PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: MANIPULIMI ME VOTAT E BASHKËSIVE ETNIKE PAKICË NUK SIGURON PROCES ZGJEDHOR TRANSPARENT DHE DEMOKRATIK

Tetovë, 21. 11. 2016: ARSYEJA E KATËRT pse duhet të protestojmë në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedonia, më 11 dhjetor 2016, është MANIPULIMI ME VOTAT E BASHKËSIVE ETNIKE PAKICË, të cilët përbëjnë mbi 15 % të numrit të përgjithshëm të popullsisë së këtij vendi dhe të trupit të përgjithshëm votues, ndërsa në Parlament dhe institucionet tjera të pushtetit ato përfaqësohen në mënyrë tepër simbolike.
Kjo praktikë është zbatuar në të gjitha ciklet zgjedhore në Maqedoni, që nga viti 1990 e deri më sot. Po t’i marrim si shembull zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2014, do të përfundojmë se ky manipulim ka përmasa shqetësuese dhe kryesisht përdoret në dëm të interesave të shqiptarëve në Maqedoni.
Bllokun e partive politike maqedonase e kanë përbërë dy koalicione; njëri i udhëhequr nga OBRM – PDBKM (VMRO-DPMNE), e cila ka qenë në pushtet deri në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor 2016, dhe tjetri koalicion i udhëhequr nga LSDM, e cila deri në shpalljen e këtyre zgjedhjeve ka qenë në opozitë.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 2014, Koalicioni i OBRM – PDBKM (VMRO-DPMNE) është përbërë nga 23 parti politike, prej të cilave, 12 parti të nacionalitetit maqedonas dhe 11 parti të nacionaliteteve të tjera pakicë: 1 turke, 6 rome, 1 serbe, 1 vllahe dhe 2 boshnjake. Ky koalicion gjithsej ka fituar 61 mandate deputetësh në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2014.
Koalicioni i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë është përbërë nga 9 parti politike, prej të cilave 4 parti të nacionalitetit maqedonas dhe 5 parti të bashkësive të tjera etnike pakicë: 1 turke, 1 rome, 1 serbe, 1 vllahe dhe 1 e boshnjakëve të Sanxhakut. Ky koalicion gjithsej ka fituar 34 mandate deputetësh në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2014.
Nga analiza e mësipërme shihet që koalicionet e partive politike maqedonase në radhët e veta kanë përfshijnë 16 parti politike të bashkësive etnike pakicë (11+5), dhe me këtë kanë siguruar numër të madh votash nga votuesit e nacionaliteteve pakicë, që përbëjnë mbi 15 % të trupit të përgjithshëm votues në Republikën e Maqedonisë, dhe me këtë, dy koalicionet e partive politike maqedonase kanë siguruar afër 20 mandate deputetësh në saje të këtyre votave.
Përfshirja e partive politike të bashkësive etnike pakicë në dy koalicionet e bllokut politik maqedonas nuk bëhet për përfshirjen e drejtë dhe proporcionale të këtyre bashkësive etnike pakicë në Parlament dhe institucionet tjera të pushtetit, por në dëm të interesave të shqiptarëve në Maqedoni.
Duke marrë parasysh se një numër të madh të votuesve të këtyre dy koalicioneve të partive politike maqedonase e përbëjnë shqiptarët ortodoksë dhe pjesëtarët e bashkësisë etnike bullgare, të cilëve ende nuk u njihet e drejta e deklarimit të lirë dhe organizimit të tyre politik, ky manipulim ka përmasa tepër shqetësuese dhe kërkon trajtim adekuat nga forcat progresive të vendit dhe faktori ndërkombëtar.
(19.11.2016)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura