KADRUSH RADOGOSHI: DREJTORI I MOÇALIT KULTUROR MERITON FERIZI

Pashtriku.org, 14.10.2017: Një fjalë e urtë popullore shqiptare thotë: “Bie një kashtë e dalin gjashtë”, ndërsa unë them se mund të dalin edhe gjashtëdhjetë e gjashtë, prandej në këtë shkrim unë do të merrem me disa prej kashtave, që të dalin përpara dhe ta zënë rrugën dhunshëm vetëm nëse guxon t’i afrohesh ndonjërit prej moçaleve, të cilat realiteti kosovar (në këtë rast gjakovar) i ka me shumicë. Dihet që shkaktari i krijimit të këtyre moçaleve është moçali politik me të cilin nuk do të merrem në këtë rast.
Kashta e parë: Shoqata e Intelektualëve “Jakova” e Gjakovës paska shkruar një ftesë për një të ashtuquajtur Tryezë Përkujtimore.
Kashta e dytë: Ilir Hajdari, një poet nga Gjakova, e publikoi në profilin e tij në FB ftesën në fjalë për të dëshmuar se si nuk duhet të shkruhet një ftesë me aq shumë gabime gjuhësore.

Kashta e tretë: komentuesi i parë në këtë status është Drejtori i Drejtorisë Komunale për Kulturë, Rini dhe Sport Meriton Ferizi, i cili e vlerëson statusin e Ilirit si “plotësisht me vend” dhe vazhdon më tutje me arsyetimin “një vërejtje që e bëj çdo herë por arsyetohen për shkak të moshës së shtyrë!” Me këtë arsyetim të drejtorit nuk pajtohet Z. Ardian Kurhasani në komentin e tij pasues. Sipas kësaj përgjigjeje të drejtorit nënkuptohet se shoqata në fjalë paska mbetur në duart e pleqve senilë, që nuk marrkan vesh nga vërejtjet e drejtorit, i cili megjithatë e financon apo përkujdeset për veprimtarinë e tyre.
Në këtë kontekst lind vetvetiu pyetja:
Drejtor ku i ke intelektualët më të rinj apo ata në moshë aktive?
Çfarë ke bërë ti dhe drejtoria jote për t’i afruar?
Ti mund të thuash nuk ka, por unë po të them se Gjakova ka intelektualë, që i kanë tejkaluar përmasat kombëtare.
Kashta e katërt: poeti, prozatori dhe gazetari nga Gjakova Pal Ndrecaj, në komentin e tij e ngrit zërin ndaj ftesës së “shkruar për turp” me propozimin se nuk duhet marrë pjesë në një manifestim të tillë pa u korrigjuar ftesa.
Kashta e pestë jam unë, që mora guximin t’ia prish idilin drejtorit me komentin vijues: “Këtë nivel të shkrimit nuk guxon ta ketë as nxënësi i klasës së dytë fillore. Mjafton të lexohet fillimi i ftesës dhe të shihet se nuk kemi të bëjmë vetëm me gabime të natyrës drejtshkrimore, por edhe me gabime morfologjike, sintaksore dhe logjike. Kjo ftesë tregon se çfarë shoqate injorantësh e ka uzurpuar hapësirën publike në Gjakovë. Ky është turpi edhe i Drejtorisë Komunale të Kulturës së Gjakovës. E keni kthyer Gjakovën në një qendër injorantësh! Skandal! Krim kulturor!”
Kashta e gjashtë: Drejtori i prekur në sedër nga komenti im më përgjigjet: “Këtë ftesë nuk e ka bërë DKRS por e kanë përmendur si mbështetës të kësaj tryeze dhe me të vërtetë është shumë dobët..përndryshe të gjithë janë kolegët e tu të cilëve në statuset e tyre ju thur lavde dhe mos e shfrytëzo në këtë mënyrë (nga ftesa e tjetërkujt) të hudhësh kritika në këtë drejtori, pasiçë nuk jeni fare në dijeni nga atje ku jetoni, se çka në të vërtetë punohet!”
Kashta e shtatë: unë Kadrush Radogoshi, kontribuues mbi tridhjetëvjeçar (ndër më kryesorët) në jetën kulturore të Gjakovës, autor i 18 veprave të botuara letrare të zhanreve të ndryshme (rreth 1000 faqe shkrime kushtuar Gjakovës dhe dramës së saj), fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve letrare, ndër to edhe ndërkombëtare, i prezantuar në antologji dhe enciklopedi të ndryshme botërore, u ndjeva i fyer nga komenti, të them thjeshtë, i papërgjegjësi i Drejtorit të Drejtorisë Komunale për Kulturë, Rini dhe Sport të Gjakovës prandaj u detyrova të reagoj me komentin vijues:
“Meriton Ferizi, para tre vjetësh ke bërë një skandal kulturor në raport me mua. Unë nuk kam reaguar në media sepse nuk kam dashur që reagimi im të shfrytëzohet nga rivalët tuaj politik. Më vjen shumë keq që tani është kohë e fushatës elektorale, por me komentin tënd më nxite që unë të bëj një reagim të veçantë jasht faqes së Ilirit. Arsyeja është: ti pasi pranon se ftesa është “e dobët ” në vend se të kërkosh falje ti vazhdon me një spekulim, një shpifje dhe një konstatim përjashtues. Kush janë ata që e paskan shkruar një ftesë mizerie e që sipas logjikës sate qenkan kolegë të mi? A kanë emra? Sa veta e paskan shkruar atë ftesë paçavure? Kujt i paskam thurë lavde? Ma thuaj një emër së paku dhe një lëvdatë!”
Kashta e tetë: Drejtori Meriton Ferizi vazhdon me “margaritarin e radhës: “Si të kërkoj falje ore kur nuk e kemi shkruar ne si institucion, vetëm na është përmend emri spo ju kuptoj dhe gjithashtu për cilin “skandal kulturor” e keni fjalën në raport me ju, apo edhe kjo ka të bëjë me “kolegët tuaj” por po ja hudh në këtë rast, jo tanimë institucionit por mua personalisht!?..”.
Kashta e nëntë: Siç po shihet edhe në komentin e dytë Drejtori nuk e ka ndjenjën se duhet të kërkoj falje publike dhe mendon se kështu i iket përgjegjësisë për skandalet kulturore të tipit të kësaj ftese. Gjithashtu edhe herën e dytë sikurse të parën ai vazhdon spekulimin se autorët e ftesës janë kolegët e mi. Po ta shndërronim në prozë spekulimin, shpifjen dhe konstatimin përjashtues të Meriton Ferizit do të ishte si vijon:
– Ftesa është shkruar me shumë gabime drejtshkrimore, morfologjike, sintaksore dhe logjike – thotë Kadrush Radogoshi dhe të tjerët.
– Po ftesa është me të vërtetë shumë e dobët – përgjigjet Meriton Ferizi.
– Pse është shumë e dobët? – pyet Kadrush Radogoshi.
– Për shkak të moshës së shtyrë të autorëve të saj – përgjigjet Meriton Ferizi.
– Të lutem përgjigju më saktësisht! Kush është autori, sepse zakonisht ftesat shkruhen prej një njeriu?
– Jo nuk është një autor janë shumë! Autorët janë kolegët tu – përgjigjet Meriton Ferizi.
– Cilët prej kolegëve të mi? – pyet sërish i habitur Kadrush Radogoshi, për do kolegë, që ia krijoi pa prit e pa kujtuar arroganca e Meriton Ferizit.
– Janë kolegët tu, të cilëve në statuset e tyre ti iu thur lavde – përgjigjet me pafytyrësi Meriton Ferizi.
– Çfarë domethënie ka konstatimi yt? – pyet i habitur Kadrush Radogoshi.
– Sepse ti po e shfrytëzon në këtë mënyrë të hudhësh (për të hedhësh) kritika në këtë drejtori – përgjigjet i hidhëruar Meriton Ferizi.
– Nuk je bindës në konstatimet Zotëri Drejtor! – përgjigjet Kadrush Radogoshi.
– Shkaku është se ju nuk jeni fare në dijeni nga atje ku jetoni, se çka në të vërtetë punohet – përgjigjet Meriton Ferizi në mënyrë linçuese, përjashtuese.
– Pse kjo mënyrë e mënjanimit apo përjashtimit të një intelektuali nga jeta kulturore e qytetit të lindjes? – pyet Kadrush Radogoshi.
– Ti më fajësove se unë kam bërë skandal kulturor ndaj teje në vend se të akuzosh kolegët tu, të cilët i lëvdon në statuset e tyre – vazhdon të akuzojë Meriton Ferizi.
– Jo, jo ti je autor i skandalit kulturor në raport me mua – kundërshton Kadrush Radogoshi.
– Cilit skandal ore?
– A të kujtohet, kur para tre vjetësh ia kishe dhënë Mirënjohjen për kontributin tim si ish kryetar i Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” në organizimin e Mitingut të poezisë me rastin e 50 vjetorit të tij njërit prej kamerierëve të Restorantit “Shkorpion”, i cili ma dha? – pyet Kadrush Radogoshi.
– Po më kujtohet! A mos ke pritur “me të thirrë me selom a”? Fundi i fundit pse e more? Kamerieri me zor nuk ta ka dhënë – ia kthen Meriton Ferizi.
– Ka qenë dashur të më ftosh në zyrë, besa sipas mundësive, të thërrasësh edhe ndonjë gazetar sepse ke pasur para vetes një shkrimtar, që i ka kaluar moti kufijtë lokalë – ia kthen Kadrush Radogoshi.
– S’paskan pasur faj ata që të kanë burgosur e persekutuar që nga viti 1981 – shpërthen plot mllef Meriton Ferizi.
– Apo siç i quan ti “kolegët” e mi – thotë Kadrush Radogoshi.
– Edhe të kam nderuar me mirënjohje edhe më akuzon – thotë Meriton Ferizi
– Unë publikisht e kthej prapa Mirënjohjen e dhënë përmes kamerierit me rastin e 50 vjetorit të Mitingut të poezisë të nënshkruar me shkrim të palexueshëm nga ti Meriton Ferizi – thotë Kadrush Radogoshi publikisht.
Kashtën e radhës se si ma vodhën pikë për pikë e presë për presë tekstin tim të botuar për Nesemi Danën dhe e bën tekst të filmit dokumentar për dëshmorin në fjalë do ta shkruaj më vonë. Autori, që në film e ka shpallë të vetin tekstin tim nuk është as më shumë e as më pak se Ali Tafarshiku, shef i kabinetit të kryetares së komunës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura