MASAKRA NË BURGUN E DUBRAVËS 19 – 24 MAJ 1999 (I)

(Pashtriku.org, 19. 05. 2012) – Platformat serbe për plojat dhe masakrat mbi shqiptarët datojnë nga periudha e ngritjes së shtetit të Serbisë. Ato i përuroi vojvoda Milosh Obrenoviç, me urdhëresën e vitit 1832: T’i jepen “25 të rëna me shkop” akëcilit shqiptar a boshnjak që do të kapet në Principatën e Serbisë, kurse më 1834 përdori ushtrinë “për t’ua djegur fshatrat” dhe “kuartet në qytete”, ngase shqiptarët dhe boshnjakët ishin vu në lëvizjen kombëtare për çlirimin nga Perandoria Osmane dhe çlirimi i Shqipërisë dhe i Bosnjës do të bëhej pengesë për zgjerimet e reja të Serbisë.
PLOJAT DHE MASAKRAT MBI SHQIPTARËT
Këtu e tutje të gjitha zgjerimet e Serbisë me toka të Shqipërisë u kryen me përdorim të plojave dhe të masakrave mbi popullsinë shqiptare. Kjo strategji ishte institucionalizuar me platformën politike dhe juridike të shtetit serb nacional – “Naçertania” të vitit 1844, ku thuhej: “Serbia duhet të orvatet që nga godina e shtetit turk të heqë vetëm gur pas guri e t’i marrë ato që mundet nga ky material i mirë dhe mbi themelin e vjetër e të mirë të perandorisë së lashtë serbe të ndërtojë sërish e të mund të ngritë shtetin e ri serb”.
Vërtet, në periudhën e Krizëz Lindore nga fillimvitet e ’50-ta të shekullit XIX dhe të Luftës ruso-turke të viteve 1877-1878, një botë e tërë e krishterë (evropiane e ruse), do të përlyhet me gjakun shqiptar. Madje, historiografia serbe kurrë nuk e ka fshehur urdhëresën e Princ Milan Obrenoviqit për ushtarakët e paramilitarët serbë: “Sa më tepër shqiptarë të shpërngulni, aq më të mëdha do të jenë meritat tuaja para atdheut…!”. Urdhëresa kishte forcën e ligjit serb për etnocit ndaj shqiptarëve. Me strategjinë “Toka e djegur” u bë spastrimi shqiptar etnik i mbi 640 fshatrave dhe qyteteve shqiptare të Sanxhakut të Nishit.

__________________________________

Aeropagu evropian – Kongresi i Berlinit (13 qershor – 13 korrik 1878) e shpërbleu gjenocidin e krishterë ortodoks të shteteve fshqinje të Shqipërisë, duke ua njohur të drejtën në rreth 24 458 km2 të tokës shqiptare. Viset e aneksuara u dealbanizuan sipas strategjisë “Toka e djegur”, duke shpërngulë me dhunë etnocidale të llahtarshme rreth 250 – 300 mijë shqiptarë etnikë. Pas copëtimit ndërkombëtar të përgjakshëm, më 1878, Njësia etnokulturore dhe gjeopolitike e Shqipërisë, e ndarë në katër njësi administrative dhe ushtarake osmane, pati 90,100 – 90,270 km2 me 3,804,000 banorë, prej të cilëve mbi tre milion shqiptarë. Këso kohe Vilajeti i Kosovës kishte 32,900 km2 me mbi 1,270,000 banorë. Territori i Kosovës aktuale, prej 10 887 km2, më 1912, kishte vetëm rreth 3.7 për qind serbë, ndonëse Jovan Cvijiq flet për 5 për qind.
Viti 1912, me Kryengritjen e Përgjithshme të Shqipërisë nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, shënoi kthesën vendimtare për autonominë e Shqipërisë. Për ta penguar këtë fitore shqiptare, Rusia e hodhi në luftë Aleancën ballkanike, nën parullën: “Luftë për t’i çliruar popullsitë e krishtera nga pushtuesi shekullor turk dhe nga tirania islame…!”. Së këndejmi, meqë kombi shqiptar ishte rreth 88% i përkatësisë fetare myslimane, lufta e Aleancës ballkanike në fakt ishte ndërmarrje kulturocidale, etnocidale dhe gjenocidale sllave e greke ortodokse antishqiptare me përkrahjen e Rusisë dhe të Evropës.
Çdo rezistencë shqiptare do të shuhej me gjak, ploja e masakra të shpërblyera nga Rusia dhe Evropa, ngjashëm me ato në vitet 1877-1881, të rezistencës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për këtë fakt fliste qartë proklamata shqip me cirilik: “Te tana fiseve ne Shqipni, Or vllazni!”, e gjeneralit Bozhidar Janko, drejtuar shqiptarëve porsa soldateska serbe shkeli në Mërdar e Përpallac, më 18 tetor 1912: “Pushkë kemi me shti në atë që do të shtie ndaj nesh, edhe na lasht zoti, shkrum kemi me e ba at shtëpi, e katundin, qi na kthen pushkën…!”
Këtë platformë serbe për plojat mbi qenien shqiptare të Kosovës historike e legalizonte ndërkombëtarisht kërkesa publike e princit të Serbisë, Aleksie Karagjorgjeviç, porsa shkeli në tokën shqiptare në vise të Kumanovës: “Unë dëshirojë vetëm që këtu të vijnë disa mijëra njerëz evropianë me përgjegjësi e të shohin shqiptarët, të cilët ne i kemi zënë robër, dhe ata të binden se këta njerëz mezi mund të quhen njerëz dhe të përfitojnë bindjen se Ballkani patjetër duhet të spastrohet nga këto egërsira…!”
Fitorja e Aleancës ballkanike u kurorëzua në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, e cila nga Shqipëria e vitit 1912, shkëputi 61,510 km2 dhe mbi tre milion banorë me shumicë absolute shqiptare. Konferenca e Londrës, më 29 korrik 1913, e aprovoi projektin e “Principatës së Shqipërisë”, një shtet monstrum, pa trup të plotë, tepër të sakatosur, pa asnjë gjymtyrë për jetë. Ky shtet do të kishte rreth 28 760 km2 me rreth 800 mijë banorë.
Okupatorët serbë, malazez, bullgarë e grekë, më 1912/13, ushtruan kulturocid, etnocid dhe gjenocid në tokat shqiptare njësoj si në vitet 1877-1881. Mbi platformën e këtij shkretërimi hodhën dritë tre bashkëkohës. Ushtaraku serb Dimitrie Tucoviç, socialist, duke informuar opinionin për krimet serbe në një fshat shqiptar në Lumë, sot n[ Shqipëri, më 1913, shkroi: “Fshati ka qenë i zhdukur për dy orë, me skena që është vështirë të pasqyrohen. Plutonet kanë rrëzuar gratë që mbanin foshnjat në gji (…), për dy orë janë likuiduar rreth 500 shpirtra (…), kufomat janë hedhur në shtëpia, e shtëpitë janë djegur – ashtu që krimit t’i mbulohet gjurma. Kjo është e vërteta për këtë egërsi të tmerrshme”.
Ky pasqyrim është më i plotë po t’i shtohet konstatimi i socialistit, M. Kacleroviç – “Armata serbe ka djegur 35 fshatra shqiptare, pa u lejuar banorëve të tyre që të largohen (…). Armata serbe me urdhrin e qeverisë së vet ka masakruar 120 mijë shqiptarë”. Sipas të dhënave të sistematizuara nga studiuesi italian A. Baldacci, – “janë nja 150 mijë shqiptarë të vrarë nga serbët në vitin 1912-13”.
Vërtet, të dhënat burimore flasin qartë se gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë botërore në viset e Shqipërisë Etnike, përpos numrit të të vrarëve të përmendur më lartë, me strategjinë “Toka e djegur” u rrafshuan përtokë mbi 800 lokalitete shqiptare dhe mbi 500 mijë shqiptarë u njekën në Azi e gjetkë. Po kështu, nga dhjetori i vitit 1918 e deri në përmbylljen e Paqjës së Versajës – Parisit, më 1920, në viset shqiptare u zbatua kanibalizëm serbo-jugosllav. Sipas të dhënave të Shtabit të Luftës së Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare, të sublimuara në Proklamatën e fillimtetorit 1945, “në vitin 1918, gjatë krijimit të Jugosllavisë mozaike, prapë sipas urdhrit të Beogradit, janë therë dhe mbytur mijëra shqiptarë. Aso kohe në Konferencën e Paqes është sjellë regjistri për tetëdhjetë mijë viktima, i përcjellë me një protestë energjike, por edhe kjo, si gjithherë, ‘Vox clamantis in deserto” për veshët e Evropës.
Nga dokumentet e prejardhjes shqiptare, dërguar Konferencës së Versajës, shihet se numri i shqiptarëve në viset e njësisë etnokulturore e gjeopolitike të Shqipërisë së vitit 1912, kishte rënë nën numrin e shqiptarëve të viteve ’50-ta të shekullit XIX. Tashti në arealin e Shqipërisë Etnike kishte vetëm 1,779,929 frymë (833,000 në arealin e Shqipërisë londineze dhe 946,929 në viset shqiptare të aneksuara Jugosllavisë dhe Greqisë). Del se vetëm midis viteve 1912-1920, numri i shqiptarëve në Shqipërinë Etnike ishte zvogëluar për mbi 1,220,000 frymë dhe kjo pa shtimin natyror të tre milionë shqiptarëve, sa kishte më 1912.
Madje, shqiptarët, për shkak se ishin kryesisht popullsi myslimane, nga pseudoshkenca serbe, edhe më tutje, do të paraqitën, para botës së krishterë antiislame, si masë amorfe e dekompozuar nga aspekti frymor e civilizues, pa perspektivë nacionale, e denjë për asimilim në serbë si akt civilizues. Për këtë synim propaganda antishqiptare serbe kishte mbështetje të pa rezervë në qarqe të caktuara evropiane. Ja një shembull eklatant: Herman Vendel, më 1920 dhe 1921, shqiptarët do t’i tregojë si “popull rudiment ballkanik gjysmë të egjër, të dëmshëm për civilizimin evropian” dhe gjenocidin serb mbi shqiptarët do ta arsyetojë si masë të nevojshme të “civilizimit të krishterë”, sepse, sipas tij, “historia nuk mund të durojë kërcënimet mijëravjeçare (…) të një race që po vdesë…”!?!

______________________________________________

PRETENDIMET E FQINJËVE NDAJ TOKAVE SHQIPTARE!

______________________________________

Shfarosja mbi këtë platformë serbe për kulturocid, etnocid dhe gjenocid ndaj shqiptarëve vazhdoi gjatë tërë kohës së Jugosllavisë versajase. Kjo ishte strategji serbe “Toka e djegur”, me pretendime të qarta: “Të ndërronin fizionominë e viseve të banuara pastër me shqiptarë” – do të konstatojë shtypi socialist jugosllav. Sipas venerimeve të L. Trockit në vendin e ngjarjeve të përgjakshme, në Kosovën e viteve ’20-ta të shek. XX: “Ekzistonte një ndarje e punëve. Nëse ishte në pyetje ndonjë i arratisur, shtëpitë e tyre së pari do t’i shkatërronte ushtria e rregullt. Më pastaj vinin në radhë rezervistët të cilët kryenin pjesën e tyre të punës. Pastaj vinin pjesëtarët e policisë e më në fund komitet”. Strategji e zbatuar, njësoj, më 1999.
Se ky qellim po realizohej me bekim të Evropës, mund të vërtetohet edhe me një të vetmin prononcim të përfaqësuesit të Jugosllavisë në Shoqatën e Popujve në Gjenevë, më 13 mars 1929, i cili, pa i luajtur gjaku në fytyrë, do të gënjejë: “Në vendet tona jugore, të cilat kanë qenë pjesë përbërëse të shtetit tonë, ose i janë ndarë Mbretërisë sonë para 1 shkurtit 1913, nuk ka pakica kombëtare” !?! Ky është morali i diplomacisë dhe i gjenit pushtues serb.
Në funksion të platformës serbe për dealbanizimin e tokave shqiptare krahas plojave mbi shqiptarët ishte edhe sjellja e elementit sllav në trojet e tyre. Këtë fakt pasqyronte një Anonim nga Peja në organin e PKJ-së, “Proleter”, më 15 dhjetor 1929: “Ne, shqiptarët, jemi të detyruar që t’ua ngritim shtëpitë (kolonistëve). Me parat tona jemi të detyruar të blejmë konopin me të cilin do të na varin neve (…). Fshatra të tëra po i kallin, që t’u bëhet vend kolonistëve. Me pushkë, mitraloza dhe bomba po ndjekin mijëra e mijëra familje shqiptare nga vatrat e tyre”. Në këtë frymë konstatonte, më 15 shtator 1931, edhe organi “Liria Kombëtare” e Gjenevës: “Afër një milion njerëz po shpërngulen nga pushteti serbomadh” dhe se “me thikë po kryhet serbizimi i emrave të njerëzve dhe të fshatrave, që kështu të shlyhej çdo dëshmi shqiptare, që të ndryshohet karakteri etnik i Kosovës”.
Me aspirata të tilla në vijimësi u thellua spastrimi etnik shqiptar i Kosovës në vitet ’30-ta. Madje, më 1937, qarqet akademike, politike dhe ushtarake serbe kërkonin që brenda një afati shumë të shkurtër përqindja e elementit sllav – serb e malazez në Kosovë të ngrihej në 67.5%, kurse përqindja e shqiptarëve nga 80% të zbritej në 21.5%. Në urdhëresat për policinë dhe administratën vendëse në Kosovë kishte edhe ankesa: “Serbisë Jugore nuk po i kushtohet kujdes i duhur. Nëse ajo bëhet serbe do të zgjidhet çështja jugosllave”. Për ta arritur këtë, kërkohej që të largoheshin edhe 400 mijë shqiptarë nga Kosova për në Turqi dhe krahas 143 mijë kolonëve serbo-malazez të sjellë deri më 1937, të silleshin edhe 470 mijë kolonë me prejardhje etnike sllave.
Në shërbim të këtyre planeve u futën akademikët, shkrimtarët, profesorët universitarë serbë, të tubuar në “Srpski Kulturni Klub” të Beogradit. Megjithatë, Elaborati i akademikut Vasa Çubriloviç: “Iseljavanje Arnauta” (Shpërngulja e shqiptarëve), i datës 7 mars 1937, është projekti më makabër që njohu historia për kulturocid, gjenocid dhe etnocid mbi një popull të tërë dhe që do të mbetet i pavërejtur dhe i padënuar nga bota e qytetëruar, nga Evropa!?! Në këtë projekt saktësohej:”Të rekapitulojmë: Shqiptarët është e pamundur të zhduken vetëm me kolonizim permanent (…). Mënyra e vetme dhe mjeti i vetëm – për zhdukjen e shqiptarëve dhe të shqiptarësisë së Kosovës – është forca brutale e një pushteti të organizuar shtetëror, për çka ne jemi bindur mbi ta”, më 1878/79.
Vërtet, është e pamundur që këtu të pasqyrohet tërë kompleksiteti i politikës kulturocidale, gjenocidale dhe etnocidale kanibaliste serbosllave midis Dy Luftërave Botërore ndaj shqiptarëve, por as nuk mund të pasqyrohen të gjitha mënyrat e rezistencës për mbijetesë shqiptare kundër asaj dhune. Gjeneralshtabi i Ushtrisë së Jugosllavisë duke vlerësuar se pushteti civil dhe policor nuk po ia dilnin të shfarosnin popullin shqiptar në viset e aneksuara Jugosllavisë versajase, kërkoi, më 1938, nga Ministria e Ushtrisë që thyerjen e shqiptarëve t’ia lëshonte në kompetencë elementit serb e malazez dhe ushtrisë, që do të thotë: paramilitarëve çetnikë të ndihmuar nga ushtria dhe saktësonte: “Ushtria jonë do të ketë për detyrë, si edhe deri tashti, e posaçërisht tashti, që në këto vise të kryejë detyrën e vet shtetërore dhe misionin nacional dhe kulturor”.
Në prag të Luftës së Dytë Botërore një pengesë madhore për shfarosjen e shqiptarëve në Jugosllavi paraqiste ekzistimi i Shqipërisë londineze si shtet, ndaj nga fundi i vitit 1938, Jugosllavia do t’i imponohet Greqisë dhe Italisë për një aleancë për ndarjen e Shqipërisë së Ahmet Zogut, me çka do të krijoheshin rrethana për zhdukjen fizike dhe asimilimin e tepricës shqiptare në serbë, në grekë dhe në italianë: “Në popullin tonë kurrë nuk ka pasur simpati për shqiptarët as herët as sot. Janë shikuar si armiq të vendit tonë dhe të popullit tonë. Në kombinacionet tona politike e diplomatike dhe politikën tonë ballkanike gjithmonë kemi synuar që t’i hedhim poshtë të gjitha kërkesat shqiptare për formimin e shtetit të pavarur, nga shkaku i thjeshtë, se ai shtet mund të krijohej vetëm kundër nesh dhe kundër synimeve tona nacionale.”
Mbi këtë platformë serbe kundërshqiptare është ngritur edhe Elaborati i akademikut nobelist Ivo Andriç, më 30 janar 1939: “Me marrjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për pakicën shqiptare në Kosovë, e cila, në situatë të re, më lehtë do të asimilohet.” Sipas direktivave akademike serbe, diplomacia jugosllave kundër qenies shqiptare të Kosovës historike do të mbështetej me vrasje të personaliteteve shqiptare – “si të ishin egërsira!” Këtë strategji shtetërore serbe për shfarosjen e shqiptarëve do ta pasqyrojë bukur kolonisti malazias komunist, Radovan Zogoviç, mik i shqiptarëve përjetësisht: “Pushteti serbomadh bën çdo gjë që më presion ekonomik, me shkollë policore, me ndërprerjen e ndihmave medicinale kundër malaries e të tjera, t’i nxjerrë nga Ligji dhe t’i shfarosë banorët shqiptarë…”.
Më herët u tha se me burimet e proveniencës së Shoqatës së Popujve mund të vërtetohet se në Jugosllavinë versajase më 1920 kishte 946,929 shqiptarë. Sipas shtimit natyror rreth 40 për një mijë, që kishin shqiptarët, deri më 1941 numri i shqiptarëve në Jugosllavi duhej të arrinte në mbi dy milionë. Së këndejmi del se pushteti serbo-jugosllav midis Dy Luftërave Botërore likuidoi dhe shpërnguli mbi një milion shqiptarë.
Okupimi nazifashist i tokave shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, nga mesprilli 1941, ndonëse erdhi si infuzion për shqiptarësinë e tyre në agoni, nuk do ta zgjidhte Çështjen shqiptare, kurse Lufta Nacionalçlirimtare Antifashiste krahas popujve të Jugosllavisë do të shfrytëzohet për rianeksimin serb, malazias dhe bullgaro-maqedon të tokave shqiptare jashtë Shqipërisë londineze. Vërtet, koha e vërtetoi se Deklarimi i Titos, më 4 dhjetor 1943, para një reporteri anglez të luftës, se “ardhmënia e Kosovës ka për t’u vendosur me plebishit dhe se kufijtë, nëse tregohet nevoja, kanë për t’u ndrequr në dobi të Shqipërisë”, ishte kurth tradhtie për çlirimtarët antinazifashistë shqiptarë, njësoj si edhe Rezoluta e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovë e 2 janarit 1944, në të cilën sublimohej kërkesa politike jetike e shqiptarëve:
“Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit asht nji krahinë e banueme në shumicë nga populli shqiptar, i cili si gjithmonë ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipnin. Rruga e vetme që populli shqiptar i Kosovës e i Rrafshit të Dukagjinit të bashkohet me Shqipnin asht lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist gjaksuer dhe rrogtarve të tij. Sepse kjo asht rruga e vetme të fitohet liria, kur të gjithë popujt pra edhe shqiptarët do të jenë në gjendje të deklarohen për fatin e vet me të drejtë në vetëvendosje deri në shkëputje.
Garant për këtë asht UNÇJ dhe UNÇSH me të cilën asht e lidhun ngusht. Krahas kësaj për këtë janë garantë aleatët tanë të mëdhej: Bashkim Sovjetik, Anglia dhe Amerika (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit)”.
Mirëpo, porsa shkeli në tokat shqiptare këmba e partizano-çetnikëve serbë, malazez dhe maqedono-bullgarë, aleatë të Rusisë, të Anglisë, të SHBA-ve dhe të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, UNÇJ-ja e gjuajti lëkurën e qengjit dhe u rivësh me gunën tradicionanale të ortodoksizmës kundër qenies së Shqipërisë Etnike. Më 3 dhjetor 1944, prapë V. Çubriloviç, tashti Ministër për Ekonomi i Serbisë kominterniste, lëshoi për përdorim sekret instruksionet për qarqet ushtarake e politike të Jugosllavisë – për zhdukjen me të gjitha mjetet të shqiptarëve etnikë, të gjermanëve dhe të etnive të tjera josllave “në Jugosllavi”, dhe përfundonte: “Dy janë mënyrat të cilat do të merreshin parasysh për spastrimin radikal të shqiptarëve: që t’i shfarosim ose që t’i shpërngulim!”
Për t’i plotësuar urdhërkërkesat që dilnin nga Udhëzimet e Çubriloviqit, në tokat shqiptare, deri në fundnëntorit 1944, do të përqendrohen 20 – 25 brigada, të quajtura “partizane” – serbe, malazeze, bullgare e “maqedonase”, me udhëzime tepër rezervat: Të vriten me plumb, thikë e zjarr, më së paku 50% të shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të tjera jashtë Shqipërisë londineze! Sipas burimeve relevante nga mesi i nëntorit 1944 deri në vitin 1947 u vranë mbi 47 mijë shqiptarë. Të vrarë për rëndësinë e shqiptarësisë së Kosovës janë edhe qindra mijëra të shpërngulur me dhunë në Anadoll. Vërtet, sipas burimeve ushtarake jugosllave sekrete, në Jugosllavi, më 1937, kishte mbi 900 mijë shqiptarë. Sipas regjistrimit të vitit 1948, në Jugosllavi pati 750,431 shqiptarë, që do të thotë mbi 149,569 shqiptarë më pak se para njëmbëdhjetë vjetëve. Edhe 412,000 shqiptarë u ndoqën nga trojet e tyre sipas Marrëveshjes gjentlemene Jugosllavi – Turqi të vitit 1953. Lidhja Socialiste e Kosovës, më 1976, kishte të dhëna për shpërnguljen e Një milion shqiptarëve vetëm nga Kosova midis viteve 1912-1966.
Të dhënat jugosllave policore flasin edhe për mbi 280 mijë shqiptarë të burgosur nga viti 1945 deri në vitin 1966, por burgosje të shumta pati edhe në vitet 1967-1980. Ndërkaq, nga pranvera e vitit 1981 Kosova ishte në luftë të hapët me Jugosllavinë. Burimet e prejardhjes gjyqësore dhe policore flasin për rreth 900 mijë shqiptarë të burgosur politikë, e të trajtuar në polici, deri në fund të vitit 1991 (750 mijë në Kosovë dhe 150 mijë në vise të tjera: Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Bosnje, Kroaci, Slloveni).
Në vitet ’90-ta të shekullit XX, Kosova dhe viset e tjera shqiptare nën Jugosllavinë Versajase-Avnojiste ishin të nxjerra jashtë ligjit. Të gjitha mynxyrat e dhunës kulturocidale, gjenocidale dhe etnocidale kanibaliste serbe mbi shqiptarët, prapë, do të ushtrohen me udhëzime publike e sekrete të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Serbisë, tashti në krye me akad. Dobrica Qosiç. Bazën e këtyre udhëzimeve për zhdukjen e shqiptarësisë së Kosovë dhe të viseve të tjera shqiptare nën Jugosllvinë Avnojiste, ngërthente Memorandumi legal i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë i vitit 1985. Ky trakt politiko-policor, në fakt, paraqiste Projektin për Serbinë e madhe nga Vjena deri në Stamboll, me prejudikim se Serbi është deri aty ku gjendet një serb, ose një varr serbi! Me këtë memorandum duhet të nxitej gjakmarrja dhe hakmarrja serbe e jugosllave përfundimtare ndaj shqiptarëve, me theks të veçantë ndaj shqiptarëve myslimanë, që shqiptarësia e Kosovës të zhdukej me një strategji politike të pranueshme nga sllavët në veçanti dhe krishtërimi në përgjithësi.
Për ta vu në jetë me sukses këtë “program nacional serb”, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë kujdestaroi në ngritjen politike e shtetërore të personalitetit Slobodan Milosheviç, të cilin e nxori në krye të lëvizjes serbomadhe: “Dogodio se narod” (Ndodhja e popullit), të mbështetur në trillime, paragjykime dhe në kërkesa histerike për ekspansion serb: “Kosova është zemra e Serbisë”, kurse “Serbia e Madhe – prej Horgoshit – Viroviticë e Karllobag deri në Durrës e Selanik” – do të realizohej duke u mbështetur në “të vërtetat”, serbe për Kosovën “serbe”, – pa serbë historikisht, por me pushtet serb dhunues gjakësor prej tetorit të vitit 1912. “Kosova është tokë serbe për të cilën kurrë nuk mund të flitet ndryshe përveçse si për tokë serbe të shenjtë”, sepse “Kisha në krye me mbretin dhe me aparatin propagandues e ka ndërtuar mitin e Kosovës”. Dhe, duke e marrë mitin kishtar për tapi toke, patrikut serb, German, më 28 korrik 1988, i ftonte serbët në luftë “për hakmarrje të re të Kosovës!”
Me mbështetje nga kisha dhe me bekimin e patrikut, Slobodan Milosheviç, më 28 qershor 1989, në Mitingun e Gazimestanit, e nxori përfushe planin për ripushtimin dhe për serbizimin përfundimisht të Kosovës, me strategjinë serbe “Toka e djegur”: “Është treguar se Kosova dhe përcaktimi për Kosovën e mban të bashkuar tërë popullin serb”, dhe tashti “Miti i Kosovës nuk është vetëm çështje kishtare”, por “është çështje e popullit”, ndaj, e vërteta se “çka është historike e çka legjendë në Betejën e Kosovës (1389), ajo më nuk është me rëndësi”, sepse “gjashtë shekuj pas asaj edhe sot, prapë, jemi në beteja dhe para betejave!”
Vitet ’90-ta ishin paraparë për zbritjen e përqindjes së shqiptarëve në Kosovë nga 93% në nën 50%. Kjo do të arrihej me të gjitha metodat dhe strategjitë e njohura në botë për spastrimin etnik të një vendi. Në funksion të këtij qëllimi në vitet ’80 dhe ’90, me dhunë ekonomike dhe policore, u ndoqën nga Kosova rreth 400 mijë shqiptarë të aftë për luftë, kurse për 14 muajt e fundit të luftës ballore të UÇK-së me soldateskën serbe (28 shkurt 1998 – 10 qershor 1999), nga Kosova u ndoqën me lemeri, ploja e masakra rreth një milion shqiptarë të Kosovës. Shkretërimi i asaj që mund të quhet shqiptarësi aty ku shkeli këmba e soldateskës serbe në tokat shqiptare – janë prova. Veçanërisht dhuna dhe dhunimi, plojat dhe masakrat mbi civilët e pambrojtur, burra, gra, pleq e fëmijë anekënd Kosovës, nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, periudhë kjo e Bombardimeve të NATO-s mbi makinerinë ushtarake të Serbisë, janë plagë të prekshme që vazhdimisht kullojnë gjak. Soldateska serbe zbatoi mbi 30 ploja në fshatra dhe qytete, vrau mizorisht mbi 15.000 civilë – pleq, burra, gra dhe fëmijë (mbi 3400 të zhdukur), plagosi mbi 3.219 dhe burgosi mbi 1.360 veta. Me strategjinë “Toka shqiptare e djegur” – dogji 1.007 fshatra (nga 1392 sa ka Kosova), mbi 212.347 shtëpi banimi, objekte përcjellëse, objekte shoqërore (prej tyre 218 xhami) dhe lokale afariste. Dhunë mbi dhuna është dhunimi i mbi 20.000 femrave, prej të cilave 2019 nëna që kanë 3007 fëmijë të traumatizuar përjetësisht. Kjo nuk ka çmim.
Aktualisht mbi dymijë e pesëqind shqiptarë as në jetë as me varre në duar të Beogradit zyrtar – për ta mposhtur fitoren e UÇK-në, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës – janë plumb në zemër të shqiptarëve. E, krahas këtyre rëndon Masakra serbe në Burgun e Dubravës ndaj të burgosurve shqiptarë, prej datës 19-24 maj 1999.
VIJON…
– Rezyme e Sesionit shkencor, ‘Masakra në Burgun e Dubravës 19 – 24 maj 1999’, mbajtur më 23 maj 2004.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura