KMDLNJ: TRIBUNALI NDËRKOMBËTAR PËR KRIMET NË KOSOVË – MUNDËSITË DHE PENGESAT

Prishtinë, 29 maj 2019:
Hyrje: Pas përfundimit të luftës së dytë botërore nga aleatët fitues u themelua Gjykata e Nyrembergut që me një procedurë të shpejtë organizoi procese gjyqësore kundër krerëve nazistë duke shqiptuar dënime shembullore dhe kapitale. Edhe në Tokio vepronte një Gjykatë , simotër me ate të Nyrembergut. E veçanta e kësaj Gjykate për të dënuar krimet e nazizmit ishte se në procese gjyqësore përveç përgjegjësve të drejtpërdrejtë , në procese gjyqësore u përfshinë të gjitha shtresat e shoqërisë gjermane e që kishin përgjegjësi direkte apo indirekte në krimet e nazizmit. Natyrisht se qëllimi përfundimtar ishte denacifikimi i shoqërisë gjermane dhe sigurimi i paqes për një kohë më të gjatë duke e demilitarizuar Gjermaninë dhe aleatët e saj. Nga aspekti i sigurimit të drejtësisë për viktima dhe nga aspekti i të drejtave të njeriut , Gjykata e Nyrembergut mbetet shembull i cili nuk ka lejuar parcializimin e përgjegjësisë apo përpjekjeve që , për shkak të oportunitetit politik të ndahet në drejtësi e pjesshme apo selektive .

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore janë themeluar dy Tribunale Ndërkombëtare për Krime Lufte; Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish – Jugosllavinë i cili u formua në vitin 1992 dhe u funksionalizua në vitin 1993 me seli në Den Hag në Holandë. Kjo Gjykatë ka përgjegjësi për dënim të veprave të rënda të shkeljes së drejtës humanitare në ish – Jugosllavi në vitin 1991, që nga lufta në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni të Veriut dhe në Kosovë.
Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ruandë u themelua 1994 me seli në Arusha , Tanzani ndërsa është përgjegjëse për dënimin e veprave të rënda të shkeljes së të drejtës humanitare në Ruanda ku, për afërsisht dy muaj u vranë, ekzekutuan dhe masakruan 800.000 tutsi e që njihet si gjenocid i shpejtë. Veçori e kësaj Gjykate ishte se dhunimi ishte pranuar si krim lufte – gjenocid. Kjo Gjykatë ishte paraparë të mbyllej në vitin 2012. Këto dy Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte janë gjykata të formuara ad hoc, për një periudhë të caktuar kohore prandaj edhe nuk kanë pasur mundësi t’i trajtojnë të gjitha rastet dhe nuk kanë përmbushur drejtësinë për të gjitha viktimet përkundër faktit se kanë pasur në dispozicion mjete të mëdha materiale (Gjykata për Krime Lufte në Ruanda ka pasur buxhet vjetor prej 90 milionë euro kurse Tribunali i Hagës vetëm në fillimin e saj ka shpenzuar 470 milionë euro). Për këtë arsye janë formuar Gjykata apo Prokurori Speciale në disa shtete të dala nga ish – Jugosllavia kurse, në Kosovë ekskluzivitetin në këtë fushë e kanë pasur UNMIK dhe EULEX dhe vetëm pas vitit 2012, me transferimin e disa kompetencave, gjykatat vendore në Kosovë kanë filluar t’i trajtojnë rastet e krimeve të luftës me një kapacitet jashtëzakonisht të reduktuar profesional (mungesë e prokurorëve dhe gjykatësve të specializuar).
Në vitin 2010, në bazë të një raporti politik të senatorit Dik Marti e që u miratua me shumicë votash në Këshilln e Evropës, u formua një Task Force për të hetuar krimet e supozuara të UÇK-së e që pastaj rezultoi me formimin e një Gjykate apo Dhoma të Specializuara e që paraqet presedan në tërë botën dhe se në këtë mënyrë e diskrediton skajshmërisht sistemin e drejtësisë në Kosovë duke krijuar përshtypje se kjo Gjykatë është pjesë e sistemit të drejtësisë kosovare në ndërkohë që përbërja e kësaj Gjykate është 100% e huaj, nga niveli më i ulët e deri në nivelin e vendimmarrjes. Fillimi i kësaj Gjykate ishte viti 2010 kurse funksionalizimi u bë në vitin 2018 . Buxheti fillestar është 300 milionë euro. Kohëzgjatja e paraparë është 10 vjet.
Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Kosovë në kontekstin aktual politik dhe gjeostrategjik:
Siç u cek më lartë formimi i Tribunaleve Ndërkombëtare për Krime Lufte u inicua dhe u përkrah nga forca të mëdha politike dhe ushtarake të cilat edhe e morën përsipër financimin e saj. Gjyqi i Nyrembergut u formua nga aleatët që e fituan luftën (amerikanët dhe sovjetikët dhe aleatët tjerë dhe në fakt ishte një Gjykatë Ushtarake). Pronësia nuk ishte as gjermane e as japoneze por ishte pronësi ndërkombëtare. Tribunali për Krime Lufte për ish Jugosllavinë në Hagë u formua nga Kombet e Bashkuara sikur edhe Gjykata për Krime Lufte në Ruanda që nënkupton gjithashtu pronësinë ndërkombëtare. Dhomat e Specializuara për Kosovën u formua nga Këshilli i Evropës faktikisht e që formalisht u votua në Kuvendin e Kosoovës e në këtë mënyrë e mohon se Kosova ka pronësi mbi këtë gjykatë. Edhe gjykatat për Timorin Lindor, Siera Leone dhe rasti Rafik Hariri në Liban kanë pronësi ndërkombëtare e që është përcaktuese për kuantitetin e rasteve të trajtuara që nënkupton se vetëm një numër i vogël i viktimave e realizojnë të drejtën elementare të njeriut , të drejtën për drejtësi. Në Kosovën e pasluftës , gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it, më shumë kanë qenë të interesuara për arrestimin dhe dënimin e shqiptarëve, se të serbëve. Ndonëse në fushën e drejtësisë dhe sidomos e të drejtave të njeriut , parimi i reciprocitetit është i papranueshëm dhe i pazbatueshëm, në Kosovë kemi shpërputhje të madhe; numri i viktimave është 90% shqiptare kurse numri i të arrestuarve dhe të dënuarve serbë, qoftë urdhërdhënës , planifikues apo edhe kryerës nuk e kalon 10 %. Kjo shpërputhje është inkurajuese për kriminelët e mundshëm për faktin se e afirmon dhe promovon parimin e pandëshkueshmërisë siç ka ndodhur dhe po ndodhë në Kosovë prandaj është pengesë për ndërtimin e paqes , normalizimin e marëdhënieve përmes ballafaqimit me të kaluarën dhe filtrimit përmes institucioneve të drejtësisë . Cilat janë opcionet për Kosovën?
1. Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Serbisë në Kosovë. Ky është propozim i kryetarit të Kuvendit për të cilën KMDLNj vlerëson se është vështirë të sigurohet përkrahje ndërkombëtare nëse e marrim parasysh kontekstin politik. Së pari, emërtimi eventual i propozuar nuk do të gjejë përkrahje ndërkombëtare. Por edhe nga aspekti i të drejtave të njeriut nuk është i pranueshëm sepse ndanë viktimat dhe të dyshuarit për krime në baza etnike në ndërkohë që KMDLNj angazhohet për të siguruar drejtësi për të gjitha viktimat pa bërë dallime në baza etnike , fetare , moshore , gjinore , bindjeve politike apo statusit në shoqëri sikur që këto kritere vlejnë edhe për ata që kanë planifikuar krimin , e kanë promovuar krimin , nuk e kanë penguar krimin apo edhe e kanë kryer krimin. Së dyti, pronësia përsëri do të mbetej te ndërkombëtarët e që Kosova nuk do të kishte aspak ndikim , si në kuantitetin e rasteve që do të trajtohen ashtu as në kohëzgjatje të punës së kësaj gjykate që do të kishte karakterin ad hoc ( kohë e kufizuar ) dhe do të kishim një riciklim të Gjykatës së Hagës , UNMIK –ut dhe EULEX-it ku shumë viktima nuk do të gjenin drejtësinë e merituar dhe shumë kriminelë do të mbeteshin të falur për shkak të pamundësisë të trajtohen të gjitha rastet. Pastaj , mbetet dilemë se kush do të sigurojë mjetet financiare. Nëse për Dhomat e Specializuara është dashur të sigurohet buxheti fillestar prej 300 milionë eurosh e që trajton një numër të vogël të rasteve (raporti politik i Dik Martit), merreni me mend se sa mjete duhet të sigurohen për një Tribunal të propozuar e që ka pretendime t’i trajtojë të gjitha rastet e krimeve që i ka bërë Serbia në Kosovë por edhe rasteve kur viktima kanë qenë pjesëtarë të pakicave. Nëse për Dhomat e Specializuara është dashur kohë për funksionalizim prej 8 viteve, atëherë sa kohë do të duhej për formimin e Tribunalit të propozuar?! Vetëm një interes i madh politik ndërkombëtar mund të ndikojë në themelimin e këtij Tribunali e që, për momentin nuk duket në horizont. Sido që të jetë, përkundër rezervave dhe dyshimeve, nëse sigurohet një përkrahje e gjerë ndërkombëtare, atëherë edhe ne e përkrahim këtë propozim, në të kundërtën është humbje kohe. Në kontekstin aktual, nga kjo iniciativë mund dhe do të ketë vetëm përfitime politike për Kosovën në planin ndërkombëtar ndërsa në ndekjen dhe trajtimin e krimeve, nuk do të ketë përparime të mëdha. Për KMDLNj do të ishte më e pranueshme që të zgjerohen kompetencat e Dhomave të Specializuara edhe për trajtimin e krimeve në Kosovë e që nuk janë trajtuar nga Tribunali i Hagës , UNMIK dhe EULEX-i. Nëse këto dhoma janë pjesë e sistemit të Drejtësisë të Kosovës dhe nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës me ndryshim të Ligjit për këtë Gjykatë Speciale kanë pasur mundësi ta shpërbëjnë këtë Gjykatë atëherë është shumë më lehtë amandamentimi i Ligjit me të cilin zgjerohen kompetencat e kësaj Gjykate.
2. Gjykatat hibride në Kosovë: Edhe këto gjykata mund të themelohen në Kosovë dhe të cilat do të kishin përbërje të përziera të trupit gjykues e cila do të përbëhej nga gjykatës vendorë dhe ndërkombëtarë. Për dallim nga gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it, që kanë qenë hibride së fundi por me pronësi ndërkombëtare, gjykatat eventuale hibride që do të formoheshin në Kosovë, në përbërje të saj do të kishin 70% gjykatës vendorë dhe 20-30% vendorë. Pronësia pakontestueshëm do të ishte kosovare. KMDLNj mendon se kjo nuk do të ishte zgjidhje ideale e që do të siguronte drejtësi për viktima e as përgjegjësi për kriminelët mirëpo, në kontekstin aktual është zgjidhje më e mirë , më e pranueshme dhe më e realizueshme se propozimi i parë.
3. Forcimi i gjykatave vendore dhe mekanizmave përcjellës: Për të siguruar drejtësi afatgjate për viktima dhe ndjekje dhe gjykim për ata që planifikuan, urdhëruan, nuk e penguan apo e kryen krimin, KMDLNj mendon se forcimi i mekanizmave të drejtësisë në Kosovë do të ishte më efikasi sepse nuk do të kufizohej në afate dhe do të mbështetej në resurse financiare vetanake . Pasi që kemi të bëjmë me vepra penale që nuk vjetërohen, nuk parashkruhen dhe nuk mund të falen, Gjykatat vendore do të ishin mekanizmi i duhur strategjik për realizim të drejtësisë së mohuar për shumicën e viktimave në Kosovë. Me kapacitetet aktuale që i ka në dispozicion Prokuroria për Krime Lufte në Kosovë dhe me gjykatës që janë tani, Kosova, as për 3 shekuj ( 300 vite ) nuk do të jetë në gjendje të përfundojë rastet e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Eventualisht , këto gjykata të ridisajnuara në Kosovë do të angazhonin ish – prokurorë dhe ish – gjykatës ndërkombëtarë që kanë përvojë në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës në cilësinë e këshilltarëve dhe jo në cilësinë e anëtarëve të trupave gjykues apo prokurorë. Ridisajnimi i këtyre mekanizmave vendorë nuk merr shumë kohë , nuk është i kushtueshë sepse ata edhe ashtu marrin rrogë nga Buxheti i Kosovës dhe vetëm duhet një seri e trajnimeve shtesë për ata që nuk e kanë përvojën e duhur në këtë lëmi. Për fillim , ky mekanizëm vendorë i drejtësisë do të kishte 20-25 prokurorë të specializuar për krime lufte dhe 40-50 gjykatës. Do të duhej të përfillej kriteri etnik dhe gjinor i këtij mekanizmi të drejtësisë .
4. Si mekanizëm përcjellës dhe ndihmues do të ishte themelimi i një komisioni i cili do të verifikonte të dhënat e grumbulluara deri më tani nga OJQ-të , institucionet shtetërore , komunat , organizatat ndërkombëtare , OSBE , UNHCR dhe burimet tjera. Në fakt , ky komision i formuar nuk do të kishte nevojë të nisë punën nga e para por se do të merrej vetëm me raste kur ka mëdyshje dhe të cilat nuk përputhen me të dhënat e grumbulluara nga shumë faktorë. Në këtë Komision do të angazhoheshin ekspertë të profileve të ndryshme , studentë vullnetarë të profileve të duhura ndërkaq do të mbikëqyrej nga një trup , ta themi prej 5 anëtarëve e që kanë përvojë të gjatë dhe ekspertizë të dëshmuar në trajtimin e këtyre rasteve. “ Ringjallja “ e Institutit për Hulumtim të Krimeve të Luftës , në çfarëdo forme , për KMDLNj paraqet humbje kohe dhe riciklim të një pune që nuk është bërë si duhet.
Krimet e kryera në Kosovë dhe sanksionimi i tyre
Në Kosovë gjatë luftës 1998 -1999 janë kryer krime që sanksionohen sipas të drejtës ndërkombëtare :
1. Janë kryer krime të rënda të Drejtës Humanitare
2. Janë bërë shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës të vitit 1949 : a) vrasje me qëllim , b) tortura dhe trajtim jonjerëzorë përfshirë edhe eksperimente biologjike , c) janë shkaktuar me qëllim vuajtje të rënda apo dëmtim i shëndetit fizik dhe mendor , d ) është shkatërruar apo përvetësuar pasuria që nuk kushtëzohet me nevoja ushtarake, në mënyrë të kundërligjshme dhe arbitrare, e) janë detyruar robërit e luftës dhe civilët t’i shërbejnë forcave armiqësore, f) u janë mohuar robërve të luftës e drejta për një proces gjyqësorë të drejtë dhe të paanshëm, g) ka ndodhur deportimi i dhunshëm i popullatës që për qëllim ka pasur spastrimin etnik dhe h) janë marrë peng civilët e pafajshëm dhe janë dërguar në një shtet tjetër .
3. Shkelja e zakoneve të luftës: a) janë përdorur helme të ndaluara dhe armatim për shkatërrim në masë për të shkaktuar vuajtje të mëdha, b) janë shkatërruar qytete dhe fshatra që nuk arsyetohen me nevoja ushtarake, c) janë sulmuar dhe bombarduar me çfarëdo mjeti qytetet dhe fshatrat, objektet dhe ndërtesat e banimit për të shkaktuar sa më shumë viktima dhe më shumë vuajtje, d) janë pushtuar, dëmtuar apo shkatërruar me qëllim objektet fetare, shkollat, objektet e kultures, akademike, organizatat humanitare , objekte e mbrojtura, janë vjedhur artefaktet, arkiva, spitalet etj., e ) është plaçkitur pasuria dhe prona publike dhe private .
4. Është kryer gjenocidi: Në bazë të Konventës për Gjenocid nga viti 1948, gjenocid nënkupton: a ) vrasje në masë e një grupi të caktuar, b ) shkaktimi i dëmeve të rënda fizike dhe mendore i një grupi të caktuar, c ) imponim i qëllimshëm i kushteve të rënda të jetës i një grupi të caktuar e që ka për qëllim asgjësimin e tërësishëm apo të pjesërishëm , d ) krijimi i rrethanave me qëllim të pengohet lindja për një grup të caktuar dhe e ) transferimi apo deportimi i dhunshëm i fëmijëve të një grupi të caktuar në një grup tjetër , dhe f ) skllavërimi , dhunimi seksual apo detyrimi për prostitucion i një grupi të caktuar .
5. Krimet kundër njerëzimit : Në Kosovë janë bërë vepra që hyjnë nën jurisdikcionin e krimeve kundër njerëzimit : a ) vrasje dhe vrasje në masë e civilëve dhe pengjeve të luftës , b ) asgjësimi i pronës private , publike dhe një grupi të caktuar , c ) robërimi , d ) deportimi i dhunshëm , e ) torturimi , g ) dhunimi dhe skllavërimi seksual , h ) përndjekja në baza etnike , racore dhe fetare dhe , i ) veprime tjera çnjerëzore .
Metodologjia e punës dhe grupet që duhet të trajtohen
Në Kosovë nuk ka nevojë të formohen shumë komisione , task forca apo grupe punuese . Duhet të formohet një Komision qeveritar i centralizuar ku përgjegjësia për tërë procesin i takon Ministrisë së Drejtësisë. Nuk ka nevojë që rishtazi të fillohet me grumbullimin e fakteve për ate që ka ndodhur në luftën 1998 – 1999 sepse merr shumë kohë dhe do të kemi duplifikim të punës . Komisioni qeveritar duhet të verifikojë të dhënat e OJQ-ve që janë marrë me viktima dhe pasoja të luftës dhe në rast të ndonjë lëshimi eventual , mund të bëjë hulumtime që nuk marrin shumë kohë. Lista e të vrarëve që janë përpiluar nga OJQ-të janë të sakta në masën 98 % sikur edhe lista e personave të pagjetur .
Duhet të përzgjidhen një numër i caktuar i vrasjeve në masë – masakrave , të riintervistohen dëshmitarët që kanë mbijetuar dhe thuaja në të gjitha rastet e vrasjeve në masë – masakrave ka të mbijetuar që mund dhe duhet të dëshmojnë në seancat dëgjimore sikur që ishte rasti i dëgjimit para Kongresit amerikan i të mbijetuarës së dhunës seksuale , Vasfije Krasniqi – Goodman dhe Ilir Bytyçi . Në Kosovë mund të sigurohen shumë dëshmitarë mirëpo me kalimin e kohës numri i tyre do të jetë i pamjaftueshëm për të hetuar dhe dënuar krimet e luftës . Lista e këtyre dëshmitarëve do të bëhej më vonë.
Duhet të trajtohet si rast i veçantë masakra në Burgun e Dubravës , mbajtje si pengje lufte të civilëve në Burgun e Lipjanit dhe kampin e Smrekonicës si dhe në burgjet e Serbisë për faktin se të burgosurit dhe robërit e luftës edhe në kohën e veprimeve luftarake gëzojnë mbrojtje të veçantë, në përputhje me detyrimet nga e drejta ndërkombëtare.
Duhet të trajtohet si rast i veçantë edhe bartja e të vrarëve nga Kosova në Serbi , ekzekutimi eventual i të robërve të luftës të cilët janë gjetur në varreza masive në bazën ushtarake në Batajnicë dhe Petrovo Sello sikur edhe të hetohet nëse atyre u janë hequr organet para se të varrosen në varrezën masive në Batajnicë. Sepse ky rast i krimit nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës.
Duhet të trajtohen si rast i veçantë vrasja e aktivistëve për të drejtat e njeriut , aktivistëve fetarë si dhe grupeve të cenueshme.
Duhet të trajtohen si rast i veçantë vrasja e fëmijëve , grave , të moshuarve dhe të sëmurve sikur edhe të atyre që për shkak të pamundësisë së marrjes së ndihmës mjekësore apo mungesës së ushqimit kanë vdekur gjatë luftës .
Duhet të trajtohen si rast i veçantë femrat dhe meshkujt viktimë e dhunës seksuale sikur edhe fëmijët e lindur si pasojë e këtyre dhunimeve.
Viktimat që kanë kanë humbur jetën apo janë gjymtuar si pasojë e minimit të hapësirave jetësore nga forcat serbe duhet të trajtohen si rast i veçantë.
Personat me aftësi të kufizuar e që janë vrarë apo kanë vdekur në mungesë të trajtimit mjekësorë janë kategori që duhet të trajtohet seriozisht dhe me përkushtim .
Metodologjia e punës është grumbullimi dhe verifikimi i të dhënave të paverifikuara , intervistimi i dëshmitarëve që janë të domosdoshëm , shënimet nga mediat e shkruara dhe elektronike të kohës , arkivi i UÇK-së , të dhënat e OJQ-ve që janë marrë në mënyrë aktive me viktimat dhe pasojat e luftës dhe të cilet kanë dokumentacion apo të dhëna që e kanë një shkallë të lartë të besueshmërisë , materialet nga Tribunali i Hagës , nga UNMIK –u dhe Eulex –i , nga arkivat në Shqipëri , Maqedoni dhe vendet tjera ku janë strehuar refugjatët , të plagosurit apo ku kanë vdekur.
Duhet të bëhet një listë e objekteve fetare , kulturore , të mbrojtuar dhe të tjera që janë shkatërruar nga Serbia në luftën e vitit 1998 – 1999.
Duhet të grumbullohen të dhënat për vjedhje të arkivave , të dhënave kadastrale , vjedhjen e kursimeve pensionale , vjedhjen e kursimeve bankare dhe tjetërsimit të pronës publike dhe privater , shkatërrimit të pronës publike dhe private që i ka bërë Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës në luftën e fundit 1998 – 1999.
Partnerët e nevojshëm dhe të domosdoshëm për hetime të krimeve të luftës në Kosovë
Që të kemi një qasje serioze në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit duhet një bashkëpunim i ngushtë i sektorit joqeveritar dhe institucioneve përkatëse qeveritare . Të gjitha OJQ-të që një kohë të gjatë kanë punuar me viktimat dhe i kanë përfaqësuar dhe mbrojtur intereset e viktimave e që deri vonë kanë qenë burim i vetëm dhe i besueshëm i informatave. Listën e këtyre OJQ-ve dhe institucioneve për të cilat KMDLNj vlerëson se mund të kontribuojnë mund dhe do ta dërgojë më vonë . Nga institucionet vendore Policia e Kosovës , Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësorë janë hallkat kryesore e këtij zinxhiri ndërsa Ministria e Drejtësisë e ka çelësin e suksesit apo do ta bartë përgjegjësinë nëse ky proces dështon. Nga institucionet ndërkombëtare duhet veçuar të gjitha ato që kanë vepruar në Kosovë para luftës , gjatë luftës dhe pas përfundimit të luftës e që kanë shumë të dhëna të cilat në mënyrë seslktive janë përdorur , kryesisht për qëllime politike siç ishte mbajtja e gjendjes së një paqeje të brishtë apo një status – quoje për t’iu bërë presion palëve gjatë bisedimeve apo marrjeve të vendimeve . Për të ngritur efikasitetin dhe përligjur procesin do të ishte e nevojshme sa më parë të formohet Komisioni për të Vërtetën sikur që është vepruar në të gjitha vendet ku ka pasur luftëra , me pasoja të mëdha dhe ku kemi pasur shkelje të rëndë të së drejtës humanitare dhe zakoneve të luftës. Komisioni për të Vërtetën është mekanizëm jogjyqësorë por se ka ndikim të madh në sqarimin e së kaluarës në veçanti por se mund të ndihmojë edhe gjyqësorin duke e furnizuar me të dhëna.
Ky është një elaborim i shkurtër i KMDLNj-së për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar apo Kombëtar për Krime Lufte dhe, në fazat e mëvonshme, varësisht si konkretizohet kjo nismë , kontributin do ta japë në përputhje me mandatin që e ka dhe që e ka ushtruar deri më tani përmes bashkëpunimit me Tribunalit të Hagës, UNMIK-ut, EULEX-it dhe Prokurorisë për Krime Lufte të Kosovës.
Prishtinë, 10 maj 2019
Behxhet Sh. SHALA, Drejtor Ekzekutiv
Valentina DEMOLLI – KOLIQI , zv. e D. E.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura