KADRUSH RADOGOSHI: ADEM JASHARI DHE VDEKJA /DRAMË/ (I)

Pashtriku.org, 02. 12. 2013 – (Të gjithë atyre që flijuan jetën për lirinë e Kosovës, në shenjë respekti dhe nderimi të përjetshëm. Autori) – Përralla për krimin – U nis shpejt e shpejt për të arritur në Tempullin e Talisë, ku ishin mbledhur të gjithë baballarët e teorive të dramës, në seancën e rregullt të parlamentit të tyre.- Rreptësisht ndalohet hyrja për ty! – i tha portieri.- Ma lësho rrugën! – i tha.- Thyej qafën! Ik! Mos t’i shoh sytë! – e kërcënoi.- Po nuk më hape rrugë, të vras!Portieri i tregoi rrugën e kthimit me gisht. Duke qenë njeri që nuk kthehet prapa, e vrau. Pastaj hyri në Sallën e Madhe. Të gjithë e përbuzën, e përzunë, deshën ta burgosnin. S’pati rrugë tjetër, pos t’i vriste të gjithë. Para kufomave të parlamentarëve tha: ”Këtë seancë do ta udhëheq unë, ish-poeti i shndërruar në vrasës”.

PERSONAZHET:
– ADEM JASHARI
– HAMËZ JASHARI
– SHABAN JASHARI
– ORAKULLI I DARDANISË
– VDEKJA I
– VDEKJA II
– VDEKJA E BUKUR
– FEHMI LLADROVCI
– XHEVA
– ILIAZ KODRA
– BEKIM BERISHA

Prologu
ORAKULLI I DARDANISË:
Nga cilado pikë e Globit
nuk është larg të shkohet në Prekaz
Mjafton ta kalosh
kufirin në mes jetës e vdekjes
do të jesh aty
ballë për ballë
me mbijetesën.
Në Prekaz
edhe qielli me yje
të varura mbi lisa
edhe kodrat e mbuluara me plisa
recitojnë të vetmet fjalë:
Duart e përgjakura
nuk i lan shiu
as i harresës as i pendesës!
Nëse mbetesh në udhëkryq
pyete Anteun
Prometeun pyete
të dy flasin shqip…
Pastaj
rrugën duhet ta bësh më këmbë
dhe s’dihet sa zgjat
sa një fluturim shqiponje
apo mija e mija vjet…
Sido që të jetë
ia vlen të nisesh
edhe nëse nuk arrin kurrë
në vendlindjen e përjetësisë…
AKTI I PARË
ADEMI: Në ëndrra më mbiu pema e lirisë
kur u rrit e filloi të japë fruta
e pashë se ishte e huaja…
E jona ishte vetëm ëndrra…
HAMZA: Nuk e di a është Atdheu nënë e Lirisë!
Nuk e di a është Liria nënë e Atdheut!
Nuk e di në Atdheu i ka mbyllur dyert Lirisë
apo Liria Atdheut!
ADEMI: Sidoqë të jetë
fusha e errët e robërisë
shtrihet para syve tanë
e gjerë dhe e trishtë…
HAMZA: Po u bëre dritë në mes të errësirës
Do të jesh fillikat vetëm
i uritur do të jesh
e s’do të mund të thithësh
nga gjinjtë e natës…
ADEMI: Po u bëre drite në mes të errësirës
rrënjët do t’i lëshosh
thellë-thellë në dashuri
zjarr do të jesh…
SHABANI: Po u bëtë dritë në mes të errësirës
do të jeni lindje
foshnja lirie do të jeni…
HAMZA: Historia jonë qenka një ndjekje
deri në pafundësi
një përpjekje për të na ulur
në karrigen e harresës
një zëvendësim i heronjve
me gënjeshtarë, frikacakë e smirëzez
të mbuluar me lavdi
që s’e meriton askush
nga ata që vetëm dinë
të pëgërin e të përmjerrin
në këtë botë…
ADEMI: Herë ta rrëmbejnë haptas
herë tinëzisht ta vjedhin
të drejtën me pasë Atdhe!
HAMZA: Sa tmerr
të jetosh
në atdheun e vjedhur
apo të rrëmbyer publikisht!
SHABANI: Bijtë e mi,
po jua them poezinë, të cilën isha duke ua thënë nxënësve të mi, këtu e dyzet vjet më parë, kur erdhën e m’i vunë prangat para tyre, në klasë, e nuk më lanë, kurrë më, ta marr ditarin që aq shumë e kamë dashur:
ZJARRI I PROMETEUT
Në qerren diellore e ndezi pishtarin
Secilin e bëri ta shikojë yllin e vet
në qiellin e jetës së pajetuar…
E zbriti pishtarin e ndezur
në terrin e jetës njerëzore
njerëzit i panë lulet e çelura
fushat e bleruara të gëzimit
i njohën sërish.
Pishtari i ndezur në qerren diellore
e solli pranverën e jetës
këtë flutur të bukur
asnjëherë të zënë lehtë
këtë këngë shpeshhere të shndërruar
në jehonë.
Për t’u ngrohur shpirtin
e mbuluar mardhe
zjarrin e shenjtë u solli
dhe nuk u ankua në asnjë gjykatë
për gozhdimin në gurin e tmerrit…
ADEMI: E kam parë me sytë e mi
kur e vranë shikimin
në sytë e asaj vajze
së pagëzuar Liri
në sytë e atij djali
të pagëzuar Çlirim…
HAMZA: Me sytë e mi e kam parë
kur i këputën dorën
flokëkaçurrelit me sy të gjelbër
kur pikturonte Diellin e Madh
mbi qiellin e Kosovës…
ADEMI: Me këta dy sy e kam parë
skenën më tragjike të teatrit absurd
të lozur nën qiellin e hapur
të Drenicës, Dukagjinit e tërë Kosovës…
ku shkëlqejnë mija yje
që vriten për çdo çast
për të lindur më të mëdhenj
të nesërmen e kësaj skene
të reprizuar për herë të fundit…
SHABANI: E kamë parë me sytë e mi
fluturimin e pandalshëm të Shqiponjës
ndonëse kishte plagë në krahë
e quhej Ahmet Delia
ndonëse kishte plagë në gjoks
e quhej Azem Galica
ndonëse kishte plagë në kokë
e quhej Tahir Mehaj
tek betohej në tokë e qiell
tek shndërrohej në yje e diell
e kam parë, pasha këta sy!
HAMZA: A ju kujtohen sytë e kaltër si deti
të vënë në majën e kamave të ndryshkuara?
ADEMI: A ju kujtohen sytë e blertë
si fushat e Kosovës
që mund t’i keni parë
nëpër kalldrëmin e Rrugës Egnatia?
SHABANI: A ju kujtohen sytë e zez
si ullinjtë shqiptarë
të shkelur nga dinozaurët e hekurt?
HAMZA: Me këta dy sy e kam parë
Mësuesin tim të parë
varur në shtyllë elektrike
ADEMI: Dorën e djathtë ia kishin këputur
me të cilën na pati shkruar
për herë të parë
shkronjën A – Atdheu.
HAMZA: Skronjën L – Liria
SHABANI: Në kohën kur atdheu ishte dashuri ilegale
kur liria ishte mollë e ndaluar…
HAMZA: E kanë parë edhe zogjtë në qiell
e edhe lisat e malit e kanë parë…
SHABANI: Edhe foshnjat e djepit
e ato që ende gjenden në bark të nënës…
ADEMI: E kam parë… E kam parë…
HAMZA: Kush po zbret nga Qyqavica,
nuk është Shota as Azem Galica!…
ADEMI: Flokëthinjur e mjekërbardhë
për te ne është nisë me ardhë…
SHABANI: Mirë se erdhe, Orakull i Dardanisë!
Nga je nisur unë e di,
po s’e di ku do me m’rri.
ORAKULLI I DARDANISË: Jam nisur nga Vendenisi, kam vazhduar nëpër Ulpianë, Therandë e Dukagjin për të ardhur këtu tek ju.
ADEMI: Kë takove në Dukagjin?
ORKULLI I DARDANISË: Takova nipat e Lekë Dukagjinit.
HAMZA: Gjuhën tënde të lashtë a e kuptuan?
ORKULLI I DARDANISË: Gjuhën e lashtë të flijimit e kishin mësuar mirë!
ADEMI: Kush ishte me ta?
ORKULLI I DARDANISË: Djemtë më të mirë të Gjakovës e të Pejës me vete i kanë. Edhe lisat më të lartë, të cilët nuk do të ngriteshin aq lart për ta puthur qiellin, po të ishin frikësuar nga rrufetë, me vete i kanë.
SHABANI: Ku do të përfundosh udhëtimin, Orkull i Dardanisë?
ORAKULLI I DARDANISË: Këtu do të qëndroj së bashku me ju, në zemrën e Dardanisë, në Drenicë, në Prekaz.
SHABANI: Cila është profecia?

ORAKULLI I DARDANISË: Kur ta mbjellësh lulen e parë
në kopshtin e lirisë
Dardania do të trandet
e nga gjumi i rëndë do të zgjohet…
Dielli i lirisë do të buzëqeshë
në skaj të horizontit
e rrezen e parë do ta lëshojë
mbi gjymtyrët e ngrira
të atdheut…
SHABANI: Mos u ndal pa e përfunduar profecinë!
ORAKULLI I DARDANISË: Barrë të rëndë do ë bartësh në shpinë, o bir!
SHABANI: Vazhdo profecinë, hirësi!
ORAKULLI I DARDANISË: Kur ta mbjellësh trëndafilin e dytë
do të thuash:
lirinë e dua më shumë se Ademin.
Kur ta mbjellësh trëndafilin e tretë
Hamzën
do të thuash
liria nuk vjen
pa e kaluar rrugën e dhembjes
nëpër të cilën ecin
vetëm Prometetë…
SHABANI: Hirësi, heshte për të pushuar, apo mos po frikësohesh se nuk do ta pranoj profecinë, barra e së cilës është e rëndë?
ORAKULLI I DARDANISË: Nuk dyshoj në guximin tënd dhe të djemve të tu, o Shaban Jashari. S’kam dyshuar as në Shabanin tjetër para teje.
SHABANI: Përfundoje profecinë, Hirësi!
ORAKULLI I DARDANISË: Kur ta mbjellësh veten
vetë të katërdhjetëetetin
në kopshtin e lirisë
lulja e kushtrimit do të rritet
sa çelemshel sytë
e me petale do ta mbulojë dhenë
ku po rritet bimë e lirisë…
AKTI I DYTË
VDEKJA I: Erdha te ti, o Adem Jashari.
ADEMI: Pse erdhe?
VDEKJA I: Të të tregoj se të njoh.
ADEMI: Ti më njeh?
VDEKJA I: Po, të njoh.
ADEMI: Qysh kur?
VDEKJA I: Që kur erdhe në këtë botë.
ADEMI: E kur paskam ardhur në këtë botë?
VDEKJA I: Në këtë botë ke ardhur më 28 nëntor 1955
ADEMI: Shqiptimi i një dite dhe një muaji të caktuar dhe një viti gjithashtu të caktuar s’do të thotë asgjë.
VDEKJA I: Si mund të thuash kështu?
ADEMI: Thjesht, drejt !
VDEKJA I: Thjesht? Drejt?
ADEMI: Po!
VDEKJA I: Njeri i çuditshëm!
ADEMI: Aspak!
VDEKJA I: Nëse s’je i çuditshëm, atëherë s’mund të jesh tjetër pos rebel.
ADEMI: Unë, rebel?
VDEKJA I: Po, pikërisht ti, Adem Shaban Jashari.
ADEMI: Ma ditëke edhe emrin e babait !
VDEKJA I: Kuptohet.
ADEMI: Pasha tokën e pasha qiellin
pasha yjet e pasha diellin
pasha tokën e Drenicës
pasha kryet e Azem Galicës
nuk jam i tillë.
VDEKJA I: Po, ti nuk po pranon asnjë mendim timin.
ADEMI: Çdo mendim të vlefshëm e pranoj.
VDEKJA I: Ti nuk pranon llogaritjen e kohës! Nuk i pranon rregullat e kësaj llogaritjeje!
ADEMI: Unë llogaris kohën dhe respektoj rregullat e saj.
VDEKJA I: Si?
ADEMI: Thjesht!
VDEKJA I: Cila na qenka thjështësia jote?
ADEMI: Pikë fillese gjithmonë është kalimi i një heroi të kësaj toke dhe të këtij qielli në përjetësi!
VDEKJA I: S’po kuptoj!
ADEMI: Mendjetrashët nuk kuptojnë!
VDEKJA I: Vetëm mendjetrashët?
ADEMI: Edhe qyqarët, që dinë ta vënë shpesh maskën e heroit dhe i shijojnë frutat e të qenit idhull i qyqarëve.
VDEKJA I: Po, unë nuk jam e tillë!
ADEMI: Ti je mbretëresha e tyre.
VDEKJA I: Mirë, mirë, të mos largohemi nga tema!
ADEMI: Unë nuk i frikësohem asnjë teme, prandaj as temav të tua. S’kam ndonjë arsye për të ikur qoftë edhe nga tema jote.
VDEKJA I: Ishim te matja e kohës, te rregullat e saj dhe te kalendari evropian, të cilat ti nuk i respekton.
ADEMI: Kush të tha se nuk e pranoj llogaritjen e kohës sipas rregullave evropiane?
VDEKJA I: Në njëfarë forme, e the.
ADEMI: S’është e vërtetë!
VDEKJA I: Po ti, nuk e more si pikë fillese për llogaritjen e kohës lindjen e Jezusit, që shënon fundin e erës së vjetër dhe fillimin e erës së re.
ADEMI: Po me asgjë nuk e kundërshtova !
VDEKJA I: Të përmendësh heronj të tjerë si pika fillese dhe të sugjerosh ringjallje tjetër, është herzi, është mohim.
ADEMI: Po të mbetej vetëm me një hero, siç thua ti, bota do të bëhej shumë qyqare, do të mbushej me qaramanë e qyrrashë, do ta mbulonte myku e athëtia…
VDEKJA I: A ke më, o Adem Shaban Jashari?
ADEMI: Njerëzit s’do të kishin hapësirën e domosdoshme për jetë, do t’u zihej fryma.
VDEKJA I: Njeriu është krijuar për t’iu përshtatur rrethanave. Ata që s ‘mund t’iu përshtaten rrethanave ose vijnë vullnetarisht tek unë, ose unë e zgjas dorën time shpëtimtare.
ADEMI: Njeriu është krijuar për t’i kundërshtuar rrethanat ekzistues, për t’i ndryshuar, për t’i përmirësuar dhe për ta krijuar hapësirën për jetë të denjë.
VDEKJA I: Rrethanat i ndryshon tjetërkush.
ADEMI: Ato i ndryshojnë njerëzit syshkëndijë e me lulen e kuqe në mesin e ballit.
VDEKJA I: Lulja e kuqe është e komunistëve.
ADEMI: Eshtë jona që nga krijimi i botës dhe e tillë do të mbetet, deshe apo nuk deshe ti dhe tërë pjella jote e zezë.
VDEKJA I: Mirë! Mirë! Të kthehemi te Pika e Fillesës !
ADEMI: Te Pikat e Fillesës !
VDEKJA I: Ja, këtij qëndrimi i thonë rebelim, i thonë ngritje krye kundër rendit absulut të vlerave!
ADEMI: Çdo gjë është relative në këtë botë, prandaj edhe çdo rend vlerash i tillë është.
VDEKJA I: Evropa ka vetëm një Pikë Fillese!
ADEMI: Kjo është e vërteta jote e absolutizuar, e cila vazhdimisht ka gjuajtur me të gjitha llojet e armëve, të dukshme e të padukshme, për t’i vrarë të vërtetat e tjera.
VDEKJA: Ku na qenkan ato farë të vërtetash të tjera?
ADEMI: Ato gjenden kudo, por dikush i sheh, sepse ka sy për t’i parë dhe veshë për t’i dëgjuar, ndërsa të tjerët nuk i shohin, sepse nuk kanë sy, dhe nuk i dëgjojnë, sepse nuk kanë veshë. Ka edhe të atillë, që as nuk duan t’i shohin të vërtetat, as nuk duan t’i dëgjojnë, bile mundohen t’ua mbulojnë të tjerëve për të mos i parë dhe t’i heshtin apo t’i mbulojnë me plafin e zhurmave të reja, të cilat mundohen t’i shesin për vlera të reja.
VDEKJA I: Këtë prirje për të tjerrë mendimet sigurisht e ke trashëguar nga babai yt, nga mësuesi i rebeluar dhe pastaj i burgosur, Shaban Murat Jashari, apo ndoshta nga këngët kushtuar njerëzve të rebeluar, kënduar nga vëllai yt, Hamza.
ADEMI: Gjëja e parë dhe më e rëndësishme, që kam mësuar nga babai im, nga vëllai Hamza, nga bulëzimi i pemëve e çelja e luleve, nga rrezitja e diellit ditën e ndriçimi i yjeve natën, nga puhia e erës dhe fluturimi i fluturave, nga ngjyrat e ylberit të reflektuara në sytë e vajzave të dashuruara, ka qenë të të urrej ty, o vdekje e shëmtuar.
VDEKJA I: Edhe ti do të jesh i nënshtruari i dorës sime të gjatë.
ADEMI: Kurrë!
VDEKJA I: Mos e harro Pikën e Fillesës!
ADEMI: Populli im ka shumë Pika të Fillesës dhe të gjitha kanë të njëjtën domethënie.
VDEKJA: Herezia s’ka brirë!
ADEMI: Mbase edhe mund të ketë !
VDEKJA I: Cili na qenka mesazhi i Pikave të tua të Fillesës?
ADEMI: I thjeshtë fare: koha ka nxjerrë njerëz të mëdhenj, të cilëve u kanë dhënë emër dhe këta bij të denjë të kohës i kanë dhënë asaj emrin e tyre.
VDEKJA I: Cilët na qenkan ata?
ADEMI: I di mirë ti se cilët janë dhe asnjëri prej tyre me jetën dhe veprën e vet nuk e kanë mohuar as lindjen e Jezusit e as idealet për të cilat ai u flijua, përkundrazi janë flijuar për të dëshmuar se njerëzit lindin të barabartë dhe duhet të jetojnë të barabartë, apo thënë edhe më troç ata lindin të lirë, prandaj edhe duhet të jetojnë të lirë, bile të lirë edhe të vdesin.
VDEKJA I: Po më bind gjithnjë e më shumë se ke hyrë thellë në rrugën e rebelimit tënd, qoftë edhe kundër meje, mbretëreshës absolute të kësaj bote.
ADEMI: Unë nuk jam prej atyre që e njohin vetëm një vdekje.
VDEKJA I: Si? Si?
ADEMI: Ti nuk je e vetmja vdekje. Vdekje ka shumë. Mjer ai që nuk e di këtë gjë !
VDEKJA I: Cilat na qenkan ato vdekje?
ADEMI: Vdekjet janë si femrat. Mund të jenë të shëmtuara e të liga sikur ti, po mund të jenë të bukura e fisnike sa të dashurohesh në to dhe prej më të bukurave mund ta zgjedhësh njërën dhe ta dashurosh e ta mbrosh, duke e mbajtur me vete kudo që të shkosh.
VDEKJA I: Unë kam marrë nga kjo botë e do të marr njerëz trima, që kanë shumë ithtarë, të cilët zakonisht i marr së bashku me të adhuruarin e tyre.
ADEMI: E di që i ke marrë me rrojë e me skojë qyqarët e tillë.
VDEKJA I: Edhe ty do të të marr me dorën time të gjatë.
ADEMI: Dora jote nuk është aq e gjatë sa për arritur tek unë.
VDEKJA I: Dora ime është aq e gjatë sa mund të arrijë tërë familjen tënde dhe ty në mesin e saj. Nëse do edhe tërë Prekazin mund ta arrijë.
ADEMI: Ik, deri sa s’të kam vrarë!
VDEKJA I: Mua s’më vret pushka as topi.
ADEMI: Ty, jo vetëm që të vret pushka e topi, po edhe dora ime thatë, kur ta dredhë qafën e ta këputë si të ishe skërrajë e dalë pas shiut.
VDEKJA I: Ha-ha, ha-ha-ha….
ADEMI: Këtu je mysafire e paftuar. Ti je vdekje në jetë apo jetë në vdekje? Cilado që je, qofsh e mallkuar!
VDEKJA I: Kot më mallkon. Ti duhet të udhëtosh nga ky vend i mallkuar.
ADEMI: Unë të udhëtoj?
VDEKJA I: Po, ti duhet të largohesh nga Prekazi.
ADEMI: Nga Prekazi?
VDEKJA I: Pikërisht nga Prekazi dhe të mos marrësh asgjë me vete, bile edhe kujtimet për të dhe çdo gjë të tij t’i hedhësh në humnerën e thellë të Mbretërisë së Harresës.
ADEMI: A ke më për të thënë?
VDEKJA I: Po veprove sipas këshillave të mia, do ta shpëtosh kokën.
ADEMI: Grua e përdalme ! Shtrigë e çalë! Hijenë me shalë!
VDEKJA I: Mos u ngut, Adem, të lutem, jo pse tutem apo ngutem, po për ty dua të lutem në altarin e Tanatosit.
ADEMI: Ti, të lutesh për mua!?
VDEKJA I: Të lutem, për të të pranuar në botën e pendesës.
ADEMI: çdo herë jam nisur nga Prekazi për të shkuar diku, qoftë edhe në fundin e shtatë botërave, përsëri kam arritur në Prekaz.
VDEKJA I: Si është e mundur?
ADEMI: Të habit ky fakt?
VDEKJA I: Je njeri i patakt!
ADEMI: Ç’më duhet takti jot?!
VDEKJA I: As mua fakti jot!
ADEMI: Pasha simfoninë e erës,
Pasha lulet e pranverës,
Pasha bjeshkët e larta,
Këtu e ëmbël është edhe balta…
VDEKJA I: Unë po nisem me polici!
ADEMI: Pasha tokë e pasha qiell
Për këto yje e për këtë diell
Nuk më frikëson polici barbare
As ti vdekje me fytyrë qyqare…
VDEKJA I: S’jam qyqare, po unë të korri
Në dash në fund, në dash në krye oborri…
ADEMI: Më vjen të qesh e të tallem
Po në këngë më shumë çmallem…
VDEKJA I: Unë kam ardhur të të arrestoj e pastaj të të gjykoj në bazë të ligjeve të mbretërisë sime të nëntokës…
ADEMI: Po të ndërpres, o zonjë e zezë! Po ç’kërkon ti në këtë botë? A e di se mund të të vras, të të godas e në humnerë të të përplas?
VDEKJA I: Hi-hi-hi…
ADEMI: S’të duroj, oj orrospi, që në shtëpinë time do me hy!
(Shfaqet Shaban Jashari e Hamza dhe që të tre gjuajnë me pushkë, Vdekja Qyqare shtrihet përtokë).

( VIJON… )

==============================

KADRUSH RADOGOSHI: ADEM JASHARI DHE VDEKJA /DRAMË/
PJESA E DYTË:
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=2162

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura