BESNIK KRYEZIU: “KRIM STAR-ët” E KANË SHNDËRRUAR KOSOVËN NË TEATËR MAJMUNËSH

(Prizren, Gusht 2012) – “Telenovela Bllaca” po vazhdon me episode të reja të cilat po shfaqen pikërisht në kohën kur opinionit tentohet t’i hidhet hi syve për t’ia shpërqendruar vëmendjen nga “kulaçi” i hidhur që po i gatuhet.
Që nga fillimi i kësaj “telenovele” të cilës deri me tani nuk po ia dimë as skenaristin e as regjisorin, qytetari dhe opinioni publik i Kosovës po terrorizohet dhe poshtërohet si më së keqi! Nuk e di se a mjafton të thuhet vetëm mjaftë më, sepse kjo “telenovelë” ka kaluar kufijtë e çdo normaleje dhe po na bëhet si racion buke dhe material për thashetheme!
Episodi i radhës i kësaj “telenovele” është videoja që u bë publike nga personi që është shndërruar në “krim-star”. Në këtë video shihen dy nga ata që vetën e kanë shpallur spiunë të SHIK-ut dhe vrasës për llogari të SHIK-ut, por që shefat e SHIK-ut e kanë dhe po vazhdojnë ta mohojnë të qenit e tyre në këtë Shërbim Informativ.
Kosova e jonë, është bërë pëllëmbë toke ku vetëm të ndershmit e kanë vështirë të jetojnë, sepse të tjerët, qofshin këta edhe vrasës e kriminelë, pseudointelektualë e dallkaukë, brenda ditës bëhen “yje”, dhe e sundojnë këtë pëllëmbë toke që Zoti ka thënë të jetë shqiptare, duke bërë lëmsh tërë hapësirën tonë politike dhe intelektuale, mu si kur ata kuajt azganë.

…………………………………………………..

Dhe për ironi të fatit, Kosova vendi me shumë misione ushtarake, politike, drejtësie dhe çka jo tjetër, nuk po mund t’i ndal këta azganë, nuk po ia arrin të na kursejë shëndetin tonë mental i cili po rrezikohet shumë seriozisht nga këto lajme dhe pamje.
A është Bllaca karta me të cilën ndërkombëtarët ia ndalin “turrin” kryeministrit?
Derisa po e shihja këtë video më lindën disa pyetje:
– Pse pikërisht tani u publikua kjo video, në këtë formë dhe përmbajtje?
– Si është e mundur që Misioni EULEX ka qenë në dijeni të këtij takimi dhe për çka e ka lejuar këtë takim?
– A duhet të besojmë se një vrasës (që e ka deklaruar vetë se ka marrë pjesë në disa vrasje) të ketë aq fuqi që të na trazojë sa dhe si do ai?!
– Kush qëndron mbrapa tij dhe për çfarë llogari e aktivizon atë?
– A ka të bëj e gjithë kjo me huti dhe largim të vëmendjes nga bisedat politike që po pritet të vazhdojnë, sepse, për mua, këto bisedime kanë filluar atëherë kur na thoshin se janë vetëm bisedime teknike?
– A është Bllaca karta me të cilën ndërkombëtarët ja ndalin “turrin” kryeministrit?
– A ka diçka në “misionin” e këtij njeriu që ne duhet ta dimë dhe ta kuptojmë?
– A guxojmë t´i besojmë symbyllur këtyre kurdisjeve që mund të na vijnë edhe nga Shërbimi Informativ Serb, dhe jo vetëm?
Prokuroria dhe gjyqësia kosovare është bërë turpi i botës
Nuk po shqetësohem as për SHIK-un e as për Bllacën. Le të shkojnë në ferr të gjithë ata që e kanë përlyer prapanicën. Por po shqetësohem për lehtësinë me të cilën po i gëlltisim gjërat ne si opinion publik.
Këtij vendi i duhen patjetër heronjtë e gjallë, i duhen ata që heqin mjegull, i duhen ata që flasin shkurt dhe shqip. E di që nuk është e lehtë të flitet. E di që nuk është lehtë të qëndrohet vertikalisht, por nuk duhet të vazhdojmë të jetojmë të gjunjëzuar, duke pasur frikë se poqëse tentojmë të ngrihemi në këmbë mund të rrëzohemi e vritemi.
Prokuroria dhe gjyqësia kosovare është bërë turpi i botës. Po i shohin kriminelët dhe vrasësit në televizion, e nga ana tjetër pa fije turpi dalin e thonë se po e luftojnë të keqën e madje po lavdërohen për suksese!
Slogani hetimet vazhdojnë është bërë sikur të thuhet se në Saharë do të dal ujë. Këta prokurorë e gjyqtarë si të tillë që janë, janë vetëm barrë për buxhetin e Kosovës.
S´na duhen prokuror e gjyqtar që kanë frikë e lagën në pantallona kur ju kërcet dera apo zilja e telefonit.
Ne që kemi dhënë kontributin tonë për këtë shtet dhe i jemi gëzuar shpalljes së Kosovës shtet, me të drejtë kemi filluar të zhgënjehemi nga ky lloj shteti të cilit kriminelët i shfaqën në ekrane për pikë qejfi dhe për ditën me diell duke treguar se nga kush i kanë marrë urdhrat për të vrarë!
Çfarë shteti është ky në të cilin kriminelët e zënë në gojë edhe vetë emrin e kryeministrit, (natyrisht jo për mirë) dhe prapë flenë të qetë madje nën vëzhgimin e EULEX-it?
Çfarë shteti është ky që i donë vetëm heronjtë e rënë, por jo edhe ata të gjallë, ndonëse këta të fundit nuk po shihen gjëkundi?
Ka dy alternativa në gjithë këtë që po na ndodh. Ose duhet të merr fund ky teatër majmunësh, ose do të marrim fund ne së bashku me këtë shtet që po e mbysim me heshtjen tonë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura