KIMETE BERISHA: KLASA E VDEKUR E KOSOVËS! KOMUNISTËT E GJAKOVËS MË EKSTREMISTË SE VRASËSIT E ISIS’it!

Prishtinë, 27. 02. 2015 – 1. S’ka ditë që s’më pushton ajo nevoja e madhe e eskapizmit; të ikë për qejfi, pa adresë, pa e thënë asnjë fjalë, ta çliroj veten nga të gjitha aspektet banale të jetës në këtë vend; të shpëtoj nga depresioni i përgjithshëm dhe sidomos nga ndjenjat e ftohta prej të cilave nuk narth më. Jo të ikë me mendje të Frojdit e të krijoj në psikologjinë time një vend të fantazisë, ku do të fshihesha sa herë që ma tregojnë rrugën, e m’i ‘shqyejnë’ sytë, por të ikë fizikisht, qysh ikin malësorët, të mërgoj bashkë me mendimet dhe me fjalët e mia, të çlirohem nga nevoja që dikush të më sheh; dikush të më dëgjoj; dikush të më lexoj. Dikush ta mësoj të vërtetën time.
Por, më kanë mbetur disa fjalë pa i thënë!
Prandaj, gjithmonë një ndjenjë tjetër, më e fuqishme se trishtimi, të ndalon të ikësh nga vetvetja dhe nga rruga që ty gjithmonë të duket se krejt rastësisht e ke shkuar!
Sa herë të pushton nevoja për t’i lënë të gjitha e për t’u larguar, prit. Ndjeje, përjetoje, haje si bukën, harxhoje, pije atë ndjenjë si gotën me ujë, sepse do ta pëshurresh pas një ore.
Ti do, por nuk mund të ikësh nga vetja, nga fati, për t’i lënë punët përgjysmë.

Sa herë kam provuar të largohem, më janë këputur këmbët në gjunjë! Kur ndjen aq pafuqi të madhe dhe të duket se të dy këmbët të kanë hyrë në dhe, ndalu. Pikërisht aty, aty në atë vend, ku e ndjen se nuk shkel dot në këmbë, aty përket ti, aty është vendi yt.
As vend strehim fiksion në mendjen time, as vend-strehim të sigurt në këtë tokë që s’pushon e s’qetësohet kurrë!
Në dorë të Zotit. Dhe, në dorë të Dashurisë, që në fund, gjithmonë ta shkatërron jetën, për të mirën tënde.
Për shkak të dashurisë dhe për shkak të shkrimeve të mia, jam prishur me shumë njerëz.
Të pasur nuk të bën asgjë tjetër përveç e vërteta.
Vendi ynë është i vogël për të duruar të vërtetat e mëdha. Më shumë fshihet e vërteta në një vend të vogël sesa në një vend të madh. Vendi i vogël është varr i madh i sekreteve dhe fshehtësive kapitale. Prandaj, për shkak se të gjithë e njohin njëri-tjetrin, vrasësit dhe kriminelët në këtë vend mbetën të lirë; gjykatat sundohen nga mafia; policia është përplot kriminelë, drejtësia europiane për 1 milion euro ta shet pafajësinë, pushtetin vendor e mbajtën në dorë mafiozët dhe barbarët.
Sa më i madh vendi, aq më e madhe mundësia për ta thënë të vërtetën. Nuk mund të jetë ‘e lirë’ fjala në një vend të ngushtë si Kosova, ku për shkak të një shkrimi ta merr inat dhe refuzon m’i t’i shit’ qepët edhe shitësi në treg, të thotë ‘s’janë për ty’.
2. Pas shkrimit kundër përmendores së Fadil Hoxhës, në adresën time kanë arritur mijëra komente kërcënuese, ofenduese, fyese. Në secilin prej tyre, përfshihej edhe nana ime, e cila ‘dhunohej’, masakrohej, vritej e rivritej nga komunistët gjakovarë, nga gra e burra, me emër e me mbiemër, me fotografi e me biografi.
E habitur nga fakti që zbulova se komunistët e Gjakovës ishin më xhihadistë se luftëtarët e ISIS-it, i kam angazhuar dy djem të rinj, profesionistë të fushës, që t’i mbledhin të gjitha komentet dhe biografitë e komentuesve (shumë prej tyre studentë e profesora), dhe të gjitha t’i faqosin, e ta bëjnë të duket si libër.
Pasi e kam marrë ‘librin’ e faqosur me shamjet dhe kërcënimet staliniste gjakovare, e kam shfletuar koment për koment, biografi për biografi, dhe kam vendosur ta propozoj për temë magjistrature, që pasqyron mjerimin e madh të një grupi të madh ekstremistësh komunistë që ‘nuk të lejojnë’ të mendosh ndryshe nga ata, dhe të thuash se lulet shkojnë te Shaban Polluzha.
Për të më kuptuar mirë, dëgjomëni kur u them se xhihadistët kanë qenë më të kujdesshëm ndaj meje sesa komunistët e Gjakovës. Sa herë kam shkruar kundër vehabizmit dhe xhihadit, jam komentuar fuqishëm, nga mijëra myslimanë, ama ata asnjëherë nuk ma kanë sharë nanën, dhe asnjëri nga dashamirët e xhihadit ‘s’ma ka ndaluar’ të shkel në një vend, siç ma ‘kanë ndaluar’ komunistët gjakovarë, të shkel në Gjakovë, se ‘me gojë e me shkrim’ ata ishin shumë më ekstremistë se vrasësit e ISIS-it!
Më së shumti më dhimbti kërcënimi i tyre se ‘kurrë këmba jote s’guxon me shkel në Gjakovë’.
Është një varr i një mikut tim nga Gjakova, i cili më dukej i vetmi njeri i gjallë atje.
E kam pasur mësues të poezisë, dhe e kam pasur mik të shpirtit, prandaj herë pas here për hir të tregimit të miqësisë, për hir të shoqes besnike, shkoj dhe e heq pluhurin nga pllaka e varrit të tij ku shkruan ‘Përditë më vranë ngapak, përditë vdiqa nga një grimë. Vdekja ime s’është e vërtetë’!
Por, i vërtetë është fakti se mua po më ndiqnin nga Gjakova të njejtit komunista që me policinë e tyre serbe, nuk lejuan që të vëhet në skenë asnjë shfaqje e dramaturgut më të madh. Çfarë vendlindje ishte kjo për të, o Zot!
Qysh me shku në Gjakovë pas një ‘libri’ kërcënimesh. Nuk tutëm prej meshkujve, aspak, por frika ime ishte mos po më dalin përpara ‘dadat hoxhiste’, e ato flasin shumë me akcent, ato s’durohen… pastaj, me femra të dëshpëruara, dhe me partizane, që ende i glorifikojnë komunistët dhe kriminelët, nuk pranoj të flas. Kurrë. Më përpara e vras veten.
Në bagazhin e veturës sime e vendosa një mont të zi, të gjatë deri te zogu i këmbëve, dhe me kapelë. Kisha veshur një pallto të bardhë.
Bashkë me nanën time, e cila ishte ‘mbytur’ në një mont të kaftë, kokë e këmbë, dhe dukej si e ‘tretur’ në një jorgan lufte diku në Bolivi.
Isha pak e shqetësuar, s’rrej. Isha edhe e prekur në zemër.
Ndjeja neveri të përgjithshme, për ata njerëz që janë aq të egër sa s’e dinin se unë nuk isha si ‘E bija e Rajanit’, unë nuk ikë kur më ndjekin. Unë ikë vetëm kur dua vet.
Po shkoja te miku im i vdekur, të cilin sikur të mund ta dëgjoja, e di se më thotë ‘mos eja, varri është qesharak, dhe i parëndësishëm, si shtëpia mbretërore, me detaje dhe simbole që ta kujtojnë luftën njerëzore me instiktin e vdekjes.
Por, unë nuk i pyes miqtë e mi. Vendosi vet për dashurinë time.
Të Guri i Zi u ndala me pushu. E zhvesha pallton e bardhë, i lidha flokët, i fsheha nën dy kapuça të zinj, i vura dorëzat, e fshiva buzëkuqin, i vura syzat, dhe u shikova në sytë e nanës sime. Qeshëm të dyja, derisa rojtari i Gurit të Zi, më shikonte si një vajzë që papritur e kapën ethet!
Vazhdova rrugën për Gjakovë. Çdo lis më dukej ‘i poshtër’ dhe ‘fajtor’. ‘Librin e të vdekurve’ e kisha me vete. Ende nuk kisha vendosur çfarë të bëja me të.
Kaluam urën në Rakovinë, dhe mëtej e ndala veturën. Dola jashtë. U fsheha pas plepave, i zhvesha xhinsat, e mora librin dhe e pëshurra fletë për fletë, fjalë për fjalë, fotografi për fotografi.
Vazhdova rrugës, me droje se çka nëse më ndjek njëri nga ‘ata’, e në atë çast vetura ime e vogël ndalet, qysh e ka zanat!
Më ra në mend që në veturë gjithmonë i mbaja një palë gërshërë dhe një thikë për t’i prerë gjëmbat e trëndafilave.
‘M’i jep gërshërët’ – i thashë nanës. Ajo qeshi dhe nga çanta e saj e nxori një brisk të vogël me të cilin ajo i qëron mollat. E kish blerë lirë, pak më shtrenjtë se plumbi, 1 euro.
Unë i mora gërshërët në xhep, nana ime e mori briskun e saj. Më tha: ‘Tash, të lutemi që kriminelët kur të afrohen për të na mbytur, të rrinë gatitu para nesh dhe të na japin kohë të mjaftueshme, që t’i t’ua presh flokët me gërshërë, e unë të lutem që faqet e tyre nuk janë të kuqe si molla’!
Arritëm në lagjen e varrezave. Sikur ta kishim porositur, nisi të binte shi i imët. Në shi askush nuk shkon te varrezat, përveç atyre, si ne të dyja, që ishim nisur nga larg, nëpër rrezet e diellit.
Nana ime nisi t’i pastronte nga pluhuri fjalët në epitafin e mikut tim, e mua më urdhëroi ‘ngutu lutu, shkunde pluhurin e shpirtit tënd’ derisa unë e kryej punën time.
Ndjehesha si hajneshë, që vjedh dashurinë, tinëz… Qava shumë. Askush s’më dëgjonte. Askush s’më pa. Veç lot, shi dhe varre.
Askush nuk na pa kur nëpër dritë u larguam nga varrezat.
Mjaftonte ta kthej kokën majtas dhe ta shikoj varrin e Fadil Hoxhës, por nuk e ktheva kokën. Një qen më priste te dera me grila që nga njerëzit i ruan varret.
Nga lotët, u shkri grimi në fytyrën time. Fytyra ime u nxi, edhe nëpër buzët e mia kalonte vija e lapsit të zi që rrjedhte nga bishtat e syve të mi.
Më kapi etja. Nëse tani na ndjek ndokush që do të ketë arritur të na diktojë regjistrimin e veturës sime, do të fshihemi në Kishën Shën Ndou. Para se të mbërrijmë te kisha, nana ime e ‘maskuar’ doli për të blerë ujë. I fshiva vijat e zeza të lotëve në fytyrën time. Duke e nisur veturën, shikova anash për të dal në rrugë, dhe e pashë një djalë të ri që nga larg ma bëri me dorë.
Kush është! Nuk e njoha. E rrita shpejtësinë, u futëm në kishë. Në oborrin e kishës shandani i madh dhe i vjetër i vendosur aty për kalimtarët, për njerëzit e ndjekur dhe të pikëlluar, për mendjet e trembura dhe për ata që ende besojnë se shpirti nuk vdes kurrë.
Shi i imët binte mbi flakën e 12-të qirinjtëve të mi, dhe asnjëri nuk fikej.
P.S. Unë do të shkruaj. Do ta bërtas emrin tënd, do ta bërtas emrin tim; do ta them të vërtetën. Se, kështu Zoti deshi, që asnjë zog të mos e ketë sqepin e njejtë me zogun tjetër.
***

NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG, Sh.BERISHA

FADIL HOXHA: “KUR E VRAMË SHABAN POLLUZHËN E QETËSUAM DRENICËN”!

Në librin “Fadil Hoxha në vetën e parë” të Veton Surroit, Fadil Hoxha në një intervistën dhënë përmes magnetofonit të Rexhai Surroit, në gusht të vitit 1963, kishte rrëfyer për vrasjen e Shaban Polluzhës dhe bashkëluftëtarëve të tij, më 21 shkurt të vitit 1945. Ai ka thënë se kur e vramë Shaban Polluzhën është qetësuar Drenica! “Në luftë u vranë shumë njerëz tanë. Kjo ka zgjatur afër një muaj ditë, qetësimi i situatës në Drenicë afër një muaj e kusur. Lufta kundër asaj njësie, siç quhej të Shaban Polluzhës, një pjesë e të cilës shpejt është shpërndarë ka ikë, por një pjesë e tyre kanë luftuar kundër nesh, sidomos Mehmet Gradica edhe të tjerë, si dhe Shabani. Ashtë vra Shabani, asht vra i biri. Kjo ka zgjatë nja një muaj ditë, por aty janë vra bukur edhe do partizanë tanë. Nuk e di numrin taman. Me likuidimin e këtij grupi të Drenicës gati është qetësue Drenica. Deshta me të thanë se edhe populli i Drenicës, një pjesë e madhe e tij, ka marrë pjesë me ne, mbasandej kundër këtyre. Kështu që kjo asht jashtëzakonisht me rëndësi përndryshe do të kishim probleme edhe masandej në Drenicë” – ka thënë Fadil Hoxha. Dhe sot, Fadil Hoxhës (vrasësit të Shaban Polluzhës) duan t’i ngrisin përmendore në qendër të Gjakovës! /sh.b/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura