MR.ARDIAN RAMADANI: FIGURA POLITIKE E IBRAHIM RUGOVËS, NË KONTEKSTIN HISTORIK (I)

(Janar 2012) – Gati se çdo komb dhe çdo shtet modern duhet të bëjë vlerësimin, rivlerësimin dhe vendosjen e personaliteteve të caktuara historike në vendin e duhur. Figurat dhe personalitetet e caktuara që në momente të caktuara kanë pasur fatin të jenë në drejtime kyçe duhet të vlerësohen si duhet, po jo duke pasur vlerësime të anuara, të përcjella me ndikime partiake dhe me vlerësime patetike, as duke mos e mohuar rolin dhe kontributin në momente të caktuara, por ama as duke i stërglorifikuar dhe hiperbolizuar këto figura. Kësisoj nuk duhet të jemi okultistë, duke refuzuar çdo gjë shkencore dhe historike, por nuk duhet që edhe të përdoren metodat prozelitiste, duke tentuar që të imponohet një mendim i caktuar tek një grup njerëzish, e lëre më tek historia dhe historiografia, për një figurë të caktuar, duke stërzmadhuar rolin dhe kontributin e atij personi. Kësisoj mendoj se individi shqiptar, në të katër anët e botës duhet të njoftohet si duhet për kontributin dhe rolin e figurave dhe personaliteteve politike shqiptare, jo duke përdorur kuakerizmin, heshtjen apo largimin nga faktet historike, po përkundrazi duke përdorur faktet dhe argumentet e duhura, për të nxjerr në pah vetëm të vërtetën.
Më rastisi të përcjell emisionin “Oksigjeni” të drejtuar nga Besim Dina, aktori dhe komiku shumë i njohur shqiptar nga Kosova, program ky i emituar në RTK, ku mysafir i emisionit rastisi të ishte Gani Geci. Edhe pse nuk jetoj në Kosovë, figurën e Ganiut e njoh sado kudo, ku jam i njoftuar për karakterin e tij impulsiv dhe eksplodues, pjesëmarrjen e tij në rrahjen masive në kongresin e LDK-së, futja e tij i armatosur në një program televiziv gjatë një debati, por poashtu jam i njoftuar edhe për pjesëmarrjen e tij në luftë me familje, por ama deklaratat e tij se vetëm ish presidenti i ndjerë i Kosovës Ibrahim Rugova i ka meritat për pavarësinë e Kosovës, nuk janë deklarata që bazohen në fakte të shëndosha.
Unë nuk dua të hy në polemikë me Ganiun, por ama opinionit shqiptar i nevojitet një vlerësim i duhur i personaliteteve që sido që të jenë, kanë lënë gjurmë në histori, sepse e kanë pasur rastin të jenë në krye të proceseve.
Ne si shqiptarë, e kemi zakon që pasi të vdesë një personalitet, i varrosim edhe të bërat bashkë me personin e vdekur. Është cilësi e mirë mos të merresh me të vdekurit, por duhet që ndokush t`i vlerësojë si duhet ata njerëz që tashmë kanë vdekur, por që kanë pasur ndikim në masat e caktuara popullore dhe që kanë qenë prijës të çështjeve në momente të caktuara kohore. Rastin dhe fatin e njejtë e ka pasur edhe ish Presidenti i Kosovës, tashmë i ndjerë, z. Ibrahim Rugova. Kjo figurë politike shqiptare në Kosovë, e cila në vitet 89, 90, atëherë kur unë kam qenë fare 6-7 vjeçar, u pat shfaqur si një pikë shprese për shqiptarët e Kosovës, të cilët vuanin nga thundra e hekurt millosheviqiane, por kjo figurë ishte shpresë edhe për shqiptarët gjetiu.
Kësisoj roli i tij politik, i cili ndahet në dy faza, në të parën që përfshin vitet që nga themelimi i LDK-së e deri tek protestat studentore (të 1 tetorit 1997) ka qenë pa dyshim i madh, por ama periudha pas 1997 shënon rënien e kurbës apo lakores së udhëheqjes së tij. Mirëpo, edhe para dhe gjatë fazës së parë tek mënyra e udhëheqjes së tij, gjejmë gjëra që kanë qenë shumë të dëmshme, e bile e bile edhe antikombëtare.
Do të përpiqem që të shpjegoj dalngadalë e me radhë se përse është kështu, si dhe se përse edhe z. Ibrahim Rugova tashmë i ndjerë nuk është pa mëkate.
Fillimisht duke lexuar revistën “Zëri”, e botuar moti kohë qysh më 16 maj 1981, e të cilën ma solli një mik i imi, rastisa të shihja një studim shkencor të shkruar nga Ibrahim Rugova, ku madhërohet figura e Titos, në kohën kur policia e atëhershme federale jugosllave masakronte shqiptarët. Ai në këtë studim Titon e quan si kokë gjeniale, që krijon hapsira të reja për njeriun, si dhe e madhëron atë duke shkruar se figura e Titos ka krijuar gjoja se një liri të vërtetë arti e krijimi në kuptim të realizimit gjoja se të lirisë. Me cilin guxim, ka mundur të shkruajë këtë studim duke i thurë elozhe Titos kjo figurë, kur dihet botërisht se gjatë vitit 1945-1948 Titoja me gjenialitetin e tij vrau 47 000 shqiptarë, si dhe me metodat e tij dinake në bazë të Marrëveshjes xhentëlmene me Turqinë e asaj kohe shpërnguli qindra mijëra shqiptarë. Pra, mëkati i parë i Rugovës qëndron tek orientimi i tij pro jugosllavizimit të shqiptarëve, të cilin orientim Rugova e lartëson në piedestal, në kohën kur jashtë banesës së tij në katin e shtatë në lagjen Lakrishtë ku banonte atëherë ai, masakrohej rinia shqiptare. Mandej, posti i tij si Sekretar i Organizatës Themelore të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë për Institutin Albanologjik, të bën të dyshosh edhe më tepër, duke propozuar po ky i njëjti më 30 nëntor 1982 masën vërejtje patiake ndaj Akademik Rexhep Qoses, pra duke denoncuar dhe eleminuar kolegët e vet. Përderisa në njërën anë u eliminua figura e shquar e Ali Hadrit, u burgos figura e shquar kombëtare Ukshin Hoti, për herë të parë, Ibrahim Rugova vazhdonte përpjekjet e tij në postin që mbante drejt jugosllavizimit të shqiptarëve, së bashku me Azem Vllasin dhe të tjerët.
Hapërimi i tij i mëtutjeshëm do të shkonte drejt zgjedhjes së tij si kryetar i LDK-së, parti kjo e themeluar si Lëvizje në dhjetor të 1989, parti kjo që në vete përmbante frymën e demokratizimit dhe pluralizimit të jetës politike në Kosovë, si dhe njëkohësisht ishte për ruajtjen e autonomisë së Kosovës. Ai në momentet kur protestohej nga shqiptarët kundër dhunës policore serbe, kërkonte qetësim dhe përmbajtje, nuk brengosej për viktimat dhe maltretimet, por merrej me rastet e përjashtimeve të anëtarëve të partisë së tij nga puna, në kohën kur shumica e kombit shkelej dhe vritej. Ai në 30 dhjetor 1989 për Zërin e Amerikës do të shprehej se LDK është krijuar fillimisht si shoqatë politiko – kulturore, duke respektuar vendimet në nivel ligjor jugosllav, në kohën kur ligjet jugosllave suprimuan autonominë e Kosovës, dhe e deshqiptarizuan atë.
Ibrahim Rugova problemin e Kosovës e shihte si problem gjithëjugosllav, në kohën kur krijesa monstër e Jugosllavisë ishte në gërhamën e fundit. Në shpalosjen e programit të LDK-së ai do të shprehej se konsideronte se Jugosllavia duhej të ishte federatë demokratike në nivel të kombeve dhe kombësive, duke anashkaluar faktin botërisht të njohur se 90 % e Kosovës ishte shqiptare dhe meritonte shtetësi në vete, e jo autonomi, si dhe duke e zbritur elementin kombëtar në nivel të kombësisë. Ai në programin e tij merrej me ambientin e Kosovës, thuaja se në Kosovë mungonin lulet dhe pemët, ai përmendte lirinë dhe të drejtat qytetare në momentin kur në Kosovë shkeleshin të drejtat kombëtare. Ai e regjistroi partinë e tij në Beograd, në kohën kur partitë tjera shqiptare si UNIKOMB, Bashkimi Demokratik Shqiptar, etj, nuk lejoheshin të ndiqnin procedurat e themelimit si parti, ndërsa pjesëtarët e të njëjtave parti eleminoheshin dhe burgoseshin.
Në kohën kur Rexhep Qosja do të kërkonte pajtimin kombëtar Rugova do të bënte çmos që të bojkotojë iniciativën mbipartiake, mbilideriste, mbiideologjike dhe pankombëtare, me arsyetimin se kjo ishte iniciativë e ish Presidentit shqiptar komunist Ramiz Alia (tashmë i ndjerë), si dhe se nëse realizohej kjo ide do të minoheshin dhe zbeheshin institucionet politike dhe demokratike në Kosovë dhe Shqipëri. Kjo do të shërbente si logo e atyre që më vonë do të kërkonin kombin e ndarë nga trungu shqiptar, kombin në inkubator, atë kosovar. Trumbetimi i mëtutjeshëm i LDK-së dhe Ibrahim Rugovës se ishte vetëm çështje kohe se kur do të intervenohej nga jashtë për Kosovën, dështoi, ngase për të ndërhyrë prej jashtë u desht që të shkrihej një familje e tërë si Jasharajt, u desh që të tërhiqej këmbëza e pushkës. Në momentin kur Ibrahim Rugova do të mburrej se Republika e Kosovës tashmë ishte realitet, dhe organizonte zgjedhje për tu legjitimuar si president i Republikës së okupuar, vriteshin shqiptarët sikur të ishin qen endacakë.
Kur më 24 maj 1992 do t`i organizonte zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, më 25 maj ai do të festonte fitoren e tij në zgjedhje, pikërisht në datëlindjen e Titos, duke dëshmuar edhe njëherë devotshmërinë ndaj tij. Përderisa në njërën anë nuk njihej Kosova nga asnjë shtet në botë, duke përfshirë këtu edhe Serbinë, ashtu siç nuk po njihet edhe sot pavarësia e Kosovës nga Serbia, Ibrahim Rugova njihej si lider, bile edhe si kyetar, e kjo vallë a nuk është për tu habitur. Është për tu shashtrisur, se si konsiderohej ai me mburrje President, kur nuk dha betimin as para Parlamentit, as edhe nuk u njoftuan shqiptarët e Kosovës me kompetencat e këtij presidenti fantom. Nuk duhet harruar edhe sugjerimin e Ibrahim Rugovës drejtuar shqiptarëve në Maqedoni dhe në Kosovën Lindore, për të formuar parti politike, në vend të homogjenizimit të tyre politik për t`i realizuar kërkesat kombëtare shqiptare më lehtë. Pra, ai arriti që problemet shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Kosovë Lindore e gjetiu t`i shohë veçmas , e jo si një të tërë.
Ai me një dinakëri të përsosur arriti të eliminojë Adem Demaçin politikisht, por jo edhe kombëtarisht. Të njëtën gjë ia bëri Ukshin Hotit dhe të tjerëve. Ukshin Hoti burgoset vetëm një ditë pasi pak më parë ishte larguar nga LDK-ja dhe ishte bërë kryetar i UNIKOMBI-t. Vet Ukshin Hoti gjatë gjykimit të tij në Gjykatën e Qarkut në Prizren do të shprehej se atë e dënonin okupatori serb dhe LDK-ja. Në kohën kur Rugova ishte aktiv si President i Republikës së panjohur, ai bredhte lirshëm nëpër shumë vende e shtete të botës, ndërsa Adem Demaçit dhe Rexhep Qoses, iu patën konfiskuar pasaportat.
Në 1992 gjatë seancës së OKB-së, pati një debat mes përfaqësuesit të shtetit shqiptar Sokol Neçaj dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Jugosllavisë së asaj kohe Millan Millutinoviçit. Ky i fundit akuzoi shtetin shqiptar për ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë, duke shtuar se në Kosovë ai njihte si udhëheqës legjitim vetëm Ibrahim Rugovën, sepse ai para çdo udhëtimi konsultohej me Ministrinë e punëve të jashtme jugosllave. Rugova më tej më 1993, kur persekutoheshin e vriteshin shqiptarët do të deklaronte në intervistën për televizionin britanik ITN, se gjendja në Kosovë ishte e qetë, dhe se çdo mospërmbajtje nga ana e shqiptarëve do t`i jepte pretekst serbëve për ekspedita ndëshkuese. Ai me këtë anashkalonte çdo veprim të armatosur shqiptar ndaj forcave serbe, mbase këtë e dëshmoi edhe në takimin me Agim Çekun dhe Tomë Berishën, kur këta kërkuan formimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, në kuadër të së cilës do të stërviteshin shqiptarët, e Ibrahim Rugova këtë kërkesë e quajti provokim ndaj institucioneve kosovare.
Më tutje takimi i tij me Millan Paniqin, kur ky i fundit deklaroi se po shkohet drejt demokratizimit të sistemit jugosllav, dëshmoi politikën e tij jo të duhur dhe joefiçiente. Për këtë vizitë i ndjeri Fehmi Agani do të shprehte rezervat e tija, duke ndikuar që takimi Rugova – Paniq, megjithë përqafimet spektakolare të përfundonte pa konkluzione dhe marrëveshje konkrete.
Në kohën kur Lobi Shqiptaro – Amerikan organizoi në bashkëpunim me Tom Lantoshin, kongresmenin e famshëm amerikan me prejardhje shqiptare, një dëshmi për Kosovën, duke ftuar edhe pjesëmarrës serbë, e ndër ta edhe monstrën Dobrica Qosiq, Rexhep Qosja dhe Luljeta Pula do të shkëlqenin me fakte, ndërsa Rugova nuk do të thoshte asgjë, përpos deklaratës që mbahet mend se gjoja autoritetet serbe ia paskan konfiskuar letrën ku e kishte shkruar fjalimin, ndërsa Qosja dhe Pula, me vete kishin sjellur videokaseta, e shtrohet pyetja se si atij ia kishin konsfiskuar letrën, e këtyre të fundit ia kishin lejuar videokasetat. Në mbojtje të shqiptarëve të Kosovës do të shkëlqente edhe disidenti kroat Dobrosllav Paraga, e Rugova do të heshtte. Mister i pashpjegueshëm do të mbetej edhe refuzimi i Rugovës për tu takuar me Ramiz Alinë, ndërsa nuk hezitoi të takohej me Millutinoviqin e me Paniqin. Më tej loja me pasaportat jugosllave në Tiranë u është e njohur të gjithëve, ku njerëzit e Rugovës do të përfitonin shuma të majme nga këta pasaportë.
Në një rast kur Rugovës do t`i parashtrohej pyetja për atë se ku është puna me krijimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës nga një shqiptar i Amerikës, ai do të kërkonte nga ky i fundit shmangie nga pyetjet provokuese. Gjatë periudhës së Rugovës hendeku kosovar – shqiptar u thellua tej mase, ku kjo do t`i ndihmonte pseudoanalistëve andej e këndej kufirit për lansimin e ideve për krijimin e dy identiteveve shqiptare ndaraz e jo një si të tërë. Rugova desh u tejkalua nga gëzimi atëherë kur gjoja shtetësia e Kosovës u pranua nga një shtet inekzistent, Dominioni i Melshizedekut.
VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura