Kumanovë, 18. 04. 2013 – Kur të merret guximi për të shkruar për personazhe që kanë lënë gjurmë në histori dhe politikë, por edhe në kujtimet e njerëzve, duhet pasur parasysh çdo shkronjë e çdo fjalë, ngase shpesh duke dashur të nxjerrim në pah gjëra për personazhe të mëdha, e duke dashur t`i ngrisim, mund t`i ulim ato. Por në anën tjetër të heshtësh e mos të shkruash për figura që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, ti dërgosh ata në harresë e të preferosh kuietizmin e amnezinë është turp e shkuar turpi. Kësisoj përpjekja e suksesshme e Rudina Xhungës për të bërë një libër me intervistat në emisionin e saj “Shqip”, me figurën e shquar shqiptare Arbën Xhaferi, është sukses dhe ia vlen të lexohet. Është një libër i ç`ngarkuar nga lëvdatat dhe stërglorifikimet, nga mitet, që sipas Roland Bartit as që fshehin, as që teprojnë por deformojnë të vërtetën, pra thjesht është një libër që ia vlen të kihet në bibliotekë si dhe të komentohet. Mbase libri po se po, e të mos flasim më për figurën e Arbënit, gurun e mendimit shqiptar dhe ithtarin e rezistencës Hesseliane, të krijosh dmth të rezistosh dhe të rezistosh dmth të krijosh.
Shkojmë me radhë. Arbëni duke iu rrekur temave të nxehtë që kanë të bëjnë me tentativën për të paraqitur kombin shqiptar si fundamentalist, përgjigjet që shqiptarët janë popull tolerant dhe tejet respektues për tjetrin dhe të tjerët, (fr. Alterite). Kjo sipas tij mund të spjegohet nga ajo që kurrë nuk janë rrënuar objekte fetare nga dora shqiptare, po përkundrazi. Ai flet për një argument që për herë të parë hasa te ky libër, që kishën e Shën Klementit në Ohër, që llogaritet sot si fundament i ortodoksisë maqedonase e ka ndërtuar një shqiptar më 1292, i quajtur PROGON ZGURO. Arbëni potencon me ngulm që shqiptarët s`duhet rrëshqitur nga kombi në besime. Andaj shqiptarët sipas tij nuk duhet të bien pre e provokimeve që në fakt kanë një qëllim, zhbërjen e tyre. Kësisoj, mesazhi i Arbëni që është tejet domethënës dhe lajtmotiv për ne, e kumt në të njëjtën kohë, u bën thirrje drejtuar bashkëkombasve duke u kërkuar që shqiptarët mos t`ua lëjnë antikën grekve, mesjetën sllavëve dhe periudhën osmane turqve, ngase kësisoj do të ndihmojnë tezat antishqiptare që shqiptarët nuk kanë ind dhe themel (bazamant, substrat) autokton. Arbëni duke përshkruar me një penë të mprehtë rëndësinë e kulturës, potencon se shqiptarët si popull janë të dalluar për atë se edhe në hapësirat më të ngushta krijojnë kulturë, edhe në raste kur janë të pushtuar, edhe kur janë të anatemuar edhe kur janë përballë gjenocidit dhe shfarosjes….
Ai kur flet për funksionimin e shteteve thekson se modeli që duhet ndjekur nga shtetet në Ballkan është ai i modeleve në Evropë : 1. Kohezion i brendshëm në shtet 2. Ekonomi të fortë 3. Demokraci liberale. Në këtë aspekt Ballkani, e konkretisht shteti i Maqedonisë jo që ka dështuar, por dështimin e ka marrë si model, e si shembëlltyrë.
Sa i përket shqiptarëve ai duke elaboruar tezën e 2 modeleve të afirmimit të ideve kombëtare flet për : 1. Atë që në bazë të shtetit krijohet kombi 2. Etniteti krijon shtetit. Arbëri përkrah kategorinë e dytë për shqiptarët, ndërsa kundërshton me ngulm thirrësit e teorive dhe ideve shtetformuese duke krijuar kombe të paqena, kritikon tentativën absurde të disa analistavë nga Kosova për krijimin e identitetit kosovar, gjuhës kosovare e kështu me radhë, pra është kundër përçarjeve dhe fragmentarizmave gjuhësore e kombëtare. Ai përmend rastin e Evropës, duke theksuar se së pari ajo ishte etnizuar, aty ishin ndërtuar shtetet me kufinj etnik, kongruentë, e në anën tjetër thekson se aty ku s`ka definime të qarta të interesave etnike ka konflikte, duke përmendur çështjen baske, problemin flamano valonas, Irlandën, frankofonët në Kanada. Sipas tij Ballkani ende nuk ka përfunduar aspektin e definimit në aspekt kombëtar dhe etnik, si dhe atë shtetëror. Arbëri duke marrë shembullin e Norvegjisë, thekson se edhe pse norvegjezët ishin të pushtuar, së pari u ndanë nga Danimarka, iu bashkuan Suedisë, por më vonë iu shkëputën edhe Suedisë për tu pavarësuar si shtet etnik më 1905, e me këtë bën analogji me shqiptarët e Maqedonisë që në rast dështimi të bashkëjetesës me maqedonasit, duhet ndjekur këtë vijë. Në lidhje me shtetin dhe shoqërinë multikulturore Arbëni bën një ndarje të thuktë, edhe atë duke thënë se shoqëria multikulturore përshkruan mjedisin ku ka shumë kultura dhe shumë kombe, shumë gjuhë, ndërsa ajo shndërrohet në shtet multietnik kur përdoren mekanizmat që garantojnë të drejtat e njeriut, popujve, kulturave, feve, gjuhëve etj. E në këtë provim Arbëni thekson se edhe ketu Maqedonia ka dështuar. Sipas Arbënit shoqëritë multietnike mund të funskionojnë nëse krijohen shtete multietnike.
Arbëni duke propozuar politizimin dhe demokratizimin e krizës, e jo militarizimin, flet edhe për përkrahjen dhe legjitimimin e luftës së 2001 në Maqedoni, duke i ndërtuar përmendore të tjerëve, e duke rënë dalngadalë në hije vet ai, vetëm e vetëm për një interes madhor, unitetin brendakombëtar dhe duke mos marrë shembull hapat e Ibrahim Rugovës në Kosovë, kur ky i fundit u rreshtua kundër luftës së UÇKsë gjer në frymën e fundit. Në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit Arbën Xhaferi tregon se edhe pse është firmëtari i kësaj marrëveshje, ajo marrëveshje ka tejkaluar limitin e implementimit praktik, andaj duhet shikuar modele të tjera, njëkohësisht duke potencuar se Marrëveshjet nuk janë Kuranore dhe të pandryshueshme, por duke përmendur filozofin dhe antropologun e njohur Erik From, i cili kishte kontastuar se prej shek. 15 p.e.r e ger në shek 19 ishin nënshkruar afro 10 000 marrëveshje të paqes, të gjitha të reviduara dhe rishikuara, kishte propozuar rishikimin dhe ndryshimin e saj, ngase afati i fundit 2004, që ishte paraparë për implementimin e saj ishte shkelur. Andaj një marrëveshje nëse shkilet bëhet e pavlefshme.
Figura e shquar e Arbënit Maqedoninë e sheh të themeluar si shtet për nevojat e një kombi, i cili komb ka telashe me identitetin, ngase të dhënat historike tregojnë se gjatë historisë nuk njihet asnjë komb me këtë emër, e posaçërisht një i tillë që flet gjuhë sllave, ndërsa duke folur për fenë Islame si fe të shumicës së kombit shqiptar thekson që Islami si fe në vete përmban mesazhe kundër dhunës, toleron ekzistencën e feve të tjera etj. Ai shton se Kur`rani si libër i shenjtë erdhi nga qielli në tokë dhe u shpall që njeriu të jetojë më mirë sipas parimeve fetare, mirëpo ato parime dhe mësime nuk po respektohen. Sipas Arbënit profeti Muhamedi A.S. ka qenë figurë madhështore ngase ka arritur me gjithë sfidat të ndërtojë sistem demokratik, ndërsa vendimet i ka marrë me koncensus. Sipas Arbërnt, Zoti është absolut, s`varet prej dëshirave të njerëzve, ngase ne nuk kemi as kapacitete intelektuale as imagjinare ta madhërojmë Atë, më shumë sesa është Ai. Arbëri thekson se gjëja kryesore që duhet bërë është mos të ideologjizohet feja, ngase ajo është në shpirtin e njeriut, e ideologjizimi i feve shpie në humnera dhe katastrofa.
Duke përmendur multikonfesionalitetin ndër shqiptarët Arbëni jep një shembull shumë mbresëlënës, edhe atë se si freskat e Onufrit kanë pasur figura të xhamive, ndërsa xhamia në Tetovë ka arabeska të shumta të gondolave të Venecias.
Në lidhje me demokracinë Arbëni thekson se demokracia pa liri s`mund të funskionojë. Sipas tij ne ende s`jemi mësuar me demokraci të mirëfilltë, sipas tij ende ke ne ekziston varianti i Carl Schmitit, politika në aksin mik- armik. Në lidhje me sistemin ai thekson se sistemi duhet të jetë pluralist, ndërsa qeveria moniste, pa koalicione, ngase vendimarrja është më efektive, duke dhënë si shembull funskionimin e SHBA, Britanisë së Madhe, ku shtetet janë stabile pikërisht duke pasur qeveri moniste, pa koalicione, e me kërë rast duke kritikuar politikan grindavece shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë.
Për në fund Arbën Xhaferi, rilindas i fundit, shprehet se secili popull, njësoj si individi, duhet të trajtohet si duhet nga tjetri, duke vënë në pah thënien e Francis Fukuyamës, i cili potencon se mekanizmi që vendoste procesin historik në lëvizje ishte nevoja për pranim nga tjetri, nevoja për verifikim të vetvetes nga tjetri, nevoja për barazi. Këtë nevojë, potencon A. Xhaferi, Platoni e quante THIMOS, kërkesë e fuqishme të jesh i trajtuar në mënyrë të barabartë në shoqëri. Andaj edhe shqiptarët duhet të trajtohen fillimisht nga vetja si duhet, të respektojnë njëri tjetrin, të mos përçahen, që më tutje të respektohen nga të tjerët dhe të arrijnë barazinë e duhur.
Për në fund mund të shtoj që ky libër meriton të lexohet me kujdes nga secili, që mëton se është ithtar i librit, nga secili politikan dhe të shërbejë si udhërrëfyes. Figura e shquar e Arbën Xhaferit, këtij njeriu që me të vërtetë i mungon dhe do t`i mungojë shqiptarisë, me idetë e tij, me guximin e tij intelektual të pashoq, duhet të shërbejë për unifikim të faktorit ndërshqiptar, njëkohësisht të pranohet dhe njihet kjo figurë jo vetëm nga partia për të cilën punoi dhe u angazhua, por të shihet si figurë mbipartiake, respektivisht meriton të trajtohet si figurë rilindase kombëtare, me përmasa të jashtezakonshme.
«Njerëzit vdesin, kombet rriten dhe bien por idetë janë të pavdekshme, ato jetojnë çdoherë.» E falë ideve të tij të pavdekshme jeton edhe më tej figura e shquar e Arbën Xhaferit në mesn tonë.