MR.ARDIAN RAMADANI: FIGURA POLITIKE E IBRAHIM RUGOVËS, NË KONTEKSTIN HISTORIK (II)

(Janar 2012) – Veprimet e mëtutjeshme të Rugovës duke dhënë gurë të çmueshëm nga Trepça e Kosovës, do të ishin një gjest mjaft johuman dhe jodiplomatik. Së fundi një gur i tillë i`u kthye Ambasadorit të Kosovës në Maqedoni, nga një figurë diplomatike amerikane, e kjo do të nxirrte në pah fiaskon e dhënies së gurëve në këtë mënyrë nga ai. Kur Rugova deklaroi se në Dejton do të flitej edhe për Kosovën, ambasadori i athershëm amerikan në Beograd, Rudolf Perina e mohoi këtë deklaratë të Rugovës. Në atë moment u pa se pa shkrepje të pushkëve nuk do të kishte diskutime për Kosovën. Sulmet e vazhdueshme bile edhe ndaj Kadaresë do të ishin kulmi i papjekurisë dhe dobësisë së LDK-së dhe Rugovës, kur Kadareja vet do t`i denonconte dhe demaskonte sulmet e LDK-së ndaj tij më 1997.
Më tutje e mjegullt dhe shumë e dëmshme kombëtarisht do të ishte edhe Marrëveshje e Arsimit mes Rugovës dhe Millosheviqit, me ndërmjetësimin e shoqatës kristiane Shën Exhidio, ku me këtë do të justifikohej okupatori serb dhe politika koloniale e Millosheviqit. Argumentet shkojnë edhe më tej dhe flasin se Ambasadori amerikan në Beograd, Uoren Zimerman në librin e tij “Origines of a catastrophe” ribotuar më 1999 në Nju Jork, në faqen 80 flet për bisedën e tij me Rugovën, dhe përmend faktin se si ky i fundit në pyetjen se a ka pasur para ardhjes së Millosheviqit në pushtet dhunë ndaj serbëve në Kosovë, ai do të përgjigjej se gjoja se fatkeqësisht ndaj serbëve janë kryer shumë krime. Ky fakt i Zimermanit flet shumë dhe hap shumë dilema për këtë figurë histe(o)rike.
Më tutje duhet analizuar edhe roli i tij në raport me Lëvizjen Studentore, injorimi i figurës së ndritur të Ejup Statovcit dhe studentëve që protestuan më 1997 në Prishtinë. Edhe pse militantët e zjarshëm partiak të tij e quanin “Pejgamberi i Kosovës” ky jo vetë që zhgënjeu rininë shqiptare të Kosovës, po edhe anëtarësinë e LDK-së. Por, rezistenca pasive paqësore, doktrina e tij, që nënkuptonte mosreagimin, e krahasuar me filozofinë gandiste, e nuk kishte asgjë me të, filloi tatëpjetën, fill pas rezistencës aktive të ushtarëve të UÇK-së, me në krye Adem Jasharin. Krahasimi i këtyre luftëtarëve dhe etiketimi i tyre si “dorë e zgjatur e Serbisë, fundërrina marksiste-leniniste” e shumë e shumë të tjera, duhen analizuar nga historianët e të sotmes dhe të nesërmes, sepse edhe politika serbe i quante dhe i etiketonte luftëtarët shqiptarë me të njëjtin fjalor dhe kishte të njëjtin perceptim, sikurse Rugova.
Rugova heshti kur u vra studenti Armend Daci, edhe kur u vra mësuesi Halit Geci. Kjo tregon për amullinë e kësaj figure politike që sot quhet arkitekt i kombit shqiptar. Habia edhe më e madhe bëhet atëherë kur gjatë një atentati plagoset Rektori serb i Universitetit të Prishtinës, Papoviq, e fill pas këtij akti Rugova kërkon ekspertizë nga FBI dhe INTERPOLI. FBI merret me ruajtjen e rendit dhe qetësisë në territorin e SHBA-së, ajo nuk kryen investigime ndërkombëtare, ndërsa INTERPOLI si polici ndërkombëtare merret me zbulimin e rrjeteve të kontrabandës, krimit, drogës, prostitucionit…. Etiketimi i guerilës shqiptare si forcë konspirative e Serbisë u gris copa-copa, pas daljes së ushtarëve të lirisë publikisht në varrimin e mësuesit Halit Geci. Pas masakrës së Qirezit, Likoshanit dhe Prekazit, kur nuk u tha asnjë fjalë për të dënuar veprimet kriminale serbe nga Rugova dhe klani i tij, por përkundrazi Bujar Bukoshi dënoi veprimet e marksistëve dhe leninistëve shqiptarë të UÇK-së para ambasadorit Gelbard.
Më tej amullinë rreth peshës dhe “shkëlqimit të tij” e krijon fakti kur më 15 maj 1998 u takua duke buzëqeshur me Millosheviqin, kur ai ishte në pikën kulminante të çmendurisë dhe ksenofobisë kundër shqiptarëve. Deklarata e Rugovës që do të ndërmarrë gjithçka për të ndalë luftën ishin dokrra, sepse lufta dhe masakrat më kishin filluar dhe nuk ndaleshin dot pa pushkë. Më tej angazhimi i Rugovës indirekt dhe i Bukoshit direkt, për të krijuar guerilën oponente shqiptare FARK, dëshmoi për çorientimin e kësaj kaste politike. Kjo solli deri te tragjedia e vrasjeve, ashtu si ndodhi me vrasjen e Ahmet Krasniqit në Tiranë gjatë luftës, me rastin e vrasjeve të të tjerëve si Tahir Zemës pas luftës e kështu me radhë. Bile pretendohet se këta të fundit duke dashur të arrijnë qëllimet e tyre që ishin në të njëjtën linjë me Rugovën dhe Bukoshin deshtën të sabotojnë luftën çlirimtare si dhe të bëjnë grushtshtet në Tiranë për të rrëzuar të majtët në qeveri, ngase këta të fundit mbaheshin me djelmoshat e UÇK-së.
Më tutje organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare kur digjej një pjesë e Kosovës flet më shumë për dilemën që mund të shfaqë historia ndaj kësaj figure histerike. Veprimet absurde të Rugovës ndikuan në largimin e një pjese të bukur të anëtarëve të LDK-së nga kjo parti, duke iu bashkangjitur luftës. Shpallja e zgjedhjeve në Kosovën e okupuar dhe të djegur, duhet patjetër të jetë elementi bazë për të vlerësuar historiografia shqiptare personalitetin e kësaj figure, pra Rugovës. Takimi vijues dhe tejet dilematik i Ibrahim Rugovës me zëvendësministrin e atëhershëm rus Afanasievski, kur ky i fundit e quajti Kosovën COUNTY në anglisht që d.m.th. qark apo rreth, e Rugova nuk reagoi fare, flet më qartë, por duke na mjegulluar neve perceptimin tonë mbi këtë njeri.
Tentativa e Rugovës që në grupin negociator të verifikonte përshtatshmërinë dhe verifikimin moralo – politik të përfaqësuesve të UÇK-së është një veprim shumë i dëmshëm dhe tejet konfuz. Ajo që do të çudisë historianët shqiptarë kur do të vlerësojnë si duhet figurën e Ibrahim Rugovës është padyshim deklarata e tij e bërë gjatë vizitës në Malishevë, kur si “president“ i Kosovës deklaroi që vjen për herë të parë në këtë qytet duke falënderuar Kristofer Hillin që e dërgoi atje dhe duke deklaruar se nuk e paska ditur se sa dëme i paska bërë Serbia kësaj popullatë (lexo: Malishevës).
Për analizë të thellë duhet të merret edhe sjellja e tij shumë lehtë e adaptueshme ndaj të huajve, e posaçërisht roli i tij në Rambuje, ku nga frika se po deligjitimohet politikisht, ai shpesh ngurronte të unifikonte qëndrimet me anëtarët e tjerë të delegacionit shqiptar të Kosovës. Kur pas kthimit nga Parisi delegacionit shqiptar të Kosovës, ish presidenti Rexhep Mejdani i organizoi pritje madhështore në Rinas, Rugova për 40 minuta zvarriti dhe hezitoi takimin me të dhe me qeveritarët shqiptarë, që i kishte mëri, sepse sipas tij përkrahnin të majtët shqiptarë në luftën e Kosovës, e në ato momente nuk ishte me rëndësi se çfarë je i majtë apo i djathtë, ngase ishin momente vendimtare për Kosovën.
Më tutje, gazetarja e “Der Spiegel” Renate Flottaus, në ditarin e saj të 10 prillit 1999, dëshmon për sigurimin qind për qind të familjes së Rugovës dhe për të personalisht nga ana e policies serbe, në momentet kur Kosova ishte zbrazur. Por, pikërisht më 1 Prill 1999, ajo që i vuri një pikë shumë të zezë figurës së tij, ishte takimi i tij që i befasoi krejt shqiptarët me Millosheviqin, në kohën kur NATO-ja bombardonte Serbinë, ndërsa luftëtarët shqiptarë luftonin pa ndërprerë me soldateskën sllave. Edhe pse mëtohet se ka qenë peng i Millosheviqit, ai për dallim prej Alija Izetbegoviqit, ish presidentit boshnjak, kur ky i fundit i zënë peng deklaroi se është peng dhe se nënshkrimet e tija do të ishin të pavlera, me ç`rast tregoi vendosmëri të paparë, Rugova një gjë të tillë nuk e bëri, përkundrazi, vetëm gjatë muajit prill ai do të takohej pesë herë me Millosheviqin si dhe me Millutinoviqin. Këtu tentohet të vihet paralelja mes gjeneralit francez Paten, kur ky i fundit nënshkroi kapitullimin e Francës para gjermanëve, për të kursyer Parisin e bukur, e me këtë linjë tentohet të vihet theksi edhe tek Rugova, duke mëtuar se ai me këtë marrëveshje shpëtoi masakrimin e shumicës shqiptare që gjendej në Kosovë dhe pamundësoi përsëritjen e tragjedisë boshnjake, por liria nuk fitohet pa gjak dhe pa djersë.
Por si do të vlerësohet apeli i tij drejtuar NATO-s për ndalimin e bombardimeve të Serbisë dhe si do të vlerësohet nga historia shqiptare takimi i tij më 5 prill 1999 me ambasadorin rus Juri Kotov, ku kërkesën e njejtë e bëri edhe para tij, pra që të ndaloheshin bombardimet e NATO-s. Edhe më absurde është hezitimi i tij për formimin e një qeverie mbarëkombëtare me të gjitha forcat politike, sipas Marrëveshjes së Rambujesë. Pas kësaj, ai në vend se të nisej ndokund tjetër, do të merrte rrugën drejt Italisë së Lamberto Dinit dhe Massimo d`Alemës, kur këta të fundit kërkonin direkt shpërbërjen e NATO-s dhe kundërshtonin bombardimet e NATO-s në Kosovë e Serbi. Hezitimi i tij për ti vizituar kampet e refugjatëve në momentet kur shumë figura si Toni Bler, Gerhard Shreder, Hillari Klinton i vizituan shqiptarët e përvuajtur, me arsyetimin e tij absurd se i mungonte siguria, pasqyron një aspekt mjaft të errët dhe një njollë të zezë për të.
Deklarata e tij e radhës në intervistën në “El Pais” fill pas luftës se pjesëtarët e UÇK-së bëjnë dëme dhe krijojnë turbullira në Prizren dhe Pejë është për tu dënuar, njashtu si edhe Marrëveshja e tij me popin Artemije për enklavizim të Kosovës, deklarata e tij se problemi i Kosovës Lindore është pjesë e brendshme e Serbisë, koketimi i tij permanent me Rada Trajkoviqin, takimi i tij konspirativ me ish Ministrin e Brendshëm serb Zoran Zhivkoviq në Athinë… Kur i fitoi çuditërisht zgjedhjet në 30 tetor 2000 në Kosovë, personalisht atij ia uroi fitoren Voisllav Koshtunica.
Hezitimi i babait të dëshmorit të Kosovës Zahir Pajazitit, z. Qerim Pajaziti që të takojë Rugovën në shtëpinë e Zahirit në Llap, flet një realitet ndryshe për figurën e Rugovës, d.m.th. ai nuk shihej si figurë pozitive nga familjet e dëshmorëve, përkundrazi. Edhe pse u prit në familjen e Agim Ramadanit, këtë vizitë ai e bëri me sa duket për të përfituar poena politik, ngase ai harroi një gjë, që nuk do t`i falet kurrë, edhe pse nuk është më në mesin tonë. Ai çuditërisht “harroi” të vizitojë familjen e Jasharajve, e la pas dore figurën e Adem Jasharit, duke mos ia bërë asnjë homazh, duke mos e përmendur asnjëherë, duke mos trokitur asnjëherë në derën e kësaj familje patriotike, duke mos iu përulur asnjëherë Skëndërbeut në katror, figurës së Adem Jasharit të madh dhe familjes së tij, duke mos vizituar Prekazin e Adem Jasharit, Tahir Mehës, Shaban Polluzhës, Ahmet Delisë, respektivisht kiblën kombëtare shqiptare. Andaj duhet të ridiskutohen thurjet e vargjeve për Ibrahim Rugovën si “ikonë të shqiptarisë, si rilindës i kohës sonë, si profet, e si shumë e shumë çka tjetër”. Përulja e tij para Papës së Vatikanit, megjithë se mund të kishte efektin e tij diplomatik ndërkombëtar (lexo: faktet po flasin të kundërtën ngase ende Vatikani nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës), tentativa e tij për të ndryshuar përbërjen konfesionale të shqiptarëve të Kosovës, iniciativa e tij për të ndërtuar Katedralen e Prishtinës, duke i dhënë pretekst tash rrymave fundamentaliste ekstreme të konfesioneve të tjera që edhe ata të kërkojnë ndërtime të objekteve të tjera fetare, janë veprime shumë dyshuese dhe tejet të pasqaruara, po njëkohësisht edhe të dëmshme kombëtarisht.
Andaj, për të mos vazhduar më tutje, si dhe për të dhënë konkluzionin e duhur, duhet urgjentisht që historianët shqiptarë, duke i marrë parasysh këto fakte të pamohueshme, si dhe shumë e shumë të tjera që kanë thënë dhe që dinë edhe të tjerët, të vlerësojnë realisht këtë figurë, duke u çliruar nga patetizmi, zelli për glorifikim dhe thurjet e tepruara të elozheve për të.
– FUND –

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura