KUDUSI LAMA UÇK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (XVII)

Pashtriku, 22 shtator 2020: Në zonën e Cahanit nuk ka pasur lëvizje nga jashtë brenda Shqipërisë
Pika 114 thotë: “Elementët e provës të mbledhur me rastin e këtyre procedurave duket që tregojnë se këta veprimtarë të UÇK-së si dhe komandanti i tyre rajonal i Veriut të Shqipërisë, Xheladin Gashi, sot i vdekur, ishin të afërt të “Grupit të Drenicës” drejtuar nga Hashim Thaçi dhe vepronin konkretisht së bashku me KadriVeselin”. Deklarim ky që më bind plotësisht për pavërtetësinë dhe mashtrimin e qëllimtë që ju bëni në këtë raport. Xheladin Gashi (Plaku) ka qenë një personalitet dhe asnjë shpifje nuk zë vend në portretin e tij sado e fuqishme të jetë. Ai nuk ka qenë një njeri që ju mund të thoni çfarë të doni për të, por një intelektual që ju s’keni për të arritur kurrë në nivelin e tij; një atdhetar i përkushtuar, një njeri me ndershmërinë më të lartë të mundshme, një njeri i drejtë dhe shumë i dashur me njerëzit, një komandant me karakteristikat më të spikatura të një komandanti ushtarak në situatë luftarake; një trim që nuk i trembej syri nga asnjë vështirësi, pengesë e as nga armët dhe ushtarët e armikut; një njeri i komunikueshëm dhe shumë i saktë në ato që thoshte dhe në ato që bënte; njëri nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kishte marrë mbi vete barrë të rëndë në kushtet e asaj ushtrie, siç ishte mbështetja logjistike, por edhe organizimi i stërvitjes së ushtarëve e përcjellja e tyre për në front; kurrë nuk i ka interesuar të merret me vogëlsira, siç mund të jetë arrestimi apo marrja në pyetje e një të burgosuri edhe po të kishte të tillë, sepse ai ishte njeri i madh e merrej vetëm me gjëra të mëdha. E me Kadri Veselin gjatë vitit 1999 deri në qershor nuk besoj se janë takuar, pasi jo vetëm detyrat i kanë pasur të ndara e të veçanta, por edhe vendqëndrimet i kanë pasur larg njëri tjetrit. Nuk ishin në plazh ata, siç i imagjinoni ju e disa si ju ata djem e burra, por ishin në luftë dhe kishin një vendim në shpirtin dhe moralin e tyre: Të shporrnin armikun pushtues prej tokave të popullit të tyre, të çlironin përfundimisht atdheun. Për veprën që kanë bërë meritojnë gjithë respektin dhe lavdinë kombëtare, pavarësisht ju dhe atyre si ju që përpiqeni t’i njollosni dhe të ngarkoni mbi ta gjithçka që e keni në shpirtin tuaj. Sepse psikologjikisht gjithë këto që keni shkruar ju në këtë raport, mund t’i shkruaj vetëm një njeri që psikikisht është i gatshëm t’i bëjë vetë. Askush nuk mund të shkruaj atë që nuk është i gatshëm ta bëjë vetë, e nisur nga kjo, ju më dukeni shumë i rrezikshëm zotëri Marty, të shpresoj që Evropa moderne të mos ketë shumë si ju.
Në pikën 115 ju detyroheni të pranoni se: “Nuk gjetëm asnjë shenjë të transportimit të robërve nga Cahani drejt qendrash të tjera burgimi që ndodheshin në Shqipëri,…” Por nga mllefi i madh që keni për dështimin edhe këtu nuk doni të kaloni në pikën tjetër pa paragjykuar, duke u shprehur: “…edhe pse kjo mundësi nuk mund të përjashtohet”. Jeni vërtetë i paskrupullt zotëri. Edhe kur nuk gjeni asgjë për ato që keni dëshirë dhe ambicie të gjeni, kërkoni të krijoni idenë tek të tjerët se ajo që keni zbuluar ju nuk është e saktë, pasi e vërteta është diçka tjetër, që ju keni dëshirë të jetë, ky është vërtetë një tregues i vogëlsisë së shpirtit tuaj, si përfaqësues i një institucioni të madh, siç është Këshilli i Evropës, në emër të të cilit veproni ju.
Njëkohësisht duhet të dini zotëri se në zonën e Cahanit nuk ka pasur lëvizje nga jashtë brenda Shqipërisë, sepse terreni në kufi ka qenë plotësisht i minuar nga forcat ushtarake serbe. Ndërsa për të kaluar nga jashtë brenda Kosovës, duhet të merreshin paraprakisht masat për të hapur shtigjet e nevojshme me specialistë të xhenios, pasi nuk duhet që luftëtarët që shkonin drejt frontit të binin në mina. Prandaj gjithçka që shkruani ju në pikën 117 më duket një përrallë e imagjinuar nga mendja juaj ose e atyre që ua kanë shkruar raportin. Ndërsa për dëshmitarët tuaj, që pretendoni që i keni, duhet të bëni ballafaqimin me personat që i akuzojnë, pasi akuza në distancë unë mund të bëj për gjithkënd, nëse dikush më krijon favore, siç ua keni krijuar ju dhe Serbia atyre që iu dalin dëshmitarë të fshehtë. Si dëshmitar i fshehtë edhe unë mund të dal dëshmitar për ju e të them se ju keni qenë në vitin 1999 në Kukës dhe keni bërë shumë krime nga më monstruozet.
Pika 122, është një akuzë që ju e bëni ndaj shtetit shqiptar, duke e quajtur të pasaktë pohimin e tij se në territorin Republikës së Shqipërisë nuk është varrosur asnjë njeri i vrarë gjatë konfliktit në Kosovë. Mendoj se shteti shqiptar, duhet të jetë shprehur pak ndryshe, pasi në Shqipëri vërtetë janë varrosur luftëtarë të vrarë gjatë luftës në frontin e Koshares, të cilët janë varrosur në varrezat e Bajram Currit dhe një i vrarë në frontin e Pashtrikut i cili është varrosur në varrezat e Kukësit. Por varrime të fshehta në Kukës nuk ka guxuar të bëjë njeri, pasi vetë populli do ta kishte marrë me dru gjithkënd që mund të tentonte të bënte një gjë të tillë. Mos harroni zotëri, Kukësi është i populluar me njerëz të kulturuar e nuk është shkretëtirë, siç keni dëshirë ta konsideroni ju.
Por ju nuk jeni i interesuar të gjeni të vdekur. Interesi juaj është që gjithçka shqiptare ta njollosësh. Nuk keni faj, këtë detyrë keni marrë nga padroni që iu paguan për këtë që bëni. Ju po nuk i gjetët të vrarët në tokë, do të thoni, siç thoni, janë në lumë, po nuk i gjetët në lumë, do të thoni janë në liqene, po nuk i gjetët në liqene, do të thoni se i kanë ngrënë njerëzit e gjallë, e nuk di çfarë mund të pjellë mendja juaj. Me rëndësi është që për të njollosur Kosovën, më parë duhet njollosur Shqipëria, kështu iu ka thënë padroni. Kryeni detyrën zotëri Marty.
Në këtë rrjedhë duke vazhduar arsyetimin tuaj, në pikën 124, ju deklaroni: “… ka dalë qartë tashmë se në disa raste të përcaktuara e të njohura, trupa Kosovarësh të vrarë janë varrosur në Shqipëri. Këto çështje kanë çuar – në raste të vërtetuara nga gazetarë shqiptarë e ndërkombëtarë, për të cilat jemi në dijeni – në bisedime të gjata por të matura midis familjeve të këtyre Kosovarëve dhe autoriteteve të ngarkuara për administrimin e kësaj varreze (këtyre varrezave) në Shqipëri. Është për t’u vënë në dukje në fund të fundit se në një rast që na është shpjeguar me hollësi nga një prej burimeve tona të drejtpërdrejta, trupat janë zhvarrosur dhe riatdhesuar në Kosovë për t’u varrosur sipas të gjitha rregullave nga familjet. Autoritetet shqiptare na kanë thënë se ato nuk kishin dijeni për çështje të kësaj natyre”. Duke iu referuar kësaj që ju trajtoni po i bëj pyetjen vetes: Si paska mundësi të ta vrasin kriminalisht familjarin dhe pastaj ta marrësh me ceremoni e ta varrosësh në varrezat e familjes? Këtë vërtetë zotëri Marty nuk e kuptoj, ndoshta ma sqaroni ju, pasi keni mashtruar me një tufë llafesh pa kuptim Këshillin e Europës. Është mirë t’i sqaroni këto arsyetime të pa arsyeshme. Nuk mund të lejoheni të shkoni me fjalë dhe vetëm me fjalë.
Burimet tuaja, që pretendoni se iu kanë thënë këto informacione duhet të dalin dhe të sqarojnë publikun shqiptar e ndërkombëtar se si ka ndodhur në të vërtetë. Nëse ju të gjithë ata që kanë vdekur gjatë kohës që qytetarët e Kosovës qëndronin si të shpërngulur në Shqipëri, i konsideroni të mbytur e të vrarë nga UÇK-ja, duhet të thoni, pretendimin tuaj dhe të arsyetoni, pasi realisht keni lëshuar mjegull, duke bërë me hije gjithë atë kohë krenarie për shqiptarët.
Në pikën 125, ju thoni: “…disa pohime përmendin ekzistencën e varreve masive në territorin shqiptar. Shërbimet e hetuesisë serbe të ngarkuara për krime lufte na kanë deklaruar se zotëronin fotografi të marra me satelit të zonave në të cilat ndodheshin këto varre; por vetë varret ende nuk janë gjetur gjer më sot, me gjithë kërkesën zyrtare për të bërë kërkime paraqitur nga autoritetet serbe pranë autoriteteve shqiptare”. Mirë që tregoni se informacionet i keni marrë në Serbi. Por nuk kuptoj me çfarë janë mbushur këto varreza masive. Sepse serb në Shqipëri të paktën publikisht nuk ka pasur, mund të ketë pasur vetëm ndonjë agjent të UDB-së, që nuk është evidentuar e që patjetër duhet të ketë raportuar për gjendjen në Shqipëri në atë periudhë, por ju siguroj se nëse ka folur për varreza masive, siç pretendoni ju, ka mashtruar, siç po mashtroni edhe ju gjithë botën me raportin tuaj, duke shfrytëzuar kartën e identitetit si parlamentar i Këshillit të Europës.
Njëkohësisht po më çudit fakti që Serbia paska satelitë për të zbuluar edhe varrezat masive, si ka mundësi që nuk po i tregon varrezat masive të rreth 2 mijë shqiptarëve edhe sot të zhdukur që i ka në territorin e saj? Ajo paska mundësi t’i dijë se ku janë, pasi kur ka pasur mundësi të fotografojë me satelitë Shqipërinë, dihet që në radhë të parë ka fotografuar Serbinë. Pse nuk ua kërkuat këtë informacion zotëri Marty që të na bënit nder? Dhe njëkohësisht pse nuk ua dhanë ato fotografi që t’i shfrytëzonit edhe ju se do t’u dilte më i saktë raporti? Sa shakaxhi jeni në arsyetimet tuaja zotëri Marty.
Në pikat 129 e 130, ju filloni të nxirrni ide e të etiketoni krime të mundshme pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës. Mund të deklaroni çfarë të doni. Por kur në pikën 130 thoni: “Në muajt që pasuan menjëherë shpalljen e mbarimit të konfliktit në Kosovë në qershor 1999, anëtarë dhe simpatizantë të UÇK-së do kenë mbajtur në burgim të fshehtë në territorin shqiptar një numër të madh personash të rrëmbyer”. Më krijohet një shije e hidhur, për arsye se gjithë paragrafi i cituar është thjeshtë paragjykim keqdashës. Për këtë unë mund t’iu them ju dhe gjithë opinionit me përgjegjësi, se në zonën time të përgjegjësisë, pas datës 23 qershor, (kur Kosova konsiderohej e lirë, se më 22 qershor ushtari i fundit serb kishte dalë prej Kosove), nuk ka pasur asnjë veprimtari qoftë edhe individuale të luftëtarëve të UÇK-së dhe nuk ka pasur asnjë objekt të mbajtur nën kontroll nga këta luftëtarë. Kështu, që ju për adresime të pas kësaj date mund dhe duhet të gjesh adresa të reja zotëri Marty, se në zonën time të përgjegjësisë nuk mund të etiketosh.
Por ju nuk vazhdoni kronologjinë në kohë. I përzieni kohët me qëllim. Në pikën 132 ju ndër të tjera shpreheni: “… kryenin shpesh kalimet nga njëri vend në tjetrin përmes rrugëve shqiptare dhe përmes kufirit të depërtueshëm e kaotik (sidomos në çastin e zhvendosjeve masive të refugjatëve në mesin e viti 1999) midis Kosovës e Shqipërisë”. Është e vërtetë zotëri Marty që kufiri nga marsi deri në qershor 1999 ka qenë i lirë nga ana e Shqipërisë, për të hyrë të shpërngulurit. Me gjithë dëshirën tuaj dhe të Serbisë që ne t’i linim këta qytetarë të shpërngulur nën armët e serbëve që t’i vrisnin pa dhembje, siç edhe kanë vrarë jo pak por mbi 14 mijë, ne ishim të detyruar ta lironim kufirin, pasi ata jo vetëm ishin vëllezërit tanë, por në radhë të parë ishin njerëz që kishin nevojë për ndihmë. Por që kufiri ka qenë kaotik, kjo nuk është e vërtetë. Këtë e dinë shumë mirë serbët, por nuk ua kanë thënë.
Ndërsa kur thoni se: “… luftëtarë e simpatizantë të UÇK-së kanë kryer transportime të shumta drejt e ndërmjet qendrave të përmendura në këtë raport dhe kanë transportuar po ashtu robër nga shumica e këtyre vendndodhjeve”. (në pikën 133). Mua më habit, sepse luftëtarët nuk kishin automjete për të transportuar edhe fëmijë në nevojë, ku i paskan gjetur mjetet për robërit dhe nga çfarë rrugësh paskan kaluar? Zotëri ju nuk mund ta merrni me mend se si zhvilloheshin ngjarjet në atë kohë. Ju as nuk keni interes ta njihni të vërtetën e asaj periudhe. Por duhet të dini se objekti i punës së çdo luftëtari në atë kohë ishte si të ishte sa më parë në frontin e luftës dhe si ta furnizonte sa më mirë atë front me mjetet, armët dhe municionet e nevojshme. Për të tjerat mund të kujtoheshin vetëm ata që mendonin si ju, që të gjithë shqiptarët janë kriminelë, se ashtu iu interesonte të propagandonin, siç edhe propagandonin, serbët dhe bashkëpunëtorët e tyre, që janë njëkohësisht edhe bashkëpunëtorët tuaj në këtë ndërmarrje të pistë.
***

Uniforma e UÇK-së e ka përfunduar misionin e vet me çlirimin e Kosovës
Për pikat e raportit në fjalë, prej 134 e deri në pikën 166, nuk marrë përgjegjësi për të bërë komente, pasi i përket një terreni që është jashtë zonës time të përgjegjësisë dhe i përket kohës pas përfundimit të luftës çlirimtare të Kosovës. Por në këtë pjesë të raportit më tërheq vëmendjen fakti që ju zotëri Marty për çdo veprim që kryhet futni inicialet UÇK-së dhe flisni për luftëtarë dhe simpatizantë të UÇK-së, duke ia veshur aktet e kriminalitetit uniformës së UÇK-së.
Unë kam arsyetuar dhe do të arsyetoj, për këto çështje, duke dhënë mendimin tim edhe për këtë periudhë, por realisht ju nuk keni pse i vishni kriminelët me uniformën e UÇK-së edhe nëse këto krime do të jenë të vërteta dhe kriminelët do të kenë vepruar. Uniforma e UÇK-së e ka përfunduar misionin e vet me çlirimin e Kosovës. Nëse dikush mund të ketë qenë kriminel para kësaj lufte apo të jetë bërë kriminel pas saj, nuk keni asnjë të drejtë që të kriminalizoni gjithë atë uniformë të lavdisë shqiptare. Prandaj, ju duhet ta ndani luftën nga paslufta. Ishte fati i luftëtarëve që nuk u vranë të gjithë në frontet e luftës. Nuk keni asnjë të drejtë t’i përgojoni ata. Përgjegjësi e krimit pas lufte nëse ka ekzistuar apo ekziston nuk ka uniformën e ushtrisë së lirisë, por të ushtrisë së robërisë, e ajo zotëri nuk është uniforma e UÇK-së. Megjithatë unë ju mirëkuptoj, sepse në shpirtin dhe zemrën tuaj ka aq urrejtje ndaj shqiptarëve sa, po të kishit mundësi, çdo shqiptar do ta etiketonit kriminel dhe do ta kërkonit dënimin kapital për të. Por, ja që nuk keni mundësi e prandaj edhe villni vrer pa ndërprerë, duke goditur pikërisht në pikën më delikate shqiptare, në simbolin e krenarisë kombëtare, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Më poshtë, siç duket, ju e ndieni dështimin zotëri Marty dhe dështimi duket në pikën 171, ku ju thoni: “… me sa duket, autorët e këtyre akteve do të parapëlqenin të dilnin para drejtësisë për rolin që mendohet se kanë luajtur përkatësisht në administrimin e kampeve të burgimit dhe në trafikimin e organeve njerëzore, sesa të kompromentonin ish komandantët e lartë të UÇK-së nën urdhrat e të cilëve ata do kenë vepruar dhe që sot janë bërë drejtues politikë e ekonomikë”. Keni deklaruar një rrugëdalje prej dështimit. Në qoftë se nuk del gjë – thoni ju në nënkuptim – nuk e kam fajin unë që kam shpifur, por e kanë shqiptarët që më mirë pranojnë të bëjnë burgje vetë se sa të shpifin e të ngarkojnë të tjerët siç po bëj unë për interesat e serbëve. Kështu zotëri Marty? Prapë shqiptarët ua kanë fajin? Sa keqe për ju zotëri, që në fund tregoni vetë pasaktësinë e asaj që keni shkruar më lartë.
Po zotëri, shqiptarët nuk janë shpifës të ndyrë, por njerëz vital, që nuk mashtrohen nga shpërblimet tuaja. Ata ndoshta edhe mund të bëjnë burgje, por të jeni i sigurt, për periudhën e Luftës Çlirimtare të Kosovës, nëse luftëtarët do të bëjnë burgje, i vetmi fajtor jeni ju, që keni shpifur për ta dhe që tani kërkoni që ata të shpifin për udhëheqësit e tyre në qoftë se duan të shpëtojnë lëkurën e tyre.
Zotëri, shqiptarët nuk e matin personalitetin me kilogramët e mishit që kanë në trupin e tyre, por me forcën e karakterit dhe qëndrueshmërisë para të keqes.
Shqiptarët i nderojnë edhe udhëheqësit e tyre, por i duan dhe i nderojnë për ndershmërinë dhe forcën e tyre e jo për krimet, siç imagjinoni e deklaroni ju.
Dhe ndershmërinë dhe besnikërinë ne nuk e kemi ndaj klaneve, sepse të tillët nuk ekzistojnë tek ne, por ndaj vetvetes. Shqiptarët e nderojnë shumë veten e tyre, ndaj nuk mund ta përbaltin pse do një Dick Marty, me çfarëdo funksioni qoftë ai. Klanet kanë lindur atje tek ju dhe ne kemi mësuar për ekzistencën dhe funksionalitetin e tyre duke njohur historinë tuaj atje në Evropë. Te shqiptarët zotëri nuk ka “kumbarë të llumit” por udhëheqës të luftës për çlirimin e vendit nga pushtuesi. Ne nuk lejojmë të na vihen të tjerët mbi kokë, qofshin ata edhe shqiptarë në shërbimin tuaj. Ju ose nuk e njihni karakterin e shqiptarëve, ose doni të bëni ashtu si bëni për t’i nëpërkëmbur ata, por nuk ka asgjë të vërtetë në ato që thoni ju në karakterin e shqiptarëve, prandaj është më e arsyeshme ta fshish atë pikën 172 të raportit.
Ndërsa në pikën 174, duke vënë në evidencë mospranimin e shqiptarëve për t’u bërë pjesë me ju e raportin tuaj, nxirrni një sekret, kur shpreheni: “E gjithë kjo ka për qëllim që t’u bëjë të mundur disa udhëheqësve politikë të shmangin në mënyrë të besueshme pohimet sipas të cilave UÇK-ja do ketë marrë pjesë në akte burgimi, torture dhe vrasje në Shqipëri, dhe t’i paraqesë si një “spektakël” i thjeshtë, orkestruar nga propaganda politike serbe, thënie serioze që meritojnë, siç e pamë, hetime shumë më të thella se ato që janë bërë gjer më sot”. Pra ju e dini se këto do të kuptohet se nuk janë tjetër vetëm “një spektakël” i thjesht, orkestruar nga propaganda politike serbe”. Për këtë më vjen mirë. Ju në fund tregoni se cili do të jetë fati i raportit tuaj. Pra ju e dini të vërtetën zotëri Marty. Sa turp për ju që shpifni dhe kërkoni t’i mbushni mendjen vetes duke u shprehur: “… Ne nuk u bëmë përhapës fjalësh të thjeshta lart e poshtë, por përshkruam fakte që mbështeten në dëshmi të shumta, në dokumente dhe fakte objektive”. Po zotëri Marty, bindeni veten se nuk jeni bërë një përhapës fjalësh, por në fakt ti e ke bindur të paktën gjithë kombin shqiptar që nuk je tjetër veçse një përhapës fjalësh.
Në gjithë rrjedhën e raportit të kësaj fjalologjie, ju thirreni në emër të nxjerrjes në dritë të të vërtetës, por e vërteta duket se për ju është ajo që ju keni dëshirë të vërtetohet. Me keqardhje mund t’iu them se atë të vërtetë që kërkoni, duke pretenduar se shqiptarët mund t’i largojë nga kriminaliteti vetëm arma dhe shkopi i policit serb, që e keni shprehur në mënyra të ndryshme gjatë raportit, nuk do të mund ta përjetoni kurrë. Shqiptarët nuk do të jenë më kurrë nën pushtimin e Serbisë. Të jeni i sigurt, mund të flisni si të doni e sa të doni, por nga pushtimi serb do të çlirohen edhe ato treva që akoma kanë mbetur të pushtuara.
– FUND –
______________
KUDUSI LAMA UÒªK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (XVI)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10539

========================
Këtu mund ta lexoni shkrimin nga pjesa e parë:
KUDUSI LAMA: UÒªK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (I)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10349

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura