MIDIS ËNDRRËS DHE ZHGJËNDRRËS

MIDIS ËNDRRËS DHE ZHGJËNDRRËS

Nga Edmond Tupja, Tiranë – 17 Korrik 2021

Midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, pra midis dëshirave apo shpresave tona, nga njëra anë, dhe realitetit të pamëshirshëm objektiv, nga ana tjetër, ka gjithmonë një hapësirë, e cila, në një moment të dhënë mund të bëhet problematike në kuptimin që rrezikon të komprometojë realizimin e të parave duke na përplasur befasisht me zhgjëndrrën, pra, me atë gjendje të vërtetë – na shpjegon “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006)– kur përmendemi e dalim nga ëndërrimi për t’u përballur me zhgënjimin.

Zhgënjimi na lë përherë një shije të hidhur, na lëndon ose madje na vret shpirtërisht; askush nuk mund të mëtojë se është i pandjeshëm ndaj zhgënjimit ose i imunizuar kundër atij. Kjo vlen për të gjitha vendet e për të gjitha kohët, sepse çdo njeri, pavarësisht se ku jeton, si jeton dhe me kë jeton, ka një ndërgjegje dhe një ndjeshmëri të caktuar, në bazë të të cilave reagon ndaj realitetit qoftë ky i dobishëm apo i rrezikshëm për atë.

Kur dikush na premton diçka, ne biem në një gjendje vartësie prej atij, sepse besojmë tek ai, shpresojmë tek ai, presim me durim a padurim diçka të mirë, për të cilën kemi dëshirë apo nevojë, gjë që mund edhe të na krijojë ankth, kështu që pritja përmban detyrimisht elemente stresi. Rrjedhimisht, meqenëse jeta është përpjekje, betejë, luftë, njeriut të vetëdijshëm për ekzistencën e pandërprerë të stresit në fjalë, i duhet t’i mbajë këmbët mbi tokë, pra të mos fluturojë në lartësitë marramendëse të besimit pa kufi, d.m.th. të ruajë gjithnjë rezervë një dozë sado të vogël dyshimi në realizimin e premtimeve që i kanë bërë në mënyrë që, kur këto premtime të plasin si flluska sapuni, ai të jetë i aftë ta përballojë zhgënjimin dhe t’i gjykojë e t’i rivlerësojë premtuesit me gjakftohtësi nën dritën pikërisht të zhgjëndrrës ku e sheh veten.

Ky rivlerësim nuk do të thotë se ai do t’u shpallë luftë premtuesve zhgënjyes, ai thjesht do ta ulë nivelin e besimit tek ata ose, në rastin më të keq, nuk do të presë më asgjë prej atyre. Megjithatë, ai nuk duhet të nxjerrë përfundimin fatalist që vijon: Çdo njeri i drejtë dhe i ndjeshëm, i zhgënjyer për një kohë të gjatë veçanërisht nga njerëzit e tij më të afërt – gruaja, fëmijët, prindërit, miqtë e shokët më të ngushtë –, nuk duhet të presë më asgjë prej këtyre nëse vërtet dëshiron të shpëtojë nga zhgënjimet.

Këtë përfundim fatalist e rrëzon vetë dialektika e jetës ose, po të shprehemi me terma joge, vetë marrëdhënia jing-jang, pra, e rrëzojnë binome të tilla si dritë / hije, qetësi /zhurmë, gëzim / hidhërim, dashuri/ urrejtje dhe e mira / e keqja, ndër të tjera. Si pasojë, mund të pohojmë, pa u druajtur se gabohemi, që, na pëlqen apo nuk na pëlqen, ne jemi qenie jo vetëm biologjike, por edhe shoqërore; si të tillë, jemi të detyruar të përballemi, në përditshmërinë tonë sa materiale aq edhe të shpirtërore, me lloj-lloj vlerash pozitive e negative, kështu që nuk i shmangim dot marrëdhëniet me të ngjashmit tanë, veç në shkofshim në shkretëtirë a në pyll për të jetuar të vetmuar si oshënarët larg njerëzisë, larg shoqërisë, vetëm për vetëm me vetveten.

Në këtë këndvështrim, duhet pranuar që zhgënjimi është pjesë e një binomi (kënaqësi / zhgënjim) që pa dyshim mund ta renditim përkrah binomeve të sapo përmendura për ta administruar me maturi në vartësi të situatës.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 157

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura