Nga arkivi i gazetës „Rilindja“, 1987
KUR KRYETARI AKTUAL I LSHK-së, SHYQRI GALICA E AKUZONTE ISMAIL KADARENË PËR PËRKRAHJEN QË I JEPTE KËRKESËS “KOSOVA REPUBLIKË” …
Nga Sheradin Berisha, facebook 27 gusht 2024
Më 5 qershor 1987 gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” ka botuar një artikull për një takim letrar të shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare të organizuar në qytetin e Cyrihut. Në këtë auditor zviceranë Ismail Kadare përveç krijimtarisë së tij letrare ka folur edhe për gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalonte asokohe populli shqiptar në Kosovë…
Me këtë rast z.Kadare përkrah fuqishëm kërkesën “Kosova Republikë!”, duke e cilësuar si kërkesë legjitime, ndërsa dhunën dhe terrorin policorë kundër shqiptarëve e quan si “politikë kriminale serbe”.
Ato ditë kundër këtij deklarimi të Ismail Kadaresë në të përditshmen “Rilindja” ka reaguar, Shyqri Galica, me shkrimin “Trumbetimet e Kadaresë”.
Shyqri Galica në vitin 1974, derisa ishte student i vitit të tretë, ka filluar të punoj si spiker (folës) në Radio-Prishtinë, ndërsa nga viti 1978 e deri në vitin 2002 (kur u mbyllë Rilindja) ka punuar gazetar, redaktor e zëvendëskryeredaktor në gazetën “Rilindja”.
Më 9 prill 2022 z. Galica u rizgjodhë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës edhe për një mandat katërvjeçarë!
Kryetari aktual i LSHK-së, atëkohë në reagimin e tij kundër Ismail Kadaresë, shkruan se Ismail Kadare “duke i kualifikuar kërkesat për parullën “Kosova Republikë” “më tepër se legjitime”, del “hapur në përkrahje të nacionalizmit e irredentizmit shqiptar në Jugosllavi”.
Në këtë kuadër Shyqri Galica Ismail Kadarenë e akuzon “për përzierje në punët e brendshme” të Jugosllavisë, dhe rrjedhimisht duke cituar atë se “vendi i tij (Shqipëria) nuk nxitë kurrfarë konfliktesh, e është i interesuar për stabilitetin e tërësishëm në Balllan”, gjoja si demantim në këtë drejtim vë në spikamë refuzimin e Shqipërisë për takimin e ministrave të punëve të jashtme të shteteve ballkanike, të iniciuar më 29 maj 1987 nga Sekretariati Federativ për Punë të Jashtme i RSFJ-së.
P.S.
Cila është e vërteta për takimin e iniciuar nga RSFJ në maj të vitit 1987?
Në faqen zyrtare të “Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme” të qeverisë shqiptare, lidhur me këtë takim thuhet: “Me 29. 05. 1987 Sekretari Federativ për Punët e Jashtme i ish-Jugosllavisë Raif Dizdareviç u dërgoi letër ministrave të jashtëm të të gjithë vendeve të Ballkanit ku propozonte organizimin e takimit deri në fund të vitit 1987. MPJ e Jugosllavisë në cilësinë e organizatores ka propozuar që në këtë takim të parë (të këtij niveli) të bëhet “shkëmbim mendimesh lidhur me idetë, rrugët e mundësitë për zhvillimin e bashkëpunimit shumëpalësh në Ballkan në të gjitha fushat ku interesat e vendeve ballkanike përputhen dhe ku nevojat janë të përbashkëta”. Po atë ditë letrën e Dizdareviçit e pranoi edhe MPJ të Shqipërisë.
Qeveria shqiptare fillimisht u rezervua të japë pëlqimin për pjesëmarrje në këtë takim, me arsyetimin se ”në situatën konkrete në Ballkan nuk ekzistojnë kushtet e domosdoshme e të nevojshme për një mbledhje me karakter ballkanik dhe marrëveshje shumëpalëshe, pa zgjidhur më parë problemet dypaleshe”.
Pas një diskutimi të gjatë me rangje të ndryshme diplomatike me vendet e rajonit, qeveria shqiptare më 15 tetor 1987 vendosi të marrë pjesë në këtë takim.” Takimi i parë i ministrave të punëve të jashtme nga të gjitha vendet e Ballkanit, u mbajtë më 24-26 shkurt 1988 në Beograd.
—-
Ilustrimi:

Në foto mund të lexoni reagimin e plotë të Shyqri Galica kundër Ismail Kadaresë me titull: “Trumbetimet e Kadaresë”, Rilindja, 1987.