MAKTHI I FUQISË…

MAKTHI I FUQISË…

(“Arcana imperii” për prerjen e Ballkanit)

Nga Rexhep Kasumaj, Berlin- Maj 2022

1.

Kronikë

Menelau e Odiseu u nisën njëj misioni të vështirë diplomatik në Trojë. Deshën prapa Helenën e bukur. Të  rrëmbyer përtej durimit për nderin e shkelur. Por dështuan. Dhe lufta eTrojës nuk do t’shmangej dot.

Këtej i frymëzuar, Ati i Letrave të vjetra Homer, i cilësonte diplomatët “Angeloi”! E kthyer shqip domethënë ëngjëll. Dhe këta ëngjëj do të gëzonin kryehershëm privilegje sakrale.

Por ndër vite më të lashtë, kronikat shënojnë fille të kasnecërisë së veçantë mbretërore.

Në vitin 14-të, para Zotërisë, një mesazher shtegtar kish marrë një porosi të lartë sovranore. Dhe, pa vonuar mori udhën e gjatë. Duhej t’a dorëzonte lutjen e rëndë të Faraonit: i kërkonte vajzën për harem mbretit të Babilonisë…

Arkivi i mbretit të madh Assyr, (600 vjet para Zotërisë) Assurbanipal ishte poashtu plot, qindra relacione diplomatike. Lajmësi i tij, fjala vjen, i çonte Notë sovranit babilonas Elam: më dërgo refugjatë robër. Se, ndryshe, do t’ju asgjësoj përtokë, ashtu si pararendësin tuaj….

Mirëpo, shumë kohë më pas, ishte Bizanti që do t’themelonte diplomacinë e parë profesionale në botë.

Europa mesjetare kuptohej aherë, së paku teorikisht, Njësi unike: Res publica cristiana! Ndaj, kjo do të shenjohet si Orë e lindjes së shtetit modern në botë!

Mirëpo, bashkë me të, do të lindte dhe e famshmja diplomaci e zezë. Ndaj dhe moralisti i shquar frëng La Bruiére, përskajonte diplomatët kameleonë t’pakarakter. Ndërkohë që Egon Friedell (në ” Historia e kulturës…”) i portretonte ende më pamëshirshëm. Janë, thotë, mercenarë që  spiunojnë, mashtrojnë, gënjejnë a korruptojnë për “atdhe”…Veçse atdheu janë qeveritë e regjimet mbi krusmën e kombeve të tyre….

Dhe diplomatët, ndërkaq, do të dilnin ashtu ngadalë nga “Angeloi”, nga prehja e fisme homerike.

2.

Fshehtësitë e mesazherëve

“Arcana imperii” ishte parimi antik i diplomacisë.

Shekuj do përftonin dhe njerëzia mbahej në hekura injorance nga ky parim i errtë. 

Në luftën e parë të botës, kur ajo mbaronte, një filozofi e re humaniste dukej se dritëronte pak vjedhshëm.

Një nga 14 pikat e Deklaratës së Wilsonit në Paris, kërkonte të shpallej botërisht çdo akt, bisedë e traktat nga takime a konferenca në kështjellat e hijeve. Madje, anise kundërshtarë, gati armiqë, dërgatarët e Sovjetëve, do të mbështesnin këtë iluminim amerikan. Në shtypin moskovit publikohej çdo fjalë, pozicion a rezolutë që ekspononte Rusia bolshevike.

Por kjo çiltëri entuziaste, s’do mbijetonte gjatë. Do tretej pikërëndesë e Wilsonit, poaqsa zotimet proletare të Kremlinit.

Dhe “arcana imperii” (fshehtësia e sundimit) do riveshte frakun e zi për të kultivuar cinikisht terrorin e bardhë të buzqeshjes salloneske…

Sot e gjithmonë!

3.

Ballkani i ri…

Karakterologët, një soj specialistësh të promovimit rrezatues, njohin lëvizje, shikim, mbajtje duarsh, tonalitete zëri, formë të uljes a mënyrë e çast të buzëqeshjes…

Mbase ky tip këshilltarësh do t’i kenë thënë Macronit: duhet të mësosh qëndrimin dhe mimikrinë, sepse je Prijës i Europës.

Dhe ai do t’i dëgjojë ata. Me disiplinë e shpresë. Paksa ngjashëm me ndjesinë dhe ngutin e despotëve. Se koha, orët e numëruara të saj, ikin shpejt.

Me të hyrë në Elize pas ikjes së Hollande, mori një hov arrogant: Natos i është tharë truri, tha, dhe Europa duhet të ketë ushtrinë e saj. Por ideja do të thyhej në muret granitike të indiferencës gjermane.

Kam shkruar disaherë për Francën e Macron-it, ky pseudoeuropeist i thekur.

Më tinëzar se dhelpra, qysh në fill niste rizgjimin e gjeopolitikës së vjetër nga dremitja e lehtë.

Do t’i jepte poashtu përmasë të re diplomacisë jopublike. Fliste për Europën dhe integrimin e Ballkanit perëndimor, por në fakt i mendonte kufijtë komunitarë vetëm deri në Vjenë.

Tani prapë, njëj elani dhe ëndrre madhështie. Nëse Putinit i shfaqet hijadhë Ivan Grozni, ky do të deshte lavdinë e një Lui të munguar 17-të. Fundja, si shkruante Prever, vallë kaq pak dinin të numëronin, vetëm deri në 16-të?…

Tani që lufta e Ukrajinës i ktheu trurin Natos, Macron qarkullon një ide tjetër: kërkon Atllas të ri politik të Europës. 

Koncepti i dy shpejtësive u dogj. Për t’i harruar, ai do të nismëtonte idenë e dy Europave.

Njëra, Bashkimi që njohim dhe tjetra, e reja, periferike, e subordinuar e njëj kulture gjysmëorientale, do shtrihej në margjinë, poshtë këmbëve të së parës.

Një kohë, fortafolës disonantë të Brukselit flisnin për një ritëm të shpejtuar integrimi që ballkanësit perëndimor të shkëputeshin nga influenca ruso-kinezo-turke. Këtë intencë do të kishte dhe njohja e Kosovës nga shteti i fortë i Izraelit.

Me Jerusalemin në qendër, natyrisht!

Por në optikën e Macronit kjo zonë e hirtë ballkanëse përbëhet nga shtete të pakryer. Bosnja, Kosova, Serbia, Maqedonia…a nuk kanë të gjitha cenet e, ndaj, aspiratat e veta?

Por sëpata e shantazhit, rëndom, bie mbi ata që i dalin m’udhë Serbisë, mikes së hershme nga koha kur ajo (Zhorzh Klemanso) cilësohej ngordhësirë e aleatëve.

Prandaj mesazhi godet prerë: në doni Europë, aherë shtegtimi n’për Belgrad do kalojë. Tashmë në formën dhe staturën e Piemontit mbi një organizëm të ri nëneuropian që do t’restaurojë fijelidhjet e Jugosllavisë së vdekur.

Dhe pa ithtarë, madje të ndërkryer deri në trathti, ky përbetim nuk është, mjerisht.

Rama i Tiranës bën ekzemplarin përmendoral të saj.

_______________

Evokim fundjave, Berlin

UDHA DREJT BURIMIT…

(Pastaj era, shpresa dhe një këngë)

1. Gurra e jetës…

Nga leximet ndër vite do të mbetesha i mrekulluar njëj gjakimi të veçantë. Mësova se, në një kohë të caktuar, troftat ikin lumit përpjetë. Marrin udhë drejt burimit.

Është një shtegtim i gjatë flijimesh. Gjysma treten, bien, humbin jetën. Por bëjnë tutje, se e dinë që e kanë patjetër.

Shtytja e species nuk ngjan e vështirë për t’u zbërthyer: duan të kthehen në gurrën fillestare të jetës.

Dhe, me ç’duket, ky është kuptimi i tyre i atdheut. Më i fortë, madje, se tek bota e sipërme njerëzore…

2. Bregu i gabuar…

Përgjigjen e di era…këndonte, e brishta, e pakuptuara Marlene Dietrich në t’vjetrën, t’bukurën e epokë furtunëse.

A do ia sillnin asaj, jo puhizat me ankth, por stuhitë rrafshimtare që s’i priste…apo do ikte kërcurë në legjendë!?

Ndoshta! Në fakt, pikërisht miti i dhimbjes e moskuptimit ishte përgjigja që do i vinte vonë.

Po përse mua s’më përgjigjet dot? Pyetjeve të mia herake që tashmë bari i ka mbuluar!

E janë aq shumë. Por, si gjithçka tjetër, edhe ato kanë të madhen, prijësen mundimtare që, anise muzg me vesë, ende pret!

Me gjasë, kot. Sepse e bekuara erë ndërron përherë drejtim dhe ajo, kryepyetja e lodhur, ulet e pret në bregun e gabuar.

Pastaj sërish nga e para, e kështu pambarim…

3.

Plaku i kafenesë…

Era, ndjekur ca pikëzash të penduara shiu, lëkund lehtas parmakët e dritares që vështron në kopshtin e tharë. Dhe ashtu, nga harrimi, fton sërish në logun e dramës njerëzore. Mes tyre, e vjetër sa bota, përvijohet si rr’fe përflakëse më prehësja e thënjemirave të botës: shpresa vdes e fundit!

Athua, vërtetë? Apo s’është veçse ngushëllim imagjinar i të mundurëve të jetës…

“E di ç’do thotë të jesh plot me Asgjë?”, i rrëfen plaku i lodhur banakierit në “Kafenenë e pastër e të mirëndriçuar” të Hemingwayit. Dhe kështu, disi krejt ndryshe, do t’i bëj një përskajim filozofisë së shpresës, plaku që i kish qejf ndenjat e gjata në kafene, deri kur nata prekte mesin e saj…

Ndoshta ai është në të drejtën e tij. Në përceptimin e vet të udhëve të kryqëzuara në horizontin e mugët. Sepse kur je i mbushur përplot Zbrazti, edhe thërrimet e  pakmbetura të ëndrrës ikin larg në arrati…

4. Kënga ime…

Muzika, si Zoti, vetëm zemrën sheh.

Ndërkaq unë, në shpalesë të t’naltit Schopenhauer, pyes: athua sheh zemrën time kënga, sipëranja e të gjithave, “Moj e bukura More”?

Dhe, ç’i thotë vallë? E prehë, e bën trishte a fajëson..?

Ah, këtë fshehtësi sublime e njohim vetëm ne dhe s’mund t’ia rrëfejmë dot askujt në botë.

As natës së varrit!

R. K.

___________________

Fundprill, 2022 Berlin

“MOMENTI I VERDUNIT”

(Mbi gjasën e një anologjie)

Dimër i acartë në Francën lindore. Viti 1916, tashmë i largët. Por i arkivuar përjetë në kujtesën historike.

Ashtu si shpeshherë në aventurën e marrëzisë njerëzore, në Sheshin e fortifikuar Verdun, për 271 ditë rresht dy ushtri të mëdha qëndrojnë ballas në llogore. Rreth 700 mijë ushtarë, shumica e tyre, mbi 300 mijë të vrarë, shënojnë betejë-plojën më të përgjakur në kronikat e luftës së parë botërore.

Sfondi ishte i mugët. Lëvizje të befta rrihnin t’i thyenin krahët armiqëve. Ndërsa Franca kishte me vete Rusinë, britët iu bashkuan Antantës pse Gjermania me aleatë do t’shkelte në kalim tokën belge të garantuar prej tyre.

Pastaj, mars i vitit 1918, në Brest-Litowsk, prijësi i revolucionit sovjetik Lenin arrin paqe me austro-hungarezë e gjermanë, por, për çudi, do të vijojë tutje luftën kundër tyre. Teoricieni i internacionalizmit proletar a solidarsisë së popujve Lenin, do i nënshtrohej, ashtu, ligësisht “vozhdit”  imperial Lenin.

Dhe, sa simbolike, një muaj më herët, po aty, firmoset separatisht e njohura “Paqe e bukës” me Ukrajinën. Gjermanë, austrohungarezë, turko-osmanë e bullgarë do të furnizoheshin me drithë (një milionë tonë grurë…) e dhjetra lloje ushqimesh tjera. Kjo “paqe e bukës” do t’i jepte fund luftës në krahun lindor të Europës. 

Do të evokoja Verdunin, këtë fragment të errtë historie, për të parë mundësinë e një fundi të ngjashëm. Gjasën e një analogjie të vështirë.

Ndoshta ka ndodhur dhe në fushëluftë e kohë të tjera. Një betejë mbase mund të mbyllet ndonjëherë pa ngadhjimtarë e të mundur. Ja, në Verdun gjermanët nuk mposhtën dot mbrojtësit e qytetit, atdhetarët francezë. Por as të dytët nuk i’a dolën të çajnë rrethimin, t’i shpartallojnë trupat sulmëtare e t’u jepnin arratinë me bisht ndër këmbë.

Ky epilog, kur të dyja palët, këputur e sfilitur, thjeshtë lënë luftën, më pas zuri të quhej simbolikisht

“momenti i Verdunit”!

Tani a mund të ketë një moment të dytë Verduni në Ukrainë? Nato bën një “luftë përfaqësimi”, domethënë prapa Ukrajinës kundër Rusisë…Ndaj, a do të shpjente kjo mbështetje armësh (së fundmi gjermane) për Kijevin, në lodhjen, sosjen e resurseve të luftës së agresorit e, pra, në Verdun të ri? Dhe i tillë, në mbarimin pa fitimtarë e të humbur klasikë? Në paqen e luftës dhe atë bukës”?

Dijetarë luftërash pohojë këtë pandehmë.

Veçse realiteti, sidomos me zotërit e Kremlinit, shket përherë jashtë kufijëve të racios apo fsheh prorë thikën e pabesisë…

Putin nuk guxon të fitojë, por as të humbasë! Megjithatë tirani do të priret e bie në njërën prej tyre.

E besoj të parën, sigurisht!

2.

Europa mbrohet sërish në Londër e Uashington.  E rithem këtë prapë e bindshmërisht. Herën e parë kundër nacizmit gjerman e, tash së dyti, kundër nacizmit rus.

Ndërkohë që europianë të tjerë janë inertë ose të vegjël, Bundestagu gjerman bëri një akt rezistence: miratoi dërgimin e armëve të rënda në Ukrajinë. Veç tjerash pjesë e pakos do jenë tankset Gepard. Të rrezikshme akoma, por jashtë përdorimit për Bundeswehrin tash disa vjet. Përse jo brezin e mëpasmë Leopard ose, madje, të mnershmet tankse Marder?

Ekspertë që justifikonin pozicionin ngurrimtar të kancelarit thoshin të mos kenë ukrajinasit dijen e mjaftë teknologjike për Marderët e stërholluar e vdekjeprurës!

Kancelari Scholz kishte formuluar qysh në fill një qëndrim abstenimi të shurdhër. Një anashkqyrje imorale. Dhe vijon t’a ngrejë atë në shkallë doktrine. Thotë në një mënyrë, gati, mistike: këtu udhëheq unë! Dhe këtë Un-nin e tij përpiqet t’a arnojë me fjalë të frikshme mbi Apokalipsen. Po i dhamë armë të rënda Ukrainës, Marderë e arsenal tjetër të sofistikuar, pohon ai rëndshëm, do të plasë Lufta e tretë botërore.

Si? Vërtetë?

Armë të rënda liferojnë britët, amerikanët, holandezët, polakët e baltët dhe kjo nuk qenka shkas, një casus belli, i Luftës së re botërore!

Athua vetëm armët gjermane paskan këtë potencial, këtë fitil shpërthimi?

Apo, mbase, të jetë ky justifikim njëlloj shfajsimi për abstinencën ngulmëtare si detyrim traktativ ndaj Rusisë?

Në fakt, është taktikë e pritjes dhe një shpresë e hollë që lufta të përfundojë shpejt. E kancelari të shpëtojë nga trysnia dhe zvetnimi i dinjitetit të tij. Dhe atdheut që përfaqëson.

Megjithatë, më shumë se cilatdo, Selenski kërkon paprerë armët e rënda, tankset gjermane Marder…  

Por ato s’vijnë e s’vijnë…

3.

Sa bajate do të bëhej ndër vite floskula përverse “integrim i Ballkanit perëndimor” në Europën komunitare.

Poshtë syprinës e pas krahëve ishte gjeopolitika e rikthyer që vrujonte. Dhe ballkanësit, tek ndiqnin kurse integrimi për shtetin juridik dhe shoqërinë e hapur, prisnin afate dhe stinë të reja.

Por mbeteshin pranë portës, në shi e vetmi!

Tani nga Londra, sërish andej, vjen një ide krijuese. Ofensive.

Motet e pritjes e zhgënjimit për integrim politik do të shmangen pak. Në vend të tyre ka behur në Mot i ri: armatosja e Ballkanit. Zonës së tij të kërcënuar. Jo me refren të lodhur idesh, por me armët e fuqishme të Natos. Dhe integrimi de facto ushtarak, do i rrëmbejë përparësinë integrimit të shantazhuar institucional.

Britania sheh më larg e guxon më shumë. Një truall i lirë që, qysh nga lashtësia romake, nuk do t’a shkelte këmbë e huaj. Ndaj, me traditë lirie e mendimi politik, ndjen dhimbjen dhe paravëren rrezikun e afërt të armiqëve. Dhe, natyrisht, kultura e Perandorisë planetare, i jep tagër e kujtesë, zotësi e inteligjencë për të kapur Orën e historisë!

4.

Kisha shkruar se fatkeqësitë mund të kenë në ikje dhe ogur të mirë. Si kaltërimi i qiellit pas stuhisë… 

Simetria, kjo skile kujdestare, trëmb serish serbët.

Kremlini përzjen kartat. Fillimisht do të hidhej paralelja përligjëse e Kosovës me Krimenë, për t’a reviduar më pas duke përjashtuar Veriun nga esenca e saj.

E tani, Putin, në bisedë me sekretarin gjeneral të Okb-së Guteres, do të rivënte në tryezë argumentin e simetrisë. Kosova (me apo pa Veriun?) qenkësh një rast identik me rajonet  Luhansk e Donbas të Ukrainës.

Interesat strategjikë peshojnë tani gjithçka.

Teoria “sui generis” e fuqive perëndimore, aq efektive e shpëtimtare për çlirimin e Kosovës,  mund të kthehet njëj dite kundër saj vetë.

Kurse simetria, logjika e saj, do të nënkuptonte ridefinim të interesave strategjikë perëndimorë. Amerikanë, në radhë të parë. E kjo, tutje, do të çonte në njohjen e deklaruar a të heshtur të pushtimeve ruse në këmbim të njohjes së Moskës për Kosovën.

Ndryshe, ngurosja e “sui generisit”, e pra, një mungesë e lëvizjes, fleksibilitetit dhe riformatimit interesor amerikan e atllantik përgjithsisht, do t’mund të ngrínte e ndalonte Kosovën në gjysmëudhën e lirisë!

R. K.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura