GJOKË DABAJ: MOS E EDUKO VETEN KEQ! VETËDUKIMI ËSHTË FORMA KRYESORE E EDUKIMIT TË NJERIUT

Durrës, 19. 07. 2015 – Kam për të trajtuar këtu njërin prej problemevet më të rëndësishëm, në mos më të rëndësishmin, në pedagogjinë dhe andragogjinë botërore, problemin e VETEDUKIMIT të njeriut. Në teorinë pedagogjike mbizotërojnë pikëpamjet, se rol vendimtar në edukimin e njeriut luajnë TRASHËGIMIA dhe AMBIENTI, ku individi edukohet. Të 2 këta faktorë, pa dyshim, janë shumë të rëndësishëm.
Trashëgimia, genet, historikisht të trashëguar nga paraardhësit, madje edhe nga paraardhësit mjaft të largët, janë faktor që ndikojnë në përditshmërinë e individit. Aty bëjnë pjesë: talenti, mungesa e talentit, predispozitat ose mungesa e predispozitavet, varfëria në fushën e aftësivet, vullneti apo mungesa e vullnetit, parakushtet gjenetikë të gjenialitetit etj.
Ambienti, ku individi edukohet dhe formohet si personalitet, është kryesisht 3 llojesh: familja, shkolla dhe e quajtura shoqëri jashtë familjes e jashtë shkollës.
Pedagogjia, psikologjia, metodikat, të gjitha këto shkenca që kanë për detyrë t’i shpjegojnë shkaqet e miredukimit apo të keqedukimit, dhe të kërkojnë e gjejnë rrugët për një miredukim sa më optimal, janë përqëndruar kryesisht në këta 2 faktorë: në faktorin e trashëgimisë dhe në faktorin e ambientit, pra, rrethanavet apo mjedisit, në të cilin lind e rritet një njeri, ku, siç thashë, bën pjesë edhe familja, edhe shkolla.
Në krejt këtë gamë faktorësh, është lënë pas dore, nuk është theksuar aq sa duhet, faktori i VETEDUKIMIT. Njeriu është edhe SUBJEKT. Nuk është vetëm OBJEKT. Rrethanat mund të jenë të gjithfarshme, predispozitat mund të jenë të gjithfarshme, por, në fund të fundit, njeriu e ka dhe duhet ta ketë veten në dorë, të paktën përsa u përket aspektevet kryesorë në jetën e tij të përditshme.
Njeriu mund të dijë sa bëjnë 5 edhe 7, njeriu mund të dijë, mund të ketë mësuar në shkollë, teoremën e Pitagorës, njeriu mund të ketë mësuar në shkollë ç’janë instinktet, ç’është imuniteti, ç’i hyjnë në punë shprehitë, të gjitha këto, jo mund t’i ketë mësuar, por, doemos, të paktën i ka dëgjuar, nëse e ka kryer një shkollë. Por, sa gjejnë zbatim këto njohuri në jetën e tij të përditshme, nuk varet më as nga predispozitat, as nga ambienti. Varet nga vetë ai.

Nuk është vendimtare, a di të lexojë një njeri. Është vendimtare, SA LEXON ai njeri. Nuk është vendimtare, a di të shkruajë një njeri. Është vendimtare, A SHKRUAN dhe ÇFARË SHKRUAN ai njeri. Nuk është vendimtare, a di një njeri ç’rëndësi ka puna mendore, puna intelektuale e një njeriu. Është vendimtare, SA DHE SI MERRET ME PUNË MENDORE ai njeri. Nuk është vendimtare, a e di një njeri sa rëndësi ka për formimin e tij të gjithanshëm e, në radhë të parë, për formimin shëndetësor, puna fizike. Vendimtare është, SA DHE SI MERRET NJË NJERI ME PUNË FIZIKE. Nuk është vendimtare, a e di individi sa rëndësi kanë për të ushtrimet gjimnastikorë apo marrja me një sport. Vendimtare është, SA DHE SI MERRET NJË NJERI ME USHTRIME FIZIKË dhe me njërin, të paktën njërin prej sportevet.
Ata që kanë dështuar në cilëndo prej këtyre fushave, e kanë në majë gjuhës: I di unë të gjitha këto, por ç’t’u bëj kushtevet.
Ndoshta dikujt do t’i duket e çuditshme, ose pak e rëndësishme, jo shumë e rëndësishme, por e vërteta është se, që të gjitha këto zanafillën e kanë te ajo që quhet RREGULLSI E PËRDITSHME, VETJAKE, PERSONALE. Një njeri që nuk e edukon veten me rregullsi në jetën e tij të përditshme, nuk duhet të shpresojë për kurrfarë mbarëvajtjeje në cilëndo fushë të jetës së tij.
A-ja e vetedukimit është (në vetëvete) kundër PËRTACISË, të mësuarit e vetes me PUNË: Jo me 1 punë, por me TË GJITHA PUNËT. Ti je dembel… Edhe unë jam dembel. Por unë e LUFTOJ dembel’llëkun tim. Ky është dallimi midis nesh.
Njeriu duhet të mësojë, ta mësojë veten, të kursejë ujin, brenda shtëpisë e pronës së vet dhe jashtë shtëpisë e pronës së vet. Askush nuk mund ta edukojë njeriun për të kursyer ujin, më mirë se vetë ai.
Njeriu duhet të mësojë, ta mësojë veten, të kursejë rrymën elektrike. Askush nuk mund ta edukojë njeriun në të kursyerit e rrymës elektrike, më mirë se vetë ai.
Njeriu duhet ta mësojë veten të kursejë kohën. Askush nuk mund ta edukojë njeriun për të kursyer kohën, më mirë se ai vetë.
Gjermanët kanë një thënie nga më të vlefshmet, të cilën njeriu duhet ta përsërisë me vete të paktën 16 herë në ditë, në 16 orët që presupozophet të mos jetë në gjumë: ORDNUNG IST HALBE LEBEN, rregulli është gjysma e jetës.
Jo në kuptimin e maniakut sqimatar, i cili, zakonisht, nuk është fort në rregull nga mendtë, por në kuptimin e njeriut racional, në kuptimin e njeriut që e ka mendjen në rregull.
Ka, në jetëshkrimet e personalitetevet të ndryshëm gjithfarë kuriozitetesh dhe rastesh që, përveçse të lënë mbresa, edhe mund të të çorientojnë. Thuhet për Mari Kyrinë që i linte enët me javë të tëra pa larë, e megjithatë, kjo nuk e pengonte për të qenë një gjeni. Thuhet pë Balzakun që, fletët e saposhkruara i hidhte prapa shpinës dhe në mëngjes i mblidhte shërbyesi me fshesë. Thuhet për një tjetër gjeni, që i linte thonjtë pa prerë dhe nuk e lante trupin, aq sa mbante erë të keqe kur takohej me njerëz të tjerë.
Por, të këtilla historira, nuk duhet të bëhen pengesë për të kuptuar rëndësinë e rregullsisë, si DOMOSDOSHMËRI në jetën e secilit individ, qoftë ai krejt i zakonshëm, qoftë i talentuar, qoftë edhe gjeni.
Një vajzë apo një djalë, që nuk e rregullon krevatin e vet, kur çohet nga gjumi, nuk mund të pohojë se e ka edukuar veten ashtu si duhet. Një vajzë apo një djalë që nuk i mban rrobat e veta të palosura, të klasifikuara, dhe të rregulluara nëpër rafte, nuk mund të pohojë se e ka edukuar veten mirë. Një shkollar që nuk i mban librat në rregull, jo vetëm në çantë, jo vetëm atje ku e kontrollojnë të tjerët, por atje ku nuk e shikon asnjeri, nuk mund të pretendojë se është njeri i rregullt dhe se shkolla apo familja po ndikojnë në miredukimin e tij. Një zyrtar që nuk e ka edukuar veten qysh fëmijë, pa e ditur se do të bëhet zyrtar, për t’i mbajtur në rregull, letrat dhe librat, nuk do ta ketë lehtë, doemos që nuk do ta ketë lehtë, të mësohet për t’i mbajtur si duhet shkresat dhe dosjet, as kur të jetë bërë zyrtar.
Nëpër rrugët e qytetevet shohim me mijëra, gra, burra, vajza e djem të rregullt. Të marrin më qafë, kur i shikon. Të krehur bukur, me këpucë e çorape të rregullta, me nga një çantë elegante krahëvet. Por nuk është ky kriteri i vlerësimit. Shkoni dhe shihni: A i kanë larë enët, në banesat e veta, këto gra e këto vajza që në bulevard duken kaq pastërtore? A i kanë lënë në rregull dhomat ku flënë? Si i mbajnë këpucët dhe shapkat, pantoflat, në korridoret e shkallaret e shtëpivet të tyre? A i hedhin andej e këndej, apo i vënë në rresht dhe pranë njëra-tjetrës, secilën këpucë e pantofël?
Ndërsa studentët shëtisin nëpër shetitore e bulevarde, aq bukur të veshur e të rregulluar, shkoni e shihini si i kanë lënë dhomat e tyre të gjumit dhe si i kanë lënë dispensat e librat!
Sportistët, në hotelet ku flënë, çfarë përshtypjeje lënë te personeli i hotelevet?
Ai njeri që nuk e rregullon vetë krevatin e tij kur çohet nga gjumi, qoftë edhe bir miliarderi, është NJERI PRIMITIV. Ai popull, pjesëtarët e të cilit, në shumicë, nuk i rregullojnë krevatët e vet kur çohen nga gjumi, është POPULL PRIMITIV.
Edhe princi i Uellsit duhet të dijë të ziejë qull, të qërojë patate e të pastrojë peshk. Dhe kjo nuk arrihet duke zier qull vetëm njëherë në jetë.
Por këtu s’e kemi fjalën vetëm për princat e për princeshat. Në botë ka qindra milionë NËNA halleshumë, të cilat, duke qenë shkurtpamëse, e shndërrojnë veten në skllave të fëmijëvet të vet. Pikërisht këto qindra milionë NËNA janë shkaktaret e para të INVALIDIZIMIT deri edhe të KRETENIZIMIT të njeriut të sotëm.
Ç’duhet të bëjë i riu, njeriu i ri në moshë, në të këtilla situata, kur NËNA nuk di ta edukojë?! Kur nënës i ha kurrizi t’i bëjë të gjitha punët vetë, deri edhe këpucët t’ia lidhë fëmijës, kur niset për në shkollë?!
Në të këtilla situata, rinia, në shkallë botërore, duhet të bëjë „KRYENGRITJE“ kundër nënavet miope: Mos prek me dorë asnjë punë që më takon mua! Ti lexo libra, unë do t’i laj enët! Ti shkruaj kujtime, unë do t’i hekuros rrobat!
Rinia duhet të vendosë „DIKTATURË“ ndaj të gjithë prindërvet që janë injorantë në pedagogji. E kjo do të thotë që rinia, nëse nuk dëshiron të rritet si invalide, duhet të vendosë diktaturë mbi shumicën dërrmuese të prindërvet të botës. Na lini të edukohemi me punë! Na lini t’i arnojmë vetë çorapet! Na lini t’i pastrojmë ne pluhurat e mobiljevet!
Meqë i përmenda leximin dhe të shkruarit (për nënat që as e kanë ndërmend ta bëjnë atë punë), po zgjërohem pak në 2 KËRKESAT THEMELORE TË VETEDUKIMIT.
Një njeri që e ka mbaruar shkollën 9-vjeçare, pra, një njeri që di TË LEXOJË dhe NUK LEXON të paktën 20 faqe libër, (në 16 orët e tija kur nuk është në gjumë), i ka shpenzuar kot paratë e familjes dhe të shtetit, që e kanë ushqyer dhe shkolluar për 9 vjet! 9 vjet janë 1/10-a (një e dhjeta) e jetës së njeriut!
Një njeri që NUK LEXON, e pakta 20 faqe libër në 16 orët e një dite, është një INJORANT I PAKULTURË. Ai, zakonisht, është absolut dhe i dhunshëm në familje, i pasuksesshëm në punë dhe ideologjikisht apo politikisht i manipulueshëm, kontigjent i gatshëm për forcat regresive të shoqërisë njerëzore.
Një popull që i ka kryer 9 vjet shkollim dhe NUK LEXON rregullisht nga 20 faqe libër në ditë, është një TURMË E PAVETËDIJSHME. E manipulueshme dhe e rrëzikshme për të ardhshmen e vetëvetes. Nëse në një popull, pasi t’i ketë kryer 9 vjet shkollim të rregullt, ka 90% JOLEXUES, ai nuk meriton të quhet popull. Ai është TURMË AMORFE prej së cilës mund të presësh çdo gjë, përveç progresit.
Leximin e libravet nuk e zëvendëson asgjë. Shikimi i televizorit, edhe kur programi përzgjidhet racionalisht, mund të sjellë diçka, por ai është pakrahasimisht i pamjaftueshëm. Shikimi i televizorit është pasiv, nuk e vë në punë mendjen e njeriut në masën e nevojshme. Ai, kur përzgjidhet, doemos që i shërben njeriut, por nuk e zëvendëson dot kurrsesi leximin e rregullt të libravet, të atyre të shtypur në letër.
As rrjetet socialë nuk e zëvendësojnë dot leximin e rregull dhe aktiv të libravet. Rrjetet socialë informatikë, fejzbuku, tviteri etj, i japin njeriut mundësi komunikimi, por jo edhe bazë formimi të përgjithshëm erudit, kulturor dhe moral. Njohuri TË SISTEMUARA jep vetëm leximi SISTEMATIK.
Për një njeri që e ka kryer shkollën 9-vjeçare, pra, një njeri që ka mësuar TË SHKRUAJË dhe NUK SHKRUAN, mund të thuhet lirisht që i ka humbur kot të 9 vjetët e jetës së vet. Njeriu që di të shkruajë, duhet, së paku ta pasqyrojë jetën e vet me të shkruar. Kush nuk i shkruan 5 rreshta në ditë lidhur me jetën që e rrethon, me punët që bën etj, etj, është I PAPËRGJEGJSHËM dhe i padallueshëm prej gjallesavet të tjera. Një i tillë njeri që nuk i shënon ngjarjet e jetës së vet me të paktën 5 rreshta , është, në radhë të parë, i papërgjegjshëm për familjen e vet. Ai, nëse paraardhësit e tij nuk kanë shkruar asgjë, i njeh ata paraardhës e shumta 2%. Ose nuk i njeh fare. Madje ndodh që nuk ua di as emrat gjyshërvet më të afërm, le më atyre më të hershëm. Dhe, nëse as ai nuk shkruan asgjë, kjo do të thotë që as atij nuk i bëhet vonë për pasardhësit e vet.
TË MOSSHKRUARIT e ngjarjevet të ditës prej pjesës më të madhe të një kombi, e afron atë komb me pyjet dhe me tufat e bagëtivet. Në një pyll mund të hyjnë, sëpata dhe sharra kur të duan. Ai nuk është i zoti i vetes. Në një kope mund të hyjë thika e kasapit kur të dojë. Ajo nuk është e zonja e vetes. NË NJË POPULL të pajisur me alfabet e megjithatë ANALFABET, hyjnë: mitrolozi, tritoli, ushqimi i falsifikuar, ilaçi i falsifikuar dhe politika kallpe, kur të duan e si të duan.
Të përdorurit e leximit PËR TË LEXUAR dhe të përdorurit e shkrimit PËR TË SHKRUAR, janë 2 kërkesat më themelore të vetedukimit të cecilit njeri.
Tët atë dhe gjyshin i ke pasur zdrukthëtarë. Vetë nuk di as një gozhdë të ngulësh, nuk di as të sharrosh një dërrasë. Nuk është mirë. Megjithatë, nuk deshe të bëheshe marrangoz. Nuk po të qorton askush. Por, ç’mësove tjetër?! Me cilën punë tjetër e edukove veten?!
Ti, nënën dhe gjyshen i ke pasur bujkesha dhe baresha. Vetë nuk di të përdorësh as shatin, as belin, as draprin. Nuk di të mjelësh një lopë, një dhi. Nuk është mirë që këto nuk i di, sado që ëndrrat e tua shkonin diku gjetkë. I urreje punët e nënës dhe të gjyshes, midis tjerash, edhe sepse nuk paguheshin. Por ti, a mësove diç tjetër?! Ç’profesion tjetër e pëvetësove, në mënyrën që edhe vetë të ndjehesh i/e kënaqur, edhe prindët e tu të jenë krenarë me ty?! Me çfarë u more ti, nga mosha 10 vjeç, deri në moshën 30 vjeç?!
Tët atë e ke biznesmen. Edhe gjyshin e ke pasur biznesmen. Po ti, me çfarë po merresh?! Me shëtitje, duke shpenzuar paratë e familjes?! Je imoral?! Po merresh me femrat?! Ndien mërzitje në shpirt dhe po e gjen “ngushëllimin” te droga?! Apo po ua jep paratë e tët eti kazinovet dhe lojëravet të bixhozit?!
Në të gjithë rastet shtrohet pyetja: Si po e edukon vetëveten?! Mund të thuhet çdo gjë. Mund të gjenden 1000 arsyetime: Babai ishte i ashpër. Nuk dinte të ma frymëzonte punën. Familja bënte jetë rrëmujë. Familja shpenzonte para pa kursim dhe mua më jepte sa të doja. Përsëri, pyetja finale, e përjetshme dhe kruciale: Ç’ke bërë ti me veten tënde?!
E ke pasë qejf matematikën, por mësuesi nuk ishte i përshtatshëm. Ti vetë, ç’bëre për ta përvetësuar matematikën?! Librat aty i kishe. Letër e laps ke pasur. Pse nuk i bëje vetë ushtrimet, për t’u bërë një matematicien i mirë?!
Yt atë është shkrimtar. Ti nuk u bëre shkrimtar, madje nuk di të sajosh qoftë edhe një varg të vetëm poetik. As libra nuk ke lexuar. E pamë pak parë ç’do me thënë të mos lexosh libra. Megjithatë, nuk ka të drejtë askush të të akuzojë, pse nuk u bëre shkrimtar. Por, çfarë bëre tjetër?! Si e edukove veten, qoftë edhe në kundërshtim me ato çfarë të sugjeronte njëri apo tjetri prind?! Mund të arsyetohen disa çorientime afatshkurtër në vitet e fëmijërisë. Më pëlqeu, s’më pëlqeu. (Megjithse, njeriu nuk duhet t’ia lejojë vetes të rrëshqasë as kur është fëmijë apo adoleshent.) Por, nga mosha 20 vjeç deri më sot, kur po i kalon të 40-at, ç’punë bëre me veten tënde?! Deri ku mbërrite?!
E ke tët atë pijanec e bixhosçi?! Ti, a e edukon veten për të mos u bërë si yt atë?!
E ke nënën prostitutë ose gjysmëprostitutë, nga ato që e tradhtojnë burrin dhe bëjnë sikur janë bashkëshorte dhe nëna të mira?! Ti, a e edukon veten për të mos veprua si jot ëmë?!
Mund të rendisim kështu qindra shembuj. Thelbi prapë mbetet po ai: Mos e eduko veten keq! Lumi ka rrugën e vet. Ty s’ka pse të merr rrjedha e lumit! Edhe një kalama mëson të notojë nëpër lumë. Edhe ti vetë ke mësuar për bukuri. Je hedhur atje ku s’të çahej koka në gurë. Je hedhur edhe në rrëke të rrëmbyeshme, por e ke llogaritur qysh përpara si do të dalësh andej. Ata që janë më pak të zotë, lahen në ujëra të cekët. Por, asnjeri nuk bën ç’i thotë lumi. Secili bën ç’do vetë e jo ç’do lumi.
Madje, edhe një qen, ta hedhësh mu në mes të dallgëvet, di të dalë prej andej. Nuk i var shpresat te askush.
Ti, a ke ditur t’i përballosh dallgët e jetës, sido që të të kenë ardhur ato?! Ky duhet të jetë orientimi që duhet t’i jepet njeriut.
Por jo orientim egoist, sepse njeriu nuk jeton vetëm, as midis njerëzvet, as midis kafshëvet, as midis bimëvet dhe as midis gurëvet, dheut, ujit dhe ajrit. Njeriu e jeton krejt jetën ME TË TJERËT dhe është qenie që ka MENDJEN dhe MORALIN.
Prandaj, jo orientim johuman, orientim jonjerëzor, sepse vetë njeriu është njeri. Si mund t’i lejosh vetes të bëhesh antinjeri?!
Njeriu duhet ta edukojë veten POZITIVISHT dhe kjo nuk është punë e lehtë. Është luftë që njeriu duhet ta bëjë me vetëveten deri sa të marrë frymë dhe e gjitha fillon që te lustrimi i këpucëvet, që te mënyra ku i vendos dhe si i vendos, limën, gërshërët, hekurin e rrobavet, të kuqtë e buzëvet, sapunët (A e lë sapunin në ujë, që të shkrijë sa më parë?!) e deri, sa faqe libër lexon në ditë, sa rreshta ditar shkruan, ç’punë bën për të mbajtur muskujt në formë, si dhe për të siguruar një punë normale të zemrës.
Në jetë, në veprimtarinë tonë të përorëshme, ka qindra raste që punët nuk shkojnë mbarë. Në të tillë raste, njeriu nuk duhet, as të mërzitet, as të revoltohet ndaj punës. Nuk kanë faj, as puna, as objekti mbi të cilin ti je duke vepruar. Fajin përherë duhet t’ia hedhësh vetes dhe, 100 herë në ditë, duhet t’i thuash vetes: “Ç’PO BËN KËSHTU, O IDIOT!” Natyriht, pa bërtitur, që të dëgjojnë të tjerët.
Nuk duhet të mendojmë që mbetjet radioaktive të centralevet bërthamorë i hedhin atje ku nuk duhet, njerëz që e kanë edukuar veten ashtu si duhet.
Kështu, në lidhje të ngushtë me vetedukimin, njerëzimit do t’i duhej t’i rishikonte, t’i përpunonte dhe t’i riformulonte edhe NORMAT E MORALIT.
Së pari, marrëdhëniet e individit me LIRINË. Individi vërtet duhet të jetë i lirë, por jo në mënyrë të pakufishme dhe, aq më keq, në mënyrë konfuze. Njeriut nuk mund t’i njhet e drejta e lirisë për t’u bërë keq, vetes dhe të tjerëvet. Sa herë që shqiptohet thënia e famshme e kohës së XH.G.Bajronit “UNË JAM I LIRË”, individit do t’i duhej të shtonte edhe pyetjet: Deri ku jam i lirë? A jam i lirë të dëmtoj veten, qoftë edhe indirekt, qoftë edhe me efekte të vonuar? A jam aq i lirë, sa të mos e vras mendjen për të tjerët?
Një mori veprimesh apo mosveprimesh të individit njerëzimit do t’i duhej t’i shpallte TË PAMORALSHËM. Le të marrim vetëm 1 shembull. Ç’të mira i sjell individit, por edhe mjedisit rreth individit, e quajtura “JETË NATE”?! Sociologët nuk duhet të rrinë indiferentë ndaj një të këtillë “inovacioni”, mbështetur në mënyrë të pamoralshme te koncepti “Unë jam i lirë”.
Ose PROBLEMI I TË FJETURIT NË MËNGJES DERI VONË, që lidhet, mes tjerash, edhe me të quajturën “jetë nate”. Natyra ka krijuar ditën edhe natën, ka krijuar mëngjesin edhe mbrëmjen. Në përshtatje me këto mrekulli të natyrës, njerëzimi ka vendosur, prej mijëra vjetësh, edhe një regjim të vetin ditor: zgjimin në mëngjes, punën gjatë ditës, pushimin në mesditë, mbrëmjen, gjumin gjatë natës.
Në kohën tonë është shfaqur, është praktikuar gjërësisht edhe PUNA GJATË NATËS. Jo se s’ka ekzistuar më parë një e këtillë thyerje e rregullit të natyrës, por industria ia ka imponuar njeriut këtë thyerje në shkallë më të gjërë. Ka ardhur, si pasojë, dukuria e të fjeturit në mëngjes deri vonë, e atyre individëve që punojnë natën.
Deri këtu, arsyeja edhe mund ta justifikojë dukurinë. Por, kur dukuria merr përmasa masive, kur krejt qyteti, kur krejt popullsia e një shteti, nuk zgjohet në mëngjes, ose zgjohet vetëm pjesërisht, a është E MORALSHME kjo dukuri?! Dua të them, a i lejohet njeriut ta edukojë veten për të ndenjur natën pa gjumë, qoftë edhe për inerci, dhe për të fjetur në mëngjes deri sa trupin t’ia mbulojë ndiesia e të kalburit?!
Të fjeturit në mëngjes, deri vonë, shkakton te individi ndiesinë e të kalburit, ndiesinë e plogështisë e, si pasojë, ia çrregullon atij krejt regjimin ditor. Përveç kësaj, të fjeturit në mëngjes, deri vonë, shkakton nervozë te pjesëtarët e tjerë të familjes, i nxjerr jashtë zbatimit normal rregullat e të ushqyerit, mëngjesi nuk hahet në mëngjes, dreka nuk hahet në drekë, darka hahet spontanisht ose nuk praktikohet fare. Mjaftojnë këto që thashë, për të konstatuar se, në këtë mënyrë, jo vetëm jeta e individit është çrregulluar, pra ka dalë jashtë funksionit normal, pra, është dëmtuar rëndë, por edhe familja është nxjerrë kështu jashtë funksionit, deri në shkallën e të mbajturit me zor dhe, në një shumicë shqetësuese rastesh, deri në shkallën e të mosekzistuarit.
Përfundimisht, pa u zgjatur në analiza të mëtejshme, a duhet dhe a mund të quhet I MORALSHËM të fjeturit deri vonë në mëngjes?! Absolutisht jo! Të fjeturit në mëngjes deri vonë, pa kurrfarë arsyeje të pranueshme, duhet të shpallet I PAMORALSHËM. Individi duhet ta edukojë veten të mos jetë i pamoralshëm as në këtë pikë, si në pikat „mos gënjej“, „mos vidh“, „mos vra“ e të tjera, që „Zoti ia ka diktuar Moisiut“ qysh në zanafillat e moralit njerëzor.
Në praktikën pedagogjiko-didaktike botërore njihen kryesihst 2 forma edukimi: FORMA E RREPTËSISË dhe FORMA LIBERALE. Njëra formë e shtrydh dhe e ndrydh personalitetin, e shndërron atë, ose në makinë që i bindet makinistit, i cili për vete është makinë, ose në rrebel kryengritës. Forma tjetër e lejon pjesëtarin e familjes ose nxënësin të veprojë „lirshëm“, dmth, të bëjë ç’të dojë dhe ashtu krijon çrregullime, si në jetën e individëvet, ashtu edhe në grupet ku ata individë bëjnë pjesë.
Në formën e dytë i lihet më shumë hapësirë vetedukimit, mirëpo, individi i pavetëdijshëm, në ato rrethana, e ka më lehtë ta edukojë veten për keq se sa për mirë. Rezultati mund të çojë deri te 20, apo 30, apo 70 për qind e individëvet, drogaxhinj, bastexinj dhe maniakë të ndryshëm, të lloj-llojshëm, të seksit.
Në këtë formë, pra, në formën liberale, bëjnë pjesë edhe mediat „e lira“, të cilat, ndonëse duket sikur ia japin individit të gjitha mundësitë e përzgjedhjes, i krijojnë OPINIONET ashtu siç duan ato, dhe dihet që OPINIONI ËSHTË DIKTATORI MË I PUSHTETSHËM NË JETËN E SHOQËSISË NJERËZORE.
Duket sikur po në këtë formë edukimi bëjnë pjesë edhe religjionet, por mjafton që të kujtojmë se ata, pra religjionet, „urdhërat e Zotit“ i paraqesin si absolutë dhe e kuptojmë që edhe aty zotëron OPINIONI, ushqyer me AUTORITARIZËM HYJNOR.
Në formën e parë, në atë të edukimit me shtërngim të rreptë, një shumicë individësh e „kuptojnë“, dmth, e pranojnë, se pikërisht ashtu siç po thotë prindi apo eprori, u dashka edukuar vetja dhe, varet sa pozitive apo negative i kanë kërkesat ata prindër apo ata eprorë (shkollorë, ushtarakë, shtetërorë).
Të 2-ja format, edhe ajo autoritative, edhe liberalja, bartin me vete rrëziqe të mëdhenj. Aq rrëziqe, sa tashmë e kanë futur sistemin arsimor botëror në një rreth vicioz (kolaps vicioz).
Atëherë, si duhet bërë që edukimi gjithnjerëzor të shkojë në rrugën e mbarë, në rrugën që duhet?!
Në radhë të parë, duhet kuptuar që VETEDUKIMI është forma kryesore e edukimit të njeriut. Kjo duhet propaganduar në media, në rrethet familjarë dhe nëpër shkolla. Ne ia tregojmë individit rrugët, por është në kompetencat e individit, do t’i ndjekë, do t’i praktikojë apo jo ato rrugë.
Në familje, përgjegjësinë kryesore, që vetedukimi i fëmijës vihet në rrugë të mbrapshtë, e ka NËNA. Ajo, me ndjenjat e saja dhe me dashurinë e saj ndaj pjellës së vet, e lë logjikën mënjanë dhe vepron siç i thonë instinktet. Nuk e vë fëmijën në punë. I bën të gjitha punët vetë, pranon të kapitet në këmbë, për të ruajtur fëmijën nga „mundimet“. Në këtë mënyrë, fëmija nuk mund (dua të them: e ka vështirë) të vetedukohet, sepse nuk ia jep atë mundësi e ëma.
I jati, në të shumtën e rastevet, ose kufizohet në këshilla, ose bëhet i dhunshëm, ose ia lë të gjitha bashkëshortes dhe vetë del e luan bilardo, sepse u „robtuam“ duke punuar dhe kemi nevojë të relaksohemi.
Në fshatin tradicional, mundësitë për vetedukimin e njeriut, qysh së vogli, janë më të mira, më optimale. Atje, pula kërkon të hajë në orë të caktuara, dhentë duan të milen dhe të kulloten, derri do ushqyer, por edhe trupi do larë rregullisht, se merr erën e bajgavet apo të djersës së bagëtivet. Mirëpo, mundësia për të mos jetuar gjithë jetën në fshat, mundësi që e jep kapitalizmi, ndryshe nga feudlizmi, ëndrra për të kaluar në qytet, se „vetëm atje bëhet jetë e mirë“, ka bërë që një shumicë fshatarësh, përveç atyre që s’kanë nga ia mbajnë, të mos prekin gjë me dorë dhe ashtu ta edukojnë veten , jo për së mbari, por për së prapthi. Nga kjo sëmundje, nga sëmundja e edukimit të keq të vetëvetes në fshat, vuajnë sot me miliona banorë të këtij planeti.
Në qytet, mundësitë për ta edukuar vetëveten në familje, janë maksimalisht të reduktuara. Aty ka fare pak punë shtëpie, edhe ato i bëjnë të tjerët dhe shih ku i hedh çorapet fëmija, kur bie për të fjetur! Shih si rri shtrirë, (jo ndenjur) para televizorit! Shih si luan gjithë ditën me gishta në ajfon! Kjo është forma më e përhapur e vetedukimit në familjet qytetëse dhe, doemos, s’ka si vlerësohet ndryshe, veçse rrënuese. Ka përpjekje për t’u marrë me sport ose me ushtrime fizikë. Janë shpikur lloj-lloj mjetesh, një industri e tërë, për ta shpëtuar trupin e njeriut nga rrëgjimi dhe nga obeziteti. Por, a mund të thotë dikush, sa njerëz, dmth, sa banorë, në një qytet 10-milionësh, i blejnë ato vegla, i përdorin në një vrull qejfi e pastaj ua mbulojnë pluhurat?! M’anë tjetër, sa banorë të po atij qyteti 10-milionësh nuk i përdorin fare, as veglat e shpikura, as edhe ndonjë formë tjetër stërvitjeje?!
Në shkollë kanë plasur, formalizmi, burokracia dhe rendjet për të “eksperimentuar” metoda pas metodash, duke ngelur gjithë jetën në të njëjtin shtrat të dështimevet. Puna ka arritur deri atje, sa trupi mësimor dhe administrata shkollore, nuk merren më me punët mësimore, sepse duhen mësuar dhe edukuar kalamajtë, por, sepse duhet marrë RROGA. Kur njeriu shkon në punë, se i duhet rroga, se përndryshe do të bridhte gjithë ditën rrugëvet, dihet se çfarë produkti nxiret prej punës së atij njeriu. Aq më tepër, kur edhe çmimin, me ligj, ia vë ai vetë, mallit që prodhon.
Në të njëjtin qerthull, shoqëria njerëzore po vjen vërdallë, duke shpikur lloj-lloj shkollash private, ku prindët paguajnë qimet e kokës, me shpresën se pjellat e tyre do të jenë elita e shoqërisë. Por sa për qind dalin vërtet elitë dhe e ç’cilësie është ajo elitë?! Psh, ajo “elite” a po është në gjendje ta ndalojë, ta pamundësojë, luftën e tretë botërore? Ajo “elitë” a po është në gjendje ta ruajë planetin Tokë nga ndotja katastrofike?! Ajo “elitë” a po është në gjendje ta përmirësojë moralin e njeriut?! Apo s’ka ç’i duhen asaj “elite” të këtilla punë!?
Përsa e shtjellova, del se s’ka rrugë tjetër, veçse të RIFORMULOHET SHKOLLA që nga themelet dhe rruga e vetme të jetë sistemi I MARRJES NË DORËZIM, nga klasa e parë deri në të nëntën, me mësues as universalë, as të specializuar sipas lëndëvet, por të profilizuar vetëm për 1 klasë: të parën, të dytën, të pestën, të nëntën. Nxënësit të mos i kalojë nga klasa në klasë ai mësues që i ka mësuar , por ai që do t’i mësojë vitin që vjen. Prandaj dhe do të quhet SISTEM DORËZIM-PRANIMI. (Shih për këtë elaboratet e mi më të hollësishëm.)
Ky sistem kish për të ndryshuar doemos edhe rolin e familjes. Familja nuk do të mund të notonte më ndër pellgjet e injorancës në fushën e edukimit të fëmijëvet të vet, por do të detyrohej të çalltisë për ta futur fëmijën në rrugët më të mbara të vetedukimit.
Ky sistem arsimor kish për të ndryshuar doemos edhe qëndrimin ndaj mësuesit. Mësuesi vërtet do të shkojë në shkollë për të merituar atje një rrogë, por do ta kuptojë qysh pa hyrë në atë punë, se rroga e tij varet prej asaj sa do t’ia dalë që nxënësit e tij të vetedukohen pozitivisht.
Nxënësi, më vonë njeriu i rritur, nuk do të kish rrugë tjetër, veçse ta edukojë veten ashtu siç e kërkon e mira e vetë atij, e familjes së tij, e kombit të tij dhe e krejt njerëzimit. Nuk do të kish rrugë tjetër, sepse nëna do të detyrohej t’i thoshte fëmijës: Mos e eduko veten kështu! Mësuesi do të detyrohet t’i thotë nxënësit: Mos e eduko veten kështu! Ndërsa nga rruga, nga sheshi, nga shoqëria, individi do të marrë, përherë e më shumë, vetëm ato që i duhen atij. Jo ato që nuk i duhen. Jo ato që e dëmtojnë.
Edhe RELIGJIONET do të detyrohen të RIFORMULOHEN që në doktrinë, duke u çliruar njëherë e përgjithmonë nga misticizmi. E përdora që në krye termin andragogji. Andragogjia është shkenca që merret me edukimin dhe arsimimin e të rriturvet. Religjionet, në thelbin e vet, janë forma edukimi, jo vetëm të fëmijëvet, por edhe të popullsisë së rritur. Ato, ose do të zhvishen nga misticizmi, ose do t’ia lënë vendin një religjioni tjetër, ku njeriu do të gjejë RRUGË PËR T’U VETEDUKUAR, pa iu nënshtruar, pa qenë nevoja t’i nënshtrohet, ndonjë absolutizmi hyjnor.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura