(Gjakovë, 07. 11. 2012) – Më 12 Nëntor 2012 u mbushën 40 vjet nga dita e përurimit të Qendrës Islame Shqiptare-Amerikane, e cila me kalimin e kohës erdhi duke e zhvilluar veprimtarinë në fushën jo vetëm fetare, por edhe në atë atdhetare, shoqërore, arsimore, edukative, kulturore… Merita të veçanta kanë shumë veprimtarë, por këtu po veçojmë dy prijësit e parë të kësaj Qendre Islame, Myderrizin, Salih Efendi Myftia dhe Imamin, z.Isa Hoxha, për të cilët po paraqesim nga një jetëshkrim në shenjë nderimi e përkujtimi!
Feja Islame në Amerikë
Feja Islame në Amerikë ishte e pranishme madje edhe para se të themelohen Shtetet e Bashkuara. Historianët kanë shënuar se deri në 30% e robërve zezak nga Afrika të sjellur në Amerikë ishin myslimanë. Princi Abdul Rrahman nga Afrika Perendimore, i liruar nga Kryetari John Quincy Adams më 1828, pas 40 viteve në burg, ishte një nga mijëra afrikanët musliman.
Muslimanët në Amerikë
Muslimanët nga Andalusia vizituan kontinentin Amerikan para se evropianët ta “zbulojnë” atë që sot quhet Amerika Veriore, shumë vite para Kristofor Kolombos, siç ka shkruar Sharif el-Idrizi në shekullin XII-të. Muslimanët nga Afrika vazhduan ta praktikojnë fenë islame edhe në Amerikë, kjo binte në sy kur mblidheshin në vende të veçanta, private, ku kryejshin faljen e namazit. Ruhen ende dy dokumente të vitit 1731 për muslimanët afrikanë, ku përmenden me emra dy besimtarë të cilët ishin Ayuba Sulejman Diallo dhe Omar Ibn Said.
Omar Ibn Said (1770-1864) është një shembull, dëshmi, dëshmi e dokumentuar, i një besimtari të devotshëm, i cili erdhi në Amerikë në vitin 1807. Lindur në vitin 1770 në Futa Tooro, sot Senegali, jetoi në Karolinën Veriore, edhe pse ishte skllav, e praktikonte fenë islame me përpikni, me devotshmëri. Ka shkruar disa tekste fetare në gjuhën arabe të cilan janë: Lutje Zotit, Si të lutemi, Namazi, Bismilah, Fazat Kur’anore, ka shkruar edhe një autobiografi. Sipas një dokumenti kinez, i njohur si Sung Document i vitit 1178, shënohet se udhëtimi i detarëve muslimanë tek një vend i njohur si Mu-Lan-pi (Amerika). Abu Bekr, mbret mysliman i Perandorisë Maliane në vitin 1310 ka udhëhequr një seri udhëtimesh detare tek Bota e Re.
Xhamitë në Amerikë
Xhamitë në Amerikë nuk shërbejnë vetëm si objekte fetare adhurimi, por ato shërbejnë edhe si objekte shoqërore, kulturore…Sipas një studimi me titull The Mosques in America: A National Portrait,”( Xhamitë në Amerikë: Një Portret Kombëtar), Muslimanët në Shtetet e Bashkuara janë që disa brezni, shumica me prejardhje nga vendet arabe, që nga koha e Perandorisë Osmane, si Siria, Libani, Jordani. Shumica prej tyre janë arabë, turqë, kurdë, shqiptarë..
Sipas studimit të lartpërmendur, xhamia e parë është ndërtuar nga shqiptarët në vitin 1915, në Main. Në vitin 1919, shqiptarët muslimanë themeluan xhaminë e dytë në shtetin Connecticut. Pas shqiptarëve, në vitin 1926, në Brooklyn, N.Y., tatarët nga Polonia themeluan një xhami.
Muslimanët afro-amerikanë themeluan xhaminë e parë në Pittsburgh, PA, në vitin 1930. Komuniteti libanezë e hapi xhaminë e parë në vitin 1935 në Cedar Rapids, Iowa.
Muslimanët afro-amerikanë nën udhëheqjen e Shejh Daud Ahmed Fejsalit themeluan xhaminë në New York në vitin 1955. Sot në Amerikë janë mbi 3000 xhami, shumica prej tyre janë themelue pas vitit 1970.
Shqiptarët në Amerikë
Ishte viti 1876 kur shqiptari i parë shkeli në truallin amerikan. Sipas disa burimeve, ky shqiptar ishte nga Korça dhe më pas ndërroi drejtimin duke u spostuar në Amerikën e Jugut dhe duke përfunduar më pas në Argjentinë.
Ishte viti 1889 kur shqiptari i dytë, i cili vuri këmbë në tokën amerikane. Ky ishte Kolë (Nikolas) Kristofori, prej fshatit Katund të Korçës që arriti në Amerikë. Ky është emigranti i parë shqiptarë që është regjistruar dhe i njihen gjeneralitetet. Në vitin 1900, kur ende s’kishte Shqipëri, numri i shqiptarëve, të cilët jetonin në Amerikë ishte 42, kryesisht në shtetin Massach. Prejardhja e tyre ishte kryesisht nga jugu i Shqipërisë dhe vinin nga zonat më të thella. Sipas studiuesit Haris Sillajxhiç, në fundin e Luftës së Parë Botërore (1918) numri i shqiptarëve ishte 50 mijë.
40 vjetori i Xhamisë në Brooklyn, New York
Pas Luftës së Dytë Botërore, për shkaqe të ndryshme, në veçanti për shkaqe politike dhe ekonomike rritet numri i shqiptarëve të shpërngulur në Amerikë. Shumica prej tyre vendosen në qytete të mëdha, të zhvilluara, siç janë Chicago, Detroiti, New Yorku… Në qytetin më të madh të Amerikës, në New York, ishin të vendosur numri më i madh i shqiptarëve, tani jo vetëm nga Jugu i Shqipërisë, por edhe nga Veriu i Shqipërisë, shumica ishin myslimanë…
Xhamia, Qendra Islame Shqiptare-Amerikane, Brooklyn, New York, themeluar me 12 Nëntor 1972. Myderriz Salih Ef.Myftia, imam Isa Hoxha, veprimtarë dhe nxënës të Qendrës Islame Shqiptare-Amerikane në Brooklyn, New York, 1973.
…………………………………………………
Një shkrim me dy fotografi nga gazeta më e njohur amerikane “The New York Times” për hapjen e xhamisë në Brooklyn, New York. Në fotografi: Myderriz Salih Ef.Myftia, kurse duke bërë dua dallohet Haxhi Koçi nga Dibra, Halit Demlushi nga Gjakova, Musli Mulosmanaj nga Malsia e Gjakovës…
…………………………………………………….
Imam Osman Zaga, pasardhësi i Salih ef. Myftiut, Imam Isa Hoxhës, duke predikuar në xhaminë e Brooklynit, New York.
…………………………………………………………
Duke u rritur numri i shqiptarëve musliman, rritej edhe nevoja për të themelue një Qendër Islame, Xhami, që t’i shërbejë besimtarëve shqiptarë. Kështu, më 16 maj 1966, në Sheraton Atlantic Hotel të New York-ut, nën udhëheqjen e Salih Efendi Myftiut u mbajt mbledhja e Kuvendit të Qendrës Islamike Shqiptare-Amerikane, në të cilën u miratue Kushtetuta Themeltare e Qendrës Islamike Shqiptare prej nëntëmbdhjetë pikash…
Në pikën e parë thuhet: Të themelohet Xhamia e Qendrës Islamike Shqiptare-Amerikane, për shtetet New York dhe New Jersey, e cila ka karakter fetar dhe ka për synim forcimin e moralit, zhvillimin e filozofisë islame ndër besimtarët myslimanë shqiptarë…
Mbas përpjekjeve të vazhdueshme rreth gjashtë vjeçare, edhe pse ishte plakur, kishte mbi 70-të vjeç, nga gëzimi që shqiptarët mysliman po themelojnë një Xhami, Salih Efendiu punonte si të ishte djal i ri…
Me 12 nëntor 1972, Salih Efendi Myftiu me Bismilah e preu shiritin e Xhamisë në Brooklyn të New York-ut, pranë së cilës ishin tubuar qindra besimtarë shqiptarë, që nga orët e herëshme të mëngjesit, disa prej tyre të veshur me kostume kombëtare, sipas krahinave shqiptare…
Në mesin e masës së tubuar dalloheshin disa personalitete të shquara si Imam Isa Hoxha, Baba Rexhebi i Teqesë Bektashiane nga Detroit-i, Dr. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, etj. Aty dalloheshin edhe përfaqësuesit e mediave amerikane: Joseph Pascal nga “Zëri i Amerikës” në Washington, Robert Kessler i gazetës “The New York Times”, reporteri i gazetës “Dayli News” të New Yorkut, etj.
Kushtrimi për themelimin e kësaj Xhamie madhështore u përhapë si vetëtimë në mbarë botën, nga Amerika në Australi, e dëshmojnë urimet e përgëzimet që vinin në vazhdimësi…Kjo ndezi ndjenjat fetare dhe kombëtare ndër shqiptarët e mërguar, në një kohë kur në Shqipëri këto ndjenja ishin ndaluar…
Me 12 nëntor 1972, n’ora 15, pas dite, Salih Efendi Myftiu me Bismilah e preu shiritin e Xhamisë në Brooklyn të New York-ut, pranë së cilës ishin tubuar qindra besimtarë shqiptarë, që nga orët e herëshme të mëngjesit, disa prej tyre të veshur me kostume kombëtare, sipas krahinave shqiptare…
Mbas premjes së shiritit, filluan urimet, përgëzimet e besimtarëve, përqafimet me përzemërsi, me lotë në sy nga gëzimi për këtë xhami…
Kur besimtarët hynë në faltore, Kryetari i Qendrës Islame Shqiptare-Amerikane, z.Rexhep Kumbarçe, përshëndeti të pranishmit në gjuhën shqipe dhe anglishte dhe ja dha fjalën imamit të xhamisë, burrit të Malësisë së Gjakovës, z.Isa Hoxha, i cili ndër të tjera tha:
”Të gjitha falënderimet, lavdimet, janë vetëm për Krijuesin e Gjithësisë. Vetëm Krijuesit i përulemi! Vetëm Krijuesin adhurojmë dhe vetëm Krijuesit i kërkojmë për udhëheqje në rrugën e drejtë!”
”O Zot fuqiplotë dhe mëshirues i madh!”
Sot të bashkuem në kët vend të shejtë dhe në kët ditë gëzimi për të festue hapjen e kësaj Qendre Islame Shqiptare-Amerikan në Brooklyn, New York. tek Ti së pari e drejtojmë mendjen dhe zemren tonë për të kërkue ndihmën dhe bekimet t’Ueja për nji punë të mbarë e për mbarëvajtjen e popullit tonë shqiptar.”
”Populli shqiptar, edhe pse shekuj me radhë ka kalue shumë valë e dallga të rrezikshme, prap se prap, po aj popull mujti me mbajtë besimin Islam, Katolik e Ortodoks.”
”O Zot! Me rastin e inaugurimit të kësaj Qendre të Re të besimit islam shqiptar në qytetin e New Yorkut, na përvujtnisht të lutemi t’i dhurojsh popullit shqiptar punë të mbarë, nderë e lavdi dhe të derdhish bekimet Tua mbi të gjithë ata besimtarë të cilët sakrifikuan çdo gjë për t’a ndërtuar kët Qendër jashtë Atdheut… “
Pas imam Isa Hoxhës, z.Rexhep Kumbarçe, paraqiti folësin kryesor, të ditës N-Kryetarin e Qendrës Islame, z.Mustafa Elezi, pinjoll i familjes të Jah Elezajve të Dragobisë, i cili, ndër të tjera, tha:
”Shpresoj se kjo Qendër nuk do të përdoret vetëm për predikime fetare, por do të shërbej edhe si shkollë për edukimin e brezit të ri. Gjithashtu do të jetë edhe Qendra e afrimit edhe e mirëkuptimit e të gjithë shqiptarëve, prandej me të drejtë do të quhet Qendër Fetare-Kombetare…”
”Falënderoj të gjithë ata vllazën shqiptarë që kontribuen për themelimin e kësaj Qendre. Uroj që kjo Qendër e Re Fetare të ket sukses në misionin e saj shpirtnor dhe kombëtar dhe njëkohësisht të bahet qendra e dashamirësisë të mbarë gjakut shqiptar…!”
Më 12 Nëntor 2012 u mbushën 40 vjet nga dita e përurimit të Qendrës Islame Shqiptare-Amerikane, e cila me kalim kohe erdhi duke e zhvilluar veprimtarinë në fushën jo vetëm fetare, por edhe në atë atdhetare, shoqërore, arsimore, edukative, kulturore…
Merita të veçanta kanë shumë veprimtarë, por këtu po veçojmë dy prijësit e parë të kësaj Qendre Islame, Salih Efendi Myftia dhe Imam Isa Hoxha, për të cilët po paraqesim nga një jetëshkrim në shenjë nderimi e përkujtimi!
MYDERRIZ SALIH EF.MYFTIA (1891-1978)
…………………………………………..
SHEMBULL I BESIMTARIT, DIJETARIT DHE ATDHETARIT… ISH MYFTIU I SHKODRËS DHE I PREFEKTURËS SË KOSOVËS, LUFTËTAR KUNDËR NAZI-FASHIZMIT DHE KOMUNIZMIT… THEMELUES I QENDRËS ISLAME SHQIPTARE-AMERIKANE, PËR SHTETET NEW YORK DHE NEW JERSEY, NË SH.B.A., UDHËHEQËSI SHPIRTËROR I MUSLIMANËVE SHQIPTARË NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS…
”Ai ia dhuron urtësinë atij që do, e kujt i është dhënë urtësia, atij pra i është dhuruar mirësi e madhe, e përveç të mençurve këtë nuk e kupton kush.” (Kur’an, 2:269)
Salih Efendi Myftia ishte një nga personalitetet më të njohura të botës shqiptare në atdhe dhe në mërgim…Një jetë të tërë, ky burrë i dheut, i shërbeu me përkushtim fesë dhe atdheut… lindi në vitin 1891 në Shkodër, një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, djep i kulturës, ekonomisë, qytet i shquar për ndjenjat fetare dhe kombëtare…
Salih Efendi Myftia rrjedh prej një familje shumë të njohur besimtarësh, dijetarësh, atdhetarësh, që brez mbas brezi u përpoqën që ta përhapin dritën e besimit, imanit, për të mbarën e vatanit…
Këtë rrugë e ndoqi me përkushtim edhe Salih Efendiu, por në rrethana krejt të ndryshme, herë më të mira, herë më të vështira…Përjetoj dy luftërat ballkanike dhe dy luftërat botërore, por fenë dhe atdhenë kurrë nuk i la pas dore…
Gjatë shkollimit u dallue si nxënës, ndërsa pas diplomimit u shque si mësimdhënës… Shërbeu edhe si imam në Shkodër, ishte edhe myderriz, në vitin 1927 shërbeu si myfti në Krujë, më vonë shërbeu si kryemyfti i prefekturës së Shkodrës dhe Kosovës…
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria u pushtue nga Italia fashiste, prill, 1939-shtator 1943, dhe nga Gjermania naziste, shtator, 1943-nëntor, 1944, Salih Efendi Myftia jo vetëm që nuk u pajtue me pushtimin e Shqipërisë nga fashizmi dhe nazizmi, por iu kundërvue atyre edhe me armë, derisa u internue në Gjirokastër…Sikur luftoj kundër fashizmit, nazizmit, luftoj edhe kundër komunizmit…
Me 28-29 nëntor 1944, kur Shqipëria u pushtue nga komunizmi, Salih Efendiu nga Shkodra, Shqipëria, u largue jo për të shpëtuar, por luftën kundër komunizmit për ta vazhduar…
E vazhdoj në forma të tjera edhe për 34 vjetë, deri sa ndrroi jetë…E vazhdoj veprimtarinë në katër kontinente, n’Europë, n’Afrikë, n’Azi dhe n’Amerikë…
Në Amerikë u vendos në New York, pranë djalit, Dr. Fuad Myftiu (1924-2007), cili ka doktorue në drejtësi në Firencë, Itali, me 1951.
Me të ardhur në New York, ku gjeti mijëra shqiptarë të emigruar për shkaqe politike dhe ekonomike, iu përvesh punës për organizimin e tyre në dobi të çështjes fetare dhe kombëtare.
Me 16 maj 1966, në Sheraton Atlantic Hotel të New York-ut, nën udhëheqjen e Salih Efendi Myftiut u mbajt mbledhja e Kuvendit të Qendrës Islamike Shqiptare-Amerikane, në të cilën u miratue Kushtetuta Themeltare e Qendrës Islamike Shqiptare prej nëntëmbdhjetë pikash…
Në pikën e parë thuhet: Të themelohet Xhamia e Qendrës Islamike Shqiptare-Amerikane, për shtetet New York dhe New Jersey, e cila ka karakter fetar dhe ka për synim forcimin e moralit, zhvillimin e filozofisë islame ndër besimtarët myslimanë shqiptarë…
Mbas përpjekjeve të vazhdueshme rreth gjashtë vjeçare, edhe pse ishte plakur, kishte mbi 70-të vjeç, nga gëzimi që shqiptarët musliman po themelojnë një Xhami, Salih Efendiu punonte si të ishte djal i ri…
Me 12 nëntor 1972, Salih Efendi Myftiu me Bismilah e preu shiritin e Xhamisë në Brooklyn të New York-ut, pranë së cilës ishin tubuar qindra besimtarë shqiptarë, që nga orët e herëshme të mëngjesit, disa prej tyre të veshur me kostume kombëtare, sipas krahinave shqiptare…
Në mesin e masës së tubuar dalloheshin disa personalitete të shquara si Imam Isa Hoxha, Baba Rexhebi i Teqesë Bektashiane nga Detroit-i, Dr. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, etj. Aty dalloheshin edhe përfaqësuesit e mediave amerikane: Joseph Pascal nga “Zëri i Amerikës” në Washington, Robert Kessler i gazetës “The New York Times”, reporteri i “Dayli News”, etj….
Kushtrimi për themelimin e kësaj Xhamije madhështore u përhapë si vetëtimë në mbarë botën, nga Amerika në Australi, e dëshmojnë urimet e përgëzimet që vinin në vazhdimësi…Kjo ndezi ndjenjat fetare dhe kombëtare ndër shqiptarët e mërguar, në një kohë kur në Shqipëri këto ndjenja ishin ndaluar…
Salih Efendi Myftiu, në Qendrën Islamike Shqiptare-Amerikane të Brooklyn-it, New York, shërbeu deri sa ndrroi jetë, deri sa shkoj në jetën e vërtetë, me 19 maj 1978, në moshën 87 vjeçare…
Hytbet, predikimet, ligjëratat, muhabetet, këshillat e tij, ishin plotë urtësi, ishin shumë frymëzuese, shumë tërheqëse, rigjallëruese, për mendjet, zemrat dhe shpirtërat e besimtarëve, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të kombeve të tjera, të cilëve ju fliste shkurtimisht në arabisht, turqisht…
Salih Efendiu kishte një fjalor të pasur, fliste gjuhën shqipe pastër, një të folme si n’Shkodër, kur fliste dukej si një bylbyl n’kodër…
Ishte i afërt, i dashur, i ambël me të gjithë, por kishte më kënaqësi me bisedue me rini, në veçanti me ne nga Kosova…
E pyeta një herë: Myfti Efendi, pse po ban dallim? U-përgjigj: “Po, Mexhid i dashtun, po baj pak dallim, sepse ju jeni, si me thanë, jetimë…Kosova ka kenë, asht dhe do të jetë, kala e shqiptarizmit, Kosova do të jetë kala e islamizmit…! Djelmt e mi – pa Kosovë s’ka Shqipni…”
Salih Efendi Myftiu ishte i vogël me trup, por i madh me vepra, i përkushtuar në shërbim për Fe e Atdhe, në Shqipëri, në mërgim…
Ishte i madh në jetë, i madh në vdekje…Kjo u dëshmue, kur për tri ditë me radhë erdhën me ngushllue, rreshta të gjatë, pa mbarim, nga bashkatdhetarët në mërgim, në shtëpinë mortore: “Frank Campbell-Funeral Home” në qendër të New York-ut…
Varrimi ishte madhështor, me lutje e me fjalime, nga përfaqësuesit e të gjitha besimeve, shoqatave, partive, enteve, që s’ishte pa asnjëherë n’ato anë, kjo ishte befasi edhe për qytetarët amerikanë… Për këtë jam dëshmitar okular…Jam dëshmitar vet… Salih Efendiun, All-llahu e shpërbleftë me Xhennet…
IMAM ISA HOXHA (1918-2001)
…………………………………………………….
Imam Isa Hoxha ka qenë Imam i Qendrës Islamike Shqiptare-Amerikane në Brooklyn, për shtetet New York dhe New Jersey, e cila u themelue me 12 Nëntor 1972…
Lindi me 25 Maj 1918, në Bytyç, rrethi i Tropojës, në Malësinë e Gjakovës. Mësimet fillestare i kreu në Tropojë, ndërsa një vit ishte në Medresën e Madhe të Gjakovës, kurse vitet tjera i vazhdoi në Medresën e Tiranës.
Imam Isa Hoxha rrjedhë prej një familje fetare dhe atdhetare, e cila ka qenë në ballë të Lëvizjeve Kombëtare…
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, familja e madhe e hoxhëve të Bytyçit ka luftue për çlirimin e atdheut kundër pushtuesve fashistë-nazistë dhe pas lufte kundër regjimit komunistë…
Isa Hoxha, me kushërinin e tij, Ramizin, me pushkë në dorë ishin në Lëvizjen e Kryezive të Gjakovës, që përpiqeshin për çlirimin e Kosovës dhe për një Shqipëri Etnike, Demokratike…
Diktatura komuniste, pjesëtarëve të familjes Hoxha, në rrethin e Tropojës, u konfiskoi pasurinë, si të tjerëve në gjithë Shqipninë, i futi nëpër burgje e kampe përqëndrimi dhe kur erdhi përfundimi: dy prej tyre vdiqën në burg, ndërsa të tjerët vuajtën 132 vite internim dhe burgim…!
Në vitin 1949, Imam Isa Hoxha u detyrue të largohet nga Shqipnija… Jetoi në fillim në Gjakovë, mandej nëpër Kosovë, Vojvodinë dhe Slloveni, për t’u shpërngulur në vitin 1959 në Trieshtë, Itali.
Gjatë qëndrimit në Itali, në Trieshte gjeti shumë shqiptarë, që ishin shpërngulur nga trojet etnike për çështje politike dhe ekonomike. Këtu ra në kontakt me Imam Beqir Malokin nga Gjakova, i cili shërbente në Rromë si Imam i Qendrës Islame dhe menjëherë u mirëkuptuen, që bashkëpunimi të filloi sa më pare, në dobi të besimtarëve myslimanë shqiptarë…
Në kampet e Italisë, për rreth tri vjet, Imam Isa Hoxha u vue në shërbim të besimtarëve, duke iu lehtësuar dhimbjet shqiptarëve…
Prej vitit 1962, kur erdhi në Amerikë, Imam Isa Hoxha e vazhdoi veprimtarinë fetare-kombëtare, në dobi të çështje shqiptare…
Në vitin 1972, në Brooklyn, New York, u themelue Qendra Islamike Shqiptare-Amerikane, për shtetet New York dhe New Jersey, ku Imam Isa Hoxha shërbeu si imam në Xhami.
Xhamia madhështore u përurue me 12 Nëntor 1972, ku Salih Efendi Myftiu, nga Shkodra, me Bismilah e preu shiritin e Xhamisë në Brooklyn të New York-ut…
Pranë xhamisë ishin tubuar qindra besimtarë shqiptarë, që nga orët e hershme të mëngjesit, disa prej tyre të veshur me kostume kombëtare, sipas krahinave shqiptare…
Në mesin e masës së tubuar dalloheshin disa personalitete të shquara si Imam Isa Hoxha, Baba Rexhebi i Teqesë Bektashiane nga Detroit-i, Dr. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, etj.
Aty dalloheshin edhe përfaqësuesit e mediave amerikane: Joseph Pascal nga “Zëri i Amerikës” në Washington, Robert Kessler i gazetës “The New York Times”, reporteri i gazetës “Dayli News”, etj…
Kushtrimi për themelimin e kësaj Xhamije madhështore u përhapë si vetëtimë në mbarë botën, nga Amerika në Australi, e dëshmojnë urimet e përgëzimet që vinin në vazhdimësi…Kjo ndezi ndjenjat fetare dhe kombëtare ndër shqiptarët e mërguar, në një kohë kur në Shqipërinë komuniste këto ndjenja ishin ndaluar…!
Veprimtaria e Imam Isa Hoxhës nuk kufizohej vetëm me çështjet fetare në Xhami, por ai përpiqej edhe për çështjen kombëtare, në veçanti, për Kosovë e Çamëri…Shpesh thoshte:
“Nëse s’jemi atdhetarë, s’mundë të jemi as besimtarë. Besimtari i drejtë duhet t’jetë edhe atdhetar i vërtetë. Pa Kosovë e Çamëri s’ka as Shqipni…!”
Për vite të tëra, Imam Isa Hoxha ishte në ballë të demonstratave madhështore pranë Pallatit të OKB-së në NewYork, para Shtëpisë së Bardhë në Washington dhe fjala, porosia e tij kishte peshë, kishte rëndësi, për Kosovë, Çamëri, për Shqipni…!
E kam njohur për së afërmi, Imam Isa Hoxhën, këtë burrë Malësije; në New York, ku banojsha, e kisha, më kishte, mik shtëpije. Nga banesa ime tek shtëpija e tij nuk kishte më shumë se 200 metra largësi…! Në New York-un e madh, në Amerikën e largët, nuk e kisha askend më të afërt…! Së paku, një herë në javë e vizitonim njëri tjetrin, kështu për më se dhjetë vite e vazhdonim muhabetin…!
Dy muaj pas përfundimit të luftës, pikërisht me 15 Gusht 1999, me vullnetin e Zotit (xh.sh.), na u dha rasti të takohemi mbas afër 20 vjetësh, në zyrën e Myftiut të Kosovës, Dr. Rexhep Boja, ku ishin të pranishëm edhe bashkëpuntorët e tij: Resul ef.Rexhepi, Mr. Qemajl Morina, Mr. Naim ef. Tërnava, Kryeimami i Kosovës, Sabri ef. Bajgora e të tjerë…
Për dhjetë ditë, deri më 25 Gusht 1999, Imam Isa Hoxha, me një delegacion nga Qendra Islamike Shqiptare-Amerikane, me kryetarin z. Nijazi Tonuzin, ishte mysafirë i Bashkësisë Islame të Kosovës…
Me 19 Gusht 1999, ditën e Xhumasë, në Xhaminë e Madhe, në qendër të Prishtinës, ku edhe oborri dhe rrugët ishin mbushur përplotë besimtarë e kurreshtarë, Imam Isa Hoxha mbajti predikimin, të cilin e përfundoi me këto fjalë:
” O Zot! Për hir të Dëshmorëve të Kosovës, mëshiroje gjithë njerëzimin, në veçanti popullin shqiptar, kudo që gjendet, ndriçoje mendjen e tyre dhe shpëtoje prej mjerimeve e fatkeqësive…!”
Imam Isa Hoxha, përveç veprimtarisë fetare, arsimore, atdhetare, kulturore, kombëtare, është marrë edhe me krijimtari. Ka shkruar, ka botuar, shumë punime, studime rreth çështjeve fetare, filozofike, të cilat janë botuar, kryesisht, në revistën “Përpjekja e Jonë”, që botohej në New York, nga Qendra Islamike Shqiptare-Amerikane, ka botuar edhe librin ”Të mësojmë Islamin”….
Mbas një veprimtarie 50-të vjeçare, për çështje fetare dhe kombëtare, Imam Isa Hoxha ndrroi jetë në shtëpinë e tij, në qytezën Old Tapan, West Wood, në shtetin New Jersey, në Amerikë, me 20 Tetor 2001.
Me rastin e vdekjës, Kancelari i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Boston, At Arthur Liolini, për Imamin Isa Hoxha, u shpreh kështu:
”Si At shpirtëror, i ndjeri Imam Isa Hoxha ka lënë një vend të zbrazur në zemrat e familjes së tij dhe të besimtarëve myslimane në rrethin e New York-ut në mbarë Amerikën. Por ai ka lënë si trashëgim një jetë kushtuar Perëndisë me plot vepra të vyera e të mbushura me shembuj të bekuar. Imam Isa ishte vërtet një bari i mirë: serioz në sjellje dhe në detyrën e tij si udhëheqës fetar, i qartë dhe i thellë e me ndjenja kombëtare. Për më tepër ai kishte një zemër të pastër, ndërgjegje të çilter, mendime dhe shprehje të urta dhe një frymë mikpritëse të ngrohtë. Janë të shumtë ata dhe ato që e deshën si njeri: dhe në mes atyre admiruesve jam edhe unë.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”
At Artur Liolin
Boston
Varrimi i tij ishte madhështor, me 24 Tetor 2001, në praninë e dhjetëra hoxhallarëve, të qindra, mijëra, atdhetarëve, që kishin ardhur nga çdo anë, mes tyre edhe qytetarë amerikanë, u përcollë me fjalime, me nderime, Imam Isa Hoxha, ky burrë i Malësisë, që një jetë të tërë ia kushtoi fesë, lirisë, Shqipnisë…
———————-
Shënim:
Autori i shkrimit, përkujtimit, që nga themelimi i Qendrës Islame Shqiptare-Amerikane, në vitin 1972 deri në vitin 1982, ka qenë veprimtar në këtë Qendër, duke shërbye herë-herë si imam, arsimtar, n/sekretar, reporter-gazetar…
Burimet kryesore:
1.Curtis IV, Edward E. Muslims in America: A Short History (2009)
2.Curtis IV, Edward E. Encyclopedia of Muslim-American History (2010)
3. Ghanea Bassiri, Kambiz. A History of Islam in America: From the New World to the New World Order (Cambridge University Press; 2010) chronicles the Muslim presence in America across five centuries.
4.Edwin E. Jacques, The Albanians: An Ethnic History from Prehistoric Times to the Present, 1995
5.Fischer, Bernd J. “Albanian refugees seeking political asylum in the United States: process and problems” in Journal of Ethnic and Migration Studies 31.1 (2005)
6.Smith, Jane I; Islam in America (2nd ed. 2009)
7.Përpjekja e Jonë (Our Effort) Vol.III, No.4, , 1972, New York, 1972
8.Vehbi Bajrami, Shqiptarët e Amerikës, Botuar nga Albanian Publishing
New York 2003, 1007 faqe.