MR. FLORIANË KRASNIQI: PROFESORI I HISTORISË QË LA HISTORI TË LAVDISË

Kastriot, 17. 03. 2015 – (Me rastin 16-vjetorit të rënies heroike të dëshmorit të kombit Prof. Selim Berisha) – Selim Berisha lindi me 3 qershor 1950 në fshatin Drenoc-Barilevë të Prishtinës. Shkollën fillore e kreu ne Breznicë. Shkollën e mesme e filloi në normalen e Prishtinës për ta mbaruar në normalen e atdhetarit “Hasan Prishtina” në Mitrovicë. Studio Fakultetin Filozofik, Dega: Histori , ku mori titullin Profesor historie. Që nga viti 1973 punoi në shkollën e mesme të ulët “Ali Kemendi” në Barilevë. Selim Berisha ishte veprimtar i devotshëm i kauzës kombëtare. Ai gjendej aty ku kërkohej sakrifica. Ishte pjesëmarrës aktiv në Demonstratat e ’68, ’81, ’89 e dri kur filloi lufta në Kosovë, ku e mbylli ditarin në sirtar, ngjeshi armën, duke treguar shembullin se si vdiset për lirinë e atdheut.
Selim Berisha 26 vite mbajti ligjeratë teorike kombëtare para nxënësve të vet, dhe në orën e fundit të historisë mbajti orën në praktikë duke hyrë në histori me rezistencën e tij heroike, me pushkë në dorë, ashtu siç ishte betuar para flamurit dhe himnit kombëtar në Luftën e lavdishme të UÇK-së.
Selim Berisha i takonte brezit atdhetar të intelektualëve shqiptarë, jo rrallë herë merrej me publicistikë në gazetat e asaj kohe. Natyra i kishte dhuruar atij si dhunti, guximin, fuqinë intelektin dhe dashurinë për atdheun. Orët e historisë që i mbante ishin kombëtare duke ju ligjëruar nxënësve për rrugën e vështirë të lirisë dhe sakrificën që duhet bërë për të ardhur deri te ajo.

Profesor Selim Berisha ishte një intelektual i dëshmuar dhe publicist i guximshëm, ai më kohë ju bashkua luftës së shenjtë për liri dhe u bë dëshmor, në mesin e shumë arsimtarëve dëshmorë. Sa herë kam rast dhe kam privilegjë të flas për njeriun e pendës dhe të pushkës, për profesorin e historisë, i cili me veprën e tij atdhetare bëri histori dhe hyri në histori, përherë me emocion i kujtoj vargjet e tij, të cilat i shkroi vetëm 24 ditë para se të bie në altarin e lirisë, thuase e kishte parandiendie gjakun dhe aktin e rënies:
NUK DO TË VDES
Nuk do të vdes se shumë i dua lulet
Nuk do të vdes se i dua krojet
Nuk do të vdes se i duhem Kosovës
Nuk do të vdes se i duhem nënëlokës.
Nuk do të vdes me jastëk nën kokë
Nëse unë do të vdes
Do të vdes me pushkë në dorë
.
24 shkurt 1999
Profesori i historisë, Selim Berisha, ra në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë, më 20 mars 1999, tri ditë para se të binin bombat e para të NATO-s, mbi caqet ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe në Serbi. Akti i rënies së tij, ishte akt i një njeriu me vetëdije të lartë politike, akt i një veprimtari e atdhetari të vërtetë, i cili ishte thellësisht i bindur se liria nuk fitohet ndryshe, pos me gjak e sacrificë sublime. Pushtuesi serb, rrënonte e digjte çdo gjë çka ishte shqiptare. Vriste gra, pleq dhe fëmijë.
Luftëtari i lirisë Selim Berisha, e bënë kullën stërgjyshërore kala të pamëposhtur derisa popullata të strehohej në ndonjë vend të sigurt. Ai dhe kulla bëhen barrikadë e pakalueshme për më shumë se dy orë kundër një ushtrie të tërë dhe kondër formacioneve policore serbe, që e kishte rrethuar në të gjitha anët. Ai po luftonte me një pushkë të lënë amanet nga gjyshi e stërgjyshi nëpër llogorët e historisë, kundër një shteti okupues me armatimin më të rëndë të kohës. Përballja nuk kishte si të mos i përngjante dyluftimeve të përmasave mitiko-legjendare. Por, as trimi nuk ishte vetëm. Me të ishte kulla e tij edhe kënga, siç ka ndodhur përherë, e siç ndodhi edhe në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur luftëtarët e lirisë luftonin dhe këndonin derisa vinte vdekja.
Dëshmori i kombit Selim Berisha, bie në altarinë e lirisë, duke lënë të vrare policë dhe disa mbesin të plagosur, siç kanë pranuar edhe vet burime serbe të informacionit. Profesori i historisë, Selim Berisha, ishte njëri nga gjithë ata shqiptarë qe ishin të bindur, se Serbia nuk largohet nga Kosova me lutje dhe ankime deri në poshtrim, të cilët vëndosën të krijojnë UÇK-në. Njëri nga luftëtaret e kësaj ushtrie ishte edhe luftëtari Selim Berisha. Kur mësonte historinë kombëtare, atë e kishte frymëzuar urtia dhe këmbëngulja për ta bëre të pavarur atdheun e Ismail Qemalit, heroizmi i Bajram Currit, dashuria e madhe për lirinë e madhe të Hasan Prishtinës, trimërinë e Isa Boletinit Idriz Seferit dhe Oso Kukës, dashuria për tokën e tij e Azem e Shotë Galicën, lufta qendrestare kundër aradhave të policisëpushtuese te Nebih e Tahir Mehes, ideali për çlirimin e atdheut të okupuar të Zahir Pajazitit dhe Luan Haradinajt për t’i bërë kulmin dashurisë së madhe për liri me qëndresën dhe sakrificën hyjnore të Komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së madhe të kombit, familjes Jashari. Lufta e UÇK-së, përseriste mësimet e historisë profesor Selimi. Rënia e Fehmi e Xhevë Lladrovcit, po thërriste emrat Azem e Shotë Galicës.
Andaj nuk ishte e rastit që me aq dashuri e ruante një libër dëshmori Selim Berisha që ia kishte dhuruar Hamëz Jashari, vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari, siç nuk ishte e rastit lufta e tij nga Kulla e gjyshstërgjyshit kundër një ushtrie të tërë. Mehmet Kajtazi shkrimtari ynë në një prononcim të tij në një nga Akademitë përkujtimore për dëshmorin Selim Berisha pati thënë: “Çdo gjë në këtë botë ka mbretërinë e vet, pa mbretërinë e saj nuk është as letërsia. Por, letërsia që e bënë art luftën për liri është mbretëria e të gjitha mbretërive në jetën e një populli. Pa këtë akt të shpirtësisë, popujt e robëruar do të shuheshin, siç ka ngjarë me sumerët, një popull i moçem të cilit vetëm emir i ka mbetur në muzetë e Londres.
Selim Berisha në vitin e trembëdhjetë të jetës së tij, nis të brumoset me atdhetarizëm duke mësuar të vërtetën e hidhur të babait, të dajallarëve dhe gjithë farefisit që kishin vuajtur nga regjimi i krajlit dhe nga pasuesi i tij Tito. Që të dy krajlët, i pari i veshur me të zeza, i dyti i veshur me të bardha, por që të dy ia nxinë jetën shqiptarëve. Selim Berisha për 26 vjet rresht, sa punoi në arsim, ua sqaroi nxënësve të vet këtë trekëndësh ogurzi: Krajl-Tito-Millosheviq, trekëndësh ky që e kishte linçuar Kosovën për vdekje.
Selim Berisha, përpos që punonte në arsim, ai shkruante tregime dhe poezi që shpesh herë i botonte në gazeta ose ato që i ruante, priste ti botonte në liri, por kjo dëshirë nuk ju realizua se së bashku me shtëpi ju bënë të gjitha shkrumb e hi. Më 20 mars 1999, kur Kosovës i kanosej një shfarosje totale nga ardhacakët e dikurshëm të Karpateve, në fshatin Drenoc-Barilevë të Prishtinës, ndodhi një ngjarje e pazakontë që do të mbahej mend brez pas brezi një luftë krejtësisht e pabarabartë me makinerinë luftarake të ushtrisë serbe ra heroikisht dëshori i kombit prof. Selim Berisha. Deri atë ditë, prof. Selim Berisha, arsimtar i historisë në shkollën e mesme të ulet “Ali Kelmendi“ Barilevë, ua kishte mësuar nxënësve të tyre historinë, kurse atë ditë kishte vendosur (e kishte bëre mendjen top) të hynte vetë në të, të bëhej pjesë e historisë më të re të Kosovës.

Deri atë ditë prof. Selim Berisha u kishte folur nxënësve të tij për Skënderbeun e Ismail Qemalin, për Mic Sokolin e Sefë Kosharen, për Bajram Currin e Hasan Prishtinën, për Çerçiz Topullin Themistokli Gërmenjin, për Azem e Shotë Galicën dhe sa e sa heronj të tjer të kombit, përfshirë këtu edhe komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin, kurse atë ditë kishte vendosur të linte ditarin e mësuesit të historisë dhe të hynte edhe vet në analet e saj, duke u radhitur në radhët e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, në radhët e tyre që ne ua kemi borxh këtë grimë lirie qe po e gëzojmë ne sot. Edhe ashtu ndodhi: Në mëngjesin e 20 marsit 1999 kur regjimi kriminal i Beogradit, që pas refuzimit të Marrëveshjes së Rambujesë dhe si rezultat i forcimit të UÇK-së po sillte përforcime të reja në Kosovë, ndërmjet një ekspedite ndëshkuese ndaj katër fshatrave të Prishtinës: Drenoc, Barilevë, Breznicë e Prugoc, prof. Selim Berisha bëri një sfidë të rrallë një gjest të denj për respekt: aktin e rezistencës individuale kundër okupatorit. Edhe pse pa një përgatitje të madhe ushtarake dhe pa pajimet e duhura për luftë moderne, ai vendosi t’u dilte përballë forcave ushtarako-policore serbe dhe te luftonte me to deri në pikën e fundi të gjakut. Ai vetëm, kurse ata me qindar e mijëra, ai me një pushkë të thjeshtë e ca municion, kurse ata me tanke e autoblinda-pothuajse si në përrallë!
Prof Selim Berisha, sigurisht, ishte i vetëdijshëm se nuk mund ta fitonte këtë betejë tëmerrësisht të pabarabartë, por ai kishte vendosur të mos dorëzohej i gjallë. As epërsia e madhe e kundershtarit e as lebetitjet e fëmijëve dhe vaji i nënënave, nuk e ligështuan prof. Selim Berishën i barrikaduar në shtëpinë e tij, ai luftoi plot dy orë me makinerinë ushtarako policore të okupatorit, derisa ra në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe dinjitetit kombëtar e njerëzor, me shpresë se gjaku i tij do të ishte një kontribut i vogël në përpjekjet shekullore të këtij populli për të dalë nga zgjedha e robërisë. Do thënë menjëherë se akti heroik i prof.Selim Berishës nuk ishte një veprim i rastit e as trill i një njeriu aventurier. Jo, ASPAK. Ishte një veprim plotësisht i vetëdijshëm, veprim i njeriut që luftën për liri e kishte filluar shumë kohë më parë duke zhvilluar atë në shumë fronte, si mësimdhënës, si veprimtar, si publicist, si atdhetar.
Flijimi i 20 marsit në Drenoc-Barilevë ishte akt i një njeriu me vetëdije të lartë kombëtare e politike, akt i një veprimtari e atdhetari të vërtetë i cili ishte thellësisht i bindur se liria nuk fitohet ndryshe pos me gjak sacrificë sublime. Selim Berisha, edhe pse ishte i vetëm në atë moment, nuk ishte i vetëmuar. Ky nuk ishte një paradox poetik, por një fakt historik. Jo larg pikës nga e cila ai bënte aktin e rezistencës së vet individual, në malet e Drenicës, të Llapit e të Dukagjinit dhe të krejt Kosovës, por edhe Brenda në fshatra e qytete, vepronte një forcë ushtarake, politike dhe morale, e cila luftonte në mënyrë të organizuar për lirinë e Kosovës.
Mësuesi atdhetar i Barilevës, profesor Selim Berisha, që kishte kryer studimet e historisë në Universitetin e Prishtinës dhe që kishte derdhur vite me radhë mundin dhe djersën e tij në edukimin e brezit të ri, konsideronte se, pas gjithë asaj që kishte ndodhur në Kosovë sidomos me e rezisatencës paqësore dhe të mbjelljes sistematike të frikës nga armiku i popullit, edhe në këtë mënyrë mund ta lante borxhin ndaj atdheut, duke i treguar botës se shqiptarët janë njerëz që jo vetëm dinë të ikin, natyrisht si pasojë e dhunës, nga shtëpitë e veta por edhe të vdesin në prag të tyre. “Doemos do vdesim në shtrat në mos rënqim në prag të shtëpive tona“ – thoshte i madhi De Radë në njërën nga poemat e tij të mëdha historike kushtuar Motit të Madh. I edukuar në këtë frymë, mësuesi i historisë, prof. Selim Berisha, i cili njëzet e gjashtë vjet rresht e kishte ligjëruar këtë lëndë para nxënësve të tij, zgjodhi alternativën e rënies në prag të shtëpisë, të këtij simboli të madh, universal, të jetës, ekzistencës dhe dinjitetit njerëzor.
Në këtë mënyrë ai mbajti orën e vet të fundit të historisë, më të bukurën më të paharruarën, duke dhënë shembullin personal se si duhet atdheu, se si jetohet, luftohet dhe vdiset për të. Në këtë vit, përkujtimin e rënies së tij, e përmbyllë më së miri thënia e veprimtarit- të madhit Adem Demaçi, simbolit të rezistencës sonë kombëtare, i cili në njërin nga përvjetorët e rënies së Dëshmorit të Kombit Selim Berisha, në Drenoc të Prishtinës pati thënë: “Ky le të jetë shembull për të gjithë ata që kanë menduar se liria fitohet duke ikur. Liria fitohet duke qëndruar, duke vdekur si Ky Trim. E, ç’mund të bënte tjetër ky njeri në orën e fundit të historisë, më 20 mars 1999, kur gjatë orëve tjera e ka tregue në mënyrë teorike se si mbrohet atdheu, kurse pikërisht në orën e fundit e tregoi praktikisht se si vdiset për lirinë e atdheut.
(Autorja e këtij shkrimi është mësimdhënëse në Breznicë-Kastriot)

………………………………….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura