MEHMET BISLIMI: DREJTËSI – SA PESHON JETA E SHQIPTARIT?!

Zvicër, 05. 10. 2012 – (Në burgun e Shtipit të Maqedonisë u gjet i vdekur IBRAHIM SYLEJMANI – pjesëtar i denjë i UÇK-ës). Edhe një viktimë në radhët e të dënuarve shqiptarë në qelitë e burgut të Shtipti të Maqedonisë, ku u gjet i vdekur njëri nga pjesëtarët e denjë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ibrahim Sylejmani!, i cili po vuante dënimin me burg të rëndë. Këtë lajm kumti (për ne shqiptarët), e dha portali i lajmeve ‘Zhurnal’. Misteri i vdekjes së ish-luftëtarëve të lirisë, sa vjen e shtohet, kjo në vazhdimësi, që nga ish burgjet serbe e ish Jugosllave, e deri tani tek rasti më i freskët në Maqedoni, ku shqiptarët e dënuar për qëndrimet e tyre politike, kundërshtarë të politikave shtypëse të shteteve në fjalë, zhduken pa gjurmë e nishan! Pra thjeshtë, atyre iu merret jeta- tani më me mjete të “sofistikuara” brenda qelisë së errët, për t’i shpallur më pastaj si vdekje të natyrshme, nga ndonjë “sulm kardiak”, si “vetëvrasje në depresion e sipër” etj.
Deri me tani, kemi me dhjetëra vrasje të shqiptarëve të burgosur nëpër burgjet e ish Jugosllavisë të cilët po vriten për qëndrimet e tyre politike, tani në veçanti, në burgjet e Maqedonisë! Këto vrasje të ftohta – jo të pakta, deri me sot nuk janë zbardhur para ligjit dhe drejtësisë, pushteteve të atjeshme, sikur po ju mjafton mbulimi i atyre rasteve me tisin e alibisë së paqenë, që lë shumë për t’u dëshiruar.

………………………………………………………..

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

PSE NUK VLEN AMNESTIA PËR IBRAHIM SYLEJMANIN?!

Ibrahim Sylejmani – ushtar i denjë i UÇK’ës.

I ndjeri Ibrahim Sulejmani, pas vetes ka lënë vetëm një djalë, Fitimin 8 vjeçar, i cili sot i dha lamtumirën e fundit babait të tij.

……………………………..

………………………………………………….

KOHA E MASKAREJVE…!

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

……………………………………………………….

S’do mend se populli ynë është i vetëdijshëm për qëndrimet e pushtuesve tanë përballe nesh, pa dyshim, por habitë fakti se, si ka mundësi që bijtë tanë të vriten, masakrohen zhdukën dhe privohen nga jeta kaq mizorisht e tinëzisht, të mbuluar me enigmën e mortit, dhe deri kur?!, në një kohë kur ne kemi (si asnjë herë më parë); shtetin shqiptar, shtetin e Kosovës, përfaqësuesit shqiptarë të institucioneve në Maqedoni, që bëjnë një përqindje bukur të lartë, dhe doemos që janë element shtet-formues atje, shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, Mal të Zi, Greqi, Turqi, Evropë, Shtetet e bashkuara të Amerikës e deri në Australinë e largët, gjithandej faqes së globit!, deri kur të presim që për ne, ta ngritin zërin të tjerët?!
Në cilin rast, nëse heqim një analogji të tillë, do të heshtte shteti Serb, Maqedon, Malazias, Grek etj., po që se një pjesëtar i etnisë së tyre, i burgosur (për çfarëdo vepre qoftë), do të vdiste në burgjet shqiptare, qoftë të Kosovës, apo të Shqipërisë?! Jo, në asnjë rast, ata të paktën, do të kërkonin llogari tek përfaqësitë diplomatike përkatëse, madje edhe me demarshe! Pushtetarët tanë, jo, as që e vënë në rend të ditës këtë rast (!), madje dje, në seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës, asnjëri nga 100 e sa deputetë shqiptarë, të paktën nuk e shtruan të vetmen pyetje:
– “Propozojmë që nga shteti Maqedon të kërkojmë shkaqet e vdekjes së të burgosurit shqiptar Ibrahim Sylejmanit?!”… si për habi, asnjëri!!!
… Fli i qetë i miri Ibrahim Sylejmani, ti o luftëtar i lirisë, nuk je i vetmi, kështu në heshtje përcollëm me dhjetëra bijë tanë, që na u kthyen në arkivol, nga burgjet, nga ushtria, nga kurbeti. Që nga Omer Qerkezi e të tjerë më herët e më vonë si: Fazli Grajqevci, Zija Shemsiu, Xhemajli Berisha, Ibrahim Krasniqi, Ibrahim Kelmendi – Dushanovë, Besim Ndercaj, Abedin Balaj, rreth 100 e sa ushtarë shqiptarë të vrarë në ish Kazermat e ish Jugosllavisë, rreth 200 të vrarë e masakruar në burgun e Dubravës, në mesin e tyre edhe intelektuali Ukshin Hoti!
Me mjera civil shqiptarë të masakruar nga makineria vrasëse serbe, e më pas të zhdukur: gra, fëmijë pleq e të pamundur e dhjetëra raste tjera…
Po, fatkeqësisht, për jetën e shqiptarit, nuk jap llogari askush (!), madje edhe ndërkombëtarët për të zhdukurit e luftës, dhe masakrën e burgut të Dubravës (burg ky me njollën e emrit të vdekjes – Dubravë e larë me gjakun e bijve tanë), sikur e bëjnë njërin vesh të shurdhër.
E vetmja shenjë kujtimi e ngritur jo me pak vështirësi, është një pllakë përkujtimore para burgut në fjalë, që do të kujtonte jetët e qindra të dënuarve shqiptarë këputur në mes, mu në lulen e rinisë së tyre, vrarë në mënyrën më mizore nga pushtit serb, gjë që nuk mbahet mend në histori, madje as në kohën e fashizmit, për nga mënyra morbide e ekzekutimit – deri sot, as një zë, as një notë verbale, as një sanksion, madje as një llogari – kërkuese nga pushtuesi gjakatar serb, bota progresive dhe demokratike për vrasjen e shqiptarëve, kudo qofshin ato, heshtë – nëse guxojmë të thërrasim këtu me sa zë kemi:
Drejtësi ndërkombëtare ku je, sa peshon jeta e një shqiptari?!
Jeta e shqiptarëve, as sot, nuk është, nuk ishte, dhe nuk po duket së është e sigurt as në burgje, as në spitale, as në ushtri, as në paqe, as në qytet, as në fshat, as në protestë, as në mal, as në fushë, as në jug, as në veri, as në institucione, as në rrugëtim, në tërë territoret e ish Jugosllavisë, me theks të veçantë në Maqedon, Serbi, besa edhe në Mal të Zi, të mos flasim për Greqinë e cila ushqen një urrejtje patologjike për shqiptarët dhe Çamët në veçanti!… dhe për të gjitha këto vrasje, vdekje enigmatike, zhdukej pa gjurmë, vdekje të pasqaruara, vdekje që nuk jep kush llogari, shtrohet pyetja e domosdoshme: Kush i mbron shqiptarët, dhe kush duhet t’i mbrojë e ngritë zërin për ta, nëse ne vet nuk i dalim në mbrojtje bijve tanë. Në mos, ne shqiptarët gjithmonë u dashka që të kapemi për qarkun e pushkës, tek pastaj bashkësia ndërkombëtare ta ngritë zërin kundër dhunës?!…
Maqedonia, këto vitet e fundit, ka tejkaluar kufijtë e durueshmërisë së shqiptarëve në rajon, prandaj i themi ndal, ndryshe litari i dhunës ka prekur kocin tonë, dhe ka rrezik se mllefi ynë, do pëlcas një ditë…, në mos është e tepërt që Maqedonisë t’i kujtojmë një të kaluar jo edhe aq të largët, njëkohësisht jo edhe aq të lavdishme!
Të vrasësh shqiptarët duarlidhur në burgje, është jo më pak se një qyqarllëk, është jo etike, është ndër veprat më të ndyra dhe më të ulëta, është dhe duhet të jetë një ndër krimet më të dënueshme. Këtë e bëjnë dhe mund ta bëjnë, vetëm shtetet që ushqejnë një urrejtje patologjike kundër popujve tjerë – në veçanti kundër shqiptarëve në këtë rast. Këto vrasje tinëzare, tregojnë atavizmat e së kaluarës së popujve primitiv e barbarë, siç po tregohen ish pushtuesit tanë shovinist të pangopura me gjakun e shqiptarëve. Kjo vepër dënohet me të gjitha konventat ndërkombëtare, prandaj presim që bota progresive, duhet ta ngritë zërin kundër vrasjeve që po u bëhen shqiptarëve duarlidhur nëpër burgjet e Maqedonisë, në të kundërtën, drejtësinë ndërkombëtare, duhet ta shtrojmë në spitale për kurim!
Të zot e vendit: nëse të tillë jeni, e të tillë po hiqen, duhet ta ngritin zërin e arsyes, zërin e mbrojtjes së bijve tanë, të kërkojmë sqarim dhe llogari, pa dyshim miqësia – miqësi, fqinjësia – fqinjësi, por e dyanshme!, mbi të gjitha, jeta e qytetarit është më e shtrenjtë, është mbi të gjitha, e do rendi dhe drejtësia që qytetari, për veprën e kryer penale të bartë mbi supe peshën e fajit, por jeta e tij të jetë e shenjtë, kudo qoftë ai; në burg, në spital, në rrugë, në institucione. Këto shtete, që hiqen si demokratike e që shtrihen për rreth nesh, sikur po hiqen drejt Europës, madje edhe me përmbushjen e standardit të heqjes së dënimit me vdekje (në rastet më të rënda), shtrohet pyetje: Kush po ua merr jetën shqiptarëve kaq lehtë, pa gjyq, duke i shpallur ata si të vdekur dhe kaq!, vërtetë a duhet ne të heshtim para vdekjeve enigmë e qytetarëve tanë, gjithandej Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Maqedonisë – dhe deri kur?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura