LËVIZJA NË GJILAN, VITI DHE KAMENICË, ISHTE …

LËVIZJA NË GJILAN, VITI DHE KAMENICË, ISHTE VAZHDUESJA E DREJTËPËRDREJTË E IDEALEVE TË HERONJËVE TË KOMBIT KADRI ZEKA, REXHEP MALAJ, NUHI BERISHA, ZIJA SHEMSIU E TË TJERË

Nga Ismet Sylejmani, Gjilan, 17 Janar 2023

Të dashura familje të dëshmorëve,

Invalid të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të dashur shokë veteranë të lëvizjes për çlirim të Atdheut,

Ish të burgosur politik

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Gjilanit,

E nderuara Nënkryetare e Komunës,

I dashur ish – Komandant i Zonës Operative të Karadakut Ahmet Isufi,

I nderuar Zëvendëskomandant e Zëvendësministër i Mbrojtjes Shemsi Syla,

I dashur Kryetar i Rahovecit shoku Smajl Latifi,

Të nderuar të pranishëm!

Sikur kudo nëpër pjesë të ndryshme në Kosovë e vise në ish- jugosllavi, edhe në Gjilan, në Viti dhe në Kamenicë, Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK, ishte vazhduese dhe bartëse e drejtëpërdrejtë e aktivitetit ilegal politiko-patriotik, ushtarak-çlirimtar, dhe realizuese e aspiratave liridashëse me kontinuitet e disciplinë të lartë atdhetare e kombëtare!

Për dallim nga rrethet tjera organizative dhe krahinat e famshme liridashëse të luftës kundër eskadroneve që mbillnin vdekje e zgjeronin tokën me varre në Atdheun tonë, Anamorava jonë e dashur, ishte ajo krahinë e Atdheut tonë, e cila për m2 (metër katror), kishte më shumë se çdo pjesë tjetër, figura e personalitete të mëdha kombëtare të cilët e dominonin skenën politiko-patriotike ilegale në Kosovë e vise dhe kishin ndikim edhe në Shqipëri dhe jashtë Atdheut e kudo nëpër kontinente të botës!

Udhëheqësit e mëdhenj, disa nga të cilët më vonë u shëndërruan në Heronjë të lavdishëm të Kombit, ishin baza jonë e madhe dhe solide, për të qenë me çdo kusht të suksesshëm në rrugën e luftës ilegale atdhetare për liri e pavarësi nga Serbia pushtuese!

Pas arrestimit dhe dënimit me vite të tëra burg të çelikut të qendresës, Heroit të Kombit Rexhep Malaj, pas  daljes jashtë Atdheut të Anëtarit të Komitetit Drejtues të GMLK-së, atdhetarit të madh, Heroit të Kombit Kadri Zeka dhe pas kalimit në ilegalitet të Sekretarit Organizativ Hydajet Hysenit, pas arrestimeve, burgosjeve dhe më vonë edhe denimeve me vite të tëra burg të antarëve të Grupit Revolucionar dhe Grupi Marksist-Leninist i Kosovës – GMLK-së, goditja ishte e madhe në nivel të Kosovës në përgjithësi dhe të Gjilanit, të Vitisë e të Kamenicës në veçanti, por me pasoja edhe në Luginë të Preshevës e në Karadakun e Kumanovës!

NGJARJET E SHËNUARA TË VEPRIMTARISË SË LËVIZJES NË GJILAN

Më 27 mars 1989 në Gjilan, ishte demonstrata e parë e zhvilluar pas atyre që kishin organizuar gjenerata e artë e Rexhep Malës, Kadri Zekës, Nuhi Berishës,Zija Shemsiut, Hydajet Hysenit, Nazmi Hoxhës, Bejtullah Tahirit, Fazli Abdullahut e shumë bijëve të tjerë të mëdhenj e të organizuar të popullit tonë.

Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK, në Gjilan ka organizuar, ka drejtuar dhe ka marrë përgjegjësinë për demostratën e 27 Marsit të vitit 1989, në të cilën ra Dëshmori i Kombit Agim Rashiti!

Natën e 19 Janarit 1990, Gjilani, Vitia dhe Kamenica ishin të mbushura me traktin e Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK, i cili ishte hartuar me rastin e mbajtjës së Kongresit të 14-të të jashtëzakonshëm të LKJ-se, dhe u shpërnda në rrethin tonë, me rastin e vizitës së tradhetarit Rrahman Morina ne Hodonoc të Kamenicës!

Me 29 Janar 1990, ne demonstraten e organizuar dhe drejtuar nga Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK, ra Deshmori i Kombit Reshat Ymeri!

Këshilli i Rrethit të Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK, më 11 Janar 1991 e ka shpërndarë ftesën e Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK, për Homazh në përvjetorin e 7-të rëniës së Heronjëve të Kombit Rexhep Malaj e Nuhi Berisha!

Këshilli i Rrethit të Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK në Gjilan ka organizuar shpërndarjen e traktit, për mos përgjigjje të regrutëve shqiptar për shërbim ushtarak në ish-jugosllavi, shkrimin e parullave të ndryshme  me pérmbajtje atdhetare e patriotike, me emra heronjësh e dëshmorësh dhe udhëheqësish të Kombit!

Këshilli ynë i Rrethit  të Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK e ka pasur përfaqesuesin e vet Anëtar në Komitetin Drejtues të Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK!

Anëtari i Këshillit tonë të Rrethit të Anamoravës nga Gjilani, Anëtar në Komitetin Drejtues të Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK, e ka mbajtur fjalimin qëndror në emër të Lëvizjes Popullore të Kosovës, më 2 Qershor 1991, para masës 100.000 pjesmarrësve në varrimin e Martirit të Kombit Fehmi Ademi, i vrarë nga forcat serbe në Korroticë të Drenicës!

Këshilli ynë i Rrethit të Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK të Anamoravës, e ka pasur perfaqësuesin e vet në delegacionin  zyrtar të Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK në dy udhëtime në Shqipëri në përbërje: herën e parë në Qershor 1991, Arif Seferi dhe Ismet Sylejmani, dhe herën e dytë në shtator 1991, në përbërje: Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu, Arif Seferi, Xhavit Haliti dhe Ismet Sylejmani!

Anëtar të këtij delegacioni të Lëvizjes kanë zhvilluar takimin e njohur dhe historik me Presidentin Ramiz Alia, ku është marrë vendimi për fillimin e ushtrimeve dhe përgaditjeve ushtarake!

Kryetari Këshillit të Rrethit të Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK të Anamoravës, Heroi i Kombit Xhevat Qerimi, ishte njëri nga udhëheqësit e mëdhenj të Lëvizjes në ushtrimet dhe pergaditjet ushtarake në Shqipëri!

Delegati i Këshillit të Rrethit të Lëvizjes nga Anamorava, në Mbledhjen e Tretë në Ujmir e cila zhvilloi punimet më 3 dhe 4 Tetor 1991, ishte atdhetari e patrioti, ish i burgosuri politik Nazmi Hoxha, i cili nga delegatët e Mbledhjes u zgjodh në Kryesi të punës dhe më vonë edhe Anëtar i Kryesisë së udhëheqjës të Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK!

Duhet të jemi të  lumtur e të nderuar që Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK, më 17 Nëntor 1994, kurorëzoi me sukses aspiratat dhe ëndrrat e qindra dhe mijëra heronjëve, dëshmorëve, atdhetarëve e ish të burgosurve politik, baballarëve e nënave, motrave e vëllezërve, kur themeloi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!

Sot në mesin tonë është Abdylmexhit Karaga nga Kërçova e Maqedonisë, i cili ishte shqiptari i parë dhe i vetëm, që Komunikatën numër 11 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka bartur nga Zvicrra në Shkup dhe nga Shkupi e ka drejtuar në të gjitha qendrat e botës!

Përshendetje!

Pas përfundimit të luftës së UÇK-së, e cila  i ndihmua nga NATO dhe aleati ynë i madh Shtetet e Bashkuara të Amerikës-SHBA, dhe çlirimit më 12 Qershor 1999 të Kosovës nga Serbia pushtuese, Lëvizja Popullore e Kosovës – ,LPK nuk e ndali aktivitetin e saj!

Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK, në vitin 2000 themeloi Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – UÇPMB-në, e cila derdhi gjak, bëri luftë të madhe dhe ngriti në një stad tjetër gjendjen e popullit shqiptar në trojet e veta stërgjyshore në Luginë të Preshevës!

Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK, themeloi me 2001 Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë e Veriut, e cila bëri luftë heroike e çlirimtare, që përfundoi me Marrveshjen e Ohrit dhe e bëri edhe de jure zot të fateve të veta popullin shqiptar në IRJ të Maqedonisë!

Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK, thirri të gjitha partitë politike dhe organizoi në Gjilan, tubimin më të  madh e gjithëpopullor më 31 Mars 2000, në nderim të 19 vjetorit të ngjarjeve të mëdha e të lavdishme të vitit 1981!

Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK, thirri të gjitha partitë politike dhe organizoi në Gjilan, tubimin e madh gjithëpopullor me 31 Maj 2001, në nderim të ardhjes në Kosovë të Fuqisë Planetare – Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Anëtaret e Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK, që ranë në krye të detyrës e që derdhën gjak për Atdheun dhe u shpallën Dëshmor të Kombit, janë: Agim Rashiti, Reshat Ymeri, Xhevat Qerimi, Tefik Zymberi dhe Hanumshahe Abdullahu!

Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK, dhe të gjitha pararendëset e saj, janë thesari i madh i të kaluarës së popullit tonë, e cila në memorjen e historisë së Atdheut dhe Kombit tonë, do të shkruhet me shkronja të arta e do të kenë vend nderi në ballë të flamurit kombëtar!Lavdi Heronjëve dhe Dëshmorëve të Kombit!

Lavdi Lëvizjes Popullore të Kosovës!

Ismet Sylejmani,

Gjilan, 17 Janar 2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura