KUDUSI LAMA: UÇK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (I)

Tiranë, 5 gusht 2020: Bashkëluftëtarët e djeshëm, me politikë kundër veprës së vet

Në çdo rast kur sulmohesh, e drejta e jetesës të kërkon të reagosh dhe të mbrohesh. Njëkohësisht instinkti vepron menjëherë pa u vënë në veprim logjika. Fatkeqësia qëndron në faktin, që në politikë, mjeshtrit, nuk kërkohen për ta nxitur zhvillimin e për t’i treguar rrugët më të suksesshme për një të ardhme të sigurt për njerëzimin, por për t’i zhvilluar interesat e disave mbi të drejtat e disa të tjerëve, pa i vrarë fare ndërgjegjja për atë që bëjnë.
Të kuptuarit e njerëzve po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Pajtimi midis tyre, me gjithë përpjekjet që bëhen, është në nivele shumë të ulëta. Të fuqishmit mendojnë vetëm si të sundojnë të tjerët. Perspektiva e paqes duket akoma e largët. Mendësia e hileve dhe e dominimit të të fortëve është e pranishme. Gjithkush i jep të drejtë vetëm vetes. Edhe në debate midis dy personave është shumë e vështirë të gjendet konsensusi mbështetur mbi të drejtën e të vërtetën.
Kultura dhe historia tentohen të personalizohen. Edhe shkenca e arkeologjisë tentohet të politizohet dhe të shfrytëzohet për interesa të atyre që kanë mundësi ose që kanë fuqi. Duket pra se fajtori për veprat e veta do t’i akuzojë të gjithë, përveç vetvetes.
Por ne duhet të jemi të qartë se akuza nuk është pëllumb, i cili mban me vete dhe sjell ndër ne gjethen e ullirit si simbol të paqes, ajo është shigjetë që na lëshohet mbi gjoksin tonë dhe që në qoftë se nuk vendosim mburojën jemi të destinuar të vdesim.
Megjithëse ne shqiptarët jemi mësuar me akuza. Kjo nuk do të thotë se duhet të vazhdojmë të pranojmë çdo lloj llumi, që mund të hedhë dikush drejtë nesh. Ne historikisht kemi dhënë tolerancë. Por kjo nuk mund të jetë deri në fund, pasi në fund vjen vdekja. A është mirë të vdesim për hatër të tolerancës, mirësisë e qetësisë? Mendoj që jo. Çdo gjë ka një kufi.
Shqiptarët po ndërtojnë një shtet të ri. Dihet që për të ndërtuar një shtëpi është vështirë, jo më një shtet. Por këtë shtet ne duhet ta ndërtojmë duke nderuar njeri tjetrin e duke punuar fortë. Por përballë akuzave monstruoze udhëheqësit e shtetit ndihen në vështirësi. Është vështirë të përballohen edhe ngarkesa e punës, edhe akuzat nga më të rëndat deri kanibaleske. Pra, dikush, udhëheqësit tanë ka dëshirë t’i konsiderojë kanibalë. Por ne kemi një histori të njohur, që për fatin tonë të keq i jemi nënshtruar kanibalizmit, por kurrë nuk kemi bërë vepra të tilla ndaj të tjerëve.
Mirëpo edhe kjo e ka një qëllim. Dikush do që ne të ndihemi nën trysni. Dikush do që udhëheqësit tanë të bëhen lajkatar. Të jenë të nënshtruar e të pasinqertë, sepse janë nën goditjet e akuzave. Ata e dinë mirë se “lajka është si paraja fallso…”, por ashtu kanë dëshirë të jemi ne për ta. Ashtu ju intereson të jenë ata që do të jenë përballë serbëve në bisedimet e quajtura të ardhshme.
Dikush mund të thotë se e drejta del në shesh. Por ne e duam të drejtën sot, nuk e duam kur të dalë, pasi ndoshta është shumë vonë. Ne e dimë që “padrejtësia të zhyt, por nuk të mbyt”, ama, ne nuk kemi kohë as të zhytemi. Jemi zhytur deri tani aq shumë sa duket se atyre që janë mësuar të na zhysin, u është bërë shprehi të na shohin vetëm të zhytur. Por jo, tashmë ne kemi mësuar të qëndrojmë drejt dhe me dinjitet, nuk ka asnjë forcë që të na e thyej kolonën e vertebrave tona të drejtqëndrimit.
Është e ditur se kur diçka nuk na shkon për shtati, shumë më lehtë e kemi të akuzojmë se sa t’i kuptojmë shkaqet e ndodhive. Kështu po ndodh edhe në këtë rastin e fundit, që unë e di, se nuk do të jetë i fundit. Kam thënë edhe më herët që edhe për 50 vjet mentaliteti sllav e serb për shqiptarët e trojet e tyre nuk ndryshon.
Ne e dimë se është vlerë që polemikave të ashpra siç është rasti i rrjedhojave që erdhën në këto vite si rrjedhojë e raportit të zotri Dick Marty-t duhet t’u qëndrohet larg. Por a mund të qëndrohet larg dhe vërtetë a duhet shmangur pjesëmarrja në këtë polemikë, që po tenton të na nëpërkëmbë djemtë që bënë luftën dhe shporrën pushtuesin? Natyrisht që jo. Dhe kjo ka arsyet e veta, për faktin se shmangiet deri tani janë marrë për dobësi, si dhe përhapja e opinioneve sipas dëshirave serbe, na kanë dëmtuar mjaft.

Gjenerali Kudusi Lama

Në gjërat e rëndësishme duhet lëshuar pe, vetëm kur të paktën të ndjejmë se për një pjesë të pretendimeve apo të akuzave si në rastin konkret, ka vërtetësi. Por, kur absurditeti është në nivelet e shpifjeve banale dhe shumë të rënda, pa menduar fare se edhe ne jemi njerëz dhe që kemi personalitet, jo nuk duhen bërë lëshime, por duhet qëndruar fortë si një bllok kombëtar. Ndërsa për gjërat e pa rëndësishme do të rekomandoja, që edhe atëherë kur e dimë se kemi plotësisht të drejtë të mos merremi me asnjë personazh, qoftë edhe me përmasa të mëdha botërore. Thotë një fjalë e urtë se, “më mirë është qe t’i shmangemi qenit nga rruga, se sa ta lejojmë të na kafshojë, sepse edhe po e mbytëm atë, plaga do të mbetet”. Por kjo nuk do të thotë, që të ikim nga rruga jonë kombëtare.
Ne e dimë se “dashamirësia dhe mirësjellja janë shumë më të forta se imponimi dhe dhuna”. Por duket se këtë deri tani nuk e kanë kuptuar serbët dhe të gjithë ata që u shërbejnë atyre. Të mësuar me presione, dhunë, shpifje dhe akuza për shqiptarët, serbët e kanë të vështirë të mësojnë mënyrë tjetër sjelljeje. Këtë vërtetë që ne duhet ta dimë dhe e dimë, por si i bëhet kur mercenarët e serbëve, nga pushteti i Europës tentojnë të na ndyjnë.
Kombi shqiptar ka manifestuar gjatë historisë së jetës së tij gjithë cilësitë më të larta të njohura në jetën njerëzore. Është me rëndësi të njihen dhe evidencohen ato publikisht, pasi kanë të bëjnë me portretizimin e performancës sonë kombëtare. Këto cilësi për ne shqiptarët janë skalitur në ndërgjegjen kombëtare dhe kanë fituar vendin e tyre në prehrin e kombit, duke dhënë kontributin e duhur në klasifikimin e shqiptarëve si kombi i kulturës më të lashtë njerëzore. Kombi shqiptar ka prodhuar liderë të mëdhenj të cilët kanë sunduar në botë. Ata kanë qenë edhe mbretër të Ilirisë, perandorë të Romës e të Bizantit, udhëheqës të mëdhenj të Perandorisë Osmane, ideologë dhe politikanë që kanë bërë epokë, poetë dhe shkrimtarë të spikatur, mbrojtës qytetërimesh dhe udhëheqës shpirtërorë të botës mbarë.
Iniciativa dhe vrulli në jetën kombëtare shqiptare janë bashkudhëtarë të historisë. Ani pse mjaft është tentuar të zhbëhet historia jonë dhe qenia jonë siç po tentohet edhe sot në kohët moderne. Shqiptarët kanë forcë psikologjike dhe moral të lartë në ndërtimin e ardhmërisë së tyre. Çdo tentativë për t’i vënë ata në bankën e të akuzuarit nuk i ka cenuar vlerat e tyre. Gjykimi ynë është i shëndoshë dhe aftësia për gjykim ka treguar vazhdimisht se shqiptarët janë njerëz të aftë të menaxhojnë jetën dhe fuqinë e tyre me kompetencë.
Një veti e veçantë që trashëgojnë shqiptarët është edhe aftësia për të vlerësuar. Për të vlerësuar gjithçka. Vlerësohet miku e armiku, udhëtari e bashkudhëtari, fqinji e kalimtari; vlerësohet historia, politika, psikologjia, morali, forca, organizimi, gatishmëria, uniteti, intelekti, ekonomia, etj.; dhe prej këtej dilet në përfundime për qëndrimet që duhen mbajtur e nismat që duhen ndërmarrë në ballafaqim me armiqtë për të siguruar të ardhmen e kombit dhe të historisë së tyre.
Shqiptarët asnjëherë nuk kanë kërkuar të mbushin portretet e të tjerëve. Por gjithnjë kornizën e portretit të tyre e kanë mbushur vetë. Fuqia e tyre krijuese i ka bërë të jenë gjithnjë të pranishëm përballë përpjekjeve të armiqve për t’i zhdukur e asimiluar. Shqiptarët kanë një përvojë të sistemuar, pa të cilën nuk do të ishin aq të fuqishëm sa të mbijetonin përpara vorbullës së egër të jetës nëpër të cilën kanë kaluar prej shekujsh. Po të ishin ndryshe edhe ata do të ishin zhdukur sikur janë zhdukur bashkëkohësit e tyre, në emër të asaj që quhet modernizim. Por duhet të dihet se modernizimi është i lindur prej qëndresës e jo prej ndërrimit të formës, sa herë ndërrojnë erërat e kohërave.
Gjuha jonë, që rilindësit e kanë emërtuar gjuhë perëndie, nuk është një gjuhë e lindur diku nëpër rrugët e ndryshimeve, por është një gjuhë që ka lindur bashkë me kombin tonë. Ajo është gjuha që ka ardhur prej thellësisë së kohërave vetëm për t’i bindur përfundimisht popujt e kohëve moderne se shqiptarët janë ndër themeluesit e kulturës botërore. Janë ata që i dhanë qytetërim edhe Athinës e Romës në lashtësi. Të cilat kur vihet në tryezë lashtësia e shqiptarëve duket se janë krijesa shumë të reja. Këtë tashmë po e thonë të gjithë në mënyra të ndryshme, e që do ta thonë më të saktësuar në të ardhmen.
Shqiptarët janë kombi që ka në ndërtimin e aftësive të tij universalitetin në të nxënë, në të studiuar, në aftësinë për të përcaktuar prioritetet, në përballimin e ngarkesës nën stres, në vendosmërinë për të arritur atë që është e nevojshme për jetën dhe të ardhmen e tyre, në përballimin me qëndrueshmëri për t’u pasur zili të vështirësive të jetës. Dhe të gjitha këto me përkushtim, nëpërmjet impenjimit të gjithanshëm për të rritur unitetin përballë trysnisë së të gjithë atyre që historikisht vetëm kanë bërë përpjekje të kafshojnë kombin e atdheun tonë. Shqiptarët nuk janë mësuar të bëjnë teorizime, kur është puna për të ardhmen kombëtare, por gjithnjë me praktikën më të spikatur i kanë dalë zot vendit të tyre, pa marrë parasysh forcën e kundërshtarit dhe gjithnjë janë shpërblyer me fitore, megjithëse në shumë raste mjaft vonë, por që përballë forcave të mëdha të armiqve, fitoret gjithnjë kanë qenë nderi i shqiptarëve.
Kush erdhi si mik në këto troje të lashta të shqiptareve dhe nuk u prit si mbret? Kush erdhi në këto troje si mik dhe nuk u bë i pa prekshëm? Kush erdhi në këto treva si mik dhe nuk iu krijuan të gjitha mirësitë? Kush erdhi si mik në këto troje dhe nuk u mbrojt me gjithë forcën deri në vdekje? Kush pati nevojë për ndihmë dhe nuk ia dhanë shqiptarët? Kush erdhi në besën e shqiptarëve dhe nuk u ndie i sigurt? Kush u mund nga shqiptarët në trojet e tyre dhe nuk u mëshirua si i mundur? A nuk e dinë historinë ata që shkruajnë? Do të doja që me të njëjtën mirësi të na kthehet edhe prej të tjerëve mirësia që japim. Por realisht më vjen çudi që megjithëse edhe ushtarët që kanë ardhur si pushtues i kemi mëshiruar kur janë mundur, ata shumë shpejt kanë ardhur si pushtues e masakrues përsëri. Referojuni vitit 1915, kur ushtria serbe u mund nga austriakët në territoret shqiptare, që me gjithë masakrën e viteve 1912 e 1913 që kishin bërë serbët, shqiptarët i mëshiruan ushtarët e mundur serb, i mbajtën në shtëpitë e tyre, i fshehën prej forcave austriake, i ushqyen dhe i përcollën për në shtëpitë e tyre, por ata vetëm pas pesë vjetësh më 1920 u kthyen përsëri si masakrues të atyre që i mbrojtën. A nuk ndodhi kështu edhe në luftën e 1940-s me ushtrinë greke, kur mbeti maleve të Shqipërisë në luftë me italianët? Dhe megjithatë më 1945 u kthyen në masakruesit me mesjetar të shqiptarëve për kohën e arritën deri atje, sa për interesa shfarosëse e përvetësimit të trojeve të formulojnë edhe një ligj lufte me Shqipërinë, të cilin edhe sot e mbajnë si letër shansi, për presione. Po ushtria italiane me 1943 a nuk u ushqye prej shqiptarëve, u mbajt në shtëpi e u fsheh nga gjermani një lloj sikur të ishin djem të shqiptarëve, megjithëse ishin pushtuesit që për pesë vjet kishin masakruar popullin mbarë? Gjithnjë shqiptarët janë përpjekur të shpërndajnë mirësi dhe qytetari, e për çudi, sapo të ngrenë zërin, për të drejtën e tyre quhen të prapambetur, të pa zhvilluar, kriminelë, jo evropianë, thuajse Evropa ka ardhur nëpër lëndinat e parajsës jo nëpër lumenjtë e detet e gjakut që ka derdhur në gjithë historinë e derisotme të saj.
***
Imazhi ynë është i ndritur
Por shqiptarët vazhdojnë dhe do ta vazhdojnë rrugën e tyre në hisen e tyre të diellit, pavarësisht se do të ketë edhe nga ata që edhe veprat e lavdisë kombëtare do të tentojnë t’ua kriminalizojnë, siç është rasti i kësaj gjykate ndërkombëtare për “krimet” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që rrodhi nga raporti i zi i Dick Martyt, i cili, pasi hodhi një histori shpifjesh kundër shqiptarëve, filloi të bëjë deklarata të zjarrta dashurie për ta, e se vetëm nga dashuria e madhe për shqiptarët i paska bërë shpifjet, pasi nuk mund të jetojmë në pjesën tonë të Evropës, nëse nuk gjendet dikush që të na ngjisë një bisht. Dhe bishtin e ngjisin si të duan ata. Të tjerë e përkëdhelin dhe e vërtetojnë. Prandaj edhe kanë dëshirë të na duan aq shumë sa na venë në bankën e të akuzuarit edhe pse duam lirinë.
Sidoqoftë ne jemi ata që kemi ardhur nëpër rrugët e shekujve me luftë për të jetuar e në mjaft raste edhe për mbijetesë. Ata do të jemi edhe në shekujt e ardhshëm. Nuk do të zhdukemi as do të tjetërsohemi, as do të asimilohemi, as do të urtësohemi. Kultura dhe sjellja e mirë me të kulturuarit dhe ata që sillen mirë, as na ka munguar as do të na mungojë. Arma dhe baroti i thatë për ata që do të na godasin as na ka munguar as do të na mungojë në të ardhmen.
Imazhi ynë është i ndritur. Bota që bën shkencën e historisë na e ka përcaktuar këtë portret mjaft mirë dhe na jep vlerat që na takojnë. Ndërsa atyre që kanë një dritare për të shpifur falë teknologjisë, ne duhet t’u tregojmë vendin ngado që të vijë e prej kudo që të shfaqen.
Ne nuk jemi nga ata që trembemi prej hijes së mëngjesit. Ne jemi prej atyre që nuk na kanë trembur as hijet e mbretërive dhe të perandorive. Ne jemi ata që moralin tonë nuk e matim në sasinë e ushqimit që konsumojmë, por me sasinë e gjakut që jemi të gatshëm t’i falim atdheut e kombit tonë. Prandaj edhe po të shihet, nuk kemi shumë fjalë. Shqiptarët kanë shumë vepra e pak fjalë. Nëse do të kishim thënë me fjalë gjithçka që e kemi bërë me vepra për vete dhe për të tjerët, nuk do të kishte mbetur vend për të tjerët nëpër libraritë, bibliotekat e arshivat. Prandaj bëjmë mirë, që nuk kemi shumë fjalë, por në disa raste, duhet t’u thuhet fjala e rreptë atyre që abuzojnë me kulturën dhe urtësinë tonë. Me dëshirën tonë për miqësinë, me dëshirën tonë për të qenë sa më pranë e sa më mirë me të gjithë. Nganjëherë nuk paska vlerë të jesh i urtë e të kesh dëshirë të mirë. U dashka që pa e humbur vetëkontrollin, të kalohet në ndërmarrjen e veprimeve për të kërkuar në memorien dhe kujtesën e Evropës dhe të botës, që të venë në evidencë madhështitë e historisë shqiptare e jo të vazhdojnë, si edhe më parë të kërkojnë të sakrifikojnë shqiptarët për të përkëdhelur të tjerët.
Në histori shqiptarët kanë dhënë shembullin e një kombi që di të jetojë, di të punojë, di të komunikojë, di të sillet, di të reflektojë kulturë, di të presë e të përcjellë mikun dhe armikun, di të luftojë, di të gjykojë, di të falë, di të zhvillojë kulturën, të zhvillojë ekonominë, di të zbatojë detyrat, të mbrojë të tjerët, të shpërndajë qytetari, etj. Por nuk di të shpif, nuk di të vrasë tinëzisht, nuk di të përbuzë mikun, nuk di të mos ndihmojë nevojtarin, nuk di të masakrojë të tjerët, nuk di të grabisë kombet e tjera, nuk di të pushtojë trojet e të tjerëve, nuk di të bëhet zot në shtëpi të huaj, etj. E nëse duhet të shpallet fajtor dhe kriminel, pse nuk di t’i bëjë këto, le të dënohet. Por historia gjithnjë bën drejtësi, ajo do të bëjë drejtësi përfundimisht për kombin shqiptar.
Shqiptarët kanë një motiv. Ai është dashuria për atdheun e kombin e tyre. Askush mos të mendojë se ata do t’i falin këto dy pasuri të pazëvendësueshme. Ata janë të gatshëm për sakrifica. Kanë dhënë prova që dinë të bëjnë sakrifica për interesat e kombit dhe të atdheut të tyre. I njohin mirë përgjegjësitë e tyre, edhe kur politika legale u merret peng nga forcat e errëta ndërkombëtare, siç ka ndodhur në shumë raste e siç po tentohet edhe aktualisht duke shfrytëzuar terminologjinë banale të emërtimit dhe etiketimit “kriminelë lufte”. E ne duhet të pranojmë edhe të dënohemi pa asnjë të drejtë, por të mos bëjmë asnjë lëshim në politikën e interesave kombëtare.
Ne e njohim historinë, i njohim vlerat tona, njohim edhe kontributet që kemi dhënë në të gjitha kohërat për interesat e Evropës e më gjerë. Po kështu njohim edhe të vërtetat e vendimeve të fuqive evropiane, në dëm të shqiptarëve për të ndërtuar gjeopolitikën ballkanike sipas interesave të të fuqishmëve në dëm të trojeve e të kombit shqiptar. Asnjë shqiptar nuk e harron Kongresin e Berlinit te vitit 1878, i cili shpërfilli me kokëfortësi ekuilibrin demografik të shqiptarëve në Ballkan dhe “gjymtuan” rëndë territoret e tyre. Po kështu, me vendimet e Konferencës së Londrës në vitet 1912-1913, megjithëse e njohën shtetin e pavarur, të porsa shpallur shqiptar, aktorët kryesorë gjeopolitikë të kohës u shkëputën shqiptarëve më shumë se gjysmën e territoreve me gjithë popullsinë, duke ua aneksuar ato shteteve fqinje. Siç duket edhe në këtë rast Evropa nuk deshi t’i vlerësojë shqiptarët për atë që janë, por për atë që i interesonte asaj dhe të përkëdhelurve të saj. Prandaj edhe duke mos vlerësuar shqiptarët dhe fuqinë e tyre të mbijetesës e lidhjen e tyre me tokën që i ka lindur, fuqitë e mëdha bënë investimin më të keq për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit.
Dhe erdhi një moment, kur fuqitë evropiane e botërore kuptuan se pa zgjidhjen e kësaj çështjeje, paqja dhe siguria në rajon do të ishin në vazhdimësi të rrezikuara. Prandaj në zgjidhjen e çështjes shqiptare u angazhuan edhe aktorët kryesorë gjeopolitikë euroatlantikë. Por kjo ndodhi vetëm pas shpërthimit të Luftës Çlirimtare të Shqiptarëve të Kosovës për liri e pavarësi, që u bë nismëtarja e luftës për liri dhe udhërrëfyesja e NATO-s për mbijetesë.
Tashmë janë bindur të gjithë se nuk mund të ketë paqe në Ballkan duke mbajtur të copëtuara trojet etnike shqiptare, e duke mbajtur të ndarë shqiptarët në gjashtë pjesë.
Por ka e do të ketë edhe nga ata, që akoma ëndërrojnë se mund të kthehet historia prapa, ashtu siç ka edhe nga ata, që po e tregojnë historinë si duan e jo si është zhvilluar. Një prej këtyre është edhe zotëri Dick Marty, i cili duke u përpjekur t’u bëjë një argat serbëve dhe Serbisë, gaboi rëndë dhe krijoj një atmosferë të rëndë për kombin shqiptar.
Lufta Çlirimtare e Kosovës, si lëvizja që frymëzoi, identifikoi, gjeti dhe shfrytëzoi të gjitha mjetet dhe mënyrat për të mbrojtur e konsoliduar interesat gjeopolitike të shqiptareve në rajon, me aspiratën për të bashkuar trojet shqiptare në një shtet të vetëm e të pavarur, duke ndërtuar rrugë më të gjëra e të thella të zhvillimit e të përparimit ekonomik e shoqëror, politik e kulturor të Shqipërisë natyrore, është treguesi më vital kombëtar e nuk mundet askush të na e përbaltë e të na e rrëzojë përtokë. Këtë e di politika evropiane, e di gjykata e ngritur si modeli i vetëm në botë, për të gjykuar luftëtarët e lirisë, pse ata luftuan kundër pushtuesit të atdheut të tyre e masakruesit të popullit të tyre. Më e shumta që mund të na bëjnë kjo gjykatë me raportin e Dick Martyt dhe me serbët është që të na dënojnë ndonjë djalë luftëtarë. Por ata nuk e dinë se në Shqipëri djemtë i lindin kryesisht për t’i sakrifikuar, pasi nëpër rrugën e luftës së pandërprerë kundër agresorëve nga kemi ardhur, detyrimisht që nuk mund të lindnim e rritnim djem për kënaqësi, por vetëm për sakrificë. Kemi prapë djem për sakrificë. Por historinë askush nuk duhet të marrë përgjegjësinë të na e përbaltë, sepse atë shqiptarët e kanë të shenjtë. E shenjtëria mbrohet.
Ne e dimë, se lufta për çlirimin kombëtar dhe bashkimin kombëtar shqiptar, nuk mund të zhvillohet jashtë ndikimit të Fuqive të Mëdha dhe interesave të tyre gjeopolitike në rajonin e Ballkanit. Por kuptojmë edhe që ato tashmë janë ndërgjegjësuar për të drejtën tonë, ani pse ka akoma ndonjë kambanë të shpuar e cila tingëllon për interesat e Serbisë. Tashmë ne jemi të bindur se roli i Fuqive të Mëdha nuk mund të jetë me tej negativ dhe pengues, nuk mund të jetë më mospërfillës.
Koha që Çështja kombëtare shqiptare, të mbijetojë mes darës së programit grek të “Megali Idheas” dhe atij serb të “Naçertanies”, ka kaluar me kohë. Programe të tilla me karakter të theksuar shovinist janë të kohëve të kaluara dhe nuk mund të jenë bashkudhëtarë në kohën tonë. Por për fat të keq akoma po duken individë të cilët kanë dëshirë t’i ngjallin këto programe. Ndarja e tokave shqiptare midis Greqisë dhe Serbisë, ka perënduar. Kjo ishte politikë zyrtare e fqinjëve tanë në shekullin 19-të, por sot nuk na tremb ky kërcënim megjithëse mbetet permanent për gjeopolitikën e sigurinë e shqiptarëve në rajonin e Ballkanit. Zbatimi në kohët moderne, i këtyre platformave të vjetra nacionaliste, është aventurë, prandaj edhe shqiptarët e kanë për detyrë të thonë kujdes prej vjetërsirave.
Duhet që të gjithë të mbajnë mend e të evidencojnë se trojet e Kosovës e të tjerat që akoma mbahen të pushtuara, janë vatra e Kryengritjes Shqiptare të vitit 1912, e cila ishte vullkani që plasariti themelet e Perandorisë Osmane dhe detyroi Fuqitë e Mëdha të njohin shtetin shqiptar, pasi ai u bë fakt i kryer nga Kuvendi i Vlorës. Po këto treva, diktuan ardhjen e gjithë botës moderne si bashkëluftëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse ishte në dritë të diellit drejtësia e luftës së kësaj ushtrie. U bënë bashkëluftëtarë të këtyre luftëtarëve shqiptarë të lavdishëm, që sot po tentohet të na etiketohen e të ngarkohen me vepra kriminale monstruoze, se nuk kanë shtrirë qafën nën satërin e kasapit serbë e duhet të shkojnë në gjykatën për krime lufte, ani pse nuk kanë bërë krime, por kanë shpëtuar kombin e tyre përballë kriminelëve.
Të gjithë e dinë, se në luftë bëhen edhe krime. Por të etiketosh një ushtri çlirimtare, me emërtesat më të shëmtuara si klane kriminale, ky është veprim i turpshëm. Është i pa themeltë shkencërisht dhe i pa logjikshëm politikisht e i pa qëndrueshëm juridikisht.
Dihet që serbët ndihen të shqetësuar, sepse po shohin se programi i tyre që parashikonte të përfshinte në hapësirat e Serbisë, të gjitha trojet etnike shqiptare, gradualisht po shkon në rrugën e shkatërrimit të plotë. Serbia dhe politika e saj janë të revoltuara, por nuk është përgjegjësi shqiptare nëse Serbia harxhon energji kundërshqiptare, në vend se të harxhonte energji për paqe, zhvillim e mirëkuptim. Megjithatë unë për Serbinë nuk habitem. Ama të tillët nga Evropa, si zotëri Marty, që vijnë nga vendet me traditë kulturore e shtetet moderne të kohës, duhet t’i sqarojmë. Ashtu edhe këtë gjykatën mostër e vetme në botë, që nuk ka asnjë të ngjashme në historinë botërore.
Ne e kemi për detyrë, gjithashtu, të kujtojmë për të gjithë se jemi në procesin e bërjes. Askush nuk duhet të mendojë se me presione mund t’i ulë e qetësojë shqiptarët. Shqiptarët i ulë vetëm e drejta edhe kur është kundër tyre. Por nuk i ulë kurrë e padrejta edhe kur atë e bartin fuqitë e mëdha botërore. Prandaj, bota duhet të ketë në vëmendje se shqiptaret do të luftojnë prapë me të gjitha mjetet që do t’u diktojë koha për ta siguruar ardhmërinë e tyre kombëtare deri në gishtin e fundit të dheut të tyre. Le ta dinë të gjithë. Le ta analizojnë me kujdes. E ardhmja do t’i vërtetojë këto që them.
Dua t’ia kujtoj kujtdo që dëshiron të luajë rol aventurieri, se ideja për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve parashikohet edhe në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në të cilën thuhet: “… Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen… me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar…”.
VIJON …

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura