KOSOVË, GËZUAR VITIN E RI 2024 …!

Kosovë, Gëzuar Vitin e Ri 2024…!

Nga Elife Podvorica Jashari

…Ngutu në rendin tjetër-po ma bënte nusja e djalit dje kur dolëm të blinim edhe gjësendet e fundit që e plotësonin menynë tonë që kishim planifikuar për darkën e ndërrimit të motmoteve.

Me karrocën e mbushur dëng, mezi gjetëm arkën që ishte pak më e shlirë se sa të tjerat. Sikur ne të dyjat, kishin dalur edhe shumë familjarë të tjerë që po blinin e përgatiteshin për festën e fundvitit.

Kosova këtyre ditëve është gjallëruar nga ardhja e Mërgatës. Bashkimi familjarë, ia shtonë bukurinë përditshmërisë sonë, e bënë festive e të begatshme çdo gjë. Jo vetëm anën materiale, por sidomos atë emocionale e shpirtërore. Sepse, njerëzit tanë nga Mërgata vijnë për t’u çmallur me vendlindjen dhe familjarët e tyre të dashur. Daljet nëpër restorane dhe llafosja e tyre e këndshme, dyqanet e stërmbushura me ta dhe ndihmesa që u bëjnë familjeve të tyre këtu në Kosovë, na e heq për ca ditë hallin nga përditshmëria jonë rraskapitëse, të cilën e kemi të ngarkuar nga ankesat tona që si heqim prej gojës.  Sikur jemi mësuar që ato ti kemi në maje të gjuhës duke u dhënë gjithëmonë prioritet para gjërave tjera interesante që poashtu i kemi të bollshme.

Të bollshme e të bagatshme i patëm edhe sofrat tona. Për aq sa e di nga vetja dhe gjithë familjarët e miqët që i njoh.

Festuam, vallëzuam e u knaqëm. Pjesë e kësaj patjetër që janë edhe urimet e përzemërta që vijnë nga të gjitha anët e familjes dhe miqëve e kolegëve.

Mbrëmë, ishte edhe një urim i përbashkët i të gjithë shqiptarëve të Kosovës.

-Urime na qoftë liberalizimi i vizave-ishte urimi pothuaj kryesor i festës.

-Urime ju shprehu edhe unë të gjithë atyre të rinjëve që kishin dashur të studionin jashtë vendit,e që nuk kishin mundur për shkak të mos-lëvizjes së lirë.

-Urime gjithë nënave e gjysheve që për vite të tëra s’kishin mundur të ishin pran djemëve e vajzave të tyre, të cilit punonin e studionin jasht vendit, por që duhej të përpëliteshin vet larg dashurisë e kujdesit prindëror.

-Urime gjithë artistëve shqiptar të Kosovës që me peripeti të mëdha arrinin të bënin tek-tuk ndonjë bashkëpunim me artistët tjerë nëpër Europë.

Sot, teksa po ndiqja koncertin e përvjetshëm të Filharmonisë së Vjenës, dhe po knaqesha me virtuozitetin e veprave që ekzekutoheshin me mjeshtri mahnitëse, në një moment mu mbushën sytë me lot. Ishte një moment kur orkestri dhe publiku arrijnë një simbiozë artistike-instrumentistët luajnë veprën, audienca i mbështet me duardrokitje të ritmuar me melodinë e valsit të Strauss-it, ndërsa dirigjenti kthehet jo nga orkestri, por nga publiku që ti dirigjojë në duartrokitjete e tyre frenetike. Kështu arrinë që të krijojë një bashkëpunim dhe pjesmarrje aktive edhe të audiencës, e cila me duartrokitjet e saj ritmike, sikur bëhet pjesë e veprës muzikore. Programi muzikor i koncertit, është i begatuar edhe me pjesë vallëzimi të njohura për tërë botën e civilizuar ku paqja mbretëron mbi luftën dhe të keqen.

Ju mora shumë lakmi atyre që ishin në skenë, por edhe atyre që ishin ulur e me një delikatesë prej aristokratësh po e shijonin koncertin në fjalë.

Gjersa, po e shijoja edhe unë tërë këtë spektakël, bashkëshorti më tregoi që edhe dirigjenti tashmë i njohur Memli Kelmendi, kishte koncert po sot në Vjenë me korin e tij “Siparantum”. Përndryshe në programin e tij muzikor, kishte futur edhe vepën korale “Pakëz në ëndërr, pakës në zhgëndërr”, e cila sipas fjalëve të dirigjentit kishtë pasur sukses dhe pritje të shkqëlqyeshme nga ana e publikut europian kudo që këtë vit e kishte prezantuar nëpër pjesmarrjet e tij të shumta nëpër qytete të ndryshme të Europës. Sipas Memlit vepra e kënduar në shqip kishte zgjuar një interesim të jashtzakonshëm.

-Euu-thashë unë. Koncerti i Vjenës, dhe koncerti i Memlit në Vjenë, po në të njëjtën ditë. Gogja arritje është kjo për të gjithë komunitetin artistik muzikor, që e di çfarë domethënë kjo për promovimin e muzikës shqiptare, por edhe të vet shtetit të Kosovës.

Memli Kelmendi dhe të gjithë anëtarët e korit “Siparantum” edhe kësaj radhe kishin shkuar duke ndenjur para ambasadave në procedurat e tyre kokëdhimbëse dhe nënçmuese. Por, që nga dita e sotme,ata do të shkojnë pa këtë mundim të lodhshëm e përçmues.

Kështu shpresoj që do të shkojnë edhe të rinjët tjerë, të cilët me projektet e tyre, do të avancojnë vendin e tyre Kosovën, të cilën e çliruan dhe dhanë gjakun shumë e shumë të rinjë , që  luftuan e i dolën zot jo që ajo një ditë të boshatisej nga rinia e saj,ashtu siç u flit kohëve të fundit, por të ndodhë e kundërta.

Secili “Memli” i fushës së tij, të arrijë të bëjë bashkëpunime e projekte me vendet tjera, pa e lëshuar vendin e tyre. Sepse , vendin tënd duhet ta ndërtosh vet, e jo të ikësh prej tij. Besoj që mirëqenia e qytetarit të Kosovës do të përmirësohej me këtë mënyrë, e jo me ikjen e tyre në kërkim të një jete më të mirë nëpër vendet e huaja. Sepse, nuk do ta gjejnë.Ose , do ta gjejnë pas disa viteve, por çmimi do të jet shumë i dhimbshëm për të gjithë ata që do ta provojnë.

Andaj, liberalizimin e vizave le ta shohim si një mundësi, por jo si një ikje.

Europa dhe standardi i saj, ka ndryshuar ashtu siç ka ndryshuar shumçka në te. Luftërat e trazirat ndërnjerëzore të njëpasnjëshme të këtyre dekadave të fundit, kanë bërë zhvendosje e parregullësi edhe tek shtetet më të forta ekonomike në Europë. Andaj, at bindjen që jashtë na pret tapeti i kuq, le ta heqim nga mendja.

Ti gëzohemi gjërave dhe mundësive që na i afron vendi ynë dhe lëvizja e lirë, që padrejtësisht e patëm pengesë në zhvillim tonë normal për këto 23 vite.

Të mundohemi që në vendin e tyre, ta kthejmë edhe mërgatën,sepse familja shqiptare për një shekull të tërë nuk ka mundur të funkcionojë normal, pikërisht për shkak të ndarjes së saj në dy pjesë-njëra jashtë e tjetra brenda vendit. Besoj që ata që funkcionuan për tërë këto dekada jasht vendit, e meritojnë që një ditë ti kthehen përgjithëmonë vendlindjes së tyre.Dhe siç është e ditur historikisht “Bashkimi bën fuqinë”, do të bëjë edhe për qytetarët shqiptar, të cilët qenë të dënuar të vuajnë helmin dhe pasojën e ndarjes familjare për dekada të tëra.

Me shpresë që ne tashmë i kemi kuptuar këto gjëra, shfrytëzoj rastin dhe ju Uroj Vitin e Ri 2024, dhe gjithë të mirat e kësaj bote për Kosovën tonë të dashur, për vendlindjen tonë.

Total
0
Shares
1 comments
  1. Havee you ever thought bout including a little bit moore than just your articles?
    I mean, what you say is valuable and everything. Nevertheless imagine if you added some great graphics or videos
    to give your posts more, “pop”! Your content is excellent but with
    pics and videos, this blog could undeniably be oone of the greatest in its field.
    Fantastic blog!

    My website 61c31183E3715.Site123.Me

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura