PARIS-SOIR (1935): ALEKSANDËR MOISIU DHE “UNAZA IFFLAND”, FUNDI I NJË TRADITE SHEKULLORE QË PREJ KOHËS SË GËTES

Francë, 11 Maj 2018: Paris-soir ka botuar, të shtunën e 20 prillit 1935, në faqen n°9, një histori tepër të veçantë, në lidhje me Aleksandër Moisiun (1879 – 1935).
Bëhet fjalë për një unazë, e cila trashëgohej në Gjermani brez pas brezi deri në momentin e ndarjes nga jeta të aktorit të famshëm me origjinë shqiptare.
Kujt i përkiste kjo unazë në fillim ? Cili ishte personi që i dha fund kësaj tradite ? Po me unazën, çfarë u bë ?
Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë në vijim, tekstin e plotë gazetës franceze :
“Një artikull i shkurtër i botuar në shtyp njoftoi kohët e fundit vdekjen, në Vjenë, të Moisiut, aktorit më të madh gjerman, të cilin parizienët e duartrokitën pak vite më parë në skena të ndryshme të kryeqytetit.
Vdekja e Moisiut godet me një gur të zi historinë artistike dhe teatrore gjermane, jo vetëm për faktin e zhdukjes së aktorit të madh, por dhe për pasojat kurioze në vijim.

Në fakt, me rastin e kësaj vdekje mori fund përgjithmonë një traditë shekullore, ajo e unazës së Iffland-it. August Vilhelm Iffland (1759 – 1814) ishte, në kohën e Gëtes (1749 – 1832), artisti dhe autori më i admiruar i Gjermanisë. Zonja De Staël ka thënë për të : “Është e pamundur të bartësh më tej origjinalitetin, entuziazmin komik, dhe nuk besoj se ne kemi parë në Teatrin Francez një talent kaq të kompletuar dhe të papritur se ai.”
Me pak fjalë, Iffland-i la trashëgimi një nga unazat e tij, që të përcillej nga aktori më i mirë gjerman, që do ta zëvendësonte, atij, që ai do ta konsideronte si zëvendësuesin e tij në artin dramatik. Kjo traditë vazhdoi dhe unaza kaloi nëpër duart e shtatë aktorëve të famshëm për të përfunduar në gishtin e Albert Basserman (1867 – 1952), si një lloj vlerësimi artistik.
Albert Bassermann, i cili është 70 vjeç (68 vjeç), në fakt nuk është i panjohur për ne, sepse një film vjenez, “Dashuria e Fundit”, për të cilin ai është një nga interpretuesit kryesorë, po shfaqet aktualisht në një ekran parizien.
Atij i përkiste kujdesi delikat që të linte trashëgimi unazën e Iffland-it. Cili do të ishte fatlumi i zgjedhur ? Tashmë, disa emra qarkullonin, por…
Por Albert Bassermann mori pjesë në ceremoninë mortore të Moisiut, aktorit çifut gjerman të strehuar në Austri. Në momentin e vendosjes së arkivolit, ai hodhi unazën e famshme mbi trupin e të ndjerit.
– Skena gjermane vdiq ! – tha ai. Unë nuk do t’ia jap askujt këtë unazë.
Dhe ja se si ky premtim, i cili përjetësonte traditën e artit “të pastër” gjerman, tani e tutje i është besuar rojes së përjetshme, por vigjilente të Moisiut jo-arian.”

Christian Godefroy
Nga Aurenc Bebja, Francë – (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania).

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura