MR.KADRUSH RADOGOSHI: GJAKOVA NË SHTRATIN E PROKRUSTIT SERB (II)

(Pashtriku.org, 26. 03. 2012) – Krijimi i Grupit të Gjakovës dhe heterogjeniteti i tij – Pas mbajtjes dhe torturimit 6 ditor në hangarin e familjes Kurti afër gjysmën e këtyre meshkujve, kryesisht më të vjetër, i liruan më 14 maj 1999. Mbetën 155 të tjerë, të cilët do ta kenë fatin e keq për t’i përjetuar të gjithë rrathët e ferrit serb. Nocioni ”ferri serb” nuk ka të njejtën semantikë si nocioni i përgjithshëm ”ferr”, i cili nënkupton ”botën” ku ndëshkohen mëkatarët pas vdekjes së tyre dhe ndëshkimet janë të ashpra varësisht nga pesha e mëkatit. Këtë semantikë nocioni ”ferr” e ka edhe te Dante Aligieri. Nocioni ”ferri serb” nënkupton vendet dhe mënyrat, ku ndëshkohen njerëzit e pafajshëm, qytetarët e zakonshëm vetëm pse janë shqiptarë. Njeriu nuk mund të jetë fajtor vetëm pse ka lindur pjesëtar i një kombi, sepse këtë përkatësi ai nuk e zgjedh, por e trashëgon siç e trashëgon edhe gjuhën e prindëve të tij e së bashku me të edhe një kulturë, e cila, deshi apo s’deshi dikush me vlerat njerëzore të saj është pjesë e kulturës universale njerëzore.
     Këta 155 shqiptarë, kryesisht banorë të Gjakovës apo musafirë të saj, u bënë pjesë të një grupi pa dëshirën e tyre. Këtë grup, i cili do të quhet Grupi i Gjakovës e konstruktoi makineria policore dhe gjyqësore serbe, për ta akuzuar dhe ndëshkuar me të gjitha mjetet dhe në të gjitha mënyrat. Vetëm një imagjinatë destruktive kriminale ka mund të konstruktojë një grup të tillë, i cili është aq heterogjen dhe i pabesueshëm në ekzistimin e tij, prandaj akuza e rëndë për terrorizëm është një absurd rrëqethës serb.
Ky grup i konstruktuar shqiptarësh është një vazhdimësi e politikës shtetërore serbe e udhëhequr nga programi nacional serb i ndërtuar nga elaboratet për zhdukjen e shqiptarëve që nga Garashanini e gjer te Çubrilloviqi, nobelisti Ivo Andriq e akademia serbe. Qindra grupe shqiptarësh kishte konstruktuar Serbia në Kosovë dhe trojet etnike shqiptare në ish Jugosllavi dhe i kishte dënuar me dënime drakonike, por ky grup është më i madhi për nga numri (155), më heterogjeni dhe me vëllimin më të madh të ndëshkimit 1635, vjet burg, 9 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur rëndë me armë zjarri. 

     Ky grup ishte heterogjen për nga mosha. Në mesin e tyre kishte të mitur, por edhe burra të moshës 56 vjeçare. Në mesin e tij kishte të burgosur që ishin babë e djalë (Shefqet Vokshi me të birin Adriatikun, Agim Hoda me të birin Kreshnikun, Mehdi Ferizi me të birin Yllin), kishte të burgosur që ishin vëllezër (vëllezërit: Halil e Napolon Guta me kushërinjtë e parë të tyre Ymerin, Muhedinin, Mithatin, Muhametin; vëllezërit Fahri, Behar e Arbnor Koshi; vëllezërit: Agim, Bujar e Burim Hasi; vëllezërit: Ylber e Besnik Kastrati; vëllezërit: Burim e Mirgjin Zhubi; vëllezërit: Visar e Edmond Dushi; vëllezërit: Petrit e Bekim Këpuska; vëllezërit: Adem dhe Sami Morina; Albert e Armond Koshi; Lulzim e Emin Delija; Mustafë e Eimri Ahmeti; Xhemajli e Rifat Thaçi).
     Grupi ishte heterogjen në aspektin social sepse brenda tij kishte njerëz të shtresave të ndryshme sociale.
Grupi nuk ishte homogjen as në aspektin regjional. Ai përbëhej nga njerëz prej Gjakovës (shumica) dhe fshatarë që rrëmuja e luftës i kishte sjellë në Gjakovë për t’u strehuar tek të afërmit e tyre. Në këtë grup e pat fatin e keq të jetë edhe një qytetar i Pejës, i cili ishte arrestuar në rrugën Gjakovë-Pejë dhe ishte vrarë në burgun e Dubravës. Ky ishte Nikollë Ndue Kolaj.
     Në aspektin profesional dhe të nivelit arsimor Grupi i të burgosurve ishte gjishashtu heterogjen. Ai përbëhej nga njerëz të profesioneve të ndryshme. Kishte doktor shkencash e profesor universitar, kishte profesorë të shkollave të mesme, juristë, ekonomistë, inxhinierë, farmacistë, historianë, punëtorë administrativë, zejtarë, të ndryshëm, punëtorë të kualifikuar e të pakualifikuar etj.
Për të qenë ironia edhe më e madhe Grupi i të burgosurve gjakovarë edhe në aspektin e gjendjes shëndetësore ishte heterogjen. Kishte plot njerëz të sëmurë, njerëz me sëmundje të ndryshme kronike (të veshkave, asmë etj.) me sëmundje kordiovaskulare, pra njerëz që kishin përjetuar infarkte, njerëz me gjysmën e trupit të paralizuar, njerëz të sëmurë në aspektin e drejtpeshimit psikik etj.
Ky heterogjenitet dëshmon për tejdukshmërinë e konstruktimit artificial të grupit dhe absurditetin total të akuzës. Në këtë kontekst s’ka se si të mos na kujtohet thënia publike dhe proverbiale e babait të nacionalizmit dhe shovenizmit serb Dobrica Qosiqit se serbët rrenën e kanë ngritur në art, ndërsa ne mund t’i shtonim edhe krimin.
Nëpër rrathët e ferrit serb
     155 Shqiptarët e arrestuar, në hangarin e familjes Kurti i mbajtën gjer më 16 maj 1999. Aty përjetuan rrahjet, fyerjet, poshtërimet, torturat ndër më të ndryshmet. Herë pas here shumicën e merrnin në pyetje në ndërtesën e improvizuar të policisë, në ndërtesën e ish Entit Social dhe i torturonin. Më parë, pjesës dërmuese ia kishin bërë të ashtuquajturën dorëz të parafinës gjëja për të vërtetuar pjesëmarrjen e tyre në luftë. Pastaj i kthenin sërish në hangar tek të tjerët. Siç dëshmon Nexhat Shujaku gjatë marrjes në pyetje i kanë lidhur tri bomba dore me tel dhe ia kanë varur në qafë, pastaj i janë kërcnuar se do ta hedhnin nga kati i tretë. Ilir Damonagën e kanë rrahur aq keq saqë ka urinuar tërë kohën gjak. Gjashtë ditë sa kanë qëndruar të mbyllur në hangarin e familjes Kurti i kanë lënë të uritur e të etur.
     Më 16 maj 1999 pasi ua kanë dhënë vendimet me të cilat i akuzonin për terrorizëm sipas nenit 125/139 pika 3 e LP i kanë hypur në autobus dhe në rimorkio të një kamioni të madh, kuptohet të rrëmbyer nga civilët shqiptarë, për t’i dërguar në burgun e Pejës. Gjatë rrugës janë torturuar nga policë e paramilitarë. Meqë në burgun e Pejës nuk kishte vend, i kanë vendosur në objektin e ”Fruktusit” apo siç e quajnë të burgosurit në dëshmitë e tyre, në ”bodrumin e Sali Bananes”. Aty i kanë mbajtur në kushte çnjerëzore nga 16 gjer më 18 maj. Pa bukë, pa ujë, pa shtrojë, pa mbulojë, pa nevojtore dhe nën tortura e kërcënime edhe të plakave serbo-malazeze, të cilat kanë kërkuar vrasjen e tyre dhe janë përpjekur të hedhin edhe bomba dore nëpër dritare. Nëse Gjakova ishte shndërruar në rrethin e parë të ferrit serb për të gjithë banorët e saj, ndërsa hangari i familjes Kurti në rrethin e dytë, bodrumi i Sali Nimanit ishte pa dyshim rrethi i tretë i atij ferri.
     Më 18 maj 1999 i dërguan në burgun famëkeq të Dubravës apo në rrethin më të tmerrshëm të ferrit serb. Në burgun e Dubravës i pritën me rrahje barbare me shkopinj gome druri e shufra metali, duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore (thyerje dhëmbësh, nofullash, brinjsh).
     Forcat serbe, pasi kishin larguar disa ditë më parë të gjithë të burgosurit ordinerë serbë, provokuan sulmet e avionëve të NATO-s, të cilët filluan bombardimin e këtij burgu më 19 maj 1999. Gjatë bombardimeve të kësaj dite kanë pësuar katër të burgosur ndërsa u plagosën rëndë 3 veta.
     Bombardimet e NATO-s ishin më intensive më 21 maj 1999 mbi këtë burg dhe thuase këto nuk mjaftonin, prandaj gardianët serbë gjuanin me ”snajper” nga vëzhgimoret dhe vendet ku ishin strehuar. Në këtë ditë, nga Grupi i Gjakovës u vranë: Besnik Shani Kastrati, Hasan Miftar Hoda, Blerim Adem Hoda, Anton Pashk Maksuti, Nikollë Ndue Kolaj dhe Bahri Mejdin Kryeziu, i cili u vra duke i ndihmuar të plagosurit. Shembulli i këtij të burgosuri, që me profesion ishte teknik medicinal, duhet të jetë pikë referimi apo gurrë katarkike në të cilën duhet ta shuajë etjen ndërgjegjja e çdo punëtori në sistemin shëndetësor të Kosovës.
Këtë ditë u plagosën rëndë edhe shumë të burgosur, ndërsa nga Grupi i Gjakovës u plagosën: Napolon Guta, Halil Guta, Armond Koshi, Bekim Mullahasani, Hysen Juniku, Edmond Dushi, Visar Dushi, Ardian Tetrica, Ylber Kastrati, Shefqet Vokshi, Emin Delija, Alban Koshi, Adnan Koshi, Driton Aliaga, Riza Pruthi, Jusuf Brovina, Esat Zherka, Florent Rudi, Adnan Brovina, Fatos Deva, Fatos Dautaga etj. I plagosuri Napolon Qemajl Guta një ditë më vonë është ekzekutuar me një plumb në qafë. 
     Në mëngjesin e 22 majit 1999 të gjithë të burgosurit në burgun e Dubravës, i rreshtuan gjëja për t’i dërguar në një vend më të sigurt, në burgun e Nishit. Ky arsyetim ishte një ironi, një cinizëm kriminal, sepse, posa u rreshtuan të gjithë të burgosurit afër 900-1000, nga vëzhgimoret e burgut dhe pozicionet tjera gjuajtën në ta me të gjitha llojet e armëve: raketahedhës dore, ”Zola”, automatikë, pushkë ”snajper”, bomba dore. U përsërit edhe një herë historia tragjike për shqiptarët, u përsërit Masakra e Tivarit, por tani në një kontekst krejt tjetër. Në oborrin e burgut të Dubravës mbetën shumë të vrarë e të plagosur. Skenë tmerruese: gjëmime të plagosurish, gjymtyrë të shpërndara të trupave të të burgosurve, grumbuj të vrarësh të rënë njëri mbi tjetrin.
     Të burgosurit e plagosur më lehtë dhe ata që shpëtuan pa plagë të lemeritur u shprëndanë nga mundën, të udhëhequr nga instinkti i mbijetesës. Vdekja dhe jeta ishin ballë për ballë. Disa të burgosur u futën nëpër pusetat e kanalizimit, të cilëve, më vonë gardianët dhe paramilitarët serbë, u hodhën bomba dore, ndërsa pjesa dërmuese e Grupit të Gjakovës shkuan në bodrumin e mensës së bombarduar. Para hyrjes në mensë Ilir Damonaga u qëllua për vdekje nga ”snajperi” serb, kur po i ftonte me dorë shokët për të shkuar në drejtim të mensës. Nga ”snajperi” serb u vra edhe Myhedin Xhelal Guta. Bilansi tragjik për Grupin e Gjakovës ishte 9 të vdekur dhe shumë të plagosur. Halil Guta u plagos sërish nga predha e minahedhësit të shkrepur nga paramilitari serb. Pas tërë kësaj masakre ata ekzekutuan të plagosurit e mbetur ende gjallë. Bilansi tragjik i kësaj masakre ishte (sipas dëshmive të të mbijetuarve) rreth 200 të vrarë. Disa detaje të masakrës së kryer në burgun e Dubravës, sipas dëshmive të të burgosurve, u gjiruan nga gazetarë grekë, ndërsa sipas dëshmisë së Halil Gutës edhe francezë, të cilët edhe e kanë intervistuar. Kuptohet këta gazetarë ishin ftuar dhe lejuar për të gjiruar pamje nga masakra, që pastaj të spekulonin me opinionin botëror dhe ta akuzonin NATO-n se gjëja ka shkaktuar viktima të shumta nga kategoria më e pambrojtur civile, ajo e të burgosurve. Se cilët janë autorët e masakrës dëshmojnë të mbijetuarit e saj, të cilët vetëm nga Gjakova janë 146. 

     Pas tërë kësaj, më 23 maj 1999 gardianët dhe paramilitarët serbë i detyruan të burgosurit të dilnin nga bodrumet, ku ishin strehuar, duke u hedhur bomba dore nëpër dritare. I rreshtuan të gjithë në sallën e sporteve, u dhanë cigare gjëja për t’ua plotësuar dëshirën e tyre të fundit, para se t’i pushkatonin të gjithë. Atmosferë e një ankthi të papërshkrueshëm: përshën- deteshin para se të vriteshin babë e bir, vëllai me vëlla, shoku me shok, shqiptari me shqiptar dhe në instancën e fundit njeriu me njeri. Në njërën anë dashuria për jetën dhe dhembja e frika për rrezikimin e saj e në anën tjetër vdekja, që dukej si përbindësh parahistorik, që mund të villte zjarr nga goja në çdo çast. Sipas dëshmive të shumicës nga të mbijetuarit, në çastet e fundit nga radiolidhja e komandantit të gardianëve është dëgjuar urdhëri: ”ndal!”. Shumica e të vrarëve në këtë masakër u varrosën në varrezat masive në fshatin Rakosh.
     Të mbijetuarit nga masakra e Dubravës më 24 maj u transferuan në burgun Lipjanit, ku qëndruan gjer më 10 qershor 1999, pra gjer kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës në mes të ushtrisë serbe dhe NATO-s. Edhe në burgun e Lipjanit jeta e të burgosurve shqiptarë e në mesin e tyre edhe e të burgosurve të Grupit të Gjakovës karakterizohej nga dhuna fizike e psikike, nga uria e etja, bile edhe nga mungesa totale e kripës. Thënë troç: me të burgosurit shqiptarë u bënë eksperimente të motivuara nga sadizmi dhe format tjera të destruktivitetit kolektiv serb.
Shumica e të burgosurve të Grupit të Gjakovës pas Lipjanit u dërguan në burgun e Nishit, ndërsa disa prej tyre edhe në burgun e Pozharevcit dhe të Mitrovicës së Sremit. Edhe në këto burgje, të burgosurit shqiptarë, përjetuan forma të ndryshme të dhunës dhe të poshtërimit. Bile jeta e tyre u rrezikua shumë gjatë rrebelimit të të burgosurve serbë gjatë muajit nëntor të vitit 2000.
     Gjykata e Qarkut në Leskovc më 23. 12. 1999 mori vendim për fillimin e hetimeve ndaj grupit të Gjakovës të akuzuar, që në preambulën e këtij vendimi për vepër penale të terrorizmit (?!) në bazë të nenit 125 në lidhje me nenin 139 al. 3 dhe 22 të LP të RFJ (ki.br. 201/99). Për të qenë absurditeti më i madh, gjyqësia serbe ngrit procedurë hetimore edhe ndaj të masakruarve në burgun e Dubravës, të cilët në vendimin e përmendur më parë shpallen të arratisur. Absurditeti i dytë i gjyqësisë serbe është se nuk respektohet as rregulla më elementare në praktikën gjyqësore botërore se gjatë procedurës hetimore të burgosurit konsiderohen të dyshimtë deri në vendimin e formës së prerë, kur i burgosuri, nëse shpallet i pafajshëm lirohet, ndërsa, nëse shpallet fajtor atëherë mund të quhet kryes i veprës penale. Në këtë vendim për fillimin e hetimeve quhen kryes të veprës penale të terrorizmit.
     Gjykimi i Grupit të Gjakovës filloi në Nish më 18 prill 2000. Kolegji gjykues përbëhej nga gjyqtarët Goran Petronijeviqi, Zoran Petrushiqi, Dushan Shparavallo, Radovan Kërstiqi dhe Tihomir Zhivkoviqi dhe nga procembajtësja Liljana Mirjaçiqi. Në gjykim merrnin pjesë edhe dy përkthyes serbë nga Gjakova dhe një shqiptar nga Leskovci, i cili nuk e njihte gjuhën shqipe. Mbrojtës të angazhuar nga FDH i Natasha Kandiqit ishin edhe avokatët shqiptarë: Teki Bokshi nga Gjakova dhe Mustafë Radoniqi e Ibish Hoti nga Peja.
Ky proces i montuar gjyqsor dhe i motivuar politikisht zgjati deri më 19 maj 2000, gjithsej 26 ditë. Rrjedha e këtij procesi gjyqësor ishte një tragjikomedi, që rrallë mund t’i gjendet ndonjë mostër në praktikën gjyqësore botërore. U gjykuan njerëz të pafajshëm, të sëmurë rëndë, të mitur. Të vetmet ”prova” që u nxorën në këtë farsë gjyqësore ishte kuazi dëshmia e njëfarë ”eksperti” të dorëzës së parafinës dhe kuazi dëshmitë e policëve dhe paramilitarëve, që kishin kryer krime makabre në Gjakovë dhe fshatrat e saj. Për të qenë ironia edhe më e madhe këta policë e paramilitarë nuk kanë qenë në gjendje t’i identifikonin të burgosurit shqiptarë, të cilët i akuzonin. Në këtë proces gjyqësor nuk u gjykuan dy nga shumë të sëmurët e Grupit të Gjakovës dhe njëri nga të miturit, i cili ishte lëshuar nga burgu i Mitrovicës së Sremit më 18 tetor 1999. Ky i burgosur i mitur ishte Gent Jakup Nushi.
     U gjykuan dhe u dënuan në këtë proces gjyqësor 143 pjesëtarë të Grupit të Gjakovës. Dënimet ishin drakonike. Me nga 13 vjet burg u dënuan 49 veta, me nga 12 vjet burg u dënuan 51 veta, me nga 10 vjet burg u dënuan 20 veta, me nga 9 vjet burg u dënuan 11 veta dhe me nga 7 vjet burg u dënuan 10 veta.
Ky vendim gjykate në emër të popullit (kuptohet popullit serb) dënonte 143 shqiptarë të pafajshëm nga Gjakova me 1632 vjet burg, apo me 16 shekuj, tre dhjetëvjetësha e 2 vjet burg. Një ndëshkim i tillë s’është diçka e panjohur në praktikën e gjykatave serbe, që kanë një traditë të gjatë në dënimet e shqiptarëve, të cilat janë bërë në ”emër të popullit” dhe të ”shtetit juridik”. Në emër të këtyre ”kategorive” serbe janë bërë edhe shumë masakra mbi shqiptarët, historia e të cilave fillon që nga themelimi i shtetit serb. Në këtë kontekst të krimit serb mbi shqiptarët më kujtohet antropologu S.L. Washburn, njëri ndër autoritetet më të njohura në këtë fushë, i cili duke u nisur nga premisa se njeriu në 99% të rasteve gjatë historisë ka jetuar si gjuetar, prandaj agresivitetin e gjen te ”psikologjia e gjuetarit” siç e quajnë disa apo siç e quan ky te ”psikologjia e bishës” (shih. E. From: Anatomia e destruktivitetit njerëzor f. 146.). Shteti serb, gjatë tërë historisë së tij i ka mësuar shtetasit e vet (kuptohet serbë) të plaçkisin, të djegin, të torturojnë, të dhunojnë, poshtërojnë, vrasin e masakrojnë qeniet njerëzore joserbe në emër të shtetit dhe kombit të tyre. Antropologu Washburn përsëri na përkujton: ”Njeriu ka psikologjinë e bishës. Është lehtë t’i mësosh njerëzit të vrasin, por është vështirë t’i mësosh t’i kundërvihen vrasjes”(po aty).Në kontekst të mendimeve të cituara më parë shtetin serb, nëse dëshiron t’i bashkohet esencialisht botës së qytetëruar, e presin detyra të vështira. Ai duhet të demokratizohet dhe duhet t’i thot STOP politikës hegjemoniste të mbështetur mbi elaborate për zhdukjen e shqiptarëve. Në radhë të parë ai duhet ta denacifikojë shtetin dhe kulturën serbe. Hapi i parë në këtë drejtim do të ishte që shteti serb t’u kërkojë zyrtarisht falje shqiptarëve për krimet shtetërore të bëra mbi ta dhe të fillojë kompensimin e dëmeve të shkaktuara me luftën e vet pushtuese. Përndryshe, asgjë e mirë nuk do të ndodhë derisa Serbia vazhdon, që nga pozita e ”pafajshmërisë” së vet, të akuzojë e satanizojë shqiptarët. Ajo duhet të fillojë çrrënosjen e ”psikologjisë së gjuetarit” apo ”psikologjisë së bishës” nga qenia kolektive serbe.
     Se sa i vështirë është ky proces dëshmon fakti se çdo përpjekje e rrallë e ndonjë intelektuali serb për ta shkëputur popullin serb nga e kaluara e krimit gjykohet në mënyrë të vrazhdë. Autori i librit ”Sekreti ushtarak” Vlladan Vllajkoviq është mbyllur (burgosur) tri herë me akuzë për publikimin e sekretit ushtarak. Këtë libër të botuar nga Këshilli i Helsinkut për të Drejtat e Njeriut në Serbi, të botuar në këtë vit (2004), menjëherë e ka ndaluar dhe konfiskuar Gjykata Ushtarake. Autori i këtij libri të ndaluar dhe konfiskuar ndër të tjera thotë: ”Tmerr është të jetohet në Serbi, e cila është Mekë për kriminelët, ku madje edhe nga Republika Serbe (e Bosnjës K.R.) kërkojnë strehim. Të njëjtit ata, të cilët i kanë groposur shqiptarët, do të shëtisin nesër me fëmijët tanë dhe ky është problemi se çfarë do të ndodh me Serbinë për 20 vjet…” (”Koha ditore” 1. 12. 2004, f.5)

     Autori i librit të ndaluar dhe konfiskuar më tutje dëshmon se shteti serb dhe ushtria e tij janë të lidhur  ngusht me krimin: ”Kur i zbulon të dhënat se ushtria ua ka dhënë helikopterin kriminelëve – këtu dyert mbyllen”(po aty). Dëshmitë e të burgosurve të Grupit të Gjakovës në këtë libër, i vërteton Vllajkoviqi në librin e tij, i cili ndër të tjera thot: ”Ka pasur mjaft shqiptarë, të cilët kanë qenë të zënë robër dhe të transferuar nga Kosova në burgun ushtarak” për të vazhduar ”shfryhen ndaj shqiptarëve (…) ushtari i godiste të burgosurit, të cilët, as nuk e kuptonin gjuhën, as nuk e dinin pse hanin dajak. Ata i detyronin të këndonin këngë të çetnikëve. Ka qenë edhe një shqiptar, i cili zakonisht pas shuplakës së parë binte për tokë. Gjithnjë më kanë habitur ata policë ushtarakë ”të guximshëm”, të cilët me kënaqësi sadiste e kanë shikuar ose kanë marrë pjesë në keqtrajtimin e të burgosurve të pafuqishëm nga Kosova. (…) nuk janë ndërrmarrë kurrfarë masash kundër njerëzve, të cilët i kanë rrahur të burgosurit pa kurrfarë shkaku” (Po aty).
     Domosdoja e denacifikimit të shtetit serb dëshmohet në letrën e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) dërguar Kuvendit të Serbisë më 24 dhjetor 2004: ”Në secilin shtet tjetër ata (kriminelët K.R.) do të ishin objekt i organeve të hetuesisë dhe gjykatave, përveç në Serbi, ku veprimet kriminale të grupeve dhe individëve në institucione quhen patriotizëm dhe luftë për popullin serb” (K.D. 25. 12. 2004, f1-2). Këto grupe kriminelësh janë pushtetarë serbë, të cilët janë përgjegjës për varrezat masive të shqiptarëve të vrarë dhe për djegien e kufomave të tyre në shkritoren në Bor, në Minierën ”Trepça”, në termocentralet e Obiliqit, në furrat 4 e 5 të fabrikës ”Maçkatica” në Surdulicë më 16 e 24 maj 1999.
     Të gjitha këto krime, sipas FDH, i kanë bërë njerëzit e ish ministrit të policisë Vllajko Stoiloviq, ish kryeministrit Nikolla Shainoviq, kryeshefit të sigurimit publik të MPB Vllastimir Gjorgjeviq dhe kryeshefit të sigurimit shtetëror të Serbisë Rade Markoviq.
     Pas një presioni të fuqishëm ndërkombëtar e sidomos kushtëzimit të ndihmave nga qeveria amerikane Serbia i liroi të gjithë të burgosurit e Grupit të Gjakovës më 25 prill 2001, të cilët nën mbikqyrjen e Kryqit të Kuq Ndërkombnëtar u kthyen në Gjakovë, e cila i priti me gëzim të madh. Shumë familjeve iu kthyen djemtë, burrat, baballarët. Ky gëzim nxori edhe më shumë pikëllimin e familjarëve të të zhdukurve, të cilët shpresonin se të dashurit e tyre të zhdukur do të ktheheshin të gjallë nga burgjet serbe. Kjo shpresë pas kësaj dite është zvogëluar te këta njerëz të mbushur me ankth, që akuzon gjer në qiell.
* FUND *

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura