Pashtriku.org, 29 shtator 2017: (Intervistë me diplomatin, historianin, publicistin dhe shkrimtarin e shquar) –
Luan Rama është ndër shkrimtarët, historianët, studiuesit dhe përkthyesit më produktivë, i rëndësishëm dhe shprehës serioz i origjinalitetit, përfaqësues i denjë i letrave shqipe, dijes e mençurisë, i njohur kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht për punën e palodhur, veprimtarinë e tij të gjallë e të frytshme, me sensin e shkëlqyer të diplomatit dhe historianit, vizionin e të qenit i lirë në një botë e mendim të lirë. Statura shumëdimensionale e shkrimtarit dhe përkthyesit, njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja, dhe veprat e tij të botuara monografike, historike, studimore, ese, letërsi, përkthim dhe publicistikë, në shqip e frëngjisht, kanë një shtrirje të gjerë të kombinimit të fakteve historike, kujtesës, miteve, marrëdhënieve ndëretnike, kombëtare, evropiane, veçmas asaj franceze dhe ballkanike, që perceptojë vlerën e madhe të edukimit kuptimplotë të vetëdijes njerëzore, një refleksion për marrëdhënie e figura që kanë lënë gjurmë në historinë tonë kombëtare dhe relacionet ndërkombëtare në sinkron me të shkuarën, të tashmen e të ardhmen. Kjo bisedë mbresëlënëse e drejtpërdrejtë me të, më bëri të njoh vitalitetin, erudicionin e një kocke të fortë intelektuale e qytetare, shumëplanëshe letrar, artistik, historik, publicistik, përvojës disa vjeçare në gazetari e diplomaci, për të njohur botën me kulturën e historinë e popullit të tij, duke e bërë të njohur në qarqet intelektuale e diplomatike të Francës dhe në botë, -një shembull i gjallë për kombin dhe brezat që do të vijnë, për dritën e nderimit, obligimit shpirtëror dhe identitetit kombëtar shqiptar.
– Luan Rama –
Faleminderit për kohën e vyer në përkushtim të kësaj interviste. Kam shfletuar dhe lexuar me interes të veçantë biografinë e aktivitetit tuaj krijues. Sinqerisht jam ngazëllyer nga mjeshtëria e kulturës profesionale që ju lëvroni në disa zhanre. Cila ka qenë eksperienca tuaj e parë në letërsi, publicistikë, hulumtime studimore apo përkthim?
Eksperienca ime e parë ishin poezitë çka atëherë ndodhte tek shumë të rinj, një traditë që tashmë ka ndryshuar, pasi internet, kinematografia, spektakli i kanë ndryshuar sot qëndrimet ndaj poezisë, por sidoqoftë, duke qenë nga artet e para krahas pikturës, arti poetik shpresoj se do të gjej në të ardhmen një lloj rinovimi, një rikthim drejt saj. Besoj se njerëzimi do të lodhet nga industrializmi komunikativ, pasi në fund të fundit, poezia trazon shpirtrat dhe ajo që ka vlerë të pare tek njeriu është shpirti…
Do të thotë se ju keni nisur aktivitetin krijues që në moshë të re. Kjo duhet të ketë qenë me të vërtetë emocionuese dhe inkurajuese. Çfarë mendoni se ju ka frymëzuar për të shkruar apo përkthyer?
Shkruaja poezi dhe përktheja, sigurisht jo si tani, por frymëzimi im ishte Lorca, Ricos, Eluard, Witman, librin e të cilit, Fije bari e mbaja në bangat e gjimnazit. Gjithçka ishte dehëse. Poezitë e tyre i ngjisja në muret e shtëpisë, kolazhe me guacka dhe gjethe vjeshte. Madje nëse e desha aq shumë gruan time, ishte se kur e njoha, ajo adhuronte poezinë.
Gjatë hulumtimit rreth krijimtarisë tuaj kam hasur mjaft tituj të veprave tuaja monografike, studimore, ese, letërsi, publicistikë, në shqip e frëngjisht. Si keni arritur ju të procedoni “në udhëtimin tuaj monografik”, të jeni kaq kreativ, ku ka një shtrirje të gjerë të kombinimit të fakteve historike, kujtesës, miteve, marrëdhënieve ndëretnike, kombëtare, evropiane, veçmas asaj franceze dhe ballkanike, që perceptojnë vlerën e madhe të edukimit kuptimplotë të vetëdijes njerëzore, në marrëdhënie me të shkuarën, të tashmen e të ardhmen. A mund të na jepni disa mendime rreth tyre?
Keni të drejtë. Është një shtrirje e gjerë, profile të ndryshme ku here ka të bëjë me historinë e mirëfilltë, si tek Kalorësit e Stuhisë, etj, e herë me marrëdhëniet ndërkombëtare, artet, etj. Nëse kam shkruar një libër për dialogun e kulturave dhe bashkëpunimin e Shqipërisë me Unesco-n (Shtëpia e Shpresës) që kur ajo u bë anëtare e kësaj organizate; nëse kam botuar gjithashtu “Shqipëria e Auguste Dozon” apo “Shqipëria dhe Frankofonia” e padyshim dhe “Pont entre deux rive” (në shqip i botuar me titullin “Krushq të largët”), kjo sepse te unë jetonte si diplomati ashtu dhe historiani, apo eseisti që kërkon të bëjë një refleksion për marrëdhënie e figura që kanë lënë gjurmë në historinë tonë kombëtare dhe relacionet ndërkombëtare. Librin “Jani nga Morea”, për poetin arvanitas Jean Moréas apo Jani Papadiamanti, e shkrova sepse më habiti fakti për të cilin shkruante para një shekulli poeti i madh francez Guillaume Apollinaire, duke thënë se Moréas ishte shqiptar nga nëna dhe i ati, familja Tombazi e Hidrës, kapedanë dhe admiralë të flotës së Revolucionit grek në vitet 1820-1830. Mirëpo në Francë (në Greqi gjithashtu) ai mbahej si poet me origjinë greke. Ai ishte njëkohësisht ati shpirtëror i Apollinaire. Po kështu dhe për konsullin francez në Janinë, Auguste Dozon, për të cilin nuk ishte shkruar pothuaj asgjë. Duke e studiuar këtë figurë, i cili mblidhte përrallat shqiptare dhe folklorin shqiptar, të cilin e botoi në 1875 dhe u vlerësua dhe me çmimin e Akademisë Franceze, pikasa se bashkëpunëtorët e tij më të afërt ishin Kristoforidhi, Naim Frashëri, Thimi Mitko dhe Apostol Meksi. Shërbimi ndaj kulturës shqiptare ishte shumë i madh dhe tashmë libri prej gati 500 faqesh më duket pak për të. Gjithashtu, kur ndërmora shkrimin dhe botimin e librit “Bujtës të largët” mbi udhëtarët francezë në Shqipërinë e shekullit XIX (konsuj, gjeografë, historian, arkeologë, hartografë, gjeologë, etj) unë u njoha me librat dhe studimet e tyre dhe zbulova se me sa dashuri kishin shkruar ata për autoktoninë shqiptare, për kulturën e vjetër dhe të afërt me atë homerike, për traditat dhe virtytet e bujarisë së një kombi që u kishte rezistuar dyndjeve të përhershme në brigjet e tokave të tij. Ishte pikërisht ky rast që njoha veprimtarinë e Dozonit dhe po kështu dhe të të tjerëve. Një libër më vete meriton konsulli tjetër Degrand në fundin e shekullit XIX apo François Pouqueville në fillimet e shekullit XIX si i dërguar i Napoleon Bonapartit pranë Ali Pashë Tepelenës. Janë figura themelore, pasi Pouqueville, p.sh. u bë burim jo vetëm për letrarë të mëdhenj si Hugo (që shkroi në Les Orientales për trimërinë e suliotëve) apo Aleksandër Dyma, por madje dhe për piktorët, që nga Delacroix, Corot, Decamps, Jerome, etj të cilët në veprat e tyre trajtuan figurat shqiptare. Shembujt janë të shumtë. Në kohën totalitare, vëmendja ishte tek krijimi i një historie të re të prirur nga ideologjia. Tashmë historianët janë të lirë në studimet e tyre dhe kanë mundësi të konsultojnë bibliotekat e vjetra të Parisit, Vatikanit, Venecies, Milanos, ato të Londrës, e po ashtu të Amerikës ku gjenden libra të rrallë dhe me mjaft informacione historike.
“Nën hijen e eklipsit”, titullohet libri tuaj, mbi krizën e Kosovës dhe diplomacinë euro-amerikane. Jam kurioze të di motivin dhe interesin që ngjalli te ju personalisht për të shkruar këtë libër dhe pse vendosët të dialogoni përmes etapave historike dhe diplomatike? Përse ky titull? Si keni arritur ta realizoni botimin e tij?
“Nën hijen e eklipsit”, e shkruar pak a shumë në formën e një ditari diplomati, është një dëshmi e drejtpërdrejtë e ngjarjeve që po ndodhnin në Kosovë në fundin e viteve ‘90. Atëherë unë isha ambasador në Paris dhe aty mblidhej Grupi i Kontaktit i kancelarive më të mëdha të diplomacisë botërore. Diplomacia franceze ishte mjaft aktive dhe në mbështetje të diplomacisë amerikane. Presidenti Shirak morri një vendim historik, duke hyrë në luftë kundër Milosheviçit. Pra ishin gjendje emocionale, takime, biseda me personalitete të shumta, konferenca në Rambuje, nënshkrimi i deklaratës përfundimtare të Parisit në sallën Kleber. Pritjet në ambasadë, takimet me Rexhep Qosen, me Hashim Thaçin, takimet me Kadarenë e një rradhë të aktorëve të nivelit të lartë politik shqiptar, si ministri i Jashtëm Milo, presidentit Meidani, Sabri Godo, etj. Por interesi im në këtë libër ishte të dëshmoja për solidaritetin e jashtëzakonshëm të elitës dhe shoqërisë franceze, të intelektualëve me emër, të “Comité du Kosovo”, organizatave të të Drejtave të Njeriut dhe fondacioneve të shumta e deri tek qytetarët e thjeshtë. Çështja e Kosovës u bë një çështje e ditës. Unë para rastin të shoqëroj kryeministrin francez Jospin në Shqipëri, ku sëbashku takuam refugjatët kosovarë në Tiranë, Durrës, Lushnje, etj. Ishte një eksperiencë që duhej dëshmuar. Unë e quajta librin “Nën hijen e eklipsit”, pasi Kosova për një periudhë pësoi një eklips total të lirisë së saj, ajo rrezikonte ekzistencën e popullit në trojet e veta duke u dëbuar me grykën e mitralozave. Ky eklips filloi me masakrën e Raçakut. Unë vetë kam takuar në Francë njerëz që i kishin provuar këto masakra.
Ju keni eksperiencë jashtëzakonisht mbresëlënëse e profesionale përsa i përket studimeve deontologjiko–mediatike; Si operoni ju në trajtimin e figurave e fenomeneve të ndryshme, që të japin përshtypjen në kuptimin e tyre simbolik, importin moral, qytetar e intelektual, dhe substanca humaniste në përputhje me interpretimin gazetaresk, historik, shkencor dhe filozofik? Këtu kam parasysh librin tuaj “Metamorfoza e fjalës”, për një deontologji të shtypit gjatë tranzicionit politik shqiptar, 1997.
Unë kam studiuar gazetari, si dhe shkencat e komunikimit në Paris (Universiteti Denis Diderot). Gazetaria më ka pëlqyer gjithnjë, madje pas vitit 1993, unë kam punuar si redaktor në revistën e njohur franceze Courrier International, e cila i bënte jehonë ngjarjeve më të rëndësishme të botës dhe ku botojnë analistë shumë të njohur. Ideja e librit “Metamorfoza e Fjalës” lindi në kohën kur unë isha korrespondent i gazetës “Koha Jonë” në Paris. Kjo gazetë, veçanërisht në vitet 1994-1997 ishte në pararojë të denoncimit të arbitraritetit të pushtetit në Shqipëri në emër të një lufte të re klasash dhe një kundërvënieje që i bënte veriut dhe jugut shqiptar. Madje, rastësisht, meqë isha në Tiranë, unë isha prezent në selinë e gazetës (të cilën pak muaj më parë e kishin djegur forcat e policisë) kur furgonë policie rrethuan gazetën dhe të gjithëve, nga kryeredaktori e deri tek pastruesi, na mbyllën në polici duke na vendosur para hetuesve. Atëherë po përgatisja librin për Miteranin dhe kjo ishte një shkelje tepër flagrante. Në kthim, në Paris, unë i mora një intervistë presidentit të “Reporter’s sans Frontières”, Robert Menard, i cili gjithashtu mori përsipër botimin e këtij libri duke shkruar dhe parathënien. Në Shqipërinë e tranzicionit të ashpër, nuk bëhej fjalë ende për një deontologji për shtypin dhe unë shtroja pikërisht përvojën europiane të lirisë së shtypit e të mendimit me atë çka ndodhte në Shqipëri. Në Shqipërinë totalitare nuk mund të bëhej fjalë për deontologji të shtypit, për rregulla që lidhen me figurën e gazetarit, përgjegjësinë morale, vërtetësinë e faktit, dizinformacionin, etj. Atëherë mu desh të kontaktoja me drejtuesit e “Artikullit XIX”, “Human Wrigts Watch”, etj.
Kam lexuar me interes të veçantë editorialet tuaj studimore, dossier, trajtesa, analiza politike, opinione, reportazhe, intervista e publikime të tjera në fushën e publicistikës. Si keni arritur ju, të harmonizoni aktualen mbizotëruese historike, sociale e politike, në kurriz të pavarësisë tuaj intelektuale?
Ju përgjigjem nga kjo e fundit: Pavarësia intelektuale. Ajo është gjëja më e çmuar që mund të kemi. Çështja është të kesh bindjet e tua, të jesh i pavarur dhe të mos jesh “tregtar flamujsh” të partive, pushteteve, etj. Unë qëndroj gjithnjë në principet republikane, të majta, që lidhen me paktin social të shoqërisë, për të menduar dhe integruar dhe të varfrit dhe për të mos i përjashtuar ata. Kjo ndoshta vjen nga leximet e mia të literaturës së Thomas More, Campanelës, të utopistëve si Erazmi, etj. Por unë kam shumë miq të djathtë (në fakt e majta dhe e djathta në Shqipëri pak ndryshime kanë). Është interesant fakti që para dy vitesh, i ftuar në shtëpinë e mikut tim Ylljet Aliçka, ambasador në Paris, ndodhi që mes të pranishmëve të ishte dhe një kryeredaktor francez i një reviste. Debati im me ambasadorin ishte mjaft i gjallë dhe në fund të mbrëmjes, kur u ndamë me kryeredaktorin francez, ai shprehu habinë që ishim kaq miq dhe me pikëpamje që nuk pajtoheshin. E njëjta gjë na ndodhi dhe në një tavolinë darke në Senatin francez me deputetë, diplomatë, kryetarin e Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri të Parlamentit apo dhe të Senatit, etj. Dhe përsëri miku im tha në debat e sipër se ne jemi miq pavarësisht nga opinione të ndryshme. Pra që t’i rikthehem idesë: e rëndësishme është të jesh i pavarur në pikëpamjet e tua. Jeta jonë ishte tepër komplekse, pasi shpesh, e përditshmja mplekset me historinë, ku historia na vjen përmes fakteve, fenomeneve, debatit. Kur flasim për lirinë e shtypit e të mendimit, nuk mund të mos citojmë Sokratin, Platonin, madje dhe Brehtin, i cili ka shkruar shumë për “pesë tiparet e së vërtetës”… Ajo që ndodh, ka gjithnjë një domethënie filozofike. Jeta shqiptare ka jo pak fakte korrupsioni, por kur e trajtojmë këtë problem, në fund të fundit vijmë në fushën e filozofisë e të moralit, duke iu referuar njëkohësisht dhe autorit të famshëm…. Me çështjen që me të drejtë ai shtronte: “Të kesh dhe të jesh”… shpesh harrojmë atë që pikësëpari të jemi “njerëzorë”…
Ju jeni prozator; romane novela, tregime ese…. Tashmë një shkrimtar i afirmuar, autor i disa veprave. Çfarë mendoni se ka mbetur konstante?
Është e vërtetë që kam shkruar në shumë gjini, duke u marrë njëkohësisht dhe me profesionin tim më të vjetër, kinematografinë. Por ajo që ka mbetur konstante është ideja që kam se gjithçka që shkruaj janë sprova letrare tepër modeste dhe pa pretendime. Nga ana tjetër, ndërmarrja e shkrimit të një analize, artikulli, mbresa udhëtimi, eseje historike, etj, është një udhëtim në kontekstin historik e social të tyre. Për të shkruar biografinë mbi presidentin francez François Mitterand, (François Miettarand – dhe Zotat vdesin gjithashtu), veç mbresave personale nga takime diplomatike, festa kombëtare të Francës, takime presidenciale, etj, kam lexuar dhjetëra libra të autorëve të ndryshëm, fjalime të rëndësishme gjatë 14 vjetëve të tij si president, çka më kanë futur në historinë e personazhit. Po kështu kam vepruar dhe për librin “Gjenerali De Gol – një legjendë e gjallë”, ku ka takuar shumë golistë të vjetër, mes të cilëve dhe ish kryeministrin Pierre Messmer… Pra këto takime, si dhe ideja për të gjetur pikëtakimet franko-shqiptare, (p.sh. shqiptarët që iu përgjigjen thirrjes së De Golit në luftën kundër Hitlerit, etj, apo gjykimet e Miteranit për historinë, personalitetet dhe nevojën e integrimit të Shqipërisë në rrjedhat europiane), më dhanë lëndë për të shkruar këto libra jo thjesht si biografi por si pikëtakime dhe refleksione te mia për këto dy figura që hynë në historinë e Francës së shekullit XX. Ajo çka ka mbetur konstante në punën time është ritmi. Kam vazhduar të shkruaj e botoj gati dy libra në vit.
Shquheni në prozën për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Ku qëndron forca e inspirimit si një shkrimtar që i përket dy epokave – realizmit socialist dhe periudhës postkomuniste? Ku qëndron ndryshimi midis këtyre dy epokave?
Unë i përkas asaj gjenerate që ka jetuar si në kohën totalitare dhe shembjes së regjimeve në Lindjen europiane në fundin e viteve ’80 ashtu dhe të kohës së tranzicionit dhe pas saj deri më sot. Qëndrimi ndaj dy epokave është diametralisht i kundërt. Në epokën totalitare, censura përgjonte çdo hap të letrarit dhe artistit, çka tashmë i njohim të gjithë nëpërmjet dëshmive të shumta që na kanë lënë protagonistët e asaj kohe. Kur nga fillimi i viteve ’80 do botohej në gazetën “Drita” një shënim për Gjon Milin e shoqëruar me një fotografi të tij, çuditërisht, kur në mesnatë gazeta po rradhitej, dikush dalloi se në fotografinë e Gjon Milit që në fund të shallit të tij shquhej shumë pak flamuri amerikan, çka nuk i kishte rënë në sy askujt deri në ato çaste. Gazeta u bllokua dhe flamuri u retushua që të mund të botohej gazeta. Ishte koha e anti-amerikanizmit të egër dhe absurd të Enver Hoxhës, dhe një fotografi e tillë do të thoshte një dënim për autorin e shkrimit. Sot, letrarët e artistët janë të lirë, madje nganjëherë i kalojnë caqet e lirisë duke rënë në dizinformacion, shpifje, cenim të jetës private të njeriut, pra në emër të lirisë cenohet liria e tjetrit.
Kur ju shkruajtët romanin “Santa Quaranta,”, i vlerësuar shumë nga kritika e kohës, ky roman nuk është fantazi, por është bota e brendshme njerëzore, e një artisteje me famë botërore. Si shkoni ju në lidhje me vendosjen e emrave, të vendeve në ndërtimin e një “bote të re” me tipikë; burim-rrëfim-frymëzim-kulturë?
Romani “Santa Quaranta” është një roman historik ku në qendër është jeta dramatike e balerinës franko-amerikane Isadora Duncan në Shqipëri. Në vështrim të parë thua se ç’lidhje ka kjo balerinë me Shqipërinë, por kur njihesh me historinë e saj ngjarjet janë shumë interesante. Në fillimin e viteve ‘20 të shekullit XX, ajo ishte një nga yjet e baletit në skenat e Europës. Por vdekja tragjike e dy fëmijëve të mbytur në lumin e Senës në Paris, e tronditi shumë dhe ajo donte të vriste veten, por vëllai i saj Rajmond Duncan, një intelektual i vërtetë kërkoi që ajo të kishte si referencë dhimbjen e një populli, duke e sjellë në Shqipërinë e vitit 1913, kur luftërat ballkanike po bënin kërdinë. Dhe ajo erdhi dhe jeta e rrëmbeu për ta kthyer gjashtë muaj më vonë në skenat e Parisit. Rajmond Duncan ishte ai që solli për herë të parë në Shqipëri ambasadorin amerikan që ishte vendosur në Athinë. Ai e njihte shumë mirë Shqipërinë dhe Greqinë. Bashkë me ambasadorin ata vizituan jugun shqiptar dhe erdhën edhe në Durrës për të njohur aspiratat e këtij vendi, çka do të ndikonte në mbështetjen e madhe që i dha Amerika e presidentit Wilson Shqipërisë së kërcënuar nga të gjitha anët. Santa Quaranta është një roman historik, por personazhi vendoset në vendet ku ka jetuar, janë shfrytëzuar letrat e saj, libri me kujtime, etj. Romani historik kërkon një punë studimore paraprake. Emil Zola punoi shume me dokumentet e kohës për Zherminal, po kështu Flober, studioi shumë për të shkruar romanin Salambo, etj, një punë të tillë bënte gjithashtu Aleksandër Dyma e shumë të tjerë.
Botimet dhe veprat tuaja nënkuptojnë bashkëpunimin tuaj të ngushtë me një sërë burime dhe arkiva të ndryshme, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, veçmas në Francë. A keni hasur në vështirësi nga këndvështrimi i një protagonisti në gjetjen e tyre?
Unë kam punuar dhe vazhdoj të punoj shumë me bibliotekat e vjetra, arkivat, të lexoj letërsinë dokumentare. Kur shkrova librin dokumentar “Tek Frankët”, mbi historinë e emigracionit shqiptar në Francë që nga koha e stradiotëve të kohës pas Skënderbeut deri më sot, pra e stradiotëve të shquar shqiptarë gjatë shekujve XVI-XVII (që në Francë krijuan kalorësinë e lehtë franceze që nga historianët e kohës cilësohej si “Chevalerie albanoise”, diçka përmend dhe Konica në shkrimet e tij), mu desh të punoj në këto arkiva. Po kështu dhe për librin “Dorëshkrime të Purpurta” për kodikët e vjetër, duke u përqendruar në dy Kodikët e Beratit të shekullit VI dhe IX, të cilët u regjistruan dhe në Trashëgiminë Botërore të Unesco-s në atë që quhet “Kujtesa e Botës”. Pikërisht duke lexuar dokumenta të vjetra më ra në dorë botimi i P. Batiffol, zbuluesit francez të këtyre kodikëve në shekullin e XIX në Berat. Por udhëtimi i tij, gjetja e kodikëve, mbijetesa e tyre në sprovat e kohërave të shtypjes otomane, si dhe koha që ngërthejnë ato, përbëjnë njëkohësisht ngasje për një letërsi të mirëfilltë.
Z. Luan, jeni edhe përkthyes, dhe keni përkthyer disa libra, kryesisht në shqip e frëngjisht. Çfarë ju ka shtyrë t’i përktheni ato? Cilët janë autorët dhe titujt e tyre? Cili është sekreti që fuqishëm ka influencuar në përkthimin e tyre?
Të them të drejtën nuk kam dashur të bëhem përkthyes, pasi përkthimi është një profesion më vete dhe kërkon një ushtrim afatgjatë, eksperiencë, njohje. Në fakt ka qenë interesi për disa libra që lidheshin me Shqipërinë dhe shqiptarët që më shtynë drejt përkthimit. Kështu më ndodhi me përkthimin e librit “Bubulina” të shkrimtarit dhe historianit francez Michel de Grece, i cili pohonte me forcë përkatësinë shqiptare të kësaj heroine shqiptare të Revolucionit grek. Unë isha në Hidra dhe Specia të Greqisë, vende ku jetoi dhe luftoi Bubulina, por përkatësia e saj arvanitase ishte fshirë nga tekstet dhe kujtesa e shoqërisë së sotme greke. Pra kjo më nxiti ta përkthej në shqip këtë libër. Po kështu kam përkthyer dhe librin biografik të shkrimtarit dhe historianit Gilbert Sinoué “Faraoni i fundit”, mbi jetën dhe veprën e Mehmet Ali Pashës, themeluesit të Egjiptit modern. Por edhe dashuria për poezinë më ka shtyrë të përkthej. Kështu më ndodhi kur shkruajta librin “Udhëtimi i mbramë” i Arthur Rimbaud, mbi jetën e poetit më të madh francez, duke integruar dhe pjesë të poezive të tij, librin Pikëtakim me Jean Cocteau, poetit, dramaturgut dhe artistit poliedrik francez, dhe disa libra të tjerë. Përkthimi të jep kënaqësi sepse hyn në jetën e vet personazhit, në strukturën e gjuhës dhe të poetikës së tij.
A mendoni se “OLD TIMES” rezonojnë ndryshe me audiencën e sotme dhe shoqërinë, krahasuar me audiencën e viteve ’70-të?
Kjo më duket se qëndron si dukje, aparencë, pasi OLD TIMES është gjithnjë tani dhe dje, në kuptimin se ajo që ka shkruar Homeri, Euripidi, Sofokliu për dashurinë, luftën, nderin, tradhëtinë, etj, janë të njëjta dhe sot. Ndjesitë njerëzore janë po ato, morali i Sokratit për qytetarinë dhe demokracinë është shumë aktual, siç e gjejmë në Apologjinë e Sokratit, para se ai të dënohet. Le të marrim mitologjinë, mitet shqiptare apo mitologjinë antike greko-romake. Shpesh letrarët e kohës sonë i ndërtojnë romanet, esetë, dramat e tyre si paralele të këtyre miteve. Mjafton të kujtojmë Kadarenë. Mitet e Edipit, Orestit, Kalandrës, Eumenideve, etj, përbëjnë konstitucione shpirtërore të cilat sot i përjetojmë, madje dhe nga ngjarjet që dëgjojmë në televizionet e botës. Ja pse “Qyteti i gëzimit” të Shën Agustinit, idhullit të famshëm të viteve të para të Krishterimit është i pranishëm dhe frymëzues për jetën tonë qytetare.
Çfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, Ballkanike apo Lindore, në krahasim me atë franceze dhe perëndimore, bazuar në ato ç’ka ju keni shkruar, lexuar apo vënë re?
Deri kur ra Muri i Berlinit gazetaria ballkanike dhe ajo e Lindjes europiane ndryshonte jashtëzakonisht nga gazetaria perëndimore dhe anglo-saksone: jo vetëm si liri dhe pavarësi e shtypit, por dhe si strukturë, si kulturë të shkruari, etj. Gazetaria tashmë në Europën jug-lindore po krijon dhe ajo fytyrën e saj duke iu afruar gazetarisë perëndimore dhe kjo në sajë të një gjenerate të re në gazetarinë e këtyre vendeve. Kjo vihet re në vende si Kroacia, Sllovenia, që po ecin më parë se vendet e tjera ballkanike. Problem në vendet e tjera, si dhe për ne shqiptarët është gjithnjë ajo që shtypi, mediat, rrjetet televizive bien shpesh preh e interesave të politikës dhe të bizneseve dhe ku nuk njihet ajo që në Perëndim quhet “konflikt interesash”. Kështu gazetaria nuk e ka rolin që duhet të ketë për të pozuar problemet kardinale të shoqërisë dhe të thotë të vërtetën, e cila kërkon kurajo për të thënë të vërtetën, përgjegjësi për ta thënë atë, kulture për ta thënë atë. Brehti flet për pesë vështirësitë për të thënë të vërtetën…
Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj?
Më pëlqen të shkruaj në natyrë. Vite më parë, veçanërisht kur punoja si kineast, kisha dëshirë të punoja në ndonjë kafene, madje ku kishte shumë njerëz dhe shumë zhurmë. Duket diçka e habitshme, por unë abstragoja nga moria e njerëzve dhe e zhurmës dhe në atë jehonë të largët, unë shkruaja. Isha në botën time. Si të thuash isha brenda asaj bote dhe jashtë saj. Në punën time nuk më pëlqen që jam shumë i shpërndarë. Shkruaj njëherësh për disa gjëra: këtu një tregim, pak më pas një ese, një skenar për një film, apo një përkthim të shkurtër, zhanre që janë larg njëri-tjetrit, por ku hyj pa vështirësi të madhe. Por nga ana tjetër kjo s’të lejon të thellohesh shumë.
Në ditët e sotme tradita dhe realiteti “përzihen” me vlerat fetare. Në opinionin tuaj si gazetar, shkrimtar, diplomat dhe përkthyes profesionist e i karrierës, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe në marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit?
Lidhur me ndasitë fetare dhe problem që kanë lindur në Ballkan, dua të theksoj se ka një konfuzion të madh, çka po i trondit shoqëritë ballkanike. Shqipëria ka qenë gjithnjë një vend i tolerancës fetare dhe nuk i ka njohur kurrë xhihadistët, integrimin fetar. Në kuadrin e shoqërisë së hapur, të të drejtave të njeriut dhe të lirive demokratike, integrimi po fiton terren duke cenuar liritë e individit dhe të shoqërisë, dhe thirrjet për xhihad bëhen madje tashmë nga institucione fetare, çka mund ta kthejnë Ballkanin përsëri në një rajon eksploziv. Duhet që në fillim të këtyre fenomeneve t’i vihet fré, të ketë një reaksion të përgjithshëm shoqëror, pasi nuk mund të vihet feja mbi kombin, identitetin. Shqiptarët e kanë ruajtur identitetin e tyre nacional dhe në kohërat më të errëta të historisë. Toleranca është diçka shumë e çmuar për një demokraci.
Cilët janë autorët tuaj më të preferuar, shqiptarë e të huaj?
Autorët më të parapëlqyer shqiptarë janë për mua Migjeni, Kadare, Mitrush Kuteli, etj, ndërkohë që nga letërsia e huaj janë Rembo, Floberi, Kamy, Duras… Në librin tim “Parisi letrar”, të botuar para disa viteve, zbuloj preferencat e mia për letërsinë franceze, duke zbuluar njëkohësisht se cilët ishin ata, cila ishte jeta e tyre, dramat, tragjeditë, dhimbjet e tyre të mëdha. Letërsia e madhe ka lindur nga dhimbjet e mëdha. Kështu ajo lindi tek një Dostojevski, Edgar Poe, Bodler, etj…
Pse shkruani? A keni disiplinë në të shkruar? E përfytyroni veten pa shkruar ndonjëherë?
Shkrimi është një pasion, ashtu si piktori, p.sh. që kërkon të japë refleksin e botës para tij përmes ngjyrave, linjave, kompozimit, etj. Për mua, të shkruarit nuk është një profesion, por një nevojë, dëshirë, pasion, gjendje, dehje… Sigurisht, unë shkruaj çdo ditë, gjithnjë diçka letrare apo ese historike. Por do doja të largohesha diku që t’i kushtohesha një vepre letrare, një romani. Por jeta e zakonshme vështirë të t’i japë këto mundësi. Do doja të bëja një udhëtim të gjatë e të rrezikshëm, siç bënin dikur autorë si Flobert, Dumas, Nerval, Lamartine, etj, të cilët ndërmerrnin udhëtime në vende të panjohura. Pra të shkosh, të përjetosh diçka të fortë dhe të shkruash këtë, edhe me çmimin e një jete.
Projektet tuaja në të ardhmen? Çfarë iu ka mbetur peng?
Gjithnjë i them vetes se duhet të shkruaj vetëm letërsi të mirëfilltë, roman, etj. Por kjo dihet që nuk është e lehtë. Duhet të jesh një lloj maratonisti. Kur je i shpërndarë, vështirë të përjetosh në ethe një krijim, një histori. Koletë, Yourcenar, Duras, Romain Gary, iknin që të shkruanin diku… Megjithatë në të ardhmen kam disa subjekte për të cilat kam kohë që mendoj. Mua më pëlqejnë dramat e forta shpirtërore, prekja e thellësisë së shpirtit, zbulimi i vetvetes nga personazhi kryesor. Sa për pengje nuk kam asnjë peng. Shtigjet janë të hapura. Mund të shkruaj në çdo kusht njerëzor. Çështja është sa talent ke… Është lexuesi që të gjykon. Mua s’më pëlqen mburrja, publiciteti i kërkuar… Pra të përpiqemi të themi diçka për të prekur shpirtra njerëzorë!
Çfarë është dashuria për ju? Kur e ndjen një burrë se është i dashuruar? A keni shkruar ndonjë poezi dashurie?
Dashuria është një nga gjërat më thelbësore të njeriut. Është diçka gjenetike, që në mugëtirat e shekujve. Kënga e Salomesë në Kantikën e Kantikëve tek Testamenti i Vjetër është nga himnet më të bukura të dashurisë që ka krijuar njerëzimi, pasi jeta lulëzon veç nga dashuria. Lufta e Trojës kishte në thelb dashurinë… Është dashuria ajo që nxit krijonjësit e botës, punëtorët e fushës, ustallarët e veprave gjigante të njerëzimit, e gjithçkaje që ngrihet. Kuptohet që si dhe tek shumë të rinj, edhe tek unë, poezitë e para ishin poezi dashurie. Por kjo do të vazhdonte edhe më vonë. Të shkruash poezi dashurie edhe pas 40 vjet dashuri, martesë, është diçka e bukur. Ndërkohë që ju them kështu, më kujtohen shkrimet e të rinjve kilianë në muret e shtëpisë së poetit Pablo Neruda që sapo kishte vdekur, ku ata i shkruanin: “Faleminderit Pablo… ti na mësove të dashurojmë!”… Dashuria është gjithnjë frymëzuese.
Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot…
Unë nuk pretendoj të jap mesazhe, por e konsideroj veten në rradhën e punëtorëve të dijes me misionin që t’i shërbejmë një morali të kohës, një vendi që sapo ka marrë udhën për ndërtimin e një shteti dhe shoqërie vërtetë demokratike dhe të një jete më të paqtë për të gjithë shqiptarët. Siç e dini, sfidat janë të mëdha në këtë fillim mijëvjeçari. Por epokat i bëjnë njerëzit. Një popull i përçarë nga zënkat politike, nga ndarjet fetare apo përbaltjet që i bëjmë njëri-tjetrit veç e vonon orën e progresit dhe nuk arrin të shohë horizontet e kohës, duke mbetur shumë prapa popujve të përparuar. Të shpresojmë që dhe njerëzit e arteve, të dijes, të kontribuojnë në këtë drejtim…
( Bisedoi: Raimonda Moisiu – tiranaobserver – 29/09/2014 . )