SHOQATA ‘ATLANTIKU’: NAIM S.DEDUSHAJ DHE ADEM A.KRASNIQI NUK E MERITOJNË STATUSIN E VETERANIT TË UCK’së!

New York, 10. 11. 2015: Letër Publike nga ushtarët shqiptaro-amerikanë të Batalionit “Atlantiku” të UÇK’së – Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Z. Isa Mustafa; Komisionit Qeveritar për konstatimin, njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së, Gjeneralit Agim Çeku; Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Z. Haki Demolli; Organizatës së Veteranëve të UÇK-së; Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së; Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së.
Çdo popull i trajton me respekt dhe ligj luftëtarët e tij duke ua njohur të drejtat që ushtarët i meritojnë. Shteti i Kosovës, për shkak se u desh të rindërtohej nga rrënojat e luftës, vonoi dhënien e të drejtave të dëshmorëve, invalidëve dhe luftëtarëve më shumë se çdo shtet tjetër në botë.

Megjithatë, këtë vit Komisioni Qeveritar i posaçëm për këtë çështje publikoj listat preliminare të luftëtarëve që kualifikohen për statutin e dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëmarrësit dhe të internuarit të luftës së UÇK-së dhe ky veprim na gëzoi edhe ne luftëtarëve shqiptaro-amerikanë, që përmes Batalionit “Atlantiku” ju bashkuam UÇK-së në betejat kundër pushtuesve serbo-jugosllav.
Në bashkëpunim me Zyrën Diplomatike të Kosovës në New York ne kryem të gjitha procedurat e aplikimit për t’ju nënshtruar verifikimit dhe aprovimit të Komisionit. Duke mos qenë shumë në numër, ne besuam se kjo procedurë do të kalonte thjeshtë dhe shpejt. Por, fatkeqësisht, edhe ndër shqiptarët e Amerikës dolën disa që aplikuan për të përfituar një statut që nuk meritojnë.
Si luftëtarë të Batalionit “Atlantiku” ne e njohim secilin nga Amerika që ka marrë pjesë në luftime dhe e dimë kush ka kontribuuar, kush është plagosur dhe kush ka rënë dëshmor për atdheun. Mund të ketë edhe të tjerë, porse ne kemi zbuluar dy persona të cilëve u është dhënë statusi i veteranit, ndonëse ata nuk kanë qenë me ne në luftë dhe nuk kanë dhënë kontribut që të meritojnë statusin e veteranit të UÇK-së. Këta dy shqiptaro-amerikanë janë:
– Naim S. Dedushaj dhe
– Adem A. Krasniqi.

E thërrasim Komisionin, Qeverinë dhe organet e shtetit që t’u heqin titullin e pamerituar të veteranit këtyre personave dhe kërkojmë që të fillohet procedura gjyqësore për mashtrim dhe vjedhje të nderit ushtarak kundër Naim S. Dedushajt dhe Adem A. Krasniqit.
Është e turpshme dhe kriminale për secilin që nuk ka marrë pjesë në luftë të kërkojë të trajtohet njëjtë si luftëtarët dhe luftëtarët e UÇK-së, prandaj kërkojmë nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që të propozojnë dhe miratojnë “Ligjin e Nderit Ushtarak” siç e ka Amerika “The Stolen Valor Act”, sipas të cilit nëse një person vjedh apo mashtron me merita dhe medalje luftarako-ushtarake, atëherë personi dënohet me gjobë dhe/ose me burg.
Naim S. Dedushaj dhe Adem A. Krasniqi janë dy persona të cilët i kemi identifikuar si mashtrues dhe veteranë të rrejshëm të UÇK-së, por kërkojmë nga Komisioni dhe të gjithë të adresuarit në këtë letër që t’u marrin titullin e dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së të gjithë atyre që gënjejnë dhe kanë vepruar si Naim S. Dedushaj dhe Adem A. Krasniqi.
Ju faleminderit dhe me respekt,

Kryesia e Shoqatës “Atlantiku”
New York, 4 nëntor 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura