MIFTAR MEHANI: NË FESTËN E 17 SHKURTIT

Prishtinë, 15. 02. 2017: (në vend të avancimit të shtetësisë, për pavarësinë e molisur e Kosovën e rrjepur) Kisha pas shumë dëshirë t’u urojë nga zemra festën e Pavarësisë të gjithëve, pa dallim rreshtimi partiak apo bindjeje politike, se, Kosova do të duhej t’ishte e të gjithëve, pavarësia do të duhej t’u takonte të gjithëve e shteti do të duhej t’i ruante të gjithë.
Por, ja që, jam i shtrënguar t’i urojë vetëm disa, disave që, thoshte mixha Ramë, më së shumti këtë pavarësi e kanë mveshë me mjaltë, e kanë shtrënguar me aq dashni sa ia kanë vështirësuar frymëmarrjen,… dhe sa herë pala kundruall ka tentuar ta nxjerrë nga gllabërimi i të parëve, janë kthyer hundëthyer e rrobashqyer.
Kisha pas shumë dëshirë t’i dëshiroja kësaj Kosove arritje tjera drejt sukseseve të prirë nga bijtë e saj, se veç t’bijtë janë ata që ia bëjnë një planifikim nënës dhe veç bijtë ia dalin ta avancojnë karshi fqinjve, sidomos-do të jenë të motivuar-kur ka fqinj të disponuar për relacione bashkëjetese ballkanase, siç i ka Kosova.
Por, ja që jam i shtrënguar t’i urojë vetëm disa, e më së shumti, -thoshte mixha Ramë, një figurë mediatike e humorit dhe e satirës e të kaluarës sonë-atyre që këtë truall e kanë avancuar deri në masën e një hambari që kurrë nuk shteroj së mbushuri xhepat, vetëm, të tyre, sa herë që ata kanë plane e projeksione për xhipa, pallate a pushime në Dubai. Pa çka që, kemi disa, që posa kanë ftohur tytat, kanë nisur të ftohen edhe nga jeta, ngase (sic) “s’po dijnë të notojnë”.

Do t’i dëshiroja t’i uroja këtij shteti të vazhdonte me mbretërimin e drejtësisë, ecjen para në bazat e arsimit të shëndoshë dhe shëndetësisë së arsimuar, të arrij sukseset e Bekim në art, apo të Majlindës në sport…
Por, ja që jam i shtrënguar t’i urojë vetëm disa, pamëdyshje një urim nga shpirti, disave, që zhvatjen e marrin për zotësi, paaftësinë e mbulojnë me të huajt, ndërsa kurrë nuk e dëgjojnë thirrjen për përgjegjësi, ngase, o ua bëjnë ata që duanë t’ua zënë vendet, o ata që i kanë fut veshët në lesh (mirë nuk ‘o por, s’po kem çka me ba).
Në vend të një drite në fund të tunelit: uroj të keni durimin e nevojshëm deri në katapultimin e radhës, i cili, do të bëhet me aktorë jo si atifeteja apo ipaaplikuari, dhe gjithashtu me ‘artileri’ të të huajve-sado që e kishim edhe ne një këtu, sa për sy e faqe, katapultim ky që do na nxjerrë nga kjo letargji. Do të arrijmë të shohim atë dritë. E, kur të dalim nga tuneli, do t’i shohim me ç’çaki kemi qenë të goditur dhe deri në ç’nivel na paskësh katandisur dinjiteti. Shpresa e fundit vdes, urime festa e pavarësisë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura