UK LUSHI: NE MEGJITHATË DO TË FITOJMË PËRSËRI

New York, 23. 02. 2015 – Keqqeverisje. Keqdrejtim. Vjedhje. Korrupsion. Varfëri. Skamje. Ligështim. Dëshpërim. Dorëzim. Këto janë disa nga fjalët që faniten si fantazma mbi ekzistencën tonë në mesin e dekadës së dytë të shekullit XXI kudo jetojmë shqiptarët në Ballkan. Pavarësisht rrezikshmërisë së pranisë së këtyre fjalëve në ligjërimin dhe realitetin e një populli, fjala më e errët dhe me rrezik vdekjeprurës nuk ishte thënë zëshëm ndonjëherë. Por, këto javët e fundit, edhe fjala, të cilën çdo shqiptar dhe shqiptare duhet ta luftojë si murtajën dhe deri në zhdukje nga fjalori i përditshmërisë sonë, gjeti ca vrima në bedenet e kështjellës së kombit shqiptar dhe bile po tenton të ulet këmbëkryq me ne siç ulet xhebraili me dikë që do t’i marrë shpirtin. Fjala në fjalë është fjala pashpresë dhe – po – popujt që humbin shpresën vdekjen e kanë alternativë të pashmangshme.

Dallëndyshja është simboli i shpresës !

Është e vetëkuptueshme që kur në TV apo Internet transmetohen skena që tregojnë ikjen nga vendlindja të qindra – mijëra shqiptarëve, fillikat apo me foshnje gjegjësisht me fëmijë njomakë ngryk, duke rrezikuar jetët e veta dhe të pasardhësve të tyre ndërsa kapërcejnë këneta plot me llucë dhe lumenj me ujin akull deri në fyt, vetëm që të arrijnë të hyjnë brenda kufijve politikë të Bashkësisë Europiane, njeriu nuk ka si të mos trishtohet dhe eventualisht të mëkatojë në ballafaqimin me tundimin e humbjes së shpresës. Shpresa përpëlitet mes jetës dhe vdekjes sidomos kur njeriu i informuar e di që pamjet pikëlluese të ikanakëve nga Kosova janë ato që kanë marrë vëmendjen e mjeteve të informimit dhe medieve aktualisht, por assesi nuk janë të vetmet. Ikje të shqiptarëve ka edhe nga Ulqini, Tuzi, Presheva, Kumanova, Shkupi, Gostivari, Gjirokastra, Berati, Durrësi, Tirana, e Kukësi. Herë me heshtje e herë me gjurulldi, gati çdo ditë, shqiptarët ikin nga çdo cep i atdheut, sa që sot, mund të thuhet pa drojë gabimi: jashtë trojeve shqiptare jetojnë mbi një e treta e popullit shqiptar.
A janë këto fakte një gjëmë për të cilën duhet t’i çojmë duart lart dhe të fillojmë kukatjen?!
A jemi afër fundit tonë si popull dhe civilizim?!
Jo! Jo dhe jo!
Kapitullimin shqiptar nuk mundet dhe nuk do të guxoj ta nënshkruaj askush.
Populli shqiptar gjithherë duhet të ketë pjestarë që jetojnë dhe veprojnë në botë, mirëpo njerëzit tanë do të duhej të largohen nga tokat stërgjyshore atëherë kur nga vendet tjera mund të kontribuojnë më shumë për popullin shqiptar apo atje të realizojnë veten në gjëra që nuk janë të mundshme në atdhe. Momentalisht shqiptarët që po braktisin trojet tona në Ballkan janë duke u larguar sepse gjendja politiko-ekonomike është e zymtë dhe përgjegjësia për këtë nuk është e të gjithë neve, por e shumicës dërmuese të kastave që janë në krye të organeve dhe institucioneve partiako-shtetërore. Drama e të larguarve të zhgënjyer nga të katër anët e mëmëdheut duhet të shërbejë si një katarsis i pranimit të dështimeve kalimtare të shteteve shqiptare. Pra, ikjet e bashkëkombasve tonë janë dëshmitë që vërtetojnë përtej çdo dyshimi të bazuar se jemi në krizë. Porse, bazuar në përvojat e mëhershme historike – tonat dhe të tjerëve – krizat janë situata kritike gjatë të cilave kombet dhe popujt mund të ndërrojnë kurs dhe të fillojnë (ri)ngritjen, prandaj tautologjikisht për ne janë duke rënë këmbanat e fundit për ndërrim drejtimi.
Ndryshimi i parë urgjent që duhet të bëjmë është ndalimi i përgjithësimeve të stilit të gjithë jemi një lloj; të gjithë jemi të prishur; të gjithë jemi përgjegjës – gjeneralizime këto, të cilat, pastaj, rrjedhin në segmente tjera si fjala vjen: të gjithë politikanët janë hajdutë; të gjithë intelektualët janë të përfshirë në rrjete klienteliste; të gjithë gjykatësit dhe prokurorët shiten; të gjithë punëtorët janë dembelë, e të tjera budallallëqe të përngjashme. Këto (para)gjykime të padrejta lënë të kuptohet që gjoja ne shqiptarët posedokemi gjene të cilat na pengojnë të jetojmë në shtete me rend dhe ligj. Një pikëpamje e këtillë gjithsesi që është e pasaktë dhe raciste. Njeriu me mendje të shëndoshë nuk ka nevojë të rrëmojë shumë prapa që të gjejë raste konkrete të cilat lehtësisht hedhin poshtë kësi tezash të gabuara gjeneraliste.
Le të përkujtohen si prova sakrificat e mijëra martirëve heronj si Arben Broci nga Shkodra, Antigona Fazliu nga Gradica e Drenasit, Ismail Mehmeti nga Drenoveci i Tetovës apo Tahir Sinani nga Gria e Bujanit. Për persona të tillë që nuk pranojnë flijimin për të mirën publike si aktin më të lartë (!!), ka edhe heronj të gjallë dhe krejt të zakonshëm që poashtu hedhin poshtë tezën e futjes së të gjithë shqiptarëve në një thark derrash të ndyer dhe diabolik që nuk do të arrijnë stabilitetin dhe progresin kurrë.
Sa për ilustrim dhe sigurisht duke u hyrë në hak qindra-mijëra shqiptareve dhe shqiptarëve të dobishëm dhe punëtorë, që sillen dhe kontribuojnë si qytetarët e vendeve më të mira, le të theksohen katër femra tonat:
– Dr. Mira Mezini, profesoreshë e informatikës në Universitetin e Darmstadt-it në Gjermani, të cilës para ca kohe Këshilli Europian për Studimet Shkencore i akordoi çmimin “ERC Advanced Grant” prej 2 milionë eurosh për të vazhduar punën e çmueshme akademike;
– Majlinda Kelmendi, kampione botërore në xhudo, e cila ka reprezentuar edhe Republikën e Shqipërisë edhe të Kosovës në evenimentet madhore globale sportive; dhe, së fundi, dy zonjusha studente në Universitetit të Prishtinës,
– Gentiana Desipojci dhe Blerta Likaj, të cilat po të ishin në vende përendimore korporatat e sukseshme do t’u ofronin qindra-mijëra dollarë apo euro për aplikacionin e tyre kreativ përmes të të cilit kandidatët për vendstudim mund të shohin në kohë reale rangimin e tyre dhe nëse nuk duan që shënimet e tyre të mbahen në DropBox, Google Drive apo MS Drive, aplikacioni i vajzave inteligjente prospektuesve u mundëson t’i vendosin të dhënat në ownCloud duke ruajtur kështu pronësinë. Shqiptarët e mirë janë me miliona, shqiptarët përgjegjës dhe keqbërës janë në dhjetra-mijëra apo shprehur matematikisht- për çdo shqiptar të keq, në anën e kundërt, janë 100 shqiptarë të mirë. Semantika e gjuhës nuk është mirë të relativizohet dhe të sulmohen njerëzit ad hominem pa u ballafaquar argumentet dhe faktet. Secili le të shikojë në familje, rreth shoqëror dhe ku jeton dhe do të shihni që shumica nuk janë përgjegjës për terrin që na ka mbështjelllur kudo gjallëron etnia shqiptare. Si pasojë e kësaj të vërtete mjaft me përgjithësime, sepse ato u shkojnë për shtati më së shumti mu pakicës së shqiptarëve që duhet të japin llogari për baltovinën ku jemi futur.

Ndryshimi i dytë urgjent që duhet të bëjmë është ta heqim bindjen që jemi totalisht të pafuqishëm për të ndërruar gjërat. Pozicioni dhe gjendja e një kombi nuk është vetëm trill i fatit gjeo-politik apo historik, por rezultat i angazhimit të anëtarëve të tij me ç’rast secili njeri e bartë pjesën personale të barrës së atdheut, ashtu që askujt të mos i bie barrë më e madhe. Askush nuk do të ndërtojë mëmëdheun tonë dhe askush nuk do ta përmirësojë të ardhmen tonë nëse jo ne. Kombi është një abstrakcion konceptual dhe nuk mund të mbahet në këmbë pa bashkëpunim dhe kohezion social. Pezmi dhe mllefi ndaj dergjës që na ka kapluar duhet të vihen nën kontroll dhe të çlirohen arsyeja dhe vendosmëria për veprime dhe aktivitete. Rruga më e mirë për të treguar fuqinë tonë është dhënia e votës atyre që ofrojnë alternativën dhe zgjidhjet më të mira dhe realistike të problemeve, por, në fund të fundit, le të thojë kush të dojë çfarë të dojë, në qoftë se cilido pushtet në shtetet shqiptare në Ballkan barrikadohet në mbrojtje të interesave klanore dhe jo respektimit të atyre të popullit shqiptar, veç 100.000 shqiptarë, në Sheshin Nënë Tereza në Prishtinë, në Sheshin Skënderbej në Tiranë apo në Sheshin Makedonija në Shkup, të ulur dhe plotësisht paqësor, mund të rrëzojnë cilëndo qeveri apo sistem brenda një jave duke qëndruar stoikisht ditën e natën aty, e lëre më nëse populli vendos të përdorë mjete tjera më serioze. Është lajthitje naive që jemi të pafuqishëm dhe kjo bindje defektive duhet të mënjanohet nga truri i çdo shqiptari sepse kur një grupacion njerëzor merr vendim të arrijë një qëllim, “dies irae” e secilit do të arrijë patjetër.
Mirëpo duhet të thuhet pa fshehur, pa nxehtësinë e shpresës në zemër dhe flladin e saj në mendje, populli shqiptar nuk do të bëjë as ndryshimet urgjente dhe as ato jourgjent e – ndonëse të rëndësishme sa urgjentet. Shpresa mbahet gjallë kur njerëzit kanë qëllime të qarta, janë me besim dhe përdorin forcën e vullnetit se do t’i arrijnë ato. Simboli i shpresës është dallëndyshja dhe ky simbol nuk do shumë interpretim. Historia e popujve fortësinë e saj e merr nga vështirësitë me të cilat ndeshen popujt. Vështirësitë paraqesin probleme por edhe kërkojnë zgjidhje nga ne, mosgjetja e të cilave mund të rezultojë në degradim dhe mbase vdekje. Problemet me të cilat ballafaqohen grupet e ndryshme njerëzore kanë qenë të ndryshme për popuj të ndryshëm dhe dallimi që përcakton një popull si fitues apo humbës qëndron në mënyrës se si ata reagojnë ndaj problemeve dhe si i mposhtin vështirësitë. Unë e ndiej dhimbjen e popullit tonë, vuajtjet dhe frikën se ndoshta zhvillimet mund të na çojnë në dreq të mallkuar, porse unë gjithashtu e di- nga historia dhe nga përvoja ime direkte- që një popull i cili fiton mbi dy katastrofa njerëzore si diktatura dhe pushtimi, ai popull gjithmonë e ka në shpirt shpresën. Unë jam i sigurt që shqiptarët që janë si unë jemi shumica absolute e popullit shqiptar dhe ne megjithatë do të fitojmë përsëri për ta shtyrë civilizimin shqiptar në një nivel më të lartë nga ku ne do të vazhdojmë të pasurojmë mozaikun e vlerave për tërë njerëzimin. Së këndejmi, kryet nalt shqiptarë – ditët e mira janë shumë afër sepse nata është më e errët krejt pak para agimit!

– Kontakti me autorin: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura