjes së vitit 1981, le të lexojë edhe veprat e Mehmet Hajrizit, dhe veprën “Bir i Atdheut” tani, aty do të gjejë përpjekjen dhe luftën titanike për liri, kushtuar Naser Hajrizit shëmbëlltyrë dhe brezit të tij!

Muharem Hetemi, nga Sellca e Tetovës
Botuar te “Koha”, më 23 janar 2019
***
5. Kadri LUZHA, Gjermani
1 korrik 2019
Tungjatjeta Mehmet,

e lexova librin Bir i Atdheut. Më ka emocionuar shumë.
Më ktheu në ato kohë të lavdishme . Të lumtë për punën që ke bërë. Gjatë leximit kam menduar sikur të bëhej skenar filmi.
Të përshëndes përzemërsisht!

***
6. Sami PIREVA
Bujar,

të falemnderit shumë për librin e mrekullueshëm të Mehmetit, “Bir i Atdheut”.
E lexova me një frymë e me emocione deri në ngashërim.
Paskam qenë pak i mangët për veprimtarinë e bujshme atdhetare të të pavdekshmit, Naser Hajrizi.
Të fala Mehmetit
Sami Pireva
Më 10 shkurt 2019

© Pashtriku.org

– FUND –
____________
MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XXVIII)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=11056

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura