REXHEP KASUMAJ: GROTESKA E SFIDANTËVE!

 Berlin, 26. 02. 2016: Arena politike e Kosovës, do të ngjante komike, sikur të mos ishte tepër dhimbsunore. Njëfarë Rafet Rama – rivalizon Hashim Thaçin!
Ç’cinizëm!
Një shpirtësi tipike diktaturash! A s’është vërtetë kështu?
Do t’më kujtojë kjo dromcë shpotitëse, një sfond të ngjashëm politik të një kohe të perënduar. Ishin vitet e 90-ta. Millosheviqi, i cili poashtu njihte formalisht postulatet e demokracisë, jetonte kulmin e Fuqisë. Gatiteshin zgjedhjet presidenciale të Sërbisë dhe cili ishte sfidanti i tij?
Nikolla Sheqeroski! Një pensionist strugan që shtynte ditët e fundjetës në Belgrad. Vinte në studio për të kaluar kohën, e me vete sillte prore një çantë të rëndë përplot procese, përmbarime gjyqësore, ankesa…Por dhe redaktorët kishin poaq një moment prehjeje nga lodhja e tempos elektorale.
Mirëpo, nëse kryeparët do të kenë mjaft vegëza përlidhëse të optikës politike, kundërshtarët e tyre dytësorë, i shquan një ndryshmëri e hollë karaketriale.

Hashim Thaçi dhe Rafet Rama

Ndërsa, pra, i pari dukej qiellësisht i mirë, bablok i shtruar që, madje, qahej për padrejtësitë e përjetuara, Sheqeroski i këtejmë e i kësomotshëm, është vetë autori i së padrejtës. Ka kryer vepër të dënueshme dhe, jo vetëm gëzon lirinë, por kujtohet të bëj teatrin politik për të marrë fronin e Presidencës!
Sidoqoftë, në të dy rastet, qëllimi dhe epilogu i pretendimit të tyre, do të kenë prapaskenën dhe fatin e njëjtë: një stoli shëmtuese për demokracinë e përdhunuar!
Dhe, mjerisht, një groteskë e trishtë në trupin dhe zemrën e këputur të Kosovës!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura