MIC SOKOLI – FIGURË E RËNDËSISHME E LIDHJES SHQIPTARË TË PRIZRENIT (1878 – 1881)

Në 143 vjetorin e Lidhjes

MIC SOKOLI – FIGURË E RËNDËSISHME E LIDHJES SHQIPTARË TË PRIZRENIT (1878 – 1881)

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 10 qershor 2021

Në historinë tonë kombëtare, Mic Sokoli njihet si figurë e rëndësishme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili ra heroikisht duke i vënë gjoksin topit të ushtrisë osmane!

Mici, lindi në vitin 1839 në lagjen Fang të fshatit Bujan në Malsinë e Madhe. Babai i tij Sokol Rama bashkë me xhaxhain, Binak Alinë  ishin prijësit kryesorë të Malësisë kundër reformave të Tanzimatit (1839 – 1876).

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Mic Sokolin bashkë me Ali Ibrën i gjeti në krye të 3 mijë malsorëve që kundërshtonin vendimet e Kongresit të Berlinit (13 qershor – 13 korrik 1878), për t’ia dhënë Malësinë e mbi Shkodrës, Malit të Zi.

Mic Sokoli së bashku me krerët e Lidhjes, Sylejman Vokshin, Ahmet Koronicën, Ali Ibrën, Islam Batushën etj., duke kundërshtuar presionin e të dërguarit të portës së lartë, Mehmet Ali pashë Maxharrit, për zbatimin e vendimeve të Berlinit, në javën e parë të shtatori 1878, në Gjakovë organizuan një revoltë të armatosur, dhe me këtë rast në sarajet e Abdulla pashë Drenit u vra Pashai i Stambollit bashkë me pashain e Gjakovës dhe jo vetëm.

Mic Sokoli ishte pjesmarrës në luftën për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë (dhjetor 1979 – janar 1880) nga forcat malazeze. Kishte rol të rëndësishëm në luftimet e Lidhjes për çlirimin e Shkupit (p4.01.1881), Prishtinës (18.01.1881), Mitrovicës (25.01.1881) dhe më vonë të Vuçitërnës dhe Gjilanit. (Historia e Popullit Shqitar II, fq.175).

Kur ekspedita e Dervish Pashës për shuarjen e rezistencës shqiptare, kishte arritur në Ferizaj, dhe po përgatitej të marshonte drejt Prizrenit, Qeveria e Përkohshme e Lidhjes formoi shtabin e mbrojtjes me rreth 25 anëtarë nën ushëheqjen e Sulejman Vokshit. Pjestarët e shtabit që njohim janë: Ali Ibra, Mic Sokoli, Binak Alia, Sef Kosharja, Halim Efendiu, Zeqriria aga, Mullah Hyseni, Mustafa aga, Halil efendiu, Xhelil efendiu etj. (Kristo Frashëri – Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Tiranë 2012 fq.400).

Mbi datën e rënies së Mic Sokolit ekzistojn 2 mendime, njëri që thotë se Dervish Pasha e lansoi ekspeditën drejt Slivovës më 22 prill 1881, dhe tjetri që thotë se kjo ekspedit filloi më 20 prill, ndërsa Mici ra po ditën e fillimit të sulmit. (Arbër Ahmeti: “Mic Sokoli – heroi i harruar”, Prishtinë, 22 Prill 2009)

Rrjedha e ngjarjeve filloi me marshimin e njësive të komanduara nga Haxhi Osman Pasha drejt Slivoves. Me t’iu afruar Slivovës forcat osmane u sulmuan në befasi nga luftëtarët e Lidhjes dhe u detyruan të tërhiqen.

Pasi bëjnë përpjekjen e dytë dhe u zunë ngusht sërish, forcat turke filuan të rrahnin me artileri pozicionet shqiptare. Artileria u bënte dëme të konsiderushme, dhe në këto momente Mic Sokoli me disa shokë të tij lanë pozicionet mbrojtëse dhe u turrën në drejtim të kodrës ku ishte vendosur artileria osmane, me qëllim shkatrrimin e saj që shkaktonte dëme në rradhët e forcave të qeveris së përkohshme. Të gjithë këta luftëtarë trima u vranë së bashku me komandantin e tyre Mic Sokolin, i cili ra heroikisht duke i vënë gjoksin topit armik. (Kristo Frashëri, po aty, fq. 407).

***

Përjetësimi i Mic Sokolit me këngë popullore

Mic Sokoli n’dy tagana

-Udha e mbare! – m’i ka thane nana

-Lufto, bir, ti per Shqipni

-mos i le turqit me hy

-n’kofte nevoja, vij me ty, –

Mic Sokoli nji fjale po e flet

po i thote nanes: – Te mire mbeç!

-Pa u farue malsia krejt

-ktu nuk hyn as krajl, as mbret!…

***

Në fushë të Shtimes asht mbledhë jezeri

Haj medet ka mbetë shumë njeri,

Mic Sokoli Smajl Hyseni.

***

Mic Sokolin e vrau reja,

E vrau reja, e vrau moti,

E vrau Dervishi me gjyle topi.

(Gëzim Rredhi: Epika historike kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit)

Mic Sokoli ban me dorë,

-More shokë s’ po muj me folë

-se m ka ra do gjak në gojë,

-gjak në gojë e gjak në bark

-shtatë martina i kam n’ shtat.

-Qonja nanës  një selam,

-Nanë pashë Zotin nuk më kanë,

-Qaje Smajlin ma shumë se mue,

-Qaje Smajlin qaje Zeqën,

-Se s’ kanë ikë e me m lanë vetëm.

-Se s’ kanë ikë e vetë s’ m’ kanë lanë,

-Ma mbaroni një vorr t gjanë,

-Bashkë me shokët me na zanë.

-Vorr të gjanë e me pengjere.

-T’i shoh lulet prej pranvere

-Ti shoh lulet dremiçare,

-Ti shoh shoktë neper livadhe.

(Epika historike II, Tiranë 1981).

Mici në fushëbetejë ra në moshën 42 vjeçare, duke lënë pas gruan dhe 2 fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Më shumë se një shekull më pas, po një nip i tij e vazhdoi aty ku e la Mici, aty ku e ndërpreu Lidhja Shqiptare. Ai kishte trashëguar nga gjenet e Micit trimërinë dhe shkathtësinë ushtarake. Ky nip i Mic Sokolit, ra dëshmorë duke luftuar për Bashkim Kombëtar, dhe quhet Tahir Sinani. (Arbër Ahmeti: Mic Sokoli, po aty)

Tahir Sinani, lindi më 25.05.1964 në fshatin Gri, afër Bujanit, rrethi i Tropojës dhe ra dëshmor më 29 Korrik 2001 në vendin e quajtur “Zabeli i Kukulit” afër Gostivarit.

__________

Ilustrimi: Autori i studimit pranë bustit të Mic Sokolit, në ambientet e Muzeut Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura