KOMPLEKSITETI I FIGURËS EMBLEMATIKE TË PETRO MARKOS

KOMPLEKSITETI I FIGURËS EMBLEMATIKE TË PETRO MARKOS

Nga Bedri Halimi

Qysh si nxënës gjatë shkollës së mesme, kisha lexuar romanet: “Hasta la vista”, “Shpella e Piratëve” si dhe romanin “Halimi” të Petro Markos. Natyrisht se që të tri këto vepra më kishin lënë përshtypje të veçanta, e në veçanti romani “Halimi” dhe “Hasta La Vista”.

Ndërkohë, meqë kisha rënë në kontakt edhe me mundësinë e leximit të literaturës së ndaluar, kuptova se Petro Marko kishte qenë i dënuar politik në shtetin shqiptar. Pra pas Luftës së Dytë Botërore, dhe atë nga viti 1947-1950!

U zhgënjeva me këtë informatë, dhe në një farë mënyre, zhgënjimin më të madh e kisha te autori Petro Marko, duke gjykuar, se si është e mundur autori i romaneve “Hasta La Vista” si dhe “Halimi”, të vinte në kundërshtim me vijën e pushtetit popullor në Shqipëri. Nga zhgënjimi nuk vazhdova më për të lexuar romanet e tjera të tij si: “Qyteti i fundit”, “Stina e armëve”, apo “Ara në mal”. Kjo periudhë me Petro Markon zgjati si shumë. Më vonë, edhe kur kisha mundësi për të lexuar, nuk kisha hapësirë kohore për një gjë të tillë. Ftohtësia për të cilën ishte krijuar te unë ndaj Petro Markos vazhdoi deri vonë. Në anën tjetër, kisha vazhduar që të lexoja librat e autorëve tjerë.

Por, ajo që më bëri të mendoja më seriozisht dhe të gjykoja më me gjakftohtësi rreth figurës së Petro Markos ishte leximi i romanit “Dështaku” të Dritëro Agollit.

Meqenëse i kisha lexuar të gjithë librat tjerë të Dritëro Agollit, më kishte mbetur pa lexuar vetëm romani “Dështaku”. Këtë libër e pata blerë më 1999, pra pas përfundimit të luftës dhe duke e lenë pas dore nuk e kisha lexuar deri sa u bëra operacion. Vendosa ta lexoja romanin “Dështaku”, i cili gjatë leximit, jo vetëm që më pëlqeu shumë, por përkundër gjendjes shëndetësore arrita që ta lexojë me një frymë. Madje pas leximit, bëra edhe një vështrim për këtë roman. E veçanta e këtij romani ishte në faktin se e tërë ngjarja ndonëse zhvillohet në një ambient të caktuar gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri, e njëjta ngjarje, me të njëjtat sjellje të personazheve qofshin negative, qofshin pozitive, mund të bartet edhe në kohën e sotme jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë. Këtu flitet për mendësinë servilosëse të personazheve negative, të cilët kurdoherë janë të gatshëm, që t’i rreken autoriteteve politike duke mos zgjedhur mjete e mundësi për t’i arritur qëllimet e tyre.

Duke analizuar personazhet negative të asaj kohe, që ngjasonin me personazhet e tilla të kohës së tashme, qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë, rrjedhimisht më shkoi mendja të Petro Marko, dhe thash me vete: i ndjeri Petro Marko. Merre me mend kur shkrimet e tij, në atë kohë, pra më 1947, kanë mundur t’i bien në dorë ndonjë njeriu të pa ngritur dhe dashakeq, atëherë mund të paramendohet fati i autorit. Aq më tepër kur Petro Marko kishte një biogragi intelektuale dhe kombëtare solide, madje për lakmi. Dhe këto virtyte të tij, për mendësinë e mediokritetit të atëhershëm, paraqisnin rrezik për autorin.

Kështu, Petro Marko, një intelektual i rrallë, jo vetëm për kohën e atëhershme, kur kihet parasysh veprimtaria e tij para Luftës së Dytë Botërore, ku kjo veprimtari nuk mbeti pa i ra në sy pushtetit të atëhershëm, qoftë në shkrime, qoftë edhe në veprime, ku si rrjedhojë Petro Marko u ndëshkua duke u arrestuar e torturuar nga regjimi i Ahmet Zogut.

 Pastaj gatishmëria e tij për tu kyçur në radhët e veprimtarëve eminent të kohës, ku madje merr pjesë në luftën e Spanjës, tregon për sakrificën dhe gatishmërinë e këtij njeriu për të luftuar duke i qëndruar stoik idealeve të tij. Kësi soji, Petro Marko përjetoi burgjet e Shqipërisë, burgjet e Italisë, ku krahas vuajtjeve të shumta, megjithatë arriti të qëndroj vertikal.

Kjo dije e tij, dhe ky qëndrim i tij, natyrisht se mendësisë së zylove nuk u ka pëlqyer, prandaj çuditërisht arrestohet më 1947 duke e mbajtur në burg deri më 1950.

Edhe pas daljes nga burgu, Petro Marko mbeti po ai, vertikal, i pa thyeshëm duke vazhduar të shkruante librat e rinj.

S’ka dyshim se burgosja e Petro Markos, bën pjesë në mesin e gabimeve më të mëdha të pushtetit të atëhershëm. Petro Marko edhe në librat vijues nuk iu shmang idealeve të tij, si në romanin “Nata e Ustikës” por edhe në romanin “Një emër në katër rrugë”, përkatësisht librat e tjerë të tij. Për çudi më 1973 i ndalohet romani “Një emër në katër rrugë” i cili roman pas botimit konfiskohet nga qarkullimi dhe i gjithë tirazhi prej 26 000 kopjeve prishet për t’u bërë karton.

Të gjitha këto më bënë kurioz që të vazhdoja leximin e librave tjerë të tij si: “Nata e Ustikës”, “Stina e armëve”, “Intervistë me vetveten”, “Ultimatum”, “Qyteti i fundit” si dhe “Një emër në katër rrugë”. Në të gjithë këta libra, dhe sidomos në “Qyteti i fundit” dhe “Natën e Ustikës” shihet mjeshtëria brilante e shkrimtarit të madh Petro Marko. Në romanin “Qyteti i Fundit” me një gjakftohtësi arrin që ta ruaj praninë e ndjenjës së humanizmit të popullit shqiptar, ndaj ushtarëve italian të cilët kishin dezertuar në masë, gjatë kohës që Italia i kishte sjellur për të luftuar në Shqipëri.

Fati i romanit “Një emër në katër rrugë” është i dhembshëm. Pas botimit të këtij romani, ngjarja fillon me një letër anonime që dikush i paska drejtuar Ramiz Alisë. Pastaj, çdo gjë rrokulliset së prapthi. Ramiz Alia e ngrit problemin në Komitet Qendror, ku pastaj përplot njerëz të politikës, bëhen “kritikë letrar” pa e lexuar librin, duke i ngjitur epitete nga më të ndryshmet.

Ndër fajet që Petro Marko paska bërë në librin e tij, na qenka edhe përshkrimi natyralist i botës femërore nga shkrimtari Petro Marko, e që kjo gjë në kohën e atëhershme u konsiderua blasfemi. Madje edhe paraqitjen e sistemit të kalbur të qeverisë shqiptare nën udhëheqjen e Ahmet Zogut “Kritikët Letrar nga Komiteti Qendror i Partisë” e panë me sy kritik, duke e akuzuar Petro Markon se luftimin e qeverisë së Ahmet Zogut, autori e paska bërë, vetëm në prizmin e paraqitjes së mbretit, si një njeri të shfrenuar pas epsheve seksuale. Sipas tyre, Petro Marko, nuk e paska kritikuar qasjen e Ahmet Zogut në aspektin e gabimeve kombëtare.

Kjo natyrisht se as atëherë e as sot nuk është kështu, sepse, autori Petro Marko, e paraqet sistemin politik të Ahmet Zogut, me të metat e shumta, ku në këtë rast, si dëshmi për paraqitjen e krimit në shoqërinë e kriminalizuar, në vitin 1935 në Shqipëri nën sundimin e Ahmet Zogut, Petro Marko thotë: “Si mund të jetë njeriu i ndershëm në një shoqëri turpi? Kur shoqëria është kredhur në turp, në shfrytëzim, në krime, në shtypje, kur vet pushteti që na qeverisë, përhap turpin, përhap krimin, përhap dhunën dhe ligjëron poshtërimin e dinjitetit të njeriut, si mund të jetojë njeriu i ndershëm, dhe si mund të mbrohet nderi, kur ka triumfuar turpi?!”.

Natyrisht se romani “Një emër në katër rrugë” nuk është i nivelit të “Qyteti i fundit” apo “Nata e Ustikës”, por megjithatë me asgjë nuk ka qenë në kundërshtim as me vijën e politikës së atëhershme të shtetit shqiptar. Të nxirren akuza hipotetike, dhe mbi bazën e tyre të ndalohet romani, pale pastaj edhe t’i ndalohet botimi deri vonë i shkrimeve të Petro Markos, gjithashtu është tregues i qartë, se në momentet e caktuara, Ramiz Alia me ndonjë shok, i kanë dhënë vetes të drejta deri në absurditete të tilla.

Si duket Petro Marko, i pajisur me biografinë e pjesëtarit të brigadave internacionale, pas kthimit me përplot peripeci në Shqipëri, kam përshtypjen se për arsye të panjohura, nuk ka rënë në kontakt me nivele të larta të Udhëheqjes së LNÇ-së. Ka një boshllëk në këtë mes. Dikush mund të thotë se Petro Marko ka qenë shumë kokëfortë, e dikush mund të shtojë, se përgatitja intelektuale e Petro Markos mund të ketë qenë pengesë për dikë. Një gjë dihet saktë: “Kodra nuk mund të shkoj te Muhameti…”. Kjo gjë, si duket ka krijuar edhe boshllëqe në informimin rrënjësor të Petro Markos rreth formimit dhe udhëheqjes së LANÇ-së. Kjo gjë, vërehet edhe në librin e Petro Markos, Intervistë me vetveten, ku disa gjëra i ka shkruar me nguti rreth pjesës së dytë të librit, rreth zhvillimeve dhe udhëheqjes së LANÇ-së, sidomos kur përmend në mënyrë negative edhe Miladin Popoviqin, e për të cilën gjë, ndonëse ka propaganda të ndryshme, shumë studiues serioz të kësaj periudhe, kanë sjellë dëshmi të mjaftueshme në zbardhjen e së vërtetës.

Përkundër të gjithave sa u potencuan, Petro Marko ka qenë dhe ka mbetur njeri që fuqishëm ka hyrë në mesin e shkrimtarëve të pavdekshëm, për të gjitha kohërat.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura