MEHMET BISLIMI: ÇKA TË BËJ IMZOT?!

(Zvicër, 04. 11. 2012) – A ke dëgjuar ti se kujt nuk ia kishte endja që të jetë i parë në këtë vend të mrekullive të asfiksuara, o krijesë naive?! A nuk e sheh se “elita” jonë sot po vuan shpirtërisht më keq së në kohët e pashallarëve? Është për keqardhje, kjo vuajtje po i shkatërron ata përbrenda, po ua gërryen mushkëritë atyre, nuk po i lë të qetë as ditë, as natë, po i vret me raki e duhan, po i bën të çmenden pa të ligën e kujt, i ka futur në halucinacione. Puna e kryetarllëkut ka ngrënë mbretër e sulltanë, ka ngrënë kokat më të mëdha të historisë së hijeve përrallore për të qenë i parë, më në fund, kjo yshtje ka ngrënë dynjanë, e lëre më se nuk po të të ngrënka ty – naivin tonë! E them këtë nga frika, përndryshe ti edhe kështu je i mbaruar që pa filluar këtë rrugë, ngase i ke hy me qëllim që t’i shërbesh unit tënd, dhe jo çështjes së përgjithshme.
Atë po e gërryente diçka përbrenda qenies së vet, ishte futur thellë në mendime dhe, me një dozë të dukshme shqetësimi, sikur nuk po e gjente fillin e humbur të lëmshit!… Jam i shtrënguar t’i respektoj rregullat e lojës, miku im, duke u rrëfyer para jush, dua që të reflektoj mbi paragjykimet e pathëna për të tjerët, zoti më ndjen, qofshin ata në rrugë të gabuar, apo jo, por etika njerëzore na obligon që të argumentojmë dashurinë mbi të dobtën krijesë të perëndisë, të cilën mund ta mëkatosh kot. Megjithatë, sikur më frikësojnë mendimet e turbullta se nuk ia kam hallin të bart mbi kurrizin tim gjithë këto probleme të grumbulluara, të cilat duan një zgjidhje. Dua të bëhem i sinqertë me ju, këto barrë nuk m’i ka ngarkuar askush, i ngarkova vetë në kurrizin tim. Këto barrë, që mbase nuk më takojnë mua, vetvetiu lind dyshimi, në mos jam futur aksidentalisht në këtë kryqlojë rrugësh joshëse miku im? Nuk e di ç’të bëj, o Zoti i madh, si duket ky shqetësim imi është i vonuar ca, për të qenë i sinqertë me veten time në radhë të parë, nuk kam as më të voglën ide se si ta shpëtoj shpirtin tim naiv si pjesëtar i grigjës në këtë rrugë me plot të papritura!? Në të vërtetë atyre nuk iu futem në hak, më thanë ata; që të kem kujdes se kisha ngatërruar në koncept dy anët e dobëta të fuqisë së mekur të kurrizit tim me aftësinë e fishkur të trurit, por unë nuk i qasa fare, ata më thanë, por kujt ia thanë!… Këshilla e tyre ishte për të mirën time, por prapëseprapë unë mblodha xhematin e kotësisë së Kosovës pas vete dhe ia beha mjegullnajave për të ngulfatur kot e kot gjithë atë kohë që nuk do të kompensohet asnjëherë!… Megjithëse më duhet ta pranoj, ma kishte endja të më thërrisnin të parë, të më thërrisnin kryetar!… Të qenët kryetar është një ndjesi e veçantë, miku im, është diçka që nuk ta shpjegoj dot, diçka që të gudulis në gjoks, diçka që nuk të lë të qetë, diçka që të mban lart, si të të them përmbi të tjerët, diçka që të çon sqetullat lart si të kaposhit, pa e kuptuar as vetë, diçka që të bën të ndihesh hijerëndë dhe autoritarë, të bën të sillesh papërfillshëm ndaj të tjerëve, të bën të ndihesh zot në tokë e ai i Madhi në qiell! Prandaj mora këtë rrugë, nuk i dihet nëse do të dalë mbarë, apo rrugë për në theqafje? Sidoqoftë, unë e mora me shumë dëshirë e ambicie të mëdha për të qenë i pari i vendit, i pari i kuvendit dhe i pari i kasabasë sonë, realisht për të mos bërë asgjë, por që më pëlqente tek më thërrisnin Kryetar!

Kryetari sharlatan, tinëzar e dinak, hajvan e tarak,

që ua shti këmbët miletit me një këpucë!

……………………………………………….

Luaj vendit, o rob naiv i perëndisë, mos bëj krahasime me “atë” në qiell se ai ta thyen qafën që pa ngrysur, mos u hiq aq megaloman se do ta pësosh keq, mos u hiq më rëndë sesa peshon se do të dalë boja shpejt! Kuptoje, dhe pranoje me qetësi se edhe ti je krijesë e perëndisë si gjithë të tjerët, pavarësisht se sot mund të jesh kryetar, por që nesër mund të jesh kalimtar i thjeshtë, sot të ofrojnë postin, nesër më me dëshirë të groposin, prandaj!…
A ke dëgjuar ti se kujt nuk ia kishte endja që të jetë i parë në këtë vend të mrekullive të asfiksuara, o krijesë naive?! A nuk e sheh se “elita” jonë sot po vuan shpirtërisht më keq së në kohët e pashallarëve? Është për keqardhje, kjo vuajtje po i shkatërron ata përbrenda, po ua gërryen mushkëritë atyre, nuk po i lë të qetë as ditë, as natë, po i vret me raki e duhan, po i bën të çmenden pa të ligën e kujt, i ka futur në halucinacione. Puna e kryetarllëkut ka ngrënë mbretër e sulltanë, ka ngrënë kokat më të mëdha të historisë së hijeve përrallore për të qenë i parë, më në fund, kjo yshtje ka ngrënë dynjanë, e lëre më se nuk po të të ngrënka ty – naivin tonë! E them këtë nga frika, përndryshe ti edhe kështu je i mbaruar që pa filluar këtë rrugë, ngase i ke hy me qëllim që t’i shërbesh unit tënd, dhe jo çështjes së përgjithshme.
E di, miku im, e di, por nuk po kuptoj as vetë së ç’po ndodh me mua, sa marr vendim të tërhiqem nga kjo rrugë ankthi e pasigurie, më ligështohet shpirti, më këputën këmbët, në gjunjë më këputen, nuk po e marr dot atë vendim, sa bëj para, prapë tërhiqem e them me vete: o do të bëhem i pari i vendit, o do të pi kupën e helmit!… Teksa po fliste gati nën hundë, ishte ndalur para një ikone që ishte varur në mur, poshtë së cilës po digjej një gjysmë qiriu, në flakën e të cilit ai po ndizte herë pas herë cigaren, dhe tek zbrazi gotën e radhës me verë të kuqe, vazhdoi grindjen me unin e tij të trazuar, duke ardhur në përfundim se janë ca gjëra që duhen pranuar ashtu siç edhe janë! Prandaj jam në hamendje, miku im, por fati qenka i tillë, dhe nuk ke ç’t’i bësh, të qenët elitar do sakrifica, prandaj me gjithë pasigurinë që kam ndryrë thellë në gjoksin tim, do t’i futem kësaj loje hileqare që nuk e di se ku do të më nxjerrë? …
Mos e merr me kaq frikë e pasiguri, o krijesë naive, ka me dhjetëra mundësi sot për t’i zbutur këto yshtje e ambicie të përdala, që vërtet kanë kapluar elitarët tanë, ashtu si të dredhurat në stomak, tamam si ethe kolere, apo jo?, por mos harro edhe një gjë se ti je krye kolera e kësaj shoqërie o hall lig! Mirëpo, nëse e zbërthejmë çështjen si duhet e me kujdes ka hapësirë sa të duash për t’i ngopur të tërë nga pak, e për ta shpërndarë kolerën gjithandej ku pretenduesit e fronit që po përballen me ëndrrat e tyre joshëse, si bie fjala:
– Ka vend për kryetar partie, dege, nëndege e manaferre.
– Ka kryetar këshilli e rrethi, ka kryetar horri e leshi, ka edhe kryetar që rri pas dere.
– Ka kryetar bashkie, ka edhe kryetar bixhozi e rakie, korrupsioni e hajnie.
– Ka kryetar krejt kot, ka edhe kryetar tamam rrotë!
– Ka kryetar shoqate, ka edhe kryetar shkërdhate, ka kryetar trim e dai, ka edhe kryetar dilenxhi, faqezi, hafije e dallaveraxhi.
– Ka kryetar tinëzar e dinak, ka kryetar hajvan e tarak.
– Ka kryetar për rini e për gratë, ka edhe kryetar leshrënë e truthatë.
– Ka kryetar të zot e më vlerë, ka edhe kryetar naiv e të mjerë.
– Ka kryetar që vendi e do, ka edhe kryetar që vendin dhuno.
– Ka kryetar pekmezi e përsheshi, ka edhe kryetar që nuk i bënë tërr syri as veshi!

– Ka kryetar bujar, atdhetar e zemërgjerë, ka edhe kryetar edepsëz, llaskuç e kohabjerrë.
Kështu pra naivi im i padjallëzuar, ka vend për të gjithë që ta shijojnë pozitën e kryetarit e të mos shkojnë në botën tjetër me dëshirën e djegur!
Miku im i mirë, jam në dilemë të madhe, më thuaj të lutem, a thua cilës kategori i takoj unë? Çka mendojnë të tjerët për mua? Po kundërshtarët e mi, në cilën kategori më rendisin? Për të qenë i sinqertë: do të isha pozicionuar me dëshirë te rinia dhe te gratë, por kjo i bie pastaj se jam kryetar leshrënë e trutharë! Eh, bela e keqe bela, nuk të lënë të tjerët rehat! Të paktën nga aspekti moral do të mundohem ta qetësoj sadopak shpirtin tim të trazuar. Këto çështje kaq të ngatërruara duan guxim dhe vendosmëri për t’u dhënë rrugë njëherë e mirë. Ç’është e vërteta është shumë e vështirë t’i kënaqësh që të gjithë përnjëherësh, prandaj kërkoj ndonjë ide edhe nga ju, miku im. Një jetë më ka ikur duke bërë përpjekje mbinjerëzore për të zbuluar ndonjë ilaç ose ndonjë fallxheshë që do të më ndihmonte t’i zmbrapsja pretendimet e konkurrentëve të mi në mënyrë që t’ia ndalja turri gjithë kësaj katrahure që ka kapluar vendin, kur dihet se ky vend i bekuar nuk është më shumë se një bythë kusie, dhe si për habinë time edhe këtë bythë kusie e rrihte me shkop Surroi dikur, si për inat! Ai, ç’është e vërteta, me zhurmën e bythës së kusisë synonte t’i mbetej në bythë historisë! Çka nuk i pjell mendja njeriut të bekuar… por ai kishte harruar fare se rrota e filozofisë këtë radhë nuk po sillej as rreth bythës së kusisë, fatkeqësisht, as rreth strategjisë sime të kotësisë!…
Tani t’i lëmë këto naivitete, i ligu im. Ke dëgjuar ti që kanë ardhur kohë të tjera, dhe, me sa po shihet, jeni të sfiduar shumë seriozisht, në kasabanë tonë po ia beh një figurë e madhe, të cilën ju nuk keni kaçik ta sfidoni. Kam frikë se përballja juaj me hijen e tij impozante do t’ju godasë për çdo ditë, dhe dalë e ngadalë do të sfiliteni si kashta në diell. Unë nuk e di sa jeni i përgatitur shpirtërisht për të përballuar situatën jo fort të lakmueshme për ty dhe soj e sorollopin tuaj!? Pra me këtë dëshiroj t’ju njoftoj që të jeni në rrjedha se në kasabanë tonë po vjen Gjergji, kupton ti, Gjergji me at e me shpatë!…
Befasisht, si në jermi, ai pyeti: po kush është ky Gjergji, vallë, që guxon të vijë me at e me shpatë në kasabanë time? Pas pak kohe si i turbulluar i tha mikut të vet se do t’i dërgojë shërbëtorët e tij tek Gjergji me urdhra të prerë: menjëherë Gjergji të zbresë nga kali, t’i dorëzojë shpatë e heshtë dhe i çarmatosur të sillet në seli. Do të shtrojmë një dialog me shumë maturi, po deshi ai të dalë me një parti, ose të kthehet prapa, marsh në shtëpi!… Këtu në shesh, me armë në brez, maje kalit, pastaj si t’ia bëj unë hallit?! Jo, këtu ka ligje e demokraci, ka KFOR e polici, ka kryetar se jo mahi, prandaj nuk lejohen njerëz të armatosur, ka rrezik se prishin rendin e gjakosin! Prandaj, ta joshim Gjergjin me verë e raki, me aderim në ndonjë parti, me duhan turli-turli, t’i ia shtrojmë për bukuri. Për ndryshe këtu jam unë vetë i parë, është dashur Gjergji këtë ta dijë, e jo hipur mbi kalë këtu të vijë!…
Më vjen keq miku im të të them, por këto kohët e fundit kam vërejtur dobësinë time të mosdurimit, dhe nuk po mund ta frenoji egon time aspak, ani pse unë apeloj për durim. Durim me armikun, po, jam dakord, por durim me mikun – kurrë! Konkurrenca më vret, sidomos ky Gjergji hipur në at, nuk më le ta bëj as gjumin rehat! Ai kalorës e unë këmbësor, kjo nuk ka për të ndodhur, fundja ç’ka bërë ai më shumë nga unë, a nuk jam unë gushëpëllumb?!… Urdhëroj: të zbresë Gjergji menjëherë nga kali, se përndryshe e arrestoj, nuk e fali!…
Vërtet edhe mua po më vjen shumë keq, naivi im hokatar, që nuk i kam vërejtur me kohë ambiciet tuaja kaq të ulëta dhe kaq të paskrupullta, që nuk kurseni asnjë mjet për t’u bërë kryetar i Kotësisë së Kosovës! Duke qenë i vetëdijshëm se miopëria ime nuk më shkarkon nga përgjegjësia për aq kohë sa kam qëndruar pranë teje, sado që jam munduar të të orientoj nga e mbara, prandaj ikja ime mbeti si e vetmja zgjidhje e logjikshme. Do të mundohem që të ik sa më larg nga errësira e mendimeve tuaja, të cilat të kanë ngërthyer keq në vorbullën e ëndrrave të marra deri në pakufi, me shpresë se me kohë do të lirohem nga ai makth që ma kishe imponuar në mënyrë aq banale…
Ndërkohë shërbëtorët u kthyen dhe ngadalë e me druajtje kryetarit naiv po i thonë te veshi se për këtë punë Gjergjit s’i hëngër as leshi!… Megjithatë, lum kryetari, Gjergji të dërgoi të fala, nuk zbriti as nga kali, as nga shala, por ne na porositi:
T’i bëni të fala kryetarit, le të vijë e të më kapë për majë të frerit të kalit!…
Mehmet BISLIMI – Mars, 2010

…………………………………………..

(Ilustrimi është i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura