KUJDES ME SHPREJEN VETËVENDOSJE!
Nga Gjokë Dabaj
Fjala Vetëvendosje, në kuptimin që po përdoret sot ndër ne, e ka zanafillën në Mledhjen e Bujanit në vitin 1944-1945. Ajo fjalë ka lidhje vetëm me ato pjesë të kombit shqiptar që, në ata vite, rrezikoheshin për të mbetur përsëri nën sundimin jugosllav.
Kjo fjalë është amplifikuar, është përdorur me të madhe, në demonsratat e vitit 1968 dhe ka qenë krejt e justifikueshme, sepse shqiptarëvet të mbetur nën Jugosllavi u ishte mohuar kjo e drejtë qysh në Mbledhjen e Prizrenit më 1945. Në të vërtetë, në Mbledhjen e Prizrenit fjala vetëven dosje është keqpërdorur me demagogji, duke i detyruar përfaqësuesit e shqiptarëvet të deklarojnë: Ne po vetëvendosim që të qëndrojmë me Jugosllavinë. (Për ta kundërshtuar atë nënshtrim ndaj pushtimit jugosllav, ka dhënë jetën një nga vajzat më të mira shkodrane, e cila, mjerisht, ende nuk është shpallur Heroinë e Kombit Shqiptar!)
Nga viti 1946 deri në vitin 1968, në pjesët e Shqipërisë që kishin mbetur nën Jugosllavi, nuk ka pushuar asnjëherë përpjekja për të fituar lirinë e mohuar. Me mijëra shqiptarë vuajtën nëpër burgjet e Jugosllavisë titiaste pikërisht për t’i siguruar edhe asaj pjese të Shqipërisë të drejtën për vetëvendosje, midis tjerash, edhe për t’iu bashkuar Republikës së Shqipërisë.
Një kapitull shumë i rëndësishëm i asaj lufte është përpjekja e mijëra shqiptarëve me në krye Adem Demaçin. Dhe prandaj Adem Demaçi është simboli i luftës së shqiptarëvet të mbetur nën Jugosllavi, simboli i Vetëvendosjes!
Viti 1968, kohë kur gjenerata e Adem Demaçit gjendej ende nëpër burgje (nga Idrizova, Nishi, Beogradi e Mitrovica e Sremit deri në Goli Otok), në Krahinën Autonome të Kosovës, por edhe në Tetovë e Ulqin, shpërthyen demonstratat shqiptare, për lirinë kombëtare dhe të drejta sociale, shprehur pikërisht dhe kryekëput me parullën Vetëvendosje.
Mbas vitit 1999 e sidomos mbasi u pa që lufta e UÇK-së po minimizohej dhe po nëpërkëmbej, Lëvizja “Vetëvendosje” u riaktivizua dhe mori përmasa gjithpopullore, aq sa, në zgjedhjet e fundit, arriti të marrë 50 për qind të votavet. Kjo ish dhe është një fitore e madhe dhe, krejt e merituar dhe e duhur për kohën e sotme në Republikën e Kosovës!
Këtë herë (mbas atyre të vitevet 1944 dhe 1968), prijësi i kësaj Lëvizjeje u bë Albin Kurti, bashkëpunëtor i Adem Demaçit i vitevet të luftës.
Fitoren e kësaj Lëvizjeje e pritën me gëzim të madh të gjithë atdhetarët e mirëfilltë dhe të kthjellët. (Sepse ka edhe atdhetarë që nuk janë të kthjellët.)… Tani pritet që programi i kësaj Lëvizjeje, thellësisht atdhetare, të vihet në jetë, duke realizuar njërin pas tjetrit të gjithë objektivat, filluar nga lufta kundër korrupsionit dhe deri te përfaqësimi dinjitoz në marrëdhëniet me Republikën e Sërbisë.
Ndërkaq, sa u përket marrëdhënievet me Republikën e Shqipërisë, Lëvizja Vetëvendosje, pa hequr dorë nga kryeideali i vet për krijimin e një shteti të përbashkët shqiptar, duhet të tregojë kujdes e pjekuri të veçantë.
Në lidhje me këtë problem ka shumë për të folur e shkruar. Në të vërtetë, duhet të hartohet një program i hollësishëm, por unë po ndalem tash vetëm te përpjekja e Vetëvendosjes për t’u afirmuar si parti në Republikën e Shqipërisë.
Në aspektin filozofiko-social, termi Vetëvendosje në Republikën e Shqipërisë nuk ka kurrfarë kuptimi, sepse liria kombëtare në këtë pjesë të kombit tonë është realizuar dhe njohur ndërkombëtarisht qysh në vitin 1913. Është shkelur kjo liri në vitin 1939 dhe është rifituar sërish në vitin 1944. Është rikonfirmuar, pra, Vetëvendosja në fund të luftës së dytë botërore dhe sot Republika e Shqipërisë konsiderohet shtet i pavarur.
Në këtë mënyrë, shprehja Vetëvendosje në popullin e Republikës së Shqipërisë nuk ka kurrfarë kuptimi, prandaj dhe nuk mund të marrë asnjëherë përmasa gjithpopullore. Madje, kjo shprehje as që mund të merret si alternativë politike në Republikën e Shqipërisë, le më të ketë shpresë për t’u shndërruar ndonjëherë në fuqi elektorale. Edhe në vetë Republikën e Kosovës do të vijë një kohë që ky emër do të duhet ndryshuar. Sepse dihet që kuptimi i çdo lëvizjeje apo partie ka gjithmonë karakter historik. I përket një periudhe të caktuar historike.
Në qoftë se partitë politike në Republikën e Shqipërisë nuk janë atje ku duhet dhe ashtu si duhet, është e nevojshme të kërkohen rrugë të tjera, me tjetër emër, dhe pikënisja duhet të jetë prej këndej, jo prej Kosove. Përvojë shumë të hidhur kemi në rastin e Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit. Ish koha kur ata dy burra shteti s’kishin ku shkonin, përveçse në shtetin shqiptar. Megjithatë, më mirë t’i kish vrarë Sërbia se sa Ahmet Zogu, që ish një puthador i Sërbisë!
Është e vërtetë që edhe këtu populli duhet të vetëvendosë për fatin e vet, por kjo kurrsesi nuk mund të realizohet duke e “importuar” praktikën e Lëvizjes Vetëvendosje. Si shembull mund të merret (prej shtetasvet të këtij shteti: “A sheh sa mirë e bënë kosovarët!”), por jo të “transplantohet” në mënyrë kaq amatoreske.
Vetëvendosjes së Republikës së Kosovës nuk i lejohet kurrsesi të ndërhyjë në punët e brendshme të Republikës së Shqipërisë. Anëtarët e Vetëvendosjes mund të kenë edhe shtetësinë e kësaj Republike. Si të tilllë, ata mund të vijnë këtu edhe për të votuar, por nuk do të ish aspak e rregullt të votonin për partitë që i kanë krijuar vetë. Sepse ky është një subversion i pastër!
Në vend të një të këtillë subversioni, mirëfilli provokues, Vetëvendosja e Republikës së Kosovës duhet të kërkojë bashkëpunim konstruktiv me cilëndo qeveri që vjen në Tiranë. Jo me opozitën! Qoftë edhe me një opozitë që ne na vjen për shtati! Me qeverinë! Sepse ajo e ka për detyrë të krijojë marrëdhënie institucionale me pjesët e tjerta të atdheut të vet!
Në këtë kontekst dhe mbështetur mbi këtë logjikë arsyetimi, Albin Kurti (që unë e konsideroj mik personal dhe kështu do ta kem edhe në të ardhshmen), ndër të parët duhej ta kish uruar Ed Ramën për fitoren në zgjedhjen e fundit dhe duhej t’i shprehte i pari dëshirën për bashkëpunim vëllazëror në të gjitha fushat.