MARGARITA SYZIU: BUKËSHKELËSI

Toronto (Kanada): 12 shkurt 2021

 

 

 

 

 BUKËSHKELËSI

Margarita Syziu

(Sipas një anekdote)

 

Një shtegtar,
Bjeshkët e Nemuna
më këmbë kish kaptuar.
I lodhur, i uritur,
i dërrmuar.

 

Troket në një derë,
bukë për të kërkuar.
Një grua e bukur, malësore,
e vetme në shtëpi,
derën ia hapi
gjithë bujari.

 

Dhe brenda e fut udhëtarin,
si mik e nderon.
Tryezën në odën e madhe,
plot e përplot ia shtron.

 

Dhe verë e raki,
si mik e nderon,
me zëmër në dorë,
siç ne e kemi zakon.

 

I flet si motra vëllait,
aty pranë i qëndron,
e gatshme për t’i shërbyer,
si pritet ndër ne miku,
siç e kemi zakon.

 

Ky, burrë – burrec,
e keqkuptoi.
Mbasi u ngop,
gruas nisi t’i vardisej,
me fjalë ta provokojë.

 

Gruaja e bukur,
e fyer në palcë,
dritaren hap
dhe burrat e shtëpisë
tek punonin në arë thërriti.

 

I pari burrë ia mbërriti me vrap,
të tjerët u sulën mbas tij,
si në rast rreziku.
U tremba o vëllezër,
gruaja e bukur
i qetësoi,
buka në grykë
i ngeli mikut,
thashë se u mbyt,
po i kaloi.

 

Burreci, ky zuzar,
këtë nuk e kish pritur,
i pa burrat me radhë,
me frikë, i nemitur.

 

T’u rritë nera mori çikë,
së me mikun
do ishim koritë.

 

Dhe burrat në arë u kthyen.
Gruaja, burrecin me përbuzje e pa,
ushqimet e mbetura me vete ia dha
dhe derën i tregoi.

 

Bukëshkalë!
Nga sytë m’u hiq sa më parë!
Se po i thirra edhe një herë trimat,
i gjallë nga kjo derë nuk ke për të dalë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura