LUFTA E PADUKSHME…

Nga Rexhep Kasumaj, Shtator 2022, Berlin

LUFTA E PADUKSHME…

(Dhe shqiptarët në mes)

1.

Rrallëkush do t’a besonte. Madje edhe po ta lexojë, siç më ndodhi mua, në një libër të madh.

Heminguej, një agjent?

E habitshme. Qoftë dhe informant i mbuluar për interesa atdheu, sërish, s’mund të mendohej kurrsesi!

Si ndodh, në ç’hone të padukshme, në ç’terrinë fryme ndërthuren paralelisht dhuntia e epërme e krijimit të bukur letrar dhe shtysa, pasioni i poshtëm agjenturor?

Ndërsa bridhte këndej atllantikut, zhurnalisti Ernest, ky shpirt i përflakur e sfidant, do të ndalonte (viti 1921) në Francë. Ishte rezidimi i parë në Europë.

Në Parisin e vezullimtë do njihej me Ezra Paund, Gertrude Stein e mërgimtarë të tjerë amerikanë. Dhe aty, në frymëzimet parisiene, nisi ndërkalimi madhnor: nga gazetar, në shkrimtar elitar.

Pas moteve frënge kthehet në atdhe. Por Europa, valët dhe shkumëzimi i saj, e tërhiqnin sërish.

Bëri një abonim reporteri për gazetën sindikaliste “NANA” (North American Newspaper Alliance) dhe tani, letrar i formuar, do kalojë (nga 1937) disa vjet në Madrid. Në orët tragjike të luftës civile mes dy Spanjave: Spanjës puçiste dhe Spanjës lojaliste. Atje ku vinin jetën në satrën e mortit dhe shumë brigadierë shqiptarë.

Natyrisht, ai do vuante për republikanët majtistë që luftonin fashizmin e gjeneralit Franko, duke i kthyer në temë librash të tij.

Pikërisht në këtë votër lufte qytetare kishte behur dhe Kim Filbi, më i famshmi i të gjithë agjentëve të botës. I korrespondonte “Timesi”-t londinez dhe anonte hapur nga klika e gjeneralit gjaksor. Aq hapur sa që u shenjëzua si profashist në gjithë rrethet e larta në Madrid.

Këtej diku do t’i jetë zhvilluar më thellë prirja për shërbimin sekret. Ndoshta në Çikago (1920) kur punonte reporter policie për “Toronto Star” ishte ngjizur ky et, një afinitet sythor që do shpërthente më vonë.

Në rrjedhë agimesh t’prarimta të pirinejeve, i vajti kështu mendja të punojë më afër, më prekshëm për vendin e vet, të madh e të lirë.

Nisi të bënte detyrë agjenti për shërbimin e fshehtë “ONI”, dmth. oficer i marinës amerikane. Dhe doli të ishte poaq i shkëlqyer, posi në artin magjik letrar.

Ditët iknin dhe, pas një kohe, do të mërgonte në Kubë për të qëndruar mbi 20 vjet. Por duke vijuar, njëkohësisht, dy zejet bashkë: spiunimin dhe letërsinë.

Meqë çdogjë ka një fund, sukseset mbetën prapa. U harruan. Erdhën çaste të lodhjes, mërzisë dhe largimit të ngadaltë. Por në linjë zyrtare sikur s’ndalonte punën e “Fabrikës së mashtrimeve”, si e quante ironikisht rrjetin e bashkëpunëtorëve të devotë.

Por jeta luksoze që bënte me lekët e shërbimit sekret, do i’a shkurtonte ditët lumnore me detin, barkën Pilar dhe me muzgje peshkatarësh në tavernat gazmore.

Mund të ishte kjo arsyeja që e zilisnin rivalët e tij. Dhe, pra, do të pëshpëritej se pati një dështim të rëndë teksa ndiqte, ose ashtu ngjante, nëndetëset gjermane në ujërat e Karibikut!

Ndaj, do t’i prenin lidhjen e Qendrës, por letërsinë s’mund t’ia merrnin dot.

“Lamtumirë armë” dhe “Plaku e deti” i siguruan atij fronin e përjetësisë!

Por, paksa çudi, një fjalë të vetme nuk shkroi autori zëshquar për këtë midiskohë të jetës së tij të dyfishtë.

Dhe drejt zallahisë së saj do t’a ketë shtyrë shpirti krijues, trishtimi poetik i shkrimtarit për të ndier dhimbjen e një arene të heshtur që, rëndom, dëgjohet vonë, shumë vonë!

2.

Spiunazhi ka një histori ndër shekuj. Qysh herët (sipas Irakli K.) Konfuçie shkruante se spiunazhi, i vetëm, mund të mjaftojë për të ndaluar a thyer një invazion armik. Kurse Sun Shu, 2000 vjet më parë (Libri “Ping Fa”), lartësonte spiunazhin në armën kryesore të luftës, pa të cilën disfata është e sigurtë!

Është e vështirë, gati tis mjegullor, një ndryshmëri profilimi mes agjentëve e spiunëve në kronikën e gjatë, sa vetë luftërat, pushtimet dhe mbretëritë tokësore. Ndarja reale e tyre, ndërkaq, ka një tjetër kuptim të thellë: galeria që i shërben atdheut dhe ana e kundërt, e ulta në kufijtë patogjen, që kallet për interesin armik.

Po ka shpesh një farë të tretë neutrale: rekrutohen nga një vend i huaj kundër një tjetri, poashtu i huaj (Bazna shqiptar, apo!).

Pastaj a nuk ngjan e pikëllueshme dhe një klasë e veçantë e tyre? Janë “sytë e Faraonit” si do u thoshin simbolikisht egjiptasit e lashtë atyre që përgjonin për sundtarin absolut. E pra, sytë që zhbirojnë vjedhtas e pabesisht për hiret e regjimeve tiranike në atdhetë e tyre.

Ne, mjerisht, i kemi akoma mes nesh. Krerë shtetesh, partish, institucionesh e mediash që fshehur apo, tashmë hapur e krenar, sfidojnë Moralin e Lirisë.

3.

Mirëpo mua do t’më përcyste për shkrimin një damë që shkëlqente salloneve të vona të Europës. Është Anna. E bukur, fine, inteligjente dhe e betuar në shejtnínë e shërbesës.

Në fakt, pas shplarjes së ftyrës, rrjedhoi të ishte një ukrainëse virtuoze (Yashchyshyn), me titullin e shpifur të Rothschildëve hijerëndë.

Paskësh spiunuar për Kremlinin kaq vite ndër qendra sigurie, shtabe të Nato-s, kabinete kancelarësh, vila presidentësh të mundur a debate mediash. E kudo ekselente dhe e fshehtë deri në drynim!

Në terminologjinë spiunore ky lloj agjenturimi quhet, disi sensualisht, “armë e butë”, por efektive si rrallë një tjetër.

Samsoni (Libri i Judës, viti 1161 pr. Kr.) kishte flokë të gjatë nga buronte fuqia mistike, e pamposhtur e tij. Por e shoqja, Dalila hirplotë, do rekrutohej nga filistinët n’këmbim të 11.000 dukatëve. Pas javësh me net orgjie dashnore, i preu atij flokët dhe i shoi vdekshëm fuqinë mbinatyrore.

Dhe ishte ajo, me emrin e së cilës do njëjtësohej taktika e re spiunore e “armës së butë”! Më pas, krejt vonë, do vinte Mata Hary, valltarja holandeze e përsosur dhe e pafat. Diell, ose Sytë e ditës i thoshin me admirim në Malajzi, ku mësoi kulturën e kërcimit tradicional. Midis të dyjave, pastaj, pati dhe të tjera “armëbuta” anonime, ndërkohë që pas tyre na erdhi dhuratë e kohës sonë kjo e kolmja, Ana e Rothschildëve.

4.

Në kohët e lavdisë Skënderbejane, Arbëria kishte një shërbim të mirëvajtur, madje të përsosur, informativ.

Me t’u kthyer në Dhéun e vet, Gjergj Kastrioti do hidhte në Kuvendin e Lezhës (viti 1443) nismën e një rrjeti të fshehtë spiunësh që do përgjonin nga Kruja e deri në Edrene.

Këtë do pohojë me adhurim dhe Noli kur shkruan për një “zyrë spiunësh ushtarakë” arbnorë. Më herët ende dhe jetëshkruesit amerikanë Moore e Backob (sipas Paulin Z.) mahniteshin me Instancën e zbulimit që tejçonte aq shpejtësisht informacione nga visi në vis rrotull territoreve arbnore. Madje, më larg gjithandej. Qendrat përlidhëse të Kastriotit zhbironin në vetë selinë sulltanore  n’Stamboll…

Dhe ishin këta sypishë e veshtarë të hollë që bënin të mundur shpartallimin në pritë, pa mbërritur tek kufijtë e Arbërit, ekspeditat Osmane, perandorisë më të fuqishme të kohës.

Mund t’mos e ketë njohur mësimin e Konfuçies, por mprehtësia dhe arti i përsosur i luftës, taktikat e strategjitë, e kthenin Kryezotin mesjetar, tek kjo vlerë e artë. Si vetë triumfet e tij legjendare që frymëzuan shpirtërat e lartë krijues të botës. 

5.

Ndërkaq, Zyrat sekrete të Monarkisë së Zogut dhe Rendit komunist të Enverit, i bashkonte një yshtje, një ego dhe pasion: më shumë se sigurisë kombëtare, i shërbenin, me gjasë, fortifikimit regjimor të tyre.

Me t’ardhur në krye të ministrisë së brendshme (fundviti 1921), Zogu do të themelojë “Sekretarinë sekrete” shqiptare. Rivalët zunë t’a akuzojnë se e kishte digë rreth vetes dhe instrument për ngjitje lartë në shkallët e fuqisë politike.

Udhëheqës të Zyrës do emërojë Zogu të njohurin e vet Haki Stërmilli, atëherë shkrimtar i dëgjuar. Posi miku i letrave Heminguej në një hapsirë tjetër Europe, zhytej dhe ky në thëllimat agjenturore…

Po fundja, po bëmë një anëvështrim rasti, a s’kish qenë dhe patriarku letrar Gëte kryesues i Komisionit të luftës në Republikën e Weimarit? Një poet, më i epërmi i të gjithëve, në ballë të një Komisioni lufte? E pangjashme. Jashtë racës apo urdhërit hyjnor. Thjeshtë ai s’mund t’mos bënte dhe punë arbitrimi informacionesh të besueshme, sepse asnjë lufte, e asaj kohe assesi, nuk do t’i mungonte kurrë këmbimi i mesazheve të fshehta!

Ishte, që këtej, vetë Gëte personifikim i kësaj plotësie dybotëshe: poeti paskësh “bashkuar m’një të vetëm Shpirtin dhe Pushtetin”, si do t’a justifikojë teorikisht historiani Rothe.

Në fakt, Shqipëria sfilitej e greminosej nga betejat e klaneve politikë. Një shërbim i tillë, mbase mund të parandalonte krizat dhe anarkinë.

Fjala vjen, agjentët e zyrës qysh në fillimpunë do evitonin dy atentate ndaj Zogut, por që sërish do të ndodhte një vit më pas, fror 1924, në Parlamentin shqiptar.

Dorëjashtë nuk ishin asnjëherë, si sot gjithnjë, shtetet fqinje. Sllave veçanërisht!

Një nga objektivat e “Zyrës sekrete”, që këtej, thuhej të ishte kundërzbulimi i agjenturës së huaj, sidomos greke dhe jugosllave. Ishte i madh, dhimbshëm i tillë, numri i shqiptarëve që spiunonin për jugosllavë, dmth. serbë, mandej grekë e të tjerë.

Një zejë e shpirtshitjes që, me sa duket, shqiptarët kudo në shtetet e tyre, nuk e braktisin akoma sot!

6.

Më trishtoi një mbrëmje, ndërsa lexoja për shtigjet e influencës ruse në Shqipëri. Ishte Gerta Z., referuesja solide e çështjeve të sigurisë.

Për “The Geopost”, veç dhiareve të tjera influente, ajo i druante dhe një tjetër porte gjysmë të hapur. Të vjetër, të rëndë dhe, për habi, romantike: nostalgjia!

Në Tiranë, thoshte jo pa deshpërim, qenkësh në jetë, e pashuar dot asnjëherë, përmallja Sovjetike. Ashtu si në Prishtinë, ndoshta, që vrujon lehtas një grimë mallëngjim Jugosllavie. Më pak, sigurisht, sepse gjaku e vdekja, gjenocidi e doktrina serbe e zhbërjes, kanë tretur, tashmë, vesën e saj.

Ndaj dhe levë e parë që ka forcën jetike të refuzojë Rusinë është një ndjesi. Dhe kultura e saj. Dukej e konsumuar nga globalizmi i gjithështrirë, por trandja e vdekshme e Europës, provoi përhershmërinë e tyre: frymën e gjallë të patriotizmit!

Në ç’format, zgjuarësi, organizim e, sidomos, mision janë vallë strukturat  e agjensive inteligjente të Shqipërisë e Kosovës?

Mbajnë në shenjë spiunët e palodhshëm armiq dhe, poashtu, kanë hedhur në terrenin e huaj agjentë të stërvitur shqiptarë?

Apo, mbase, galeri e tyre s’janë veçse “sy faraoni” për regjimtarë në Tiranë dhe, kushedi, për qeveritarë në Prishtinë!

7.

Agjentët kanë trajektore, gradime e fate të ndryshme n’për kohë.

Riçard Sorge ishte i nëmur në Gjermani, sepse mësoi lajmin se japonezët nuk do të mësynin ushtritë ruse në lindjen skajore. Dhe Kremlini, i përqëndruar, do të dislokonte gjithë trupat në perëndim. Por në Rusi ishte hero, i dashur e atdhetar.

Heminguej nuk do rrëzohej në kurthin e palës armike, sikundër as Daniel Defo, poashtu shkrimtar i shquar, s’do të përfundonte keq.

Bazna (Iliaz) i Prishtinës, më i njohuri spiun shqiptar që, me nofkën “Cicero”, nga rezidenca diplomatike e britëve në Stamboll agjenturoi për gjermanët, do binte shpejt në pamëshirë e mosmirënjohje. Berlini ariozofik nuk e konsideronte relacionin e tij për datën dhe pikëzbarkimin e saktë të aleatëve dhe humbi luftën. Megjithatë, prehet në Mynih dhe ka një libër (“Isha unë Cicero”) e film për të. Për veprën e tij të rrallë. Një kujtim përjetë.

Kim Filbi, kultfigurë e spiunazhit botëror, do kishte poashtu, si Sorge, maskë e pasvlerësim të dyanësor. Nisi me britët e vet dhe përfundoi tek Sovjetët bolshevikë. Me gjasë, nga fillimi ishte i tyre. I dyshuar për trathti kombëtare, u arratis (viti 1963) nga Bejruti në Rusi ku ndërroi jetë 25 vjet më vonë. Në ditët e fundme të jetës, i shpjegonte medias brite, se s’kishte trathtuar askënd. Sepse të trathtosh, thosh ai, duhet më parë t’i takosh dikujt. Dhe unë, përpos idealit tim, nuk i takova askujt…

La pas një libër (“Lufta ime e heshtur”) dhe një varr (1988) në Moskë. E kishte thënë me gojë të prehej në tokën, së cilës, si pohon vetë, për gjysmë shekulli i kishte shërbyer besnikërisht

Veçse, si për të larë mëkatet e të gjithëve, bija holandeze, ikona Mata Hary, do të ekzekutohej nga francezët në Paris (viti 1917). Nuk bëri ndonjë shërbesë besnike, të dhënë shpirtërisht matanë Saint Lorraine. Por mënyrën e vdekjes e zgjodhën të tjerë.

Dalila, si vdiq? Shkrimi shéjtë nuk flet më për udhëjetën e saj pas besëprerjes së ligë.

Po tani, e hijshmja Anna Rothschild, ukrainasja Yashchyshyn, që mbërriti në stacionin e fundmë të saj? Ç’do të duhej t’i ndodhte?

Pararendësja e “armës së butë” Mata Hary, iku me jetëprerje në zjarrin e një lufte. Ishte aherë e para luftë botërore.

Mirëpo, për dijeni, Europa edhe tani gjendet në luftë…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura