(Tiranë, 25. 10. 2012) – Emri i Orhan Pojanit ka qenë i mirënjohur qysh në kohën kur përgatitej pavarësia e Shqipërisë. Së bashku me Jovan (Jani) Kosturin dhe Thimi Markon, përbënin një trini që la gjurmë të denja historike në jetën e qytetit të Korçës. “Përlindja e Shqipëniës”, gazeta më e afërt me qeverinë e Vlorës, në numrin e saj të 27, datë 20 nëntor 1913, në nderim të veprës së Orhan Pojanit shkruante: “Vetëm tre dit rrojti në Vlonë, në tokën e Shqipëriës së lirë, sepse qe i sëmurë e s’para dilte nga shtëpia. Por as sëmundja, as lutjet e atyne që kish përqark, nuk mundën ta mbajnë mbyllur në shtëpië ditën kur Vlona dhe e tânë Shqipëria e lirë kremtonte ngritjen e flamurit. Ky njeri kish vojtur një jetë të tânë që të shohë një ditë të tillë”. Ndërsa në vetë pohimet e Orhan bej Pojanit, kjo gazetë shkruan: “Tani që e pashë edhe unë këtë flamurin me shqiponjë munt të më marrë zoti; jam i lumtur”.
Katër vjet më vonë, për Orhan bej Pojanin do të shkruante shkrimtari-komit që demaskoi “honxho-bonxhot”, Mihal Grameno. Fillimi i shkrimit të tij përkujtimor, me titullin “Punëtorët”, që u botua në gazetën “Koha” më 1917, është nga më befasuesit: “I ngadalshëm … i ngadalshëm dhe kurdoherë i ngadalshëm … ishte një nga punëtorët kombëtarë. Pandehje se prej këtij njeriu nuk mund të pritej as ndonjë dobi dhe ai që e njihte për herë të parë mund të tallej me të. Megjithatë … gjithë kombëtarët e nderonin dhe e çmonin si një nga ‘punëtorët’ e mëdhenj të themelimit kombëtar”. Gjithnjë me të njëjtën fuqi realizmi dhe me humorin cilësues M. Grameno shkruan: “Kishim gjetur belanë me të ndjerin, se s’kishte ditë që të mos na mblidhte në këshillë për të biseduar dhe për të gjetur mënyrat qysh të mbaheshin shkollat”. E tillë kishte qenë gjithë jeta e Orhan Pojanit: e pabujshme, e heshtur, pa beteja të mëdha me asqerin dhe administratën osmane, por plot veprim kulturor në dobi të një Shqipërie kombëtare.
ORHAN POJANI
………………………………………..
Në krye të klubit “Dituria”, Orhan Pojani qe njëri prej më të dalluarve për përgatitjen e kongresit të alfabetit, Kongresit të Manastirit. Kur lufta kundër shkronjave shqipe u ashpërsua, ai iu drejtua bashkëvendësve të vet që “të hapmë shkollën shqip të djemve me një sistemë të re: shkolla ka pesë rreshte (klase) edhe pesë mësonjës; në këtë shkollë, përveç Shqipes, do të mësonen edhe turqishtja, gërqishtja, anglishtja e frëngjishtja” (AQSH., F. 102, V. 1908, D. 86, fl. 1). Pikërisht për këtë shoqëri e kishte fjalën Grameno kur shkruante se na mblidhte ditë për ditë për të na kërkuar mendime.
Historiografia shqiptare ka qenë disi e pavëmendshme ndaj “punëtorëve” të tillë. Sepse në traditën e saj, të hershme e të mëvonshme, ka qenë kryesisht madhështimi i kaçakut, komitit, atentatorit, “atij që t’i numëron shtatë në ballë”. Kurse njerëzit si Orhan Pojani, për të cilin M. Grameno shkruan se ishte aq i ngadaltë sa të mos besoje se mund të bënte diçka të dobishme, kanë qenë jashtë syrit të saj. Sepse ai nuk ishte luftëtari kombëtar, por punëtori kombëtar. Dhe për punëtorin kombëtar ka kohë, pret historia gjithnjë.
Nuk është vetëm Orhan Pojani që e ka provuar fatin e harrimit prej historisë. Bashkë me të, të lidhur në të njëjtën çështje, ishin, veç Thimi Markos e Jovan Kosturit, edhe i vëllai, Samiu; Qamil Panariti e Idhomene Kosturi, emrat e të cilëve mund të gjenden vetëm në skedarët e arkivave. Në 25-vjetorin e vetëqeverimit, një komision i posaçëm intelektualësh punoi për të rindërtuar biografitë e veprimtarëve të periudhës historike që përgatiti pavarësinë dhe me këtë rast u sintetizua shkurtimisht edhe jetëshkrimi i Orhan Pojanit, në fund të të cilit thuhet se “fotografi nuk ka”. Në këto dokumente, duke iu referuar treshes Orhan Pojani, Thimi Marko dhe Jovan Kosturi thuhet se ata u përpoqën “me mish me shpirt që gjuha shqipe të virej në shkollat elenishte e turqishte të asikohe” (AQSH, F. 170, V. 1937, D. 50, f. 24). Orhan Frashëri veproi pa bujë për rilindjen mendore e shpirtërore të shqiptarëve. Ai gjeti gjithnjë zgjidhjen e duhur për të mos lejuar që dallimi, duke përfshirë dallimin fetar, të bëhej pengesë për këtë. Kur në Korçë u hap fjala se shkolla e parë shqipe ishte shkollë e të krishterëve, ai vuri në veprim veten dhe familjen e tij për t’u dëshmuar myslimanëve se kjo ishte një gënjeshtër. Dhe për këtë nuk duhej propagandë, por një veprim i shpejtë.
“Përlindja e Shqipëniës”, gazeta më e afërt me qeverinë e Vlorës.
………………………………………
Një datë historike ndaj së cilës dijetarët janë të vëmendshëm është 7 marsi i vitit 1878, dita kur u hap e para shkollë shqipe. Para se të ndodhte kjo, në Korçë, Orhan Pojani dhe miqtë e tij kishin bërë gjithçka që kishin mundësi të bënin për ta futur mësimin shqip në ato shkolla që ekzistonin, në mënyrë që rruga e një shkolle kombëtare të bëhej më e lehtë. Dhe, për të mos dhënë shkas që mësimi shqip të konsiderohej si kundërvënie ndaj perandorisë, bashkë me shqipen ata propozonin të mësohej edhe frëngjisht e anglisht. Të tre, në funksion të këtij qëllimi, u bënë këshilltarë të shkollës, me qëllim që “të shkonte puna mbarë”, siç thuhet në një këngë korçare. Orhan Pojani njihet si “një nga themellonjësit e shkollës shqipe në Korçë, mbrojtës i kësaj shkolle, kurdoherë edhe dhuronjës i madh me të holla për përmbajtjen e tyre dhe të mësuesve” (AQSH, F. 170, V. 1937, D. 50, fl. 65). Ashtu si i vëllai, Samiu, “nuk ishte njeri i dyfegut, por ka qenë ndër mëmëdhetarët më zemërkthjellët që dinte të luftonte me pendë dhe të punonte për një bashkim kombëtar të sinqertë” (po aty, fl. 73).
Ndërsa Thimi Marko hapte shtëpinë e tij për të pritur mësuesin e parë të shkollës shqipe, së bashku me Orhan Pojanin dhe Jovan Kosturin regjistroheshin vullnetarisht si “eforë e arkëtarë” të kësaj shkolle, derisa ajo u mbyll nga administrata osmane.
Hapja e shkollës së parë shqipe nuk mund të përfytyrohet pa punën e këtyre tre burrave të urtë, që bashkuan vullnet e pasuri për të arritur që të bëhej e vërtetë ëndrra e Rilindjes për një shkollë kombëtare, ëndërr që kishte nisur qysh me Akademinë e Voskopojës, kolegjet dhe seminaret arbëreshe, por ishte ndërprerë për shkaqe që dihen. Ndërsa Sami Pojani merrte pjesë në Kongresin e Manastirit si delegat i Korçës, Orhani do të dallohej si veprimtar intuitivisht i orientuar drejt, kur një gjysmë viti më pas kundërshtoi vendimet e xhonturqve që propozonin pikërisht atë që kishte satirizuar A. Z. Çajupi, fenomenin Adhamudh, abetaren e tij, me shkrim latin, por nga e djathta në të majtë. Në të vërtetë, Kongresi i Dibrës diçka të ngjashme lejoi: të shkruhej shqipja dhe të mësohej në shkolla, por me alfabetin e osmanishtes.
Po pse Orhan Pojani, Thimi Marko, Jovan Kosturi, Qamil Panariti, Idhomene Kosturi dhe mjaft të tjerë, megjithëse komisioni i 25-vjetorit të vetëqeverimit (1937) i kishte në vëmendje, kanë mbetur gati krejt të harruar? Jo vetëm për faktin që ata s’qenë luftëtarë komitë si ata që dilnin çetave dhe luftonin me armë ushtrinë osmane. Ka dhe një arsye tjetër: ata ishin pjesa më e pasur e Korçës, dhe, duke dhuruar vetë ndihma për shkollën shqipe, nxitën shoqëritë patriotike kudo që ishin, duke përfshirë atë të Bukureshtit, për të bashkuar kontribute në para për nismën që ishte ndërmarrë. Përgjithësisht pjesa e prapavijës ekonomike është nënçmuar edhe për ngjarje të tjera, si Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Por ardhja deri tek pavarësia nuk mund të kuptohej pa këto dy faktorë: luftën me dije e mbështetjen me pasuri.