KUJTIM MATELI: AKADEMIKËT E KANË TJETËRSUAR HISTORINË E KOMBIT TONË!

Tiranë, 13 shtator 2017: Akademia e Shkencave është institucioni më i rëndësishëm shkencor nga pikëpamja e rëndësisë që ky institucion ka kudo në jetën e një vendi, ndaj dhe interesi për të ishte i dukshëm dhe gjatë këtyre ditëve ku Akademia e Shkencave e Shqipërisë zhvilloi zgjedhjet për strukturën drejtuese të saj.
Drejtuesit e një institucioni janë të rëndësishëm, sepse janë ata që mund t`i japin institucionit një shtysë për të ecur përpara dhe të ketë një qasje të hapur me publikun nëpërmjet debateve që zhvillon ky institucion dhe që kanë interes publik, siç është rasti i etnogjenezës së popullit, apo i mbyllur brenda guaskës së vet ku askush nuk merr vesh se çfarë ndodh aty, si¸ka ndodhur deri më sot. Ndaj dhe zgjedhja e drejtuesve të rinj pati debat që çoi dhe në dorëheqjen e nënkryetarit të kësaj Akademie.
Po debati më shumë se sa për drejtuesit e rinj duhet të fokusohet se çfarë produkti shkencor ka prodhur kjo akademi dhe sa i ka shërbyer shoqërisë.
Në këto vite që ne i emërtojmë tranzicion, ky institucion jo vetëm që nuk ka bërë asnjë hap përpara, por është rrudhur dhe atrofizuar dhe në ditët e sotme nuk është në gjendje t`u përgjigjet zhvillimeve dinamike të vetë shoqërisë sonë që kërkon prej këtij institucioni t`u japë një përgjigje shkencore, sidomos problemeve që kanë të bëjnë me albanologjinë.

Kjo akademi do të mund të dilte nga plogështia e deritanishme ose nga opinioni publik që duhej të ishte më i rreptë, ose nga qeveria. Fatmirësisht, megjithëse me vonesë, ky proces tashmë ka nisur dhe besoj se do të jetë pa kthim. Qeveria shqiptare dhe konkretisht vetë kryeministri i saj z. Edi Rama e ka kundërshtuar fort farsën zgjedhore, i cili investon çdo vit për këtë institucion nga buxheti dhe nuk merr prej tij asnjë produkt shkencor që do të mund të justifikonte qoftë dhe minimalisht këtë investim, produkt që do t`u shërbente degëve të ndryshme të ekonomisë së vendit.
Po ky institucion, nëse nuk ka mundur të kontribuojë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit, ajo që pritej do të ishte kontributi i saj në fushë të Albanologjisë. Edhe në këtë fushë, në këtë periudhë tranzicioni, produkti i saj fare i paktë, ka qenë dhe i kontestuar nga opinioni publik.
Akademia e Shkencave dhe institucione të tjera shkencore si Qendra e Studimeve Albanologjike duhet të debatojnë jo vetëm brenda institucionit të tyre, por dhe me opinionin publik. Opinioni publik është i interesuar për çështje të ndryshme, sidomos për origjinën e vet. Ai kërkon që të sqarohet përfundimisht me prova shkencore se cila është origjina e tij e vërtetë: rrjedh nga një kohë më e hershme që është ajo pellazge apo nga një kohë e mëvonshme që është ajo ilire. Përfundime të tilla nuk arrihen pa prova të plota si për njërën ashtu dhe për tjetrën tezë. Mirëpo, ky institucion jo vetëm që nuk zhvillon debat brenda institucionit, por ka ndërprerë dhe komunikimin me publikun.
Po se nuk debatojnë institucionet tona shkencore qoftë brenda institucioneve të tyre, qoftë duke e shtrirë debatin dhe në publik? Pasiguri në përfundimet e tyre apo diçka tjetër, ende e panjohur për publikun i bën ata të rrudhen brenda vetes së tyre?
Kjo është një çështje që do të mund t`i takojë së ardhmes dhe vetë këtyre institucioneve që duhet të nxjerrin përgjegjësitë reale për cilindo që është paguar dhe nuk e ka kryer detyrën e tij. Mund të sjell një shembull.
Në Epir dhe në Iliri, në të gjitha qytet ku janë kryer gërmime arkeologjike, aty kryeperëndia nderohej me emrin Di dhe konkretisht: Butrinti nderonte Di Soter, qyteti Bylys nderonte Di Tropeos, qyteti Mavrora (Olimpe)- Di Megistos, qyteti Fotike- Di Dodonen dhe Di Sarpis, qyteti Pasaron – Di Aresios, qyteti Amantia – Di Boulaios, në Carakovistë Di Naios, etj. Në të gjitha këto mbishkrime perëndia Di e Epirit dhe Ilirisë është konvertuar me Zeus. Si është e munduar që mbishkrimi të lexojë Di dhe në librat e akademikëve tanë të konvertohet me Zeus.
Në të parë mund të duket dhe i parëndësishëm ky fakt, por këto mbishkrime bëjnë diferencën midis asaj popullsie që quhej helene dhe që nderonin kryeperëndinë Zeus dhe kryeperëndeshën Hera nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër ilirët dhe epirotët nderonin perënditë Di dhe Diona. Dy popuj të ndryshëm që nderonin dy perëndi me emërtime të ndryshme. Po t`i shtojmë dhe faktin që në antikitet kryeperënditë kishin rëndësinë që kanë sot flamujt për kombet dhe shtetet, e kupton fare lehtë se historia e antikitetit tonë është paraqitur si pjesë e kulturës dhe historisë helene nga vetë akademikët tanë. Në kohën e sotme, vetë akademikët tanë e kuptojnë se e kanë shitur historinë e kombit të tyre tek të tjerët dhe në vend që të veprojnë, kanë zgjedhur heshtjen, heshtje që praktikisht ka çuar në vetasgjësimin e këtij institucioni.
Po a do të quhej i reformuar ky institucion, nëse në krye të Akademisë personi apo personat e zgjedhur zëvendësohen me të tjerë?
Nëse kjo punë është thjesht emra njerëzish, kjo nuk mund të quhet reformë. Reformimi i një institucioni nuk ka të bëjë thjesht me individët që e drejtojnë atë, por me atë se çfarë synon të realizojë ky institucion.
Ngurtësinë e këtij institucioni, mbylljen e tij në vetvete, pa debate midis akademikëve për çështjet themelore të Albanologjisë, pa komunikim me opinionin publik, e ka krijuar vetë trupa akademike e këtij institucioni. Ky staf akademik nuk pranon debat për çështjet më të rëndësishme të albanologjisë, të gjithë mendojnë njësoj dhe po ashtu njësoj i janë drejtuar me egërsi cilitdo që jashtë këtij institucioni ka guxuar të parashtrojë teza të reja. Në objektin e punës së Albanologjisë, çështja më e rëndësishme është ajo e origjinës së popullit tonë. Deri në cilën periudhë historike shtrihen rrënjët e popullit shqiptar në këto troje? Nuk dihen shkaqet, me urdhër politik apo vetë akademikët e Shqipërisë në vitet `60-70-të të shekullin të kaluar vendosën që shqiptarët të ishin të ardhur në këto troje aty nga fillimi i epokës së Hekurit. Por ajo që dihet dhe që shqiptarët nuk janë pajtuar me qëndrimin e kësaj akademie është persekutimi që ky institucion i ka bërë cilitdo që ka guxuar që shqiptarët t`i çojë në këto troje edhe përpara kësaj periudhe. Kështu është vepruar para viteve 90-të, kështu është vepruar dhe pas viteve 90-të deri në ditët e sotme. Një shkencë që nuk zhvillohet me alternativa, nuk është shkencë. Pikërisht kjo qasje e Akademisë së Shkencave ndaj origjinës së shqiptarëve në këto troje, i shëmbëllen një sekti fetar që nuk del përtej kornizës së besimit të tij.
Pikërisht ndryshimi i kësaj qasjeje të Akademisë së Shkencave është reformë. Nëse nuk bëhet ky ndryshim, ashtu si nuk ka pasur deri më sot Akademi Shkencash, nuk do të ketë as dhe në të ardhmen dhe ekzistenca e saj më shumë i ka sjellë dëme vendit tonë se sa e ka ndihmuar atë. Reformim do të thotë që si teza e prejardhjes së shqiptarëve nga ilirët, si ajo nga pellazgët të vihen në start të barabartë dhe të dy grupimet të sjellin provat e tyre që vërtetojnë njërën apo tjetrën tezë.
Po ky institucion aq sa sillet me arrogancë ndaj studiuesve vendas që e kundërshtojnë tezën gjysmake të prejardhjes ilire të shqiptarëve, po me aq përulësi sillen ndaj tezave antishqiptare që e vendosin Greqinë antike dhe në një pjesë të Shqipërisë jugore, teza që i janë serviruar opinionit publik dhe atij shkencor nga Akademia e Athinës në një libër voluminoz në anglisht, por dhe të disa universiteteve perëndimore që kanë rënë në grackën e kësaj teze. Pikërisht në përballje me këto shtrembërime, Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të mund të ngrihej në këmbë, por ajo ka zgjedhur heshtjen, çfarë e bën të dyshimtë këtë institucion dhe të padobishëm ekzistencën e tij në këtë gjendje.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura