MEHMET BISLIMI: NJË SIHARIQ I MADH!

Pashtriku.org, 12. 10. 2012 – (Makthi i një ëndrre) – Sa kishte ngrysur dita, atij po i rëndonte koka, as fjetur as zgjuar, po hynte pa dashje nën sqetullat e një gjumi të rëndë, i pa mundur që të përballonte më peshën e rëndë të pushtetit të qepallave, në çast, sikur ia bëhu ai…
– Mirë së të pruri Zoti, o njëri i Perëndisë! Po ulu, o i uruar ulu, merre këtë gotë me verë, dhe na thuaj se më çmende me këto sihariqet tuaja, si gjithmonë, në këto orë të vona të natës! Efendi Heqmet, po ç’e mirë të solli o njeri? Ç’është e vërteta unë kam vënë re se sa herë që vjen ti, efendi, zakonisht vjen së bashku me terrin e kjo më fut frikën në palcë. Po pse kështu, o i uruar, nuk e kuptoj dot pse gjithmonë fshihesh pas errësirës?!

– Mirë së të gjej, imzot Jakov! Para së gjithash uroj që të jeni mirë imzot, pastaj dua të të jam mirënjohës për mirëkuptimin dhe kohën që gjeni për mua! Prandaj, mos ke frikë, ti e kupton misionin tim të “muzgut”, unë të sjell gjithmonë habere të mira, imzot. Shkaku që unë dukem këtu me të ngrysur, kjo nuk është shenjë ogurzie, përkundrazi, unë të sjell lajme të mira, dhe i siguroi ato, duke i mbështjellë me tisin e errësirës, prandaj dukem e zhdukem, vetëm kur errësira mbulon gjithçka. Në errësirë unë gjejë sigurinë dhe prehjen time, hirësi…
– Seç kisha një parandjenjë edhe mbrëmë! Shqetësime të tilla më kishin kapluar si ethet e ftohta, efendi; sikur në gjysmë ëndërr … gjysmë zhgjëndërr, në përpëlitje me qentë, efendi, desh me doli shpirti nga makthi që më kishte zënë frymën. Ishin ngatërruar qentë tanë me ata të sjellë nga larg, seç po gërvishte errësirën një kakofoni të lehurash me intonacione të çakorduara. Zoti qoftë me ne, biri im, nga gjithë kjo e lehur qensh, sa nuk po luajmë mendsh efendi Heqmet. As na thua, ky kungulli yt efendi, sikur nuk konkretizoi asgjë prej gjëje, mbetën vetëm klithmat dhe kuisjet e tmerrshme mbrapa, siç bëjnë zakonisht qentë në ikje, efendi. Me sa mora informata, prapë po kuiste një atje, diku nga anët e Tasjanit- më thanë! Kam frike se i doli boja fare kësaj dredhie farse me lehje e kuisjeje, sado që bishtin ia kishit lyer me bojë të portokalltë, i doli boja tani më kësaj gjelle të qelbur efendi Hqemet, mjaftë më, mjaftë ju lutemi se jeni kompromentuar shumë keq!

……………………………………………………….

– Jo, imzot jo, mos ke frikë! Largoji parandjenjat e liga nga shpirti yt! Çdo gjë në këtë botë ka fillimin e vrullshëm, gati adoleshent, por edhe fundin e vet të zverdhur si gjethet e pa vlera të një vjeshte të vonë… Më në fund, ne duhet të dorëzohemi paqësisht para Perëndisë efendi, por me rëndësi është që të mbijetojmë. Kohë të rënda kanë ngërthyer fatin tonë, së fundit seç dëgjova se po përflitet për një strategji të sofistikuar, të cilën ata nga “lart” e paskan përgatitur prej kohësh për ta testuar këtu tek ne!, Po thonë se nëse kjo do të jap rezultate, çështja jonë do të shpëtojë një herë e mirë nga katrahurat që kurdisen në vazhdimësi tek ne, pararendësit e errësirës!…
– Po këtë thuaj se ma ngrive gjakun, efendi!
– Kjo strategji, imzot, tashmë ka filluar që të testohet tek ne?! Po flitet se ka dhënë shenjat e para të gjallimit të saj!? O krijesë e Perëndisë, po ç’nuk i pjell mendja njeriut, këtë nuk e kisha besuar as vetë, por faktet po flasin ndryshe, imzot, ndryshe…
– Fol efendi Hqmet, fol se më çmende! Zaten ty Perëndia në këtë botë vetëm për të me çmendur mua të ka sjellë! Po ç’është gjithë kjo hata që bëhet nën hundët e mia, dhe unë nuk po marr vesh gjë? Si ka mundësi, dhe unë të mos njoftohem me kohë për këto “strategjira”?… Të paktën do të duhej të isha i përgatitur, në mënyrë që të mos zihem si në leqe – jam apo nuk jam unë i pari vendit këtu, o zot, me përfill njeri mua, apo jo?
– Imzot Jakov, më lejo që të dëftej sihariqin e madh! Sot i madhi KFOR, ia dhuroi tre qen Policisë së Kosovës, përkatësisht njësitit K 9, të Policisë sonë!… Këta tre qen, ishin të rinj, janë dhuruar nga bashkësia ndërkombëtare për Policinë tonë! Ata ishin qen të denjë- të paktën kështu thanë, i dhuruan në emër të BE-së, i dorëzoi KFOR-i, para pak ditësh. Këtë haber e ka dhënë edhe gazeta, prandaj po me habisni imzot, lexoni ju, apo jo shtypin ditor?!…
– O Zot i madh, po për këtë sihariq ti efendi Heqmet erdhe që nga atje?! Po ky qenka sihariqi yt, ë? Ti e di mirë, efendi Heqmet, se ne, në Kosovë, kemi qen me bollëk – edhe të rinj, edhe pleq. A nuk ishte administrata e UNMIK-ut, ajo që solli në Kosovë qenë të llojeve të ndryshme. A nuk e përvojë ajo para EULEX-it, se zgjidhja e “nyjës”, për mes faktorit qen, nuk mund të bëhet si me shpatën e Demokleut! Ky plan dështoi, dhe dështoi katërçipërisht, a nuk duhet që edhe këta të mësojnë nga pësimet vallë?, me anë të qenve nuk zgjidhen çështjet e ndërlikuara, përkundrazi qentë i ndërlikojnë gjërat edhe më shumë, ngase ata, aftësinë e tyre e mbështesin vetëm në saje të shqisës së nuhatjes- që quhet hundë, efendi! Prandaj këto punë nuk zgjidhen në saje të hundës, as të nuhatjes sate dhe të shokëve tuaj, që jeni sorollatur tërë këtë kohë; Kreshtë- Tasian- Karadak e tërthorazi kot e kot, sado e zhvilluara të jetë ajo e shkretë, prapë hundë mbetët efendi, hundë!… Këto çështje duan tru, efendi, tru të zhdërvjelltë! Duan kokë, efendi, kokë të madhe!… Ta them të drejtën nuk po shoh arsye për të shpjeguar entuziazmin tënd, ke bërë gjithë atë rrugë, për të më sjellë këtë “sihariq”?! Bile po ta them troç e pa fije ndrojtjeje se; edhe ti, efendi Heqmet, je gati një “asi” që KFOR-i, ia paska dhuruar Policisë së Kosovës, bile një “asi” plak!… me ndjej, por nuk kam shpërblim tjetër më të madh për të të dhënë!
– Të falem nderit, hirësi Jakov! Dorën në zemër, nuk e prisja këtë zbrazje kaq të pa kontrolluar nga ana juaj, ta them të vërtetën; nuk më ka fyer kush kaq rëndë deri më sot! Por, me gjithë fryrjen që më bëre, të sqaroj, hirësi, se midis qenve të sjellë nga Evropa dhe qeneve tanë ka një dallim, prandaj edhe nëse jam qen, unë dua të jem qen ndërkombëtar, qen i dalë, qen i parë… ndërkaq ti, hirësi, mbase je ose dëshiron të mbesësh qen vendor e i papërfillshëm, por ke të drejt: jo qen puthadorë!, këtu ta jap dorën unë, kështu që përfundimisht pjesën fyese të bisedës sonë të nxituar, ta mbaj secili për vete imzot!
– Oh, efendi Heqmet, e more me të shpejtë dhe ma ktheve kusurin këmbë e dorë, unë nuk ta thash për fyerje, por që ta kemi të qartë se mes qenve nuk ka ndonjë dallim sa për të qenë, qen ata të sjellë nga Evropa, qen këta tanët, qen këtej e qen andej, pra qen me bollëk, të cilët është vështirë t’i sistemosh dhe, siç e sheh, janë bërë edhe të rrezikshëm për qytetarët: bëjnë zhurmë e potere pa asnjë shkak, po ta panë hallin të hanë edhe prapa shpine, s’ka besë më -na ishte dikur ajo thënia: “Qeni është besnik!”… Jo lum vëllai, më nuk i besohet as atij ndërkombëtar dhe as atij vendor – qen hesapi! Prandaj halli im është së me këtë veprim nuk zgjidhet gjë, të thashë, dhe po të them edhe një herë; me qen e qenëri më parë e ka provuar UNMIK-u, para këtyre të EULEX-it, por i tërë “mundi” përfundimisht iku e shkoi huq. Një gjë nuk po e kuptoj dot; ne qen kemi sa të duash, ata qen na sjellin prapë, ç’po bëhet kështu vallë, kush do t’i bëj më pastaj, gjithë këta qen zap!?
– Keni të drejtë, imzot Jakov, mbase edhe vet u nxitova pak, pavarësisht se unë dhe ti nuk dallojmë edhe aq. Kjo nënkupton se jemi të njëjtë, varet nga mosha se cili është më qen plak, e cili më i ri?! Megjithatë, unë e mbroj parimin se në shumësinë e qeneve ka dallime të mëdha. Po ta zbërthejmë çështjen njëherë e mirë, bie fjala: ka qen tinëzar, ka qen besnik, por ka edhe zagar. Ka qen që i yshtur nga të tjerët, turret edhe në Parlament, ka qen që ha nga prapa edhe të zonë e vet. Ka qenë që nuk e shohin qenërinë e vet, ka qen e bir qeni, ka qen dai, ka qen që Kosovës ia ka sjellë krye-qenin në shtëpi. Ka qen e bir këlyshi, ka qen e bir qeni, ka qen e bir gjyshi, ka qen që e kërkon vendi, ka vend që kërkon qenin! Ka qen e bir thiu, ka qen që ha bukë në shtëpi, dhe leh tek fqiu! Ka qen që lëpin nga një asht e fle rehat në kashtë, ka qen që lemeris dynjanë, ka qen që edhe kur e shqelmojnë nuk bëzan! Ka qen që të ha pas shpine, ka qen qime palosur, ka edhe qen qeros e të zgjebosur! Pra me fjalë tjera, imzot, siç e sheh edhe ti, nuk janë të gjithë qentë njësoi, pastaj qentë e sjellë nga KFOR-i, duan një status të veçantë, duhet studiuar mirë se si do të përshtaten, si do ta kalojnë ditën, por edhe natën?, së pari:
– Në çfarë kushtesh kanë jetuar ata më parë?
– Kush do t’i mbrojë ata, nga ndonjë aferë e supozuar dhe e marrë?
– Nëse ata shkelin ligjin, kush do t’ua “fus atyre gishtin?”…
– Nëse vendit tonë i hynë në hak, kush do t’i fshijmë ata në “dajak?”
– Supozojmë; kush do të kujdeset për ta, nëse iu bëhet arrest shtëpiak?!
– Nëse janë të dresuar, kundër kujt i kanë sulur e drejtuar!?
– A janë të disiplinuar apo mos janë fare të pa fre?
– Ku hanë ata sot, e ku kanë hëngër deri dje?
– A do ta njohin ata, realitetin e ri e të mos bëjnë teatër, apo prapë krye në vete, do i fusin kot me Rezolutën 1244?!
– Kjo ka shumë rëndësi, imzot, në mënyrë që të mos na shkojë puna së koti – le të
dihet së kush është qeni këtu, dhe kush i zoti!…
– Tërhiqem, efendi Heqmet, tërhiqem, mbase keni të drejtë, as njerëzit nuk janë të gjithë njësoj, rrjedhimisht edhe qentë kanë të drejtë; secili në qenërinë e vet! Nga ana tjetër, unë si njeri i perëndisë që jam, kryesisht me punët e predikimit jam marrë, nuk jam ngatërruar shumë në punët e qenve, ngase nuk ishte në dorën time, prandaj sikur ma ndien zemra se përderisa nuk u zgjidhën shumë çështje për këto vite, nuk më besohet se mund të arrihet ndonjë rezultat i madh, aq më pak në saje të këtyre qenve, që i paska sjellë KFOR-i në Kosovë! Thjesht, pasigurinë time unë, efendi Heqmet, e mbështes në urtësinë popullore: “Qeni s’e ha qenin!”…, prandaj nuk përzihem unë në këto punë, sidomos në punët e qenve!…
Imzot Jakovit, teksa po përpëlitej nën batanijen e tij, i bërë çull në djersë, po i vinin në vesh ca të lehura qensh, së bashku me një trokitje të fortë në derën e hekurt të oborrit, që shoqëroheshin me një zë gati të mbytur:
– Imzot Jakov, imzot Jakov, hapeni derën se më shqyen qentë!
– Imzot Jakovi, hodhi batanijen krahëve shpejt e shpejt, doli me vrap në oborr, tërhoqi me forcë llozin dhe hapi derën e rëndë prej hekuri, duke i thirrur një qeni që nuk po prante së lehuri: “Mjaft më, he të preftë ujku, të preftë!” …
– Efendi Heqmet, ti qenke? Po ç’të solli në këtë mesnatë të zezë o i uruar?! Çfarë haberesh të liga po na sjell, o njeri i kobshëm, se ma bëre gjakun ujë, ma bëre?!
– Jo, jo, mos ke frikë, imzot, kalova këtejpari dhe thashë me vete: ta pimë nga një gotë, këtë natë të vonë hirësi, njëkohësisht desha të të njoftoj se KFOR-i…
– Oh të lutem mos,- e ndërpreu imzot Jakovi, -mos, për qentë të lutem mos më fol për qentë më, se na mbytën qentë, na hëngrën të gjallë qentë! Të lutem, mos! -dhe e mbylli derën me rrapëllimë nga mbrapa, duke ikur brenda e duke bërë kryq për ta qetësuar shpirtin e tij të trazuar, nga ai makth i asaj ëndrre të trishtuar. Ai, po ndiente ende të rrahurat e zemrës në gjoksin e tij të lagur qull nga djersët, aritmi kjo që e kishte shqetësuar dhe i kishte futur datën si kurrë më parë.
Mehmet BISLIMI, Shkurt 2010

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura