MR.AVDI GJATA: FAKTET HISTORIKE TË IDESË SË BASHKIMIT KOMBËTAR

(Prishtinë, 14. 01. 2013) – Njëra nga idetë (doktrinat) më të rëndësishme historike të shqiptarëve, padyshim është Bashkimi Kombëtar si edhe bashkimi i territoreve shqiptare në një shtet të vetëm gjeografik. Për herë të parë gjatë shekullit XIX, me doktrinën për bashkimin e Vilajetit të Shkodrës, Kosovës, Janinës dhe të Manastirit, dolën Rilindësit dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Për të realizuar këtë ide Sami Frashëri më 1889 e ka botuar njërën nga veprat më të njohura: Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”. Gjithashtu këtë vepër lirisht mund ta quajmë edhe një “Doktrinë“ apo program kombëtar i shqiptarëve. Samiu bashkë me rilindësit tjerë, për të parën herë na e jep një përshkrim të plotë të kësaj ideje, i cili deri më tani është programi më i mirë e më i përshtatshmi për çështjen shqiptare.
Nga kjo periudhë e Rilindjes kombëtare, historia e shqiptarëve, kalon nëpër disa periudha apo etapa të rëndësishme historike të cilat diferencohen me disa karakteristika të veçanta në mes tyre:
1) Që nga Rilindja kombëtare 1840 deri në Lidhjen e Prizrenit 1878;
2) që nga Lidhja e Prizrenit, deri te Shpallja e Pavarësisë Shqipërisë 1912;
3) që nga shpallja e Pavarësisë, deri më 1920 apo deri në (pranimin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara);
4) që nga pranimi në OKB, deri në vitin 1939 deri në fillimin e luftës së Dytë;
5) që nga 1940 deri më 1980;
6) që nga 1980, deri më 2000, gjegjësisht (deri në luftën e UÇK-së), dhe
7) që nga largimi i Serbisë nga Kosova (2000) e deri më 2012, apo më mirë me thënë nga manifestimi i 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe shpalljen e Republikës së Kosovës më (17 shkurt 2008).

Në fillim, ideja e bashkimit kombëtar e rilindësve, nuk arriti të zgjerohej e sundoj shumë. Ajo nuk ishte, veçse njëra nga fraksionet apo rrymat, jashtëzakonisht të shumta të bashkimit kombëtar. Përkundrazi, në atë kohë, sundonin të tilla mendime të cilat në brendi, ishin të afërta me përcaktimin, fetar të popullsisë, pasi nuk kishin mundësi të dallojnë, rëndësinë e secilës çështje (popull, komb, kombësi, besim etj), nga shtresat organizative të shoqërisë feudale, të cilat mbulojnë thelbin feudalo-borgjez, e kombëtar të ndryshimeve shoqërore e demokratike, duke u mbështetur me fraza fetare, gjoja demokratike për masën e drejtësinë që do të rregullohen me ligjet demokratike të kohës. Rilindja Kombëtare Shqiptare e viteve 1840-78 (Lidhja e Prizrenit), i goditi rëndë dhe për vdekje të gjitha idetë bombastike e fetare të Xhonturqve, për reforma e për formimin e një shoqërie demokratike të mbështetura në ato Evropiane. Masat që mori pushteti feudal i turqve të rinj, kundër popullit shqiptar e veçanërisht intelektualëve, kah fundi i shek. XIX e fillim i shek. XX, përcaktoj përfundimisht idenë se drejtësi e vetme është lufta për bashkim, çlirim dhe krijimin e shtetit shqiptar. Sulltanati, bashkë me feudalët osman dhe një numër edhe shqiptar, kishin frikë nga pavarësia e shqiptarëve, më shumë sesa nga reaksioni i brendshëm e sulmi i shteteve tjera. Fshatarësia shqiptare, ishte e kënaqur me heqjen dhe lehtësimin e disa obligimeve ndaj tyre dhe disa feudalëve të cilët filluan të marrin anën e rendit feudal, duke lëvizur e lëkundur shumë rrallë, ndaj sundimit feudal e shtetëror të kohës.
Periudha e dytë (1878-1912), dallohet nga periudha e parë, për karakterin e saj, për mungesën e një revolucioni adekuat e të mjaftueshëm për krijimin e mirëfilltë të një shteti shqiptar. Në Europë, perëndimi me kohë iu kishte dhënë fund revolucioneve dhe krijimit të shteteve e kombeve. Kurse, popujt e lindjes, ende nuk ishin pjekur e bërë gati për ndryshime me anë të rrugës revolucionare apo kryengritjeve të armatosura.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, shtetet Europiane kishin hyrë në epokën e transformimeve e ndryshimeve të mëdha shoqërore, ekonomike e politike. Gati në çdo vend, krijohen parti të ndryshme politike (kombëtare), të cilat arritën të mësojnë e shfrytëzojnë parlamentarizmin borgjez, pastaj të krijojnë shtypin e vet të përditshëm, bashkimet e veta profesionale dhe institucionet e tyre kulturore e kombëtare, ndërsa në lindje, vetëm sa kishte filluar të ndihet era e tyre. Ideja e rilindësve kishte arritur t’i korrte fitoret e para, pastaj t’i përhapin këto ide përparimtare europiane dhe që t’i zgjerojnë e shtrijnë ato në rrafshin horizontal ashtu edhe në atë vertikal. Kjo, doktrinë kombëtare, përhapej ngadalë por asnjëherë nuk ndalej. Vazhdimisht përhapej dhe vinte duke u forcuar për betejat e ardhshme shoqërore. Zhvillimi historik i idesë për bashkim e çlirim kombëtar, pa shmangshëm i detyroi armiqtë e vet shqiptar të vishen me vellon e patriotizmit kombëtar me qëllim që të arrijnë ta pengojnë procesin, apo ta ngadalësojnë sado pak zhvillimin e pashmangshëm të bashkimit e krijimit të Shqipërisë.
Edhe gjatë kësaj periudhe të përgatitjes së madhe të forcave shqiptare për bashkim e çlirim kombëtar, u ngritën dhe dolën në sipërfaqe, forca të kalbura e regresive nga brenda siç ishin; E. Teptani, H. Qamili e përkrahësit e tyre, të cilët arritën të gjallërohen në emër të ‘atdhetarizmit’ e ruajtjes së frymës otomane. Në këtë periudhë kur shqiptarët, mezi arritën të përgatiten për beteja të mëdha, ata i interpretonin këto përgatitje në kuptimin se është hequr dorë nga lufta e betejat për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Bërjen e Shqipërisë e interpretonin me përmirësimin e gjendjes së robërisë, dhe ishin gjoja për të luftuar kundër skllavërisë së punës dhe kundër atyre shqiptarëve laik që po mundohen të na e ndërrojnë ‘kombin’ e besimin fetar. Ata gjatë kësaj periudhe kishin edhe shumë përkrahës, e veçanërisht te disa feudal që kishin ndikim te shqiptarët, midis funksionarëve të ndryshëm të lëvizjes kombëtare dhe të një pjese të inteligjencës ‘simpatizuese’ shqiptare.
Periudha e fundit e cila përfshinë kohën në mes vitet 2000-2013, apo koha kur ushtria Serbe u detyrua të largohet nga Kosova, pas luftës së UÇK-së dhe ndihmës së ushtrisë së NATO-së. Kjo është koha kur populli i Kosovës arriti të çlirohet nga Serbia dhe ta krijoj shtetin e tij, po që nuk arriti edhe më tej ta realizon idenë historike të bashkimit. Edhe këtë periudhë, lirisht mund ta quajmë kohë të oportunizmit ndaj Bashkimit Kombëtar nga një pjesë jo e vogël e popullsisë së pa informuar mirë, po edhe nga një numër i madh i intelektualëve pseudo-patriot të shqiptarëve.
Oportunizmi që është duke u ndier përbrenda popullit shqiptar, s’ka të mbaruar. Nuk ka mbaruar së mburruri me mendimin se; nuk është e nevojshme bashkimi i shqiptarëve, pasi që ne ‘jemi’ dy popuj; (‘populli shqiptar dhe populli kosovar’), me dy gjuhë me dy kultura e me dy tradita, gjë që nuk është aspak e vërtetë dhe nuk ka asnjë bazë apo element shkencor për të gjithë ata që e dinë se kur janë krijuar kombet e shtetet: (shek XVII-XVIII pas lindjes së Krishtit).
Pas demonstratave (revolucionit) të shqiptarëve të viteve 1981-1989, vazhduan të shpërthejnë demonstrata edhe në Poloni, edhe në gjermani që bënë të mundshme prishjen e murit të Berlinit e bashkimin e Gjermanisë. Pas shembjes dhe përmbysjes së socializmit në Evropë, nuk mundet të qëndroj edhe ë tutje mendimi se shqiptarët edhe më tej duhet të jenë të ndarë në disa shtete, pasi që ky opsion mund të jetë destabilizues i rajonit. Ne jemi duke jetuar, pikërisht në mesin e këtyre shtrëngatave e erërave si edhe jehonës së tyre në Evropë. Cilido qoftë fati i popullit shqiptar, kundër së cilës po i mprehin dhëmbët disa popuj për rreth, (serbët, grekët,) si edhe shumë hiena të ndryshme ‘të qytetëruara’ shqiptare. Sot, një gjë duhet ta dinë të gjithë, se nuk ka fuqi në botë që është në gjendje ta rimëkëmbë feudalizmin dhe mendjen e vjetër të Ballkanit dhe ta fshij nga mendja demokratizimin heroik të masave popullore shqiptare në Ballkan po edhe në diasporë.
Edhe më tutje është një numër i madh i njerëzve të cilët nuk ta marrin me mend përgatitjen e luftën e masave shqiptare, duke e pasur parasysh se Jugosllavia socialiste ishte e fortë dhe shembja e saj, domosdo do të shtyhej edhe për një kohë më të gjatë. Të gjithë ata kanë rënë në dëshpërim dhe kanë hyrë në anarkizëm. E tani, atdhetarët e populli e shohim se sa dritëshkurtër dhe shpirtvogël është dëshpërimi i këtyre qytetarëve qyqar e anarkist.
Fakti që populli shqiptarë tetë milionësh është vetëdijesuar dhe është futur me dëshirë në luftë për të njëjtat ideale evropiane nuk duhet e nuk guxojmë të jemi burim dëshpërimi dhe burim i anarkisë.
Ndryshimet progresive në Europë e veçanërisht në Ballkan na treguan përsëri mungesën e karakterit dhe poshtërsinë e liberalizimit anarkist, rëndësinë e jashtëzakonshme që ka e duhet të ketë pavarësia e masave demokratike, si edhe ndarjen e prerë të popullit shqiptar nga çdo shqiptar me ide pro-jugosllave. Ai që edhe pas tërë kësaj, ende flet për një politikë jo shqiptare dhe për një politikë kundër bashkimit kombëtar, nuk na mbetet tjetër vetëm që duhet ta dërgojmë në ndonjë kopsht zoologjik për ta shoqëruar ndonjë kangur australian apo ari polar të Grenlandës.
Periudha ‘paqësore’ e viteve 90 dhe kjo pas vitit 2000 ka perënduar dhe perëndoi përgjithmonë. Këtë, duhet ta dinë të gjithë dhe mos të mashtrohemi edhe më tutje. Shtrenjtësia e jetesës, shtypja e trusteve dhe rritja e varfërisë në vend, po edhe në rajon, sistematikisht janë duke shkaktuar një acarim të paparë të luftës ekonomike e politike. Kjo luftë ekonomike e cila ka tundur edhe punëtorët anglez, francez, spanjoll etj, nuk ka mundësi që të mos i godas edhe shqiptarët. Edhe në Gjermani, që ky vend është shteti më i zhvilluar ekonomikisht, po shihet para syve tanë një krizë ekonomike, politike po edhe shoqërore. Ndërsa, deklaratat politike e të dhënat statistikore që trumbetohen në Kosovë e Shqipëri, janë të pavërteta dhe jo reale, mirëpo, masa e gjerë për të keqen tonë edhe më tej, nuk e ka të çartë plotësisht funksionimin e sistemit parlamentar shumë partiak. Ky acarimi luftës politike dhe ekonomike në Kosovë e Shqipëri nuk do të ketë mundësi ta largoj idenë e bashkimit kombëtar. Përkundër gjendjes së rëndë ekonomike, politike, anarkisë e korrupsionit i cili e ka përfshirë shoqërinë shqiptare e veçanërisht, strukturën udhëheqëse të shtetit, edhe më tutje besoj se populli shqiptar në të dy anët e kufirit ka potencial njerëzor, intelektual e atdhetar që ta bashkoj popullin në një shtet, pasi që nuk ka rrugë tjetër për ne.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura