KOSOVA DHE SHQIPTARËT NË DOKUMENTET E LKJ-së, 1981 – 1990

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

Kosova dhe shqiptarët në dokumentet e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, 1981-1990

Nga Qerim LITA

Demonstratat shqiptare të muajve mars-prill 1981 në Kosovë, ishin shkak që organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si “Amnesti Internashionel”, “Komiteti për botën e lirë” e të tjera, RSF të Jugosllavisë ta vendosin në mesin e atyre vendeve që shkeleshin të drejtat dhe liritë njerëzore. Organizatat e mësipërme, Jugosllavinë më nuk e trajtonin si anëtare e Bllokut Lindor, por si një vend ku tashmë ekzistonte tendenca e totalitarizmit, represionit dhe shtypjes së demokracisë, me vlerësimin se në të ishte duke u krijuar një “internacionale e zezë”.

Udhëheqja jugosllave vlerësonte se për marrjen e një qëndrimi të tillë rol të rëndësishëm patën organizatat politike të emigracionit shqiptar në vendet perëndimore. Kryetari i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (më tej: KQ LKJ), Llazar Mojsov, në mbledhjen që ajo kryesi e mbajti, më 7 maj 1981, në Beograd, duke e përshkruar veprimtarinë e  atyre organizatave shqiptare ndër të tjerave shprehet: “…Pasi ato organizata gjenden në më shumë vende perëndimore, të cilat janë të njohura për nga toleranca dhe stimulimi i emigracionit ekstrem dhe aksioneve të tyre të drejtuara kundër RSFJ-së, duhet supozuar,…se ato organizata kanë depërtuar, madje edhe i kanë futur nën kontroll të heshtur, shërbimet informative të Fuqive të Mëdha dhe aleatët e tyre. Nga përvoja shumëvjeçare e dimë se këto shërbime informative dhe fuqi të ndryshme reaksionare manipulojnë me shkathtësi, dhe se këtë do ta bëjnë edhe në të ardhmen, me organizatat e ndryshme të emigracionit, madje edhe me këta që veprojnë në linjën e nacionalizmit e irredentizmit shqiptaromadh, sa herë që paraqitet nevoja të ndikojnë, paralajmërojnë apo të kryejnë presione më të ndryshme kundër vendit tonë…” .

Rëndësi të veçantë këtyre demonstratave i kushtoi edhe shtypi botëror, në radhë të parë ai perëndimor. Sektori për veprimtari informative dhe propagandistike pranë KQ LKJ-së, në informatën e hartuar, më 12 qershor 1981, ndër të tjera e akuzonte shtypin perëndimor në përgjithësi,  veçanërisht atë gjerman, austriak, belg, zviceran, suedez, si dhe shtypin e djathtë italian, për shkak të: “…shprehjes së tendencave jokorrekte, madje edhe të shkrimeve jodashamirëse për ngjarjet në Kosovë dhe situatën në Jugosllavi. Një pjesë e shtypit belg, theksohet në dokument, veçanërisht në muajin prill, publicitet të madh u ka dhënë qëndrimeve të emigracionit shqiptar antijugosllav, ndërsa gjatë muajit maj në Zvicër është shprehur një sjellje toleruese ndaj aksioneve antijugosllave të emigracionit shqiptar…” .Gjithnjë duke iu referuar dokumentit të mësipërm, shohim se për shtypin e këtyre vendeve perëndimore, demonstratat e vitit 1981 në Kosovë vetëm se e dëshmonin vlerësimin e mëhershëm, për shpërbërjen e domosdoshme të Jugosllavisë, pas vdekjes së Titos, si dhe për joefokasitetin e të ashtuquajturit “sistem të vetëqeverisjes socialiste” dhe të udhëheqjes kolektive, e cila “nuk mund t’i zgjidh problemet e ndërlikuara ekonomike dhe marrëdhëniet ndëretnike të acaruara…” . Më tej, në dokument thuhet se kjo pjesë e shtypit perëndimor, kërkesën e “nacionalistëve shqiptarë” për krijimin e Republikës së Kosovës, e konsideronte si të arsyeshme dhe të drejtë. “…Te pjesa e shtypit gjermano-perëndimor, austriak dhe zviceran, theksohet më tej në dokument,… (duke u thirrur në dokumentet e viteve 1943, 1944 dhe 1945) janë pranuar qëndrimet se shqiptarët e Kosovës janë të mashtruar dhe i janë bashkangjitur Serbisë…”. Për këtë pjesë të shtypit perëndimor, alternativë e vetme për Kosovën, ishte dhënia e statusit të republikës .

         Padyshim se ndër shkaqet kryesore për një vendim të tillë nga ana e organizatave ndërkombëtare të sipërpërmendura, si dhe të shtypit demokratik perëndimor, ishte dhuna dhe terrori ushtarako-policor jugosllav i kryer fillimisht ndaj rinisë studentore shqiptare në Prishtinë (11, 25 dhe 26 mars 1981) , që më pas, përkatësisht ndërmjet datës 3-4 prill të shtrihet në mbarë hapësirën e Kosovës . Në mbledhjen e Kryesisë së RSFJ-së, e cila u mbajt më 28 prill 1981, anëtari i Kryesisë, Llazar Kolishevski, në referatin e tij flet me një admirim të veçantë për dhunën dhe terrorin policoro-ushtarak jugosllav ndaj demonstruesve shqiptarë: “…Eskalimi i kryengritjes kundërrevolucionare në KSA të Kosovës, thekson Kolishevski, u ndërpre me aksionin e vendosur të njësive policore nga Kosova dhe nga mbarë vendi si dhe me vëzhgimin e objekteve të rëndësishme nga njësitë e APJ-së dhe prezencën e saj në vendet kyçe të Prishtinës dhe në rrugët magjistrale, veçmas në disa komuna, që vepruan brenda kufijve të mundshme ekzistuese të atëhershme. Kjo ishte demonstrimi i forcës dhe vendosmërisë për ta mbrojtur rregullimin kushtetues të vendit tonë…”.

         Në një situatë kur çështja e shqiptarëve nën Jugosllavi në përgjithësi, e ajo e Kosovës në veçanti sa vinte e ndërkombëtarizohej, udhëheqja politike jugosllave e pa si të domosdoshme hartimin e një dokumenti politik për Kosovën. Rrjedhimisht, më 8 qershor të vitit 1981 u formua grupi punues për përgatitjen e “Projektplatformës dhe të Programit aksionar për veprimtarinë e LK të Kosovës në përforcimin e mëtutjeshëm të vëllazërim-bashkimit dhe të barazisë”, me të cilin udhëhiqnin Millojko Drulloviq dhe Tërpe Jakovlevski .

         Dokumenti i cili përfundimisht mori emrin “Platforma politike për aksionin e LKJ-së në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, vëllazërim-bashkimin dhe bashkëjetesën në Kosovë”, u soll në mbledhjen e 22 të Komitetit Qendror të LKJ-së, e cila u mbajt më 19 nëntor të vitit 1981. Krahas pjesës hyrëse, Platforma ndahej në gjashtë pjesë kryesore: mësimet dhe përvojat e komunistëve nga ngjarjet në Kosovë; zhvillimi i marrëdhënieve ndërnacionale në Kosovë mbi bazat e vetëqeverisjes socialiste; zhvillimi shoqëroro-ekonomik në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës; marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare dhe ngjarjet në Kosovë, dhe; aktiviteti dhe masat e LK-së dhe të forcave subjektive në eliminimin e veprimtarisë armiqësore nga pozita e nacionalizmit e irredentizmit shqiptar . Në pjesën hyrëse vihej në dukje se e njëjta u dedikohej komunistëve jugosllavë në përgjithësi, e atyre kosovarë në veçanti.  Më tej theksohej se dokumenti i thellon dhe i zgjeron “argumentet e atyre vlerësimeve të ngjarjeve kundërrevolucionare në Kosovë” të cilat i ofronte Komiteti Krahinor i LK të Kosovës, si dhe dy komitetet qendrore, ai i LK të Serbisë dhe i LK të Jugosllavisë . Më tej në dokument flitet për shkaqet që sollën deri te shpërthimi i demonstratave, analizohet përmbajtja siç thuhet “reaksionare e kundërrevolucionare e parullës Kosova Republikë”, pastaj për të “arriturat” e deriatëhershme ekonomike në Kosovë, për zhvillimin e marrëdhënieve ndërnacionale në Kosovë, për marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare, për ndërhyrjen e Tiranës zyrtare në punët e brendshme të RSFJ-së etj. Sipas Platformës ndër shkaqet kryesore që erdhi deri te shpërthimi i demonstratave në Kosovë, ishin vështirësitë ekonomike, si dhe politika e gabuar e udhëheqjes politike të Kosovës. “…Kësaj radhe, thuhet në Platformë, armiku qe inkurajuar nga vështirësitë ekonomike në Jugosllavi, pasojat e së cilave ishin më të rënda në Kosovë… Politika e gabuar e udhëheqjes së Kosovës mundësoi hapësirë për veprimtari nacionaliste… Pesha ekonomike në Kosovë nuk qe orientuar mbi mbështetjen e forcave të veta, por kah lufta për marrjen e mjeteve sa më të mëdha mbi bazën e të drejtave të veçanta që buronin nga moszhvillimi i Kosovës… Udhëheqja politike e Kosovës pati kërkesa voluntariste dhe joreale…. Kërkesat joreale lejonin hapësirë për veprim të nacionalistëve, të cilëve asnjëherë nuk u mjaftonte e të cilët nuk kishin kufi në kërkesa…” .Krejt në fund theksohet se problemi i Kosovës nuk mund të zgjidhej me mjete demokratike, por vetëm përmes luftës së ashpër e të pakompromist kundër “armikut”, përkatësisht kundër nacionalizmit e irredentizmit shqiptar: “…Me kundërshtarin i cili është i betuar ta shpërbëjë Jugosllavinë nuk mund të bisedohet në mënyrën e rëndomtë demokratike. Vendi ynë nuk do të ishte ai që është nëse do të tërhiqeshim para çfarëdolloj fuqie, kërcënimeve apo presioneve. Të lëshuarit pe nacionalizmit e irredentizmit, do të çonte kah deformimi i marrëdhënieve dhe deri te konflikti midis kombeve e kombësive tona, do ta vinte në pikëpyetje tërësinë territoriale dhe integritetin e vendit tonë…” .

         Kundër kësaj Platforme asaj kohe u shpreh udhëheqsi dhe politikani i vjetër kroat, Vlladimir Bakariq, i cili madje kundërshtimin e tij e shprehu hapur, përmes letrës dërguar Llazar Mojsovit, asaj kohe kryetar i KQ të LKJ-së. Sipas tij, shpërthimi i demonstratave në Kosovë ishte një përpjekje për barazi, prandaj udhëheqja politike jugosllave “irredentizmin” në Kosovë nuk do të mund asnjëherë ta dëbonte, nëse nuk do të arrinte që Prishtinën ta bënte më të fuqishme se Tiranën, në pikëpamjen politike, kulturore dhe shoqërore .

Platforma politike e LKJ-së, përbënte dokumentin e parë politik jugosllav kushtuar Kosovës pas demonstratave të vitit 1981. Është e rëndësishme të vihet në dukje fakti se deri në vitin 1986, të gjitha masat ideopolitike që ndërmerreshin kundër shqiptarëve nga udhëheqja politike jugosllave në përgjithësi, e ajo serbe, maqedonase e malazeze në veçanti, për bazë e kishin pikërisht Platformën Politike të LKJ-së për Kosovën. Në nëntor të vitit 1983, Kryesia e KQ të LK të Maqedonisë përmes një informate tepër të besueshme bënte përshkrimin e detajuar të masave që organet dhe organizatat e LK-së në atë republikë i kishin ndërmarrë në “realizimin e Platformës Politike të KQ LKJ-së për Kosovën”, pas mbledhjes së trembëdhjetë të KQ LKM-së e mbajtur më 29 qershor 1983, ku si më të rëndësishme po i veçojmë ato që u ndërmarrën në fushën e arsimit e të kulturës shqiptare, siç ishin: ndryshimi i planeve dhe programeve mësimore të shkollave fillore e të mesme me mësim në gjuhën shqipe; diferencimi ideopolitik i mësimdhënësve shqiptarë; tërheqja nga përdorimi i librit të leximit për klasat V, VI, VII dhe VIII të shkollave fillore me mësim në gjuhën shqipe; inspektimi i fondit të librave në gjuhën shqipe në bibliotekat e atëhershme të RS të Maqedonisë, me ç’rast nga gjithsej 5 055 tituj sa pati asaj kohe në gjuhën shqipe, 346 prej tyre ishin tërhequr nga përdorimi nën pretekst se të njëjtat ishin me “përmbajtje të huaj ideopolitike”, mbyllja thuajse e të gjitha shoqërive kulturore artistike dhe sportive shqiptare e shumë masa tjera .

Me nismën e Prokurës së Kryesisë së KQ të LKJ-së, në vitin 1985 u formua një grup punues në të cilin morën pjesë anëtarët e prokurës së Kryesisë së KQ të LKJ-së, KQ LKM-së dhe  KK LK të Kosovës. Grupi në fjalë hartoi një material me titull: “Disa çështje aktuale lidhur me gjendjen politike e të sigurisë dhe vetorganizimi shoqëror në mesin e qytetarëve tanë të kombësisë shqiptare në botën e jashtme” , i cili më 28 janar të vitit 1986 u shqyrtua edhe nga ana e prokurës së KQ LKM-së, në prezencë të kryetarëve të prokurave përkatëse të komiteteve komunale të LKM-së në komunat shqiptare. Në mbledhje morën pjesë edhe  kryetarja e Prokurës së KK të LK të Kosovës, Kaqushë Jashari, si dhe sekretari, Luk Caci. Në ndërkohë në muajin mars të vitit 1986, u hartua “Programi operativ për veprim ndaj qytetarëve të kombësisë shqiptare në RSM-së me punë të përkohshme në Evropën Perëndimore”.  I njëjti në mbledhjen e Kryesisë së KQ të LKJ, mbajtur më 25 maj të vitit 1986, u vendos të jetë “Programi i përbashkët operativ për aktivitete politiko-shoqërore të subjekteve nga KSA e Kosovës, RS e Maqedonisë, RS e Serbisë dhe RS e Malit të Zi dhe të organeve e organizatave të Federatës ndaj qytetarëve shqiptarë me punë të përkohshme në botën e jashtme.”

Siç u theksua më lart, me ardhjen e Sllobodan Millosheviqit në krye të LK të Serbisë, Platforma Politike kushtuar Kosovës e humbi peshën politike, sepse tashmë udhëheqja komuniste jugosllave ra nën ndikimin e plotë të tij. Pikërisht nën presionin e Millosheviqit dhe klikës së tij, më 5 mars të vitit 1986 u mbajt mbledhja e përbashkët e Kryesisë së RSFJ-së dhe Kryesisë së KQ LKJ-së, në të cilën u sollën “Konkluzionet për situatën aktuale politike e të sigurisë në KSA të Kosovës”. Theks të veçantë në këto konkluzione, iu dha ashpërsimit të politikës së diferencimit ideopolitik në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës, masave më radikale për ndërprerjen e shpërnguljes gjoja “të dhunshme” të serbëve e malazezëve nga Kosova, harmonizimit të dallimeve ndërmjet udhëheqjes politike të Kosovës dhe udhëheqjes politike të Serbisë sa i përket situatës politike e të sigurisë dhe zbatimit të politikës ndëshkuese në Kosovë, si dhe politikës redaktuese të mjeteve të informimit publik. Në pjesën ku flitej për arsimin, kulturën dhe shkencën theksohej se udhëheqja politike e Kosovës nuk e ka çuar deri në fund dhe në mënyrë konsekuente procesin e diferencimit ideopolitik, rrjedhimisht, një pjesë e rinisë shkollore dhe në disa mjedise të jetës shoqërore-ekonomike e politike “edhe më tej u nënshtrohen indoktrinimit nga pozita e nacionalizmit separatist e irredentist shqiptar”. Për dy kryesitë jugosllave, brengosëse ishte edhe ajo se në më shumë njësi të mbrojtjes territoriale në Kosovë nuk ishte kryer diferencimi ideopolitik, që për ta, kjo e dobësonte dukshëm funksionin mbrojtës të vetëmbrojtjes shoqërore . Megjithatë, problemi kryesor dhe më i madhi politik për nomeklaturën komuniste jugosllave dhe atë serbe, qëndronte në joefikasitetin e masave të deriatëhershme për “ndërprerjen e procesit të shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve”, një proces i cili siç dihet botërisht qe shpikur nga qarqe të caktuara të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, gjoja se ajo vinte si rrjedhojë e “presionit” nga shqiptarët. Kjo në mënyrë indirekte pranohet edhe në këto konkluzione ku thuhet shprehimisht: “…Rrezikimi i pasurisë pronësore personale dhe të drejtave dhe lirive tjera të njerëzve, e mban atmosferën e pasigurisë dhe të mosbesimit, nxitë shpërnguljen dhe i shkon përshtati irredentistëve në realizimin e qëllimeve strategjike të tyre. Kjo nga njëra anë, çon kah vetorganizimi i pjesëtarëve të popullsisë serbe e malazeze, shkrimin e peticioneve, organizimin e delegacioneve qytetare – që krijon terren të përshtatshëm për manipulim nacionalist e shovinist të të gjitha ngjyrave – ndërsa nga ana tjetër, objektivisht e ushqen disponimin antishqiptar dhe ashpërsimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërnacionale në KSA të Kosovës, RS të Serbisë e më gjerë…”. Me qëllim siç thuhej “të tejkalimit sa më parë që ishte e mundur të dallimeve ndërmjet udhëheqjes politike kosovare e asaj serbe” Kryesia e KQ LK të Serbisë dhe Kryesia e KK LK të Kosovës “do të ndërmarrin aktivitete të përbashkëta konkrete e të menjëhershme”, ndërsa, Komiteti Qendror i LKJ-së dhe Kryesia e tij, përmes aksionit ideopolitik intensiv, në mënyrë të drejtpërdrejtë do të angazhohet në “tejkalimin e dallimeve për këto çështje në komitetet qendrore e krahinore, organet e organizatave shoqërore-politike dhe në Kuvendin e RSFJ-së…”. Siç u tha më lart, vëmendje të veçantë në këto konkluzione i kushtohej edhe mjeteve të informimit publik, ku vihej në dukje se “…edhe përkundër rezultateve pozitive, ende po hasen dallime gjatë përshkrimit dhe vlerësimit të ngjarjeve të njëjta nga jeta ekonomike, shoqërore e politike në KSA të Kosovës, komentimeve të politikës e të qëndrimeve, që ato jo rrallëherë u ofrojnë mundësi individëve të caktuar të qasen nga pozita të papranueshme. Prandaj, theksohet më tej në dokument, është e domosdoshme të ndërmerren masa që mjetet e informimit publik përmes shkrimeve objektive për situatën e përgjithshme në KSA të Kosovës dhe aktiviteteve që ndërmerren për tejkalimin e pasojave të veprimit kundërrevolucionar, të kontribuojnë në lëvizjen pozitive dhe në përforcimin e besimit ndërnacional në krahinë e më gjerë…”. Në vazhdim kërkohej që organet dhe organizatat partiake në Kosovë të distancoheshin nga individë të caktuar, të cilët siç thuhet “i keqpërdorin tribunat demokratike” dhe në këtë drejtim të përshpejtohej procesi i diferencimit të mjeteve të informimit publik dhe të shtëpive botuese .

         Që këto konkluzione të realizoheshin sa më parë që ishte e mundur, dy kryesitë e lartpërmendura gjatë muajit prill të atij viti, hartuan dokumentin tepër sekret për kohën: “Masat dhe aksionet për zbatimin e konkluzioneve nga mbledhja e përbashkët e Kryesisë së RSFJ-së dhe Kryesisë së KQ LKJ-së, për situatën politike aktuale në KSA të Kosovës”, i cili ndahej në shtatë pjesë kryesore: situata politike dhe e sigurisë në KSA të Kosovës; përparimi i punës së organeve shtetërore, përforcimi i ligjshmërisë, sigurisë juridike personale e pronësore; masa të veçanta për pengimin e shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga Kosova; masa në fushën edukativo-arsimore, kulturore e shkencore; zhvillimi ekonomik i KSA të Kosovës; mbrojtja e përgjithshme popullore dhe vetëmbrojtja shoqërore dhe pjesa e fundit i kushtohej mjeteve të informimit publik, ku veç tjerash në të thuhej: “…Komiteti Krahinor i LK të Kosovës, veçanërisht Konferenca Krahinore e Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Kosovës, duhet të ndërmarrin masa konkrete që mjetet e informimit publik në Kosovë, në radhë të parë në gjuhën shqipe, në përmbajtjet e tyre të angazhohen dhe luftojnë me vendosmëri kundër të gjitha formave dhe llojeve të indoktrinimit nacionalist e irredentist, t’i eliminojnë të gjitha dukuritë e cenimit të barazisë nacionale, vëllazërim-bashkimit, rrezikimit të sigurisë dhe integritetit personal e pronësor, si dhe fyerjes së simboleve kombëtare dhe të monumenteve historike e kulturore të kombeve e kombësive në Krahinë…”.

         Më 24 prill të vitit 1987, Kuvendi i RS të Maqedonisë solli “Konkluzionet për përmbysjen e aktivitetit armiqësor nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar, dukuritë dhe situatat që e godasin atë”. Në pikën 2 të tyre ndër të tjera thuhej: “…Kuvendi vë në dukje se lufta kundër aktivitetit armiqësor nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar paraqet mbrojtje e përfitimeve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe revolucionit socialist, vendimeve të AVNOJ-it dhe të ASNOM-it, rregullimit kushtetues, pavarësisë, integritetit territorial dhe politikës së pavarur të RSFJ-së dhe është luftë për realizimin konsekuent të tyre. Për këtë shkak, kjo luftë është detyrë parësore e kuvendeve të deputetëve, të organeve të tyre ekzekutive e administrative dhe të organeve tjera shtetërore, të organeve drejtuese të organizatave të bashkuara punuese dhe të institucioneve dhe mekanizmave të sistemit të mbrojtjes së përgjithshme popullore dhe vetëmbrojtjes shoqërore në RS të Maqedonisë… Duke e pasur parasysh se nacionalistët dhe separatistët shqiptarë në RS të Maqedonisë veprojnë në koordinim me drejtuesit e aktivitetit të këtillë armiqësor në republikat tjera dhe në krahinat autonome si dhe në botën e jashtme, është e domosdoshme që për shkak të zhvillimit të luftës më të suksesshëm e më efikas për çrrënjosjen e tij, aktivitetet dhe masat të koordinohen dhe sinkronizohen me aktivitetet dhe masat e organeve të Federatës, të republikave tjera dhe të krahinave autonome, veçanërisht të RS të Serbisë, RS të Malit të Zi dhe KSA të Kosovës…”.

         Ndërkohë, gjatë muajit maj të vitit 1987, Kryesia e KQ të LKJ-së formoi një grup pune prej 10 anëtarësh, të cilit për detyrë iu dha ta shqyrtojë situatën politike e të sigurisë në Kosovë, veçanërisht të bëjë hulumtimin e hollësishëm për siç thuhej “shkaqet dhe arsyet e shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga ajo krahinë”. Grupi udhëhiqej nga Marko Orllandiq . Një vendim i tillë antishqiptar të udhëheqjes komuniste jugosllave ishte rrjedhojë e një fushate agresive dhe ultranacionaliste nga ana e disa institucioneve dhe shoqatave serbe, si Akademia e Shkencave dhe Arteve, Shoqata e Shkrimtarëve, Lidhja e Luftëtarëve etj., të cilat, të përkrahur edhe nga udhëheqja komuniste serbe, në mënyrë të hapur i akuzonin shqiptarët si “element i pasigurt dhe i rrezikshëm”, për stabilitetin jugosllav, se situata në Kosovë nuk mund të mbahej në kushtet e marrëdhënieve demokratike vetëqeverisëse, por se aty duhet të ndërmerreshin masa speciale të “sistemit të dorës së fortë”, se rrënjët e “nacionalizmit e separatizmit shqiptar” duhej kërkuar që nga Konferenca e Bujanit etj. . Në kuadër të asaj fushate duhet veçuar edhe të ashtuquajtura “peticione” të serbëve e malazezëve të Kosovës, me përmbajtje shoviniste, ku vihej në spikamë politika revanshiste ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. Ato peticione përgatiteshin në Beograd, ndërsa në Kosovë organizohej vetëm grumbullimi i nënshkrimeve, pa pasur qasje në përmbajtjen e teksteve, ku në të shumtën e rasteve bëhej falsifikimi i nënshkrimeve. Ndonëse pikënisja e tyre ishte gjoja “ballafaqimi me nacionalizmin shqiptar”, në esencë qëllimi i vërtetë ishte, të bëhet  presion mbi opinionin publik në mënyrë që të krijohet përshtypja se për serbët e malazezët jeta në Kosovë “ishte e padurueshme” dhe në atë mënyrë të krijoheshin kushte për ndërhyrjen e organeve policore republikane dhe federative .

         Rrjedhimisht, grupi i punës hartoi Projekt Konkluzionet të titulluara: “Realizimi i qëndrimeve të LKJ-së në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, vëllazërim-bashkimin dhe unitetin në Kosovë”, të cilat u miratuan në mbledhjen e nëntë të KQ të LKJ-së, mbajtur më 3 qershor të vitit 1987. Krahas pjesës hyrëse konkluzionet përfshinin gjithsej 21 pika të veçanta. Në to ndër të tjera thuhej se përkundër përpjekjeve të dukshme nga ana e Lidhjes Komuniste të Serbisë dhe Lidhjes Komuniste të Kosovës “për eliminimin e shkaqeve dhe pasojave të nacionalizmit shqiptar në Kosovë”, megjithatë atje nuk janë duke u realizuar disa “detyra me rëndësi nga Platforma Politike për aksionin e LKJ-së në Kosovë dhe Rezoluta e Kongresit XIII të LKJ-së për Kosovën”. Si problem më i rëndë në Kosovë sipas hartuesve të konkluzioneve ishte mosrealizimi i politikës së LKJ-së në dy çështje esenciale: “shpërngulja e serbëve e malazezëve” dhe përkeqësimi i gjendjes ndërnacionale” .

   Në pjesën e fundit të pikës së pestë vihej në dukje kundërshtimi i hapur i udhëheqjes komuniste jugosllave ndaj disa qëndrimeve të përfshira në Rezolutën e Konferencës së Bujanit, për çka KQ i LKJ-së e ngarkonte KK të LK të Kosovës t’i shqyrtojë të gjitha “pasojat” që vinin si rrjedhojë e sjelljes “jo kritike” ndaj qëndrimeve të asaj rezolute: “…Komiteti Qendror i LKJ-së vë në dukje se sjellja ndaj disa qëndrimeve të papranueshme në Rezolutën e Konferencës së Bujanit, të cilat janë në kundërshtim me vendimet e AVNOJ-it (KANÇJ-së), të shprehura qartë në qëndrimet e Komitetit Qendror të PKJ-së nga viti 1944, me ç’rast qëndrimet e sipërpërmendura janë shpallur të pavlefshme. Këtë e vërtetoi edhe Këshilli Nacionalçlirimtar i Qarkut të Kosovës e Metohisë, më 10 korrik 1945, kur solli vendim për bashkëngjitjen e Kosovës e Metohisë me Serbinë federale. Komiteti Qendror e obligon Komitetin Krahinor të LK të Kosovës që, së bashku me organet më të larta në KSA të Kosovës, t’i shqyrtojë të gjitha pasojat e sjelljes jo kritike ndaj qëndrimeve të përmendura nga Rezoluta e Konferencës së Bujanit dhe për këtë ta njoftoj opinionin…” .

         Lidhur me këtë, por edhe për shkaqet e shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkohej përgjegjësi ideopolitike për një pjesë të caktuar të udhëheqësve politikë shqiptarë, të cilët me vite të tëra kishin bartur funksione të larta partiake e shtetërore në Krahinë e në Federatë, e të cilët sipas vlerësimeve të udhëheqjes komuniste jugosllave, kishin pasur ndikim vendimtar në krijimin e politikës së atëhershme që kishte sjellë “deri te shpërthimi i nacionalizmit e separatizmit shqiptar”. Për këtë arsye, theksohej më tej në konkluzione, duhet deri në fund të sqarohen politikisht se “çfarë marrëdhënie konkrete kanë pasur dhe kanë kuadrot e caktuar ndaj nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar dhe ideologjisë së saj”, si dhe çfarë qëndrimi kanë ndaj politikës së aksioneve të tanishme të LKJ-së në “demaskimin e saj” si dhe ndaj masave e aksioneve të ndërmarra në Kosovë. Nisur nga kjo, KQ i LKJ-së e obligonte KK të LK të Kosovës që të ngrejë çështjen e përgjegjësisë ideopolitike për këta udhëheqës të lartë politikë, dhe për këtë ta njoftonte me kohë “anëtarësinë e LKJ-së dhe opinionin e gjerë jugosllav” . Në fund të konkluzioneve thuhej se, KQ i LKJ-së i mbështet Konkluzionet e Kuvendit të RSFJ-së për hartimin dhe miratimin sa më parë të “Programit jugosllav për ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga Kosova, kthimin e shpejtë e të shpërngulurve dhe ardhjen e atyre që dëshirojnë të jetojnë e punojnë në Kosovë”, dhe se i njëjti duhet mbështetur “mbi bazën ideopolitike” të përcaktuar në Platformën Politike për aksionin e LKJ-së në Kosovë, vendimeve të Kongresit XIII të LKJ-së, qëndrimeve të Konferencës Federative të LSPPJ-së, Konkluzioneve të Kryesisë së RSFJ-së dhe kryesisë së KQ LKJ-së “për situatën politike e të sigurisë në Kosovë” .   

         Për realizimin sa më parë të Konkluzioneve, Kryesia e KQ të LKJ-së, më 21 qershor 1987, solli “Programin operativ”, i cili në mënyrë të detajuar i përshkruante masat dhe aktivitetet që duhej të ndërmerreshin nga institucionet e ndryshme shoqëroro-politike, realizimi i të cilave ishte përcaktuar me afat kohor. Pika 13 e programit përfshinte aktivitetin e domosdoshëm të organeve e organizatave partiake në përgatitjen dhe realizimin e programit jugosllav “për ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga Kosova, kthimin e shpejtë e të shpërngulurve dhe ardhjen e atyre të cilët duan të jetojnë dhe punojnë në Kosovë”: “…Kryesia do ta shqyrtojë Projektin e këtij programi dhe do të përcaktojë qëndrime ideopolitike për aktivitetin në përpunimin dhe realizimin e atij programi në përputhje me Konkluzionet e mbledhjes së 9 të KQ të LKJ-së. Komunistët në Kuvendin e RSFJ-së duhet të angazhohen që ky program të miratohet sa më parë, a më së voni deri në mbarim të vitit 1987…” .

         Ndër masat që përfshiheshin në Programin operativ, padyshim se duhet veçuar atë të kontrollit dhe mbikëqyrjes së rreptë të mjeteve të informimit në gjuhën shqipe, me arsyetimin se ato, problemet në KSA të Kosovës i trajtuakan  “në mënyrë sensacionale” dhe në kundërshtim me qëndrimet e përcaktuara në Konkluzionet e mbledhjes së nëntë të KQ LKJ-së, për çka nga Komisioni për Veprimtari Informative-Propagandistike pranë KK të LK të Kosovës, që kryeredaktorëve të atyre mediumeve t’u tërhiqej vërejtja rregullisht “për lëshimet në angazhimin e mediumeve publike” .

         Ndërkohë edhe Kryesia e KQ të LKM-së hartoi “Programin operativ për detyrat e drejtpërdrejta të anëtarëve, organizatave e organeve të LKM-së në realizimin e Konkluzioneve të mbledhjes së 9 të KQ LKJ-së”, i cili përbëhej prej tri pjesëve kryesore dhe prej gjithsej 62 pikave . Është me interes të vihet në dukje fakti se për realizimin e atyre pikave ishin përcaktuar bartësit kryesorë si dhe afati kohor. Kështu bartës të pikës 46 ku përfshihej sfera e kulturës dhe e krijimtarisë letrare në gjuhën shqipe, ishin caktuar Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë dhe Aktivi i komunistëve pranë atij asociacioni, Shoqata e Përkthyeseve të Maqedonisë, Enti dhe Komiteti Republikan për Kulturë. “…Komunistët nëpër organizatat e bashkuara punuese, theksohej në atë pikë të Programit, veçmas ata nëpër këshillat botuese, janë përgjegjës të drejtpërdrejtë që ta pamundësojnë botimin e librave, qoftë kjo edhe në mënyrë asociative, e të cilat sugjerojnë porosi nacionaliste e separatiste dhe antivetëqeverisëse e antisocialiste në emër të ndonjë interesi më të lartë nacional apo paprekshmërisë estetike të lirisë krijuese. Këto si dhe obligime tjera të ngjashme u përkasin edhe komunistëve në Shoqatën e Shkrimtarëve të Maqedonisë dhe Shoqatën e Bibliotekistëve të Maqedonisë, të cilët ngarkohen të bëjnë edhe inspektimin e plotë në fondet letrare të bibliotekave e librarive, për ta penguar shfrytëzimin e librave të cilët mund t’i indoktrinojnë lexuesit (veçmas rininë)…”.

         Gjithnjë sipas parashikimeve të udhëheqjes komuniste jugosllave, Kuvendi Federativ i RSFJ-së në seancën e mbajtur më 23 nëntor 1987, në mënyrë unanime, pa asnjë votë kundër, e miratoi “Programin jugosllav për masat e aktivitetet për ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga Kosova, kthimin e shpejtë të atyre që e kanë lëshuar dhe ardhjen e të gjithë atyre të cilët dëshirojnë të jetojnë e punojnë në Kosovë” . Në cilësinë e kryetarit të Komisionit për hartimin e atij programi antishqiptar, para deputetëve gjerësisht foli Stojan Andovi, sipas të cilit  “shpërngulja e serbëve dhe malazezëve nga Kosova” përbënte problemin më të rëndë moral, politik dhe shoqëroro-ekonomik të shoqërisë jugosllave, sipas të cilit: “shprehej në një periudhë më të gjatë kohore, ndërsa pas ngjarjeve kundërrevolucionare në vitin 1981 vazhdoi me një intensitet edhe më të theksuar, që solli deri te ndryshimi i lartë dhe brengosës i strukturës nacionale të popullsisë në Kosovë”. Ai duke u thirrur në vendimet e mbledhjes së nëntë të KQ të LKJ-së, kërkoi marrjen e masave radikale nga ana e organeve shtetërore të Kosovës, Serbisë dhe RSFJ-së, për siç do të shprehet “mënjanimin sa më parë të shkaqeve të përkeqësimit serioz të marrëdhënieve ndërnacionale që është rezultat i veprimtarisë së stërzgjatur të nacionalizmit e separatizmit shqiptar dhe me vendosmëri të realizohet politika e barazisë së plotë nacionale”.

    Programi politik prej 50 faqeve dhe 90 pikave, krahas pjesës hyrëse ndahej në katër kapituj të veçantë dhe më shumë nënkapituj. Në pjesën hyrëse, pika 2, ndër të tjera kërkohej marrja e masave energjike nga organet shtetërore të KSA të Kosovës, RS të Serbisë dhe të RSFJ-së, që në një afat sa më të shkurtë kohor të mënjanoheshin “shkaqet e lëkundjeve serioze në marrëdhëniet ndërnacionale të krijuara me veprimin afatgjatë të nacionalizmit e separatizmit shqiptar”. Përveç kësaj në pjesën hyrëse, pika 5 dhe 6, parashihnin ndërhyrje në aktet normative, përkatësisht ndryshime dhe plotësime të ligjeve të caktuara dhe të dispozitave tjera dhe aktet dhe planet e përgjithshme, me çka do të mundësohej realizimi sa më i shpejtë dhe sa më efikas i programit, i cili parashihte kolonizimin e Kosovës me elemente sllave, apo siç thuhej në dokument: “ndërprerjen urgjente të shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga Kosova, kthimin e shpejtë të të gjithë të shpërngulurve të cilët dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në këtë pjesë të vendit dhe krijimin e kushteve të përhershme shoqërore-politike, juridike, ekonomike dhe kushteve tjera për stimulimin e ardhjes së qytetarëve nga mbarë vendi të cilët dëshirojnë të jetojnë e punojnë në Kosovë” .

         Kapitulli i parë parashihte ndërmarrjen e masave urgjente brenda institucioneve të sistemit politik të Kosovës, për gjoja “mënjanimin e shkeljeve” të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe mbrojtjen e lirisë dhe të drejtat e qytetarëve” në KSA të Kosovës. Në kuadër të këtyre masave, kërkohej ashpërsimi dhe konkretizimi i përgjegjësisë personale e kolektive të udhëheqjes politike dhe të kuadrit profesional kosovar, diferencimi i palëkundshëm për kuadrot që punonin në organet e administratës dhe të drejtësisë, por edhe në të gjitha fushat tjera, në radhë të parë në arsim, shkencë, kulturë, informimin publik dhe njësive të mbrojtjes territoriale, dhe në mënyrë ultimative kërkohej largimi nga puna, të atyre për të cilët “dëshmohej” se gjoja kishin “nxitur dhe nxisin urrejtje dhe jotolerancë nacionale, konflikt ndërnacional, apo të cilët me veprimet e tyre cenojnë barazinë nacionale, vëllazërim-bashkimin…etj.”. Për realizimin e këtyre masave represive ndaj popullsisë shqiptare ngarkohej Kuvendi Krahinor dhe kuvendet komunale të Kosovës.

     Në nënkapitullin “Bashkëpunimi profesional dhe ndihma në kuadër”, kërkohej nga të gjitha republikat federale si dhe nga KSA e Vojvodinës, të dërgojnë sa më parë që ishte e mundur “kuadër profesional” në organet e punëve të brendshme dhe në gjyqësi, dhe për këtë arsye të hartonin programe të veçanta “për sigurimin e atij kuadri” si dhe plane për angazhimin dhe dërgimin e tyre në Kosovë. Që këtij kuadri t’i mundësohej krijimi i marrëdhënieve të rregullta të punës, apo emërim të përkohshëm në Kosovë, kërkohej që Kuvendi federativ dhe ato republikane dhe krahinore të siguronin baza ligjore. Nga sekretariatet për punë të brendshme federative, republikane e krahinore, kërkohej të bëjnë zbulimin dhe analizimin e “burimit dhe reproduktimit të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, ndërsa nga gjyqi federativ kërkohej që prioritet të kishin lëndët nga Kosova, veçanërisht për lëndët penale “nga kriminaliteti politik e ekonomik” sidomos në rastet kur në mosmarrëveshje palët ishin të nacionaliteteve të ndryshme. Përveç kësaj, ngarkoheshin prokuroritë publike të Kosovës, Serbisë dhe të Jugosllavisë, që mbi bazë të Ligjit për marrëdhënie obliguese të “shqyrtojnë kontratat për shitjen e pasurisë së patundshme në KSA të Kosovës” dhe njëkohësisht të vlerësonin se të njëjtat a janë “arritur nën presion” dhe menjëherë të ndërmarrin masa për revizionin e atyre kontratave “për shitjen e pasurisë së patundshme” të cilat gjoja se ishin arritur “nën presion” .

         Në fushën e jurisprudencës kërkohej sjellja e Ligjit federativ me të cilin do të rregullohej përdorimi zyrtar i gjuhëve të kombësive, përkatësisht të gjuhës shqipe me Kushtetutën e RSFJ-së, si dhe Ligji federativ përmes së cilit do të rregullohej grumbullimi, evidentimi dhe përpunimi i të dhënave të rëndësishme për realizimin e programit jugosllavë .

         Nga Sekretariati Federativ për Punë të Jashtme dhe atij për Informim si dhe sekretariatet përkatëse republikane e krahinore kërkohej hartimi i programeve për aktivitete informative-propagandistike, apo të ripërpunoheshin dhe plotësoheshin programet ekzistuese për botën e jashtme për shkak siç thuhej “mënjanimit të pasojave negative të propagandës antijugosllave nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar dhe veprimit të emigracionit armiqësor shqiptar” .

         Kapitulli i dytë parashihte ndërmarrjen e masave ekonomike, sociale dhe politike. Në të ndër të tjera thuhej se gjendja në Kosovë karakterizohej me “ashpërsimin” e problemeve në zhvillimin shoqëroro-ekonomik e social me “tendencë të ashpërsimit të mëtutjeshëm”. Më tej thuhej se “ndërprerja e shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga Kosova, kthimin më të shpejtë të atyre që e kanë lëshuar dhe ardhjen e të gjithë atyre të cilët dëshirojnë të jetojnë e punojnë në Kosovë” do të “kontribuonte” në stabilizimin ekonomik e social në Kosovë. Në këtë kapitull është me interes t’i referohemi pikës 58, ku thuhet tekstualisht që: “parcelat, shtëpitë dhe banesat e njerëzve të shpërngulur e të cilët kthehen në Kosovë si dhe personat që pasuri të tillë posedojnë jashtë Kosovës, ndërsa jetojnë e punojnë në Kosovë, t’i blejnë bashkësitë shoqërore-politike jashtë Kosovës, ose organizatat e bashkuara punuese t’u mundësojnë pronarëve të atyre pronave të patundshme që me ato mjete e të tjera të ngrejnë objekte banesore në territorin e KSA të Kosovës që ata kthehen, përkatësisht ku tash jetojnë dhe punojnë në Kosovë”. Po aq me interes është edhe pika 59, ku në mënyrë të hapur e arbitrare kërkohej ndryshimi i planeve urbanistike të tokës shoqërore, me qëllim të mundësimit të shpërndarjes së parcelave për ndërtimin e shtëpive nëpër fshatra e lagje për serbët e malazezët të cilët na paskan shprehur “dëshirë” për t’u kthyer në Kosovë .

         Kapitulli i tretë përfshinte fushën arsimore, kulturore, shëndetësore, demografike dhe sociale. Në fushën e arsimit parashikohej që gjuha serbe të futej si lëndë obligative nga klasa e parë për shkollat fillore me mësim në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, gjuha shqipe për shkollat me mësim në gjuhën serbe. Në këtë fushë është me interes të veçohet kërkesa për miratimin urgjent të programit të përbashkët të shqipes si gjuhë amtare dhe programit të edukatës së muzikës për shkollat fillore e të mesme me mësim në gjuhën shqipe nga territori i RS të Maqedonisë, RS të Malit të Zi, RS të Serbisë dhe KSA të Kosovës dhe të fillohet me përdorimin e tyre “në suazat e planeve e programeve të veprimtarisë edukativo-arsimore”. Padyshim se një kërkesë e tillë kishte për qëllim që autoritetet komuniste jugosllave të kenë kontroll të rreptë ndaj plan-programeve mësimore në këto dy lëndë me qëllim që të njëjtat nga lëndë që duhej ta trajtonin trashëgimin kulturore e arsimore shqiptare, të shndërroheshin në lëndë që do ta trajtonin kulturën dhe trashëgiminë e huaj, përkatësisht atë sllave. Në këtë fushë parashikoheshin edhe një sërë programesh tjera, si p.sh. programi për bashkëpunimin ndëruniversitar, programi për dërgimin e kuadrit të “nevojshëm” nga republikat federative dhe Vojvodina për në Kosovë, programi për dhënien e bursave dhe kredive për studentë jashtë Kosovës të cilët do të studionin në Universitetin e Prishtinës dhe anasjelltas. Përveç kësaj, nga organet përgjegjëse arsimore-kulturore republikane të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi si dhe nga ato krahinore të Kosovës, kërkohej vëzhgimi dhe analizimi i përbashkët i planeve, programeve dhe të librave shkollorë fillorë e të mesëm, në mënyrë të veçantë të kryejnë hulumtimin e përbashkët për grupin e lëndëve shoqërore për të verifikuar se “sa janë përballur dhe pranuar përmbajtjet programore në të cilat është ndërtuar vëllazërim-bashkimi, patriotizmi jugosllav, e kaluara e lavdishme e përbashkët e LNÇ-së dhe revolucioni…etj.”.

    Në fushën e mbrojtjes shëndetësore kërkohej hartimi dhe miratimi i programeve speciale ku prioritet duhej t’u jepej mjediseve me përbërje të përzier nacionale, d.m.th., në mjediset ku jetonte popullsia serbe e malazeze, apo siç thuhej në ato mjedise ku “shpërngulja” ishte më e shprehur dhe “ku ajo pjesë është e pazhvilluar”. Sa i përket lëvizjeve demografike kërkohej që Komiteti  Federativ për Punë, Shëndetësi dhe Mbrojtje Sociale në bashkëpunim me organet kompetente republikane e krahinore të “përgatisin programin operativ të masave për politikën sociale” me të cilat duhej të ndikohej në planifikimin e familjeve në Kosovë .  

         Në kapitullin e katërt përshkruhej mënyra e realizimit të programit jugosllav kushtuar Kosovës. Në të ndër të tjera ngarkoheshin: Kuvendi i RSFJ-së, kuvendet e republikave dhe kuvendet e krahinave autonome t’i shqyrtonin rregullisht raportet e organeve të tyre ekzekutive për realizimin e programit në fjalë si dhe të Platformës politike të KQ LKJ-së për Kosovën, Rezolutën e Kongresit XIII të LKJ-së, Konkluzionet e mbledhjes së nëntë të KQ LKJ-së, Konkluzionet dhe masat e aksionet e Kryesisë së RSFJ-së dhe Kryesisë së KQ LKJ-së si dhe Konkluzionet e Kuvendit të RSFJ-së dhe kuvendet e RS të Serbisë dhe KSA të Kosovës. Krejt në fund kërkohej nga Kuvendi i RSFJ-së të themelonte komision të veçantë për vëzhgimin e zbatimit të këtij Programi jugosllav për Kosovën, si dhe për koordinimin e masave e aktiviteteve të parapara për realizimin e këtij programi, i cili do të ishte si trup i përhershëm punues i dy dhomave të Kuvendit të RSFJ-së, i përbërë nga delegatët e të gjitha republikave dhe krahinave autonome. 

    Në përputhshmëri me Programin jugosllav për Kosovën, gjatë vitit 1987/89, nga ana e institucioneve partiake e shtetërore federative, republikane e krahinore u sollën një sërë, rezoluta e konkluzione kundër popullit shqiptar si: Rezoluta për politikën e popullimit në RS të Maqedonisë, e cila u miratua në tetor të vitit 1987 nga Kuvendi i RS të Maqedonisë, me të cilën një çifti bashkëshortor shqiptar i mohohej të ketë më shumë se dy fëmijë ; konkluzionet e Kryesisë së KQ LKJ-së për veprimtari informativo-propaganduese në lidhje me Kosovën dhe të marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare , të miratuara më 3 dhjetor të vitit 1987 nga Kryesia e KQ LKJ-së; projektrezoluta për Kosovën , hartuar më 29 dhjetor 1989 nga Kryesia e KQ LKJ-së, e cila u deshtë të miratohet në Kongresin e 14 të jashtëzakonshëm iu deshtë të mbahej më 1 mars 1990, por siç qe e njohur i njëjti dështoi për shkak të largimit të delegatëve të LK të Sllovenisë etj. Përveç kësaj, si dhe një sërë programesh operative, që me këtë rast po e veçojmë  disa pika më të theksuara të “Programit operativ” të Sekretariatit Federativ për Punë të Brendshme, përkatësisht UDB-së jugosllave: “zbulimi dhe pengimi i veprimtarisë subversive ilegale etj., të nacionalistëve e separatistëve shqiptarë në krijimin e kushteve të vështira të jetesës së serbëve e malazezëve dhe të komuniteteve tjera joshqiptare në Kosovë; përcjellja dhe hulumtimi i metodës, formës, kryerjes dhe prapavijës së të gjitha formave të shtypjes së orientuar kah shpërngulja; hulumtimi i burimit të financimit të veprimtarisë së nacionalistëve e separatistëve shqiptarë si dhe burimi i mjeteve financiare për blerjen e pronave të serbëve e malazezëve me çmime shumë të larta; hulumtimi i lidhjeve të nacionalistëve e separatistëve shqiptarë me shërbimin sekret shqiptar dhe emigracionin armiqësor shqiptar dhe të aksioneve konkrete të shtypjes së orientuar në shpërnguljen e serbëve e malazezëve, me qëllim të krijimit të një Kosove etnikisht të pastër; zbulimi dhe analiza e burimit dhe formës së reproduktivitetit të nacionalizmit e separatizmit shqiptar….etj.”.

         Programi parashihte edhe inspektimin e jashtëzakonshëm nga ana e Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror Federativ dhe të drejtorive përkatëse të RS të Maqedonisë, RS të Serbisë, RS të Malit të Zi dhe KSA të Kosovës në “veprimtarinë kundërzbuluese ndaj shërbimit informativ shqiptar, emigracionit politik shqiptar dhe organizimin e veprimtarisë zbuluese ndaj RPS të Shqipërisë”.

         Mbështetur në vendimet e parapara në këtë program të UDB-së jugosllave, në Kosovë gjatë viteve 1988-1990 qenë stacionuar qindra agjentë të shërbimit sekret nga Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Vojvodina, të cilët në mënyrë të paskrupulltx e torturuan popullsinë e pafajshme shqiptare në Kosovë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura