DOLI NGA SHTYPI LIBRI I PESTË STUDIMOR PËR EPOSIN E KRESHNIKËVE NË BALLKAN I AUTORIT PROF. DR. ZYMER NEZIRI

(Zymer Ujkan Neziri, Studime për folklorin, V, Gjurmime të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan: Kërkime në fonde arkivore të Harvardit dhe në disa vise të Ballkanit, botues Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit, 538 f. ISBN 978-9928-394-19-4)

Ky libër, i pesti për Eposin e Kreshnikëve, ndahet në tri pjesë. Ka katër punime kërkimesh arkivore në SHBA, në Universitetin e Harvardit, nga viti 2002 e këndej: Sanxhaku i Pazarit të Ri, Plava e Gucia, Rugova, Mërturi; ka edhe gjashtë punime kërkimesh në terren, nga viti 2012 e këndej: Kraja e Tivarit, Malësia e Madhe, Llapusha, Drenica, Gostivari, Kërҫova; si dhe ka dy portrete rapsodësh (H. Beka, B. Doda).

Recensues janë: prof. dr. Nebi Bardhoshi, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë; prof. dr. Nicola Scaldaferri, Universiteti i Milanos, Milano; dr. sc. Mikaela Minga, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë; prof. dr. Izaim Murtezani, Instituti i Folklorit, Shkup; prof. asoc. dr. Albin Sadiku, Instituti Albanologjik, Prishtinë.

Libri është përgatitur për shtyp sipas standardeve të larta teknike – shkencore. Ka parathënie (N. Scaldaferri), hyrje (autori), pasthënie (M. Minga) në gjuhët shqipe dhe angleze. Të gjitha punimet, pos shkurtoreve e hyrjeve, kanë përfundime e bibliografi dhe rezyme në gjuhën angleze. Libri mbyllet me një fotoalbum të 33 rapsodëve të vise tona në Gadishullin Ilirik dhe ka një tregues të trefishtë emrash vendesh, emrash njerëzish, si dhe tregues i nocioneve, i personazheve legjendare, i qenieve mitike, i toponimeve legjendare dhe i veglave muzikore.

Në faqen e përkushtimit thuhet: Albanologëve të shquar, Radosllav Katiҫiq (Radoslav Katičić) dhe Aleksandër Stipҫeviqi (Aleksandar Stipčević), në nderim të përhershëm për meritat e jashtëzakonshme në studimet albanologjike.

Disa vlerësime për librin: Prof. dr. Zymer Neziri është gjithashtu promotor i hulumtimeve të ndryshme në terren, që u zhvilluan në kuadër të Projektit E5. (N. Scaldaferri). Duhet theksuar se dr. Zymer Neziri pa dyshim është një ndër mbledhësit dhe studiuesit më të pasionuar të epikës shqiptare (I. Murtezani). Autori, prof. dr. Zymer Neziri, ndër epikologët e rrallë ndër ne, që tashmë është i njohur edhe në qarqet ndërkombëtare, ia ka arritur plotësisht qëllimit (A. Sadiku). Të gjitha këto e bëjnë prof. dr. Zymer Nezirin, aktualisht studiuesin kryesor në fushën e studimeve të epikës në trevat shpifolëse (M. Minga).

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura